Berisha e denoncoi që në 2022. – Tre vite paralajmërime për Vlora Hysenin dhe heshtja e institucioneve

Mos flisni. ….Kupa u mbush
23 Shtator 2026
Nga zhvillimet në SHISH në dhjetor 2022, te emërimi i saj, vizita në Beograd, informacionet që sipas denoncimit duhej të kalonin më parë te Rama e Agaçi dhe më pas lidhjet me Ergys Agasin dhe botën e krimit.
Sot, kur drejtësia ka vendosur masën e arrestit në shtëpi për shefen e Shërbimit të Inteligjencës, Vlora Hyseni, rikthehet një pyetje e thjeshtë: çfarë u bë me këto denoncime kur ato u bënë për herë të parë?
Historia e Vlora Hysenit në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit nuk nis me zhvillimet e sotme. Përkundrazi, emri i saj ishte futur në debatin për SHISH-in disa muaj përpara se ajo të merrte drejtimin e këtij institucioni.
Më 24 dhjetor 2022, në një prej denoncimeve të publikuara nga Sali Berisha për zhvillimet në SHISH pas largimit të Helidon Bendos, Vlora Hyseni përmendej drejtpërdrejt në cilësinë e këshilltares së Kryeministrit për sigurinë.
Denoncimi i referohej një “oficeri dixhital” dhe pretendonte se, në praninë e Hysenit, Helidon Bendo ishte nxjerrë me forcë nga zyra dhe se në SHISH po zhvillohej një proces spastrimesh dhe emërimesh politike. Një denoncim i fortë që do duhet të kishte alarmuar drejtësinë, por që kaloi në heshtje nga organi hetimor.
Denoncimi i Berishës në atë kohë nuk e ndaloi Edi Ramën të vijonte me planin për emërimin e saj në krye të SHISH.
Por rëndësia e tij sot qëndron në një fakt të thjeshtë: emri i Vlora Hysenit ishte ngritur publikisht që në dhjetor 2022, përpara se ajo të propozohej për drejtimin e SHISH.
Tre muaj më vonë, më 17 mars 2023, Edi Rama e propozoi Vlora Hysenin për drejtore të SHISH. Emërimi hapi menjëherë debat politik, ndërsa opozita kërkoi shpjegime për të kaluarën e saj në Kosovë dhe rrethanat e largimit nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës.
Berisha e vijoi kundërshtimin.
Në fund të majit 2023, ai denoncoi vizitën e Hysenit në Beograd, të cilën e cilësoi si një çështje serioze për sigurinë e Shqipërisë, Kosovës dhe NATO-s.
Ai kërkoi edhe largimin e saj nga drejtimi i SHISH. Në atë kohë, pretendimet e e kryetarit të opozitës u bënë pjesë e një debati të gjerë politik, por nuk pati një reagim institucional që të çonte në një verifikim të akuzave të ngritura.
Dhe denoncimet nuk u ndalën.
Më 26 shkurt 2024, Berisha ngriti një tjetër akuzë, këtë herë për mënyrën e qarkullimit të informacionit të SHISH.
Kryetari i PD-së denoncoi se SHISH ishte urdhëruar që informacionet që kërkoheshin nga policia, prokuroria apo institucione të tjera ligjzbatuese të kalonin fillimisht te Kryeministria, te Edi Rama dhe Engjëll Agaçi, përpara se t’u përcilleshin institucioneve që i kërkonin.
Ky ishte një pretendim konkret për mënyrën se si, sipas denoncimit, funksiononte qarkullimi i informacionit të klasifikuar.
Dhe sërish, pyetja ishte e njëjtë: çfarë u bë për ta verifikuar nga SPAK?
Nëse pretendimi ishte i pavërtetë, duhej rrëzuar me fakte. Nëse kishte indicie që kërkonin hetim, duhej verifikuar nga organet kompetente. Por përsëri edhe kjo kaloi në heshtje.
Në vitin 2025, Berisha e riktheu sërish në qendër të denoncimeve emrin e Vlora Hysenit, duke pretenduar ndërhyrje të SHISH në çështje që lidhnin Belinda Ballukun me Gjykatën e Lartë.
Por në të njëjtën periudhë, denoncimet e Berishës morën një tjetër drejtim: marrëdhëniet e pretenduara të Vlora Hysenit me Ergys Agasin dhe ndikimin e botës së krimit mbi institucionin që ajo drejtonte.
