Alarm në aeroportin e Frankfurtit/ Gjashtë punonjës infektohen nga malaria, një prej tyre humb jetën

26 Gusht 2026
Gjashtë punonjës të aeroportit të Frankfurtit në Gjermani janë prekur nga malaria, ndërsa një prej tyre ka ndërruar jetë. Rastet janë konfirmuar nga kompania që menaxhon aeroportin, Fraport, si dhe nga Instituti Robert Koch.
Në mes të korrikut ishin raportuar katër raste, por numri i përgjithshëm i të prekurve është rritur tashmë në gjashtë. Pesë punonjësit e tjerë po marrin trajtim të specializuar mjekësor.
Sipas të dhënave paraprake, rastet mund të jenë të lidhura me atë që njihet si “malaria e aeroportit”, një mënyrë jashtëzakonisht e rrallë e transmetimit të sëmundjes jashtë zonave ku malaria është endemike.
Dyshimi kryesor është se një ose disa mushkonja të infektuara mund të kenë mbërritur në aeroport në mes të verës, të transportuara në bagazhet ose në pjesën e ngarkesave të një avioni që vinte nga një zonë ku malaria është e pranishme. Më pas, mushkonjat mund të kenë pickuar punonjësit e aeroportit dhe t’i kenë infektuar.
Brenda aeroportit janë vendosur kurthe për mushkonjat, ndërsa disa prej tyre tashmë janë kapur. Mostrat do t’i nënshtrohen analizave për të përcaktuar nëse mbartin parazitin përgjegjës për malarien.
Fraport ka informuar gjithashtu punonjësit dhe u ka bërë thirrje që, në rast të shfaqjes së simptomave të ngjashme me ato të malaries, të konsultohen me mjekun dhe të tregojnë se punojnë në aeroport.
Ndërkohë, Instituti Robert Koch ka raportuar edhe raste të tjera të malaries gjatë muajve korrik dhe gusht në zonën metropolitane Reno-Meno, origjina e të cilave dyshohet se mund të jetë e lidhur me aktivitetin profesional në aeroportin e Frankfurtit.
Autoritetet shëndetësore kanë theksuar se nuk bëhet fjalë për transmetim nga personi te personi. Malaria transmetohet përmes pickimit të një mushkonje të infektuar.
