Ata dhe Ne. – A ka ardhur koha për ndryshimin e madh?

20 shkurt 2019

Nga Jorgo Mandili

Gjithandej njerëzit janë të dëshpëruar. Të dëshpëruar nga zhgënjimi i madh që pësuan nga “kryeburri i korruptuar”. Të revoltuar nga “kryeburri i pandëshkuar”. Të neveritur nga “qetësia dhe dashuria”e Likes. Dhe në këtë habitat politik të shoqërisë tonë, e vetmja mundësi për t’u argëtuar janë dy personazhet groteske të opozitës Luli dhe Monika me sjelljet qëndrimet, veprimet e deklaratat e tyre. Të dëshpëruar, të revoltuar e të zemëruar me të dy sektet partiake, por kur shtrohet pyetja çfarë të bëjmë kujt t’ia japim votën pjesa më e madhe përgjigjet “Edi Ramës, si “e keqja më e vogël”!

Këtë Edi Rama e di mirë dhe me mjeshtërinë e tij tallet, bën humor me opozitën nëpërkëmb të varfrit, përbuz pensionistët, të gjithë ata që i dhanë një milion shuplaka  “Sali Berishës për b….e Edi Ramës”, që e çoi këtë popull drejt zhgënjimit të madh -humbjes së shpresës…..dhe prapë po ky popull ka votuar të keqen më të vogël dhe ndoshta ka ndërmend të bëjë të njëjtën gjë ..

Mjaft më!-thotë gazetari dhe publicisti i njohur Adrian Thano: “Kur duhet të zgjedhësh të keqen më të vogël, zgjedhja jote është gjithsesi e keqe. Historia jonë ka treguar se një e keqe e vogël, sjell një të keqe tjetër të madhe, shumë shpejt. Dhe se pandëshkimi na kthen përsëri te krimi”.

Do vazhdojmë të endemi përsëri pas të “keqes më të vogël” që ne të vuajmë, ata të bëjnë “orgjira”? A nuk ka ardhur koha që këtë klasë politike ta sistemojmë në koshin e plehrave të historisë ?

O njerëz të vuajtur, të nëpërkëmbur, të vjedhur, të shtyrë e të pështyrë, të vrarë e të plagosur, të sakatosur e të syrgjynosur nga bandat politike, shtetarë e pushtetarë. A e shihni gjendjen dëshpëruese që po kalojmë? A e shihni uraganin e farsitetit, mediokritetit e vulgaritetit që ka pllakosur Shqipërinë kudo dhe në çdo formë? A e shihni hipokrizinë dhe demagogjinë e “kryeburrave të politikës”, njeri i pandëshkuar, tjetri i korruptuar? Vallë nuk i shihni mashtrimet e gënjeshtrat për premtimet e përgjegjësitë e marra apo të shpallura si të tilla qoftë ato ekonomike, arsimore, sociale etj.?

A nuk e ndjeni se jemi duke jetuar në mënyrë tragjikomike, madje gjithnjë e më shumë komike, sa më haptazi tragjike është maska që na kanë vënë dhe vazhdojnë të na vënë bandat politike dhe sektet partiake gjatë këtyre 28 vjetëve në emër të “demokracisë liberale? Që në fakt është “totalitarizëm demokratik”? “Totalitarizëm”, sepse politika ka pushtuar çdo fushë e çdo anë të jetës shoqërore, ku si ideologji kanë luksokracinë, babëzinë e lakminë për pasurim marramendës, duke vjedhur, abuzuar e vrarë? “Demokratik”, sepse quhet “i lirë” organizimi shumëpartiak, liria e mendimit, e shprehjes dhe e fjalës deri në marrëzi, tregu i lirë etj “liri”, që as cenojnë e as rrezikojnë pasurinë dhe pushtetin e tyre e gjithçka që ekziston në Republikën e Shqipërisë,që e trajtojnë si dhuratë të tyre ?

Po populli, populli që i ngre në pushtet, që i voton ku është? A nuk e keni vënë re se si me hipokrizi dhe demagogji Ai i “pandëshkuari” dhe Ai i “korruptuari” përpiqen të krijojnë iluzionin se përfaqësojnë popullin dhe “luftojnë” për prosperitetin e tij? A nuk e ndjeni e kuptoni se po na përdorin në mënyrën më të turpshme për protesta, demonstrata e për vota? Që votojmë symbyllur se listat janë të mbyllura? Që votojmë jo për demokraci, por për autokracinë e atyre “kryeburrave”, që “hahen si qentë”? Që prapavijë kanë bizneset, klanet, bankat mediet dhe mbi të gjitha paratë që përcaktojnë sjelljet, veprimet feudale, krahinore, fetare, nepotike dhe korruptive? Që të na mbajnë të nënshtrueshëm, të pa civilizuar, të paarsimuar, kulturalisht të deformuar nga qytetërimi?A mund të qëndrohet në këtë vend, që është kthyer në një marrëzi që nuk mund të jetohet dot?

