Basha: Do rrisim me 100 euro pensionet për ish-të burgosurit politikë

20 shkurt 2021

Gjatë prezantimit të programit për ish-të përndjekurit politikë, kryetari I Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori angazhim që të rrisë pensionet e të përndjekurve nga komunizmi, si edhe të burgosurve politikë t’ju jepen 100 Euro shtesë mbi pensionet e tyre.

‘Partia Demokratike ka marrë angazhime konkrete dhe të zbatueshme në raport me të përndjekurit politikë të regjimit komunist. Ne zotohemi që brenda mandatit të parë të përfundojmë pagesat për familjet e persekutuara nga regjimi komunist.

Angazhohemi që në ditët e para në qeveri, të krijojmë instrumentin dhe fondin për gjetjen e trupave të njerëzve të pushkatuar. Qeveria e ardhshme do të ofrojë bursa studimi dhe kredi të buta për banesa, çifteve të reja nga pasardhësit e të përndjekurve politikë.

Ne do të subvencionojmë shërbimet shëndetësore dhe rrisim pensionet e të përndjekurve nga komunizmi,që të burgosurve politikë t’ju jepen 100 Euro shtesë mbi pensionet e tyre.

Atyre që kanë vuajtur punën skllavëruese dhe torturat e kolonive ndëshkimore në minierat e Spaçit e në Qafë të Barit do ti mundësojmë një pension si të minatorëve për ato vite që kanë punuar aty’.

Gazeta Standart