Zhvillimi i metejshem i tregut te brendshem

Mbisundimi për një kohë të gjatë i ekonomisë natyrore dhe i regjimit të timareve që mbështetej në të e kishte vonuar së tepërmi zhvillimin e tregut të brendshëm shqiptar. Deri një shekull më parë lidhjet e fshatit me qytetin ishin shumë të dobëta. Në treg shkonin kryesisht prodhimet fshatare, të grumbulluara në formën e rentës feudale nga ana e spahinjve. Gjithashtu nevojat e fshatarëve për prodhimet zejtare të qytetit ishin të pakëta, sepse këto nevoja ata i plotësonin brenda ekonomisë së tyre individuale. Veç kësaj, sa kohë sundonte regjimi i timareve, nevojat, që u lindnin herë pas here fshatarëve për tokë suplementare, ata i siguronin me anën e tokave “vakante” që ndodheshin brenda timarit, të cilat spahiu i dikurshëm ua jepte pa ndonjë vështirësi me tapi, mbasi këto sillnin rritjen e të ardhurave edhe për vetë spahiun.
Por qysh gjatë shek. XVIII, me shthurjen e vazhdueshme të regjimit të timareve, mundësia për të zgjeruar bashtinën individuale mori fund për fshatarët, sepse tokat “vakante” filluan të binin në duart e bejlerëve çifligarë. Fshatarët e vegjël, që mbetën me toka të pakëta, u detyruan ose të vendoseshin në çifligjet e bejlerëve feudalë, ose të kërkonin burime jetese suplementare. Meqenëse zgjedhja feudale në çifligje ishte shumë e rëndë, fshatarët e varfër përpiqeshin me çdo kusht t’i shmangeshin kthimit të tyre në bujq-çifçinj. Por edhe nëpër qytete, fronti i punës ishte shumë i kufizuar qoftë për nivelin jo aq të zhvilluar të ekonomisë monetare, qoftë për pengesat që vinin nga regjimi feudal esnafor. Për këto arsye, deri në vitet 40, burimet suplementare të jetesës fshatarët e vegjël i siguronin, në një masë të kufizuar, me anën e mercenarizmit, kurse shumica e tyre dërrmuese me anën e një veprimtarie të dytë ekonomike. Këtë veprimtari suplementare ekonomike ata e zhvillonin brenda ose jashtë fshatit, brenda ose jashtë sferës bujqësore. Për fshatarët e vegjël që zotëronin pak dynymë tokë shpeshherë të ardhurat nga veprimtaria suplementare zinin vendin e parë në buxhetin e varfër të familjes. Sipas veprimtarisë së dytë që zhvillonin, fshatarët e varfër kishin fituar tiparet e reja social-ekonomike. Një pjesë e tyre ishte kthyer në paraqendarë - fshatarë, të cilët pjesën e tokës që u nevojitej e merrnin me qira nga pronarët çifligarë duke u kthyer kështu në gjysmëpronarë dhe gjysmëbujq. Një pjesë tjetër qe kthyer në argatë (fshatarë gjysmëpronarë e gjysmëpunëtorë), të cilët largoheshin gjatë disa muajve të vitit nga toka e tyre e pamjaftueshme dhe punonin me mëditje pranë ekonomive të tjera bujqësore, si druvarë, shataxhinj, lamaxhinj, kosaxhinj, belaxhinj, kazmaxhinj, sharrëxhinj etj. Krahas tyre në fshatin shqiptar kishte edhe fshatarë-zejtarë, të cilët pranë ekonomisë së vogël bujqësore organizonin brenda në familje një punishte të vogël zejtare për prodhime artikujsh të caktuar të destinuar për treg?. Kishte më në fund edhe një kategori tjetër banorësh të fshatit, fshatarët-kurbetlinj, të cilët nevojat e tyre i plotësonin me të ardhurat që një ose dy nga anëtarët e familjes u dërgonin nga kurbeti qytetar, brenda ose jashtë vendit, ku ata qëndronin për periudha të gjata dhe punonin si punëtorë, si zejtarë ose si tregtarë.
Diferencimi i radhëve të fshatarësisë tregonte se ekonomia natyrore, mbështetja e rendit feudal, tashmë kishte hyrë në rrugën e shthurjes së shpejtë. Masa të konsiderueshme fshatarësh kishin filluar të shisnin në treg jo vetëm prodhimet e tyre bujqësore, blegtorale, zejtare, por në mjaft raste, siç ndodhte me argatët ose kurbetlinjtë, edhe fuqinë e tyre të punës.
