Beteja për drejtësinë, EURALIUS-USAID prishin planet Meta-Ruçi, rekomandime më vete për KLGJ mbi Gjykatën e Lartë, ja dokumenti

2 SHTATOR 2020

Politika dhe ndërkombëtarët duket se po zhvillojnë një betejë të fortë në prapaskenë për drejtësinë e re. Gazeta e ka theksuar disa herë se përmes manovrave po tentohet të kapen Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese. Pas rekomandimeve që dha Komisioni i Venecias pati një takim mes presidentit dhe kryetarit të Kuvendit, gjë që solli një sërë reagimesh dhe madje ata i dërguan nga një shkresë KED. Ndërkohë, vetë Ruçi në sallën e Parlamenti kritikoi KLGJ mbi garën në Gjykatën e Lartë. Po ashtu Kuvendi përgatiti dhe një rezolutë. Nga ana tjetër Presidenti pak kohë më parë i dërgoi po një letër KLGJ ku kërkonte informacione mbi Gjykatën e Lartë. Mirëpo në mes kanë hyrë ndërkombëtarët. Misionet EURALIUS dhe USAID kanë hartuar një plan konkret sesi duhet të vijojë KLGJ me hapjen e vakancave. Gazeta ka siguruar procesverbalin e datës 09.07.2020 të mbledhjes së KLGJ, ku jepen detaje. “Hapat e mëposhtme mund të merren në konsideratë me prioritet: Së pari, përfundimin e procesit të emërimit të gjyqtarit të katërt, nga radhët e jomagjistratëve, me shpejtësi duke marrë hapa për t’i adresuar menjëherë të gjithë pengesat dhe projektet janë të gatshëm të vijnë në ndihmë për këtë çështje; Së dyti, përcaktimi i një afati të arsyeshëm brenda të cilit do të përfundojnë procedurat e ngritjes në detyrë për gjashtë pozicionet tashmë të nisura, pozicionet në fushën e së drejtës civile dhe asaj administrative, dhe të publikohet afati i parashikuar; Së treti, hapja pa vonesë e pozicioneve të nevojshme në fushën e së drejtës penale brenda afateve të shpejta por ama të arsyeshme kohore, që të lejohet sa më shpejt ngritja e kolegjeve të posaçme; Së katërti, përcaktimi i fushave të së drejtës (penale, civile ose administrative) për pozicionet e mbetura dhe shpallja e tyre në mënyrë të tillë që KLGJ-ja të mund të kryejë me ritme të shpejta procesin e rekrutimit dhe të përzgjedhjes”, janë disa prej rekomandimeve të SHBA-BE.

Organizmi i gjykatës

Misionet e SHBA dhe BE kanë thënë se problemi me Gjykatën e Lartë nuk qëndron vetëm te mungesa e gjyqtarëve. Sipas tyre, ka nevojë dhe për lëvizje të tjera. “Lidhur me këtë, duhet të marrim në konsideratë, me prioritet, këto hapa: Së pari, siguroni që të ekzistojnë të gjithë aktet e nevojshme nënligjore që mundësojnë caktimin e menjëhershëm të këshilltarëve ligjorë që diplomohen në Shkollën e Magjistraturës; Së dyti, hapni procedurat e komandimit për ndihmësmagjistratë; Së treti, miratoni rregulloren e brendshme standard të kërkuar për Gjykatën e Lartë, në mënyrë që kjo gjykatë të mund të miratojë rregullat e saj dhe më të detajuara siç

e parashikon ligji; Së katërti, miratoni pa vonesë aktet nënligjore të kërkuara, që lejojnë njoftimin

për hapjen e vendeve për stafin administrativ; Së pesti, garantoni burimet e mjaftueshme financiare për 2020-ën, që e lejojnë Gjykatën e Lartë të punësojë dhe të plotësojë të gjithë vendet e lira në administratën e gjykatës”, thuhet në rekomandimet e ndërkombëtarëve.  Më tej USAID dhe EURALIUS janë shprehur se është shumë e rëndësishme që të dy proceset, pra caktimi, ngritja në detyrë e gjyqtarëve dhe ngritja e strukturave mbështetëse administrative, të kryhen në të njëjtën kohë, për të garantuar mekanizma të mjaftueshëm mbështetës për numrin përkatës të gjyqtarëve në çdo fazë.

Gazeta Sot