Armët kimike “vija e kuqe” per NATO-n.

Nga Amado Çela

10 Mars 2022

Britanikët kanë paralajmëruar se përdorimi i armëve kimike dhe biologjike në luftën në Ukrainë nga ana e rusëve, është vijë e kuqe për NATO-n. Ministri i Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, James Heappey, tha se lufta kimike ishte ‘vija e kuqe’, në të kundërt NATO do të ndërhynte në konfliktin në Ukrainë.

Pavarësisht sulmeve ndaj civilëve në Ukrainë, aleatët perëndimorë vijojnë që të mos përfshihen në luftën mes Ukrainës dhe Rusisë, dhe për të vendosur një zonë ndalim-fluturimi mbi qiellin e Ukrainës. Sipas tyre, kjo masë do të mund të sillte një përshkallëzim të luftës në Evropë.

Zyrtarët amerikanë dhe britanikë kanë paralajmëruar se Rusia mund të përdorë armë kimike në Ukrainë, ndërsa përshkallëzon sulmin mbi vendin fqinj.

Ministri britanik Heappey tha për BBC 4 se ndërmarrja e këtij akti “ka shkaktuar një përgjigje ndërkombëtare” në të kaluarën dhe mund ta bëjë këtë përsëri.

“Presidenti Putin duhet ta ketë të qartë se përdorimi i armëve kimike është gjëja më e neveritshme që dikush mund të imagjinojë. Aq të tmerrshme janë fotografitë që po shohim sot në ekranet tona pas sulmit ndaj një spitali, por ato nuk janë asgjë në krahasim me vuajtjet dhe shkatërrimet që shkaktojnë armët kimike.” – tha Heappey.

Zyrtarë të inteligjencës amerikane dhe britanike kanë shprehur ‘shqetësim serioz’ se presidenti rus mund të urdhërojë një sulm ‘të tmerrshëm’ mbi Kievin, sepse Putini po bëhet gjithnjë e më i frustruar nga rezistenca e fortë ukrainase.

Nuk ka munguar një kundërakuzë nga rusët për të njëjtin rast. Ministri i Jashtëm Lavrov tha nga Antalia, ku u takua me homologun ukrainas Kuleba, se SHBA-ja ka ndërtuar laboratorë në Ukrainë për zhvillimin e armëve kimike.

“Ne jemi shumë të shqetësuar për të gjitha këto informacione që dolën në dritë, se Pentagoni ka krijuar dhjetëra laboratorë biologjikë në territorin ukrainas në kundërshtim me konventën për ndalimin e armëve biologjike”, tha ai.

Ndërkohë, zyrtarët perëndimorë theksojnë se këto janë pretendime të pabazuara ruse, teksa Putini mund të jetë duke ‘përgatitur skenën’ për një operacion të tillë duke përhapur këto lajme.

Më herët armët kimike janë përdorur në Siri, por kur u kërkua nga OKB-ja të hetohej kush ishte përgjegjës, Moska vuri veton ndaj rezolutës.

Tv OraNews