Art: Adem Jashari, tonelata peshë gurë e dashuri, në një projekt të Destan Gashit 

NGA: PJETER LOGORECI

Realizimi i figurës së heroit, të cilin autori nga ana figurative do ta paraqesë mbi flakët dhe tymin e luftës me armikun, është një risi e ide revolucionare në artin e skulpturës, që autorit Destan Gashi i vjen në fantazi si rezultat i dashurisë që ai ka për heroin dhe sakrificën e tij për atdheun.

Nji vizitë në atelienë e skulptorit Destan Gashi në Himberg të Austrisë, ka kurdoherë të paprituna të kandëshme. Shkoj shpesh, sidomos kur ai vendosë me fillue nji projekt të ri, nji vepër të re. Mbas shumë ditësh larg mikut tim të artit, për arsyet e pandemisë që përfshiu botën, sot ishte nji ditë e veçantë mbushun me emocione e bukuri arti.

Nga telefonatat me Destanin, isha informue që, ai gjatë kohës në izolim  mendonte për të realizue një dëshirë që i sillej në kokë me vite: me gdhendë në gurë figurën e heroit të kombit Adem Jashari…. , por disi ndryshe, në një formë tjetër nga sa jemi msue me e pa ndër plot vepra të tjera që ka për te. Kur ma tregoj projektin, u befasova nga ideja e konceptimit, nga mëndyra se si artisti Destan Gashi do ta paraqiste heroin e tij, heroin tonë. Po ashtu të veçanta do të ishin edhe përmasat e veprës si dhe mendimi “me e pasë” këtë personazh / gurë, krejt për vehte.

Ideja, për me e vendosë, jo ndër salla pompoze e akademi të mbyllura por, në oborrin e shtëpisë së tij në fshat/Kosovë, me preku thellë, mbasi mu duk një akt i përveçëm e pasionant.  Nuk ka si të jetë ndryshe kur zemra rreh fort për atdheun, për historinë e dhimbshme të tij.

Në atelie, u gjenda përballë një modeli si dhe një guri gjigand prej shtufi (Sandstein), nga i cili do të dilte vepra. Tonelatat e përmasat e gurit sikur më tregonin peshën që heroi Adem Jashari ka në zemrën e skultptorit Gashi.

Vepra, proçesi i të cilës sapo ka fillue, ka përmasat 1m x 1.20m, do të qëndrojë dhe ekspozohet në atelienë e tij në Himberg, ndërsa projekti i dytë dhe më i veçantë do të jetë: një punim i dytë i kësaj figure, por me mermerë të kuq Kosove, në përmasat 2.40m x 1.80m  dhe do të jetë pjesë e ambienteve të shtëpisë së skulptorit në Kosovë.

Realizimi i figurës së heroit, të cilin autori nga ana figurative do ta paraqesë mbi flakët dhe tymin e luftës me armikun, është një risi e ide revolucionare në artin e skulpturës, që autorit Destan Gashi i vjen në fantazi si rezultat i dashurisë që ai ka për heroin dhe sakrificën e tij për atdheun.

Më poshtë po paraqes disa foto që realizova sot në atelienë e Destanit në Himberg, për të informue lexuesit për këtë vepër me vlerë që do të kemi së shpejti.

Nuk është hera e parë që shkruej për punën dhe artin e mrekullueshëm e të vlerësuem të Destanit, por me këtë vepër ai ka zgjuar ndjenjat e  zjarrta të shpirtit tim për këtë hero të shqiptarisë.