Teksti: Luigj Camaj, fotot: Bernartd Hasanaj.-

– OJQ “LABEATËT” e Tuzit, më datën 24.02.2018. zhvilloi një eskursion ne lokaliteti arkeologjik, Bazilika e Zllaticës, afër Podgoricës. Në ekspeditë muarën pjesë: Luigj Camaj, Anton Pllumaj, Anton Sinishtaj dhe Bernard Hasanaj. Në afërsi të magjistrales Podgoricë – Kolashin gjendet lokaliteti arkeologjik i quajtur Zllaticë i cili sipas tabelës së vëndosur aty, daton nga shek I – IV. Por vendbanimet parahistorike i gjejmë në këto treva, që nga koha e Gurit. Në periudhën ilire, këto treva ishin të banuara nga fiset ilire Labeate dhe Dokleate. Labeatët përfshiheshin nga Shkodra deri te Podgorica e sotme. Kurse Dokleatët, janë shtrirë në luginën e Zetës, dhe qyteti i njohur ishte Doklea, Dioklea ose Dukla. Përveç rrënojave arkeologjike sot këtu është edhe lokaliteti i quajtur ‘’Lugina e Ipeshkvit’’.

Lokaliteti i Zllaticës gjendet në distancën ajrore 11.5 km nga qendra e Tuzit dhe vetëm 4 km distance ajrore nga qendra e Podgoricës dhe vetëm 3 km larg nga Dioklea antike. Në këtë lokalitet arkeologjik, pozitën dominante e ka një kishë Trikonkshe (Trikonhos) dhe një Bazilikë për të cilat pretendohet që përnga vjetërsia ti takojë shekullit V-VI (Bazilik Benediktine). Është fjala për dy objekte sakrale të cilat përnga mosha nuk kanë shumë dallim. Në këtë lokalitet janë zhvilluar kërkime arkeologjike me kontinuitet, në vitet 1956-1957, u hulumtua objekti jugorë në të cilin u zbulua një kishë e formës trikonhos (trikonhal) me narteks dhe atrium ( hapësira para hyrjes kryesore në bazilikë që kishin funksion të caktuar, sikurë paradhoma në të cilat mund të zhvilloheshin ceremoni apo aktivitete pagëzimi ). Në vitet 1958 dhe 1959 u zhvilluan kërkime në objektin veriorë nga ana e Entit për Mbrojtjen e Monumeteve të Kulturës së Titogradit. Me kërkimet e viteve 1980 – 1981 në jug dhe lindje të objekteve u zbuluan qindra varreza.

Nga gjurmat e të së kaluarës së lashtë të këtijë lokaliteti vlen të permenden sarkofagu peshkopal, pagëzimorja paleokristiane, mbetjet e shumëta të shtyllave dhe gdhendjet e shumëta në gëlqerorë dhe mermerë, nekropola e pa hulumtuar, mbishkrimet latine, gjurma këto të cilat dëshmojnë jo vetë lashtësinë por edhe rëndësinë e këtyre objekteve monumentale të besimit kristian. Ekziston mundësia që qendra peshkopale e Dioklesë të ketë kaluar në Zllaticë në shekullin VI, pasi që në vitin 490 gotët rrënuan mes tjerash edhe dy bazilikat e Dioklesë ose për shak të terrmetit katastrofal të vitit 518 meç rast Dioklea rrënohet deri në themele e në këtë mënyrë edhe qendra peshkopale. Në këtë mënyrë Zllatica fitoi funksion shumë të rëndësishëm fetarë jo vetëm për zonën kund gjendet por edhe për rajonin e gjerë. Simbas disa historianëve rroli peshkopal i Zllaticës qendroi deri ka mesi i shekulit XIII.

Dyshohet se në pagëzimoren e kishës së lashtë paleokristiane trikonhos janë pagëzuar dhe e kanë pranuar kristianizmin edhe serbët e parë të cilët e rrënuan dhe e shkretëruan Dioklenë ( Duklën ) deri në themele.

Çfarë do ketë ndodhur edhe me Trikonhosin dhe Bazilikën mbas shekullit VII nuk dihet dhe se a janë ringjallur në shekujt IX deri XI. Por dihet që në këtë lokalitet jetonte Ipeshkvia paleokristiane e Dioklesë. Sipas traditës në rrethinën e Podgoricës është lindur në shekullin XII Stefan Nemanja, i cili pagëzohet sipas ritit latin apo katolik (sipas disave në Kuvendin Benediktin të Shën Mëhillit në Dinosh apo në Zllaticë, a sipas tjerëve në Kishën e Shën Gjergjit në Podgoricë!), prej ku kaloi në Rashkë kund u pagëzua më vonë në ritin ortodoksë. Pse Nemanja u pagëzua në një kishë katolike? Përgjigja e lehtë dhe logjike: në zonën e shtetit mesjetarë të Zetës predikohej riti katolik dhe se krejt popullata ishte katolike dhe se në rrethinë nuk kishte as një kishë apo manastir ortodoks dhe as priftërinj ortodoks. Nekropolat e Zllaticës përreth Bazilikës të cilat datojnë në mes shekujve XIV – XV dëshmojnë se këtij vendi të shenjtë herë pas here i është kthyer jeta. Ekzistojnë dëshmi, që ky vend i shenjtë është ruajtur nga harresa nga ana e popullatës që jetonte rreth e për qark. Kush ishte ajo popullatë? Përgjigja e lehtë: pra të parët tonë. Nga shekulli XV deri XIX për tani nuk ka ndonjë informacion se çfarë ndodhi me këtë vend të shenjtë (periudha Otomane). Dihet që nga gurët e latuara, shtyllat dhe plastika e bazilikës u ndërtua kulla e Osmanagiqëve.

Kjo trevë u aneksua nga Mali i Zi nën mbështetjen e Kongresit të Berlinit. Lokaliteti arkeologjik Zllatica, Bazilika dhe kisha trikonhos menaxhohet nga Kisha Ortodokse Serbe të cilën e ullëheqë Vlladika Amfillohie Radoviq. Edhe pse këto objekte të shenjta i takojnë ritit latin apo katolikë të urdhërit Benediktinë!