“Ambasadorja të mos merret me mediat e vogëlsirat”, avokatja e njohur i drejton thirrjen urgjente Yuri Kim-it: Të dalë e të flasë për aktin kriminal!

25 QERSHOR 2021

Nga: Gazeta Sot

Avokatja Adriana Kalaja i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të përshpejtojë procedurat për marrjen e vendimit për padinë e Ilir Metës për Teatrin Kombëtar.

Kalaja ka bërë thirrje të veçantë për ambasadoren amerikane, Yuri Kim për t’u prononcuar e bërë presion për këtë çështje në mënyrë që të respektohet Gjykata Kushtetuese.

“Ne e dimë shumë mirë çfarë pasoja ka një akt normative ku kalon në Kuvend, miratohen të gjitha to që janë dërguar nga kryeministri Rama. Në këto kushte ne i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese që të përshpejtojë në dhënien e vendimit sepse akti normative që do kalojë në Kuvend, nëse ndodh para dhënies së vendimit të Kushtetueses, ka efekte negative. Ne që në fillim, Presidenti njëherë, më pas ne kërkuam shfuqizimin e tre akteve. Tani është vendosur që Gjykata të shprehet bashkë me vendimin përfundimtar. Po nënvlerësohet situata.

Shtyrja e vendimit ka bërë që procedurat për ndërtimin e teatrit ilegjitim të përshpejtohen. I bëj thirrje ambasadores Kim që të dalë dhe të shprehet për këtë gjë. Ne respektojmë ligjin, gjykatat, jemi të detyruar të presim, por është shkelje e pafalshme e injorim që të mos përfillet dhe të mos pritet për vendimin përfundimtar, por të vazhdohet me procedurat për ndërtimin e Teatrit të ri. Ambasadorja Kim të mos merret me mediat e vogëlsirat. Ambasadorja të dalë sot dhe të thotë përse Këshilli i Ministrave kur Gjykata ka vendosur shtyrjen e marrjes së vendimit, nxori këtë akt normative”, u shpreh Adriana Kalaja.