Heqja e regjimit feudal-ushtarak, sanksionimi i pronësisë tokësore çifligare, lënia e lirë e çmimeve të tregut, rritja e vazhdueshme e peshës së taksave dhe vendosja e shërbimit të gjatë ushtarak e shpejtuan më tej procesin e varfërimit të fshatarëve. Ky varfërim e rriti numrin e prodhuesve të vegjël, të cilët, për të siguruar burime të tjera jetese, ishin gati të shisnin kudo fuqinë e tyre të punës. Si rrjedhim, pas viteve 40, zhvillimi i tregut të brendshëm të fuqisë punëtore u krye me ritme më të shpejta.
Tani që mundësitë për të rritur tokën pa blerje u prenë dhe kërkesat fiskale shtetërore u shtuan, fshatarët u detyruan t’i kushtonin më tepër kujdes edhe shfrytëzimit të ekonomisë së tyre. Kjo solli rritjen, ndonëse me ritme të ngadalshme, të prodhimit bujqësor dhe të kontaktit të fshatarëve me tregun. Pas viteve 40 fshatarët filluan të vinin gjithnjë e më shpesh në qytet për të shitur prodhimet e tyre. Tani atyre u nevojiteshin të holla më tepër se më parë për të paguar taksat shtetërore që erdhën duke u shtuar, qoftë për të blerë artikuj industrialë për të cilat tani kishin nevojë më tepër se më parë.
Zgjerimi i lidhjeve të fshatit me qytetin i dha gjithashtu hov prodhimit zejtar. Hov morën sidomos zejtaritë që përpunonin prodhimet e fshatarëve (lëkurë, lesh, li, pambuk, mëndafsh, ullinj, duhan), po edhe zejtaritë që prodhonin artikuj për fshatin (vegla, enë, veshje, mbathje, pajime të ndryshme). Kjo solli rritjen e numrit të zejtarëve dhe të tregtarëve. Nga viti 1842 në vitin 1888 numri i punishteve zejtare dhe i dyqaneve tregtare në qytet u rrit: në Shkodër nga 2 600 në 3 500, në Prizren nga 950 në 1 560, në Korçë nga 480 në 840, në Berat nga 680 në 820, në Elbasan nga 580 në 730, në Tiranë nga 610 në 720, në Tetovë nga 450 në 610, në Prishtinë nga 380 në 530 etj. Një rritje të tillë patën të gjitha qytetet e vendit duke përfshirë këtu edhe qytetet e vogla (për shembull, brenda të njëjtës periudhë numri i dyqaneve u rrit në Përmet nga 84 në 188, në Gostivar nga 40 në 97, në Starovë nga 45 në 85, në Peqin nga 48 në 96, në Tepelenë nga 15 në 45 etj.). Veç kësaj, në çdo krahinë fushore ose malore lindi tregu lokal ku fshatarët vinin çdo javë, ditën e pazarit, për të shitur prodhimet e tyre dhe për të blerë sendet e nevojshme. Disa nga këto qendra të vogla, të cilat në vitet 40 e ruanin akoma karakterin e fshatit, si Fieri, Lushnja, Ballshi, Këlcyra, Frashëri, Kukësi, Shijaku, tani kishin me dhjetëra dyqane zejtarie e tregtie.
Depërtimi me ritme më të shpejta i ekonomisë monetare në fshat u pasqyrua gjithashtu me rritjen e marrëdhënieve të shkëmbimit me vendet e huaja. Brenda 50 vjetëve (që nga viti 1842 deri në vitin 1892) lëvizja tregtare u rrit afërsisht katër herë. Si dhe më parë, ajo filloi të zhvillohej kryesisht me anën e detit. Numri i anijeve që preknin skelat shqiptare erdhi gjithnjë duke u rritur. Nga rreth 160 ngarkesa e shkarkesa anijesh në vit që kryheshin në mesin e shekullit, numri i tyre arriti, në fund të shekullit, në rreth 400. Nga interesi që paraqisnin tani viset shqiptare për tregun evropian, anijet e shoqërive të mëdha të lundrimit të Austrisë e të Italisë, siç ishin “Llojdi”, “Pulia” (Puglia), “Adria” filluan të frekuentonin rregullisht, një herë, pastaj dy herë dhe më tutje tri herë në javë skelat e Shëngjinit, të Durrësit, të Vlorës e të Sarandës. Madje qysh në vitet 50 e 60 edhe familjet reshpere shkodrane Daragjati, Bianki dhe Muzhani blenë me fondet e tyre anije me avull, me të cilat kryenin lundrime tregtare të rregullta midis skelave shqiptare dhe skelave të Adriatikut. Një zhvillim relativisht të madh mori gjatë kësaj periudhe edhe lëvizja tregtare me viset e brendshme të Gadishullit Ballkanik, e cila, edhe pse kryhej gjithnjë me karvane kuajsh, kishte përsëri leverdi për tregun e brendshëm shqiptar. Lidhjet gjithnjë e më të shpeshta të fshatit me tregun i tregon sidomos rritja e vëllimit të artikujve bujqësorë e blegtoralë, nga rreth 6 milionë franga ari më 1850 në afërsisht 12 milionë franga ari më 1898, që eksportoheshin nga skelat shqiptare në tregjet evropiane. Atë e tregon gjithashtu lista gjithnjë në rritje e artikujve që importoheshin nga tregjet e huaja, të cilat vinin nga jashtë ose në gjendje të gatshme (vajguri, sheqer, kafe, pëlhura, vegla, armë, llamba, sapunë, kinkaleri etj.) ose si lëndë e parë dhe përpunoheshin nga zejtarët vendas (hekur, çelik, plumb, kallaj, zink, lëkurë, stofë etj).