Berisha ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se Hyseni kishte kontakte të shpeshta me Agasin dhe ka ngritur pretendimin se këto marrëdhënie nuk ishin thjesht kontakte personale, por tregonin për një ndikim të jashtëm mbi SHISH-in.
Në një prej denoncimeve të tij, Berisha pretendoi se Hyseni darkonte apo drekonte me Agasin të paktën dy herë në javë, në mes të Tiranës.
Në denoncimet e tjera, ai e ka paraqitur Agasin si një person me lidhje me botën e krimit dhe ka ngritur pretendimin se përmes tij ishte krijuar një kanal ndikimi mbi informacionin dhe veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Shtetit.
Sot denoncimet që bëri Berisha ndër vite janë aktakuzë pë Vlora Hysenin
Sepse pikërisht marrëdhënia Hyseni–Agasi dhe dyshimi për kalimin e informacionit shtetëror te Agasi janë tashmë pjesë e hetimit të drejtësisë, sipas të dhënave të bëra publike sot nga SPAK.
SPAK dhe BKH kanë ndërmarrë kontrolle dhe ndaj Vlora Hysenit është vendosur masa e arrestit në shtëpi, ndërsa ajo është pezulluar nga detyra më pas nga Rama.
Sipas të dhënave të bëra publike, hetimi lidhet me dyshime për korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndërsa një prej linjave të hetimit lidhet me dyshimin se informacione shtetërore i janë përcjellë Ergys Agasit dhe ndoshta edhe aktorëve të tjerë.
Pra, ajo që sot po hetohet nga drejtësia është një prej elementeve që Berisha e kishte ngritur publikisht që në dhjetor 2022 e në vijim.
Një gjë është e qartë nga kronologjia: paralajmërimet publike kanë ardhur shumë më herët se reagimi i sotëm i drejtësisë.
Dhe pikërisht këtu qëndron pyetja që duhet t’u drejtohet institucioneve.
Çfarë ndodhi me denoncimet e dhjetorit 2022?
Çfarë u bë me denoncimin për vizitën në Beograd?
Çfarë u bë me pretendimin, në shkurt 2024, se informacionet e SHISH duhej të kalonin fillimisht te Rama dhe Agaçi?
Çfarë u bë me denoncimet e mëvonshme për marrëdhëniet e Vlora Hysenit me Ergys Agasin dhe pretendimet për ndikimin e personave me lidhje me botën e krimit mbi institucionin?
A u verifikuan ndonjëherë këto çështje nga SPAK?
Pse institucionet zgjodhën të mos i preknin?
Kjo është pjesa që nuk duhet të humbasë mes zhvillimeve të sotme.
Sepse në rast se denoncimet ishin të rreme, përgjigjja institucionale duhej të ishte e qartë. Nëse ishin të bazuara, atëherë duhej të kishte veprim shumë më herët.
Ajo që ngre pikëpyetje është fakti që një çështje kaq sensitive kaloi për vite në heshtja nga drejtësia dhe vetëm tani mbërriti masa e sigurimit ndaj drejtueses së SHISH.
Berisha është kryetari i partisë më të madhe opozitare në vend. Përtej përplasjes së zakonshme mes pushtetit dhe opozitës, denoncimet e kreut të opozitës për drejtuesin e një institucioni si SHISH do të duhej të ishin objekt verifikimi institucional emergjent.
Një denoncim për drejtuesin e shërbimit sekret duhet verifikuar me përparësi, sidomos kur denoncimi vjen nga njeriu i dytë më i informuar në vend që është kreu i opozitës.
Nëse verifikimi tregon se denoncimi është i pavërtetë, kjo duhej thënë. Nëse tregon të kundërtën, institucionet duhej të vepronin.
Sot vendi përballet me një situatë të pazakontë: drejtuesja në detyrë e inteligjencës shqiptare është nën masën e arrestit në shtëpi dhe e pezulluar nga funksioni.
Tani është radha e drejtësisë të tregojë me prova çfarë ka ndodhur dhe kush mban përgjegjësi.
Por paralelisht mbetet edhe një përgjegjësi tjetër, politike dhe institucionale:
Pse u deshën kaq vite që alarmet e ngritura publikisht për drejtimin e SHISH, për qarkullimin e informacionit shtetëror dhe për marrëdhëniet e saj me persona të lidhur me botën e krimit të mbërrinin në tryezën e drejtësisë?
Kjo është pyetja që nuk duhet të harrohet.
Sepse sot mund të hetohet Vlora Hyseni.
Por duhet të hetohet edhe se pse institucionet nuk reaguan kur alarmi u dha për herë të parë.
