Amerika Latine është përfshirë nga shkatërrimet e furtunës “Eta”. – 150 viktima gjenden të groposur në banesa

7 NËNTOR 2020

Amerika Latine është përfshirë nga shkatërrimet e furtunës “Eta”. Nga informacionet paraprake, mësohet se furtuna ka regjistruar rreth 150 viktima, teksa raportohet se numri më i lartë i tyre rezulton të shënohet në shtetin e Guatemalës.

Autoritetet guatemalase zbuluan se në një nga fshatrat e vendit ishin me dhjetëra banesa dhe mbi 100 njerëz të groposur brenda tyre. Operacionet e evakuimit hasën vështirësi, ndërsa u detyruan të përdorin litarët për të punuar mes baltës.

Erërat e forta dhe shirat e rrëmbyer dëmtuan edhe mijëra banesa si dhe regjistruan më shumë se 50 jetë të humbura në shtetet fqinje të Hondurasit, Kosta-Rikës dhe Nikaraguas. Rreziqe nga përmbytjet dhe vërshimi i lumenjve u raportuan edhe në shtetet e Xhamajkës, jugu i Meksikës dhe Kuba. Evakuimet ushtarake në disa prej zonave u mundësuan me helikopterë dhe motoskafë pasi rrugët dhe urat lidhëse dolën jashtë funksionit. Ndërkohë prej ditësh, shumë banorë mes të cilëve edhe fëmijë, kanë mbetur në vështirësi dhe pa ushqime.

Gaxeta Panorama