Zhvillimi i tregut të brendshëm solli si kudo edhe në Shqipëri nevojën e veprimeve më të lehta financiare dhe të lëvizjes më të shpejtë të mallrave. Nën ndikimin e këtyre nevojave, filluan të ngrihen dhoma e tregtisë, gjykata tregtare, zyra postare dhe agjenci lundrimi. Qysh në vitet 80, Banka Perandorake Osmane çeli degë të saj në qendrat e katër vilajeteve, të cilat nga ana e tyre krijuan korrespondentë bankarë në qytetet e tjera të vendit. Në të njëjtën kohë u ngritën në të gjitha qendrat e sanxhakëve dhe të kazave degë ose arka të Bankës Bujqësore osmane (Ziraat Bankasi), të cilat kryenin edhe veprime krediti. Gjithashtu krijuan agjenci në Shkodër, në Durrës e në Vlorë edhe disa nga shoqëritë e mëdha të sigurimeve të Triestes e të Venedikut. Nga 2 shtete të huaja që kishin më 1840 konsullata në viset shqiptare (Franca, Anglia), në fund të shek. XIX kishin konsullatat e tyre në këto vise 9 shtete (Franca, Anglia, Austria, Italia, Rusia, Greqia, Serbia, Rumania, Mali i Zi). Që nga pjesa e fundit e shek. XIX, nën presionin e kërkesave të reshperëve shqiptarë, u dukën edhe hapat e parë në ndërtimin e rrugëve të komunikacionit, nga të cilat patën një farë interesi rrugët e qerreve që lidhën Shkodrën me Lezhën e Shëngjinin, Tiranën me Durrësin e Kavajën, Sarandën dhe Gjirokastrën me Janinën, Manastirin me Korçën dhe Janinën, Elbasanin me Kavajën e Durrësin. Gjatë viteve 70 u ndërtua gjithashtu hekurudha Selanik-Shkup-Mitrovicë, e cila kalonte përmes viseve të Kosovës.
Shthurjen gjatë kësaj periudhe me ritme më të shpejta të ekonomisë natyrore dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut të brendshëm e tregon më në fund ngritja e dyqaneve tregtare dhe e punishteve zejtare nëpër fshatrat e vendit. Në vitet 40 të tilla dyqane jashtë qyteteve ishin shumë të rralla, gjë që ndodhte pjesërisht edhe nga pasiguria që sundonte në këto vise. Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX, edhe pse pasiguria nuk u likuidua plotësisht, numri i tyre erdhi vazhdimisht duke u rritur, në mënyrë të veçantë në ato krahina të Shqipërisë së Jugut ku ekonomia monetare kishte depërtuar me ritme më të shpejta se gjetkë. Sipas njoftimeve zyrtare turke, në vitet 80 kishte jashtë qyteteve: në kazanë e Korçës me 168 fshatra 1 175 dyqane, në atë të Beratit me 175 fshatra 360 dyqane, në kazanë e Përmetit me 140 fshatra 340 dyqane, në atë të Gjirokastrës me 62 fshatra 240 dyqane, në atë të Delvinës me 130 fshatra 140 dyqane, në kazanë e Vlorës me 64 fshatra 45 dyqane, në atë të Tepelenës me 61 fshatra 35 dyqane. Rrjeti i dyqaneve u ngrit, ndonëse me përpjestime më të vogla, edhe në vise të tjera të vendit. Për shembull, po atë vit kishte: në kazanë e Peqinit me 97 fshatra 80 dyqane, në atë të Dibrës së Epërme me 142 fshatra 76 dyqane, në kazanë e Dibrës së Poshtme me 38 fshatra 25 dyqane, në kazanë e Elbasanit me 