Po të diturit e këtij vendi që lëngon ku janë? Ku janë ata, që duhet të jenë mësuesit dhe edukatorët e kombit, intelektualët, akademikët, e filozofët nëse ka të tillë? Apo janë katandisur deri në pikën e të qenit “derra të kënaqur” të korrupsionit dhe të konformizmit? Apo janë kthyer në “shërbyes” të vobektë të pushtetit të padrejtë politik? Që nuk i bënë asnjëherë “bërthama e mbrojtjes së drejtësisë shoqërore” me zërin e tyre.?

A nuk ka ardhur koha për ndryshimin e madh? Të atij ndryshimi, për përmbysjen e këtij realiteti të trishtueshëm? Të atij ndryshimi, të raportit ekstrem midis të pasurve dhe të varfërve? Të atij ndryshimi, që me Drejtësinë e Re (në mos qoftë iluzion) t’u sekuestrohet pasuria gjyqtarëve, prokurorëve, politikanëve, pushtetarëve të çdo niveli, që nuk e justifikojnë me të ardhurat e tyre?

Kush duhet të jetë në ballë të këtij ndryshimi? Që t’ua bëjë të qartë njerëzve të varfër, shumë të varfër dhe pensionistëve rrugën dhe mjetet për realizimin e tij? Që t’jua heqin kryetarëve të sekteve partiake nga duart listat e “deputetëve inkubatorë” dhe t’i detyrojmë të pranojnë sistemin maxhoritar. Kokë më kokë e Ballë për ballë! Të fitojë më i miri? Që popullit t’i kthehet pronësia mbi përfaqësuesit e vet, të cilët të mos njohin si Padron kryetarët e partive, por popullin? Se populli është padroni i vërtetë demokracisë.! Që t’jua kthejnë atë që ja kanë rrëmbyer me premtime, gënjeshtra, mashtrime e manipulime- PRONËSINË MBI DEMOKRACINË?

Kjo është kauza e vërtetë e opozitës! Jo thirrjet nekrofilike për revolucion. Jo shkatërrimet e djegiet e pronës. Jo videot e improvizuara me “babale e bobole”, jo me djegie mandatesh e veprime të tjera banditeske e vulgare vetëm e vetëm për pushtetin tuaj. Vetëm e vetëm për të mbrojtur pasurinë tuaj të krijuar me korrupsion e padrejtësi. Jo! Fusha e betejës është Parlamenti. Nëse mendoni për popullin, siç deklarohet ai.

Doni zgjedhje të lira? Detyroni “kryeburrin e korruptuar dhe së bashku prisheni marrëveshjen famëkeqe të 2008, midis tij dhe “kryeburrit të pandëshkuar”. Por ju nuk doni. Pse? Se në atë marrëveshje ju keni “fronin”, imunitetin”, pasurinë, luksokracinë, mbrojtjen nga ndëshkimi. Pa atë marrëveshje ju dilni zbuluar. Pa atë marrëveshje ju nuk fitoni. Se ju rëndojnë mëkatet e së kaluarës në shpirt, se nuk keni forcën dhe moralin të ndahemi nga e kaluara, se ju ka lidhur këmbë e duar Ai, “kryeburri i pandëshkuar”. Se nuk keni alternativë që të inspironi dhe të ringjallni shpresën e humbur nga “kryeburri i korruptuar”. Dhe për turpin tuaj zgjodhët rrugën e rrugës, më të gabuarën e më burracaken. Se morët mendjen e “kryeburrit të pandëshkuar”.?.

Pse vallë s’pat kënduar Horaci :”O baballarë, më burracakë se stërgjyshërit tanë, falnani edhe neve që jemi edhe më burracakë se ju e që do të sjellim në jetë një brez akoma edhe më të degjeneruar”.

A do të zgjohemi vallë një ditë t’i “çojmë kryet” e të kemi pak guxim të divorcohemi nga sektet partiake dhe “krispinët” e tyre e të duam më tepër veten, familjen e Shqipërinë?

A s’pat kënduar poeti A.Duka:”More njerëz, more skllevër /Ju kanë shkelur, ju kanë tallur /Porsi mizat ore njerëz/Ju te vdekur të pakallur /Zgjodhët që të vdisni skllevër./. Me bekim të injorancës /Djalli qafen e  ka trashur /Njerëz jini vigjilentë /Se unë gjithmonë ju kam dashur”

Le t’i lëmë Salët e Lulët, Ilirët e Monikat, Meditë e Shehët, Ndokët e Dukët, Edët e Dulet në “derrëkënaqësinë” e tyre. Le të mos i ndjekim pas ata që nuk e duan popullin si padron të demokracisë. Le të mos mashtrohemi nga ata, që nuk janë gjë tjetër veçse marioneta-kukulla që luajnë rolet sipas regjisurës së oligarkëve financiarë e politikë dhe jo vetëm shqiptarë!

Botuar sot si kopertinë e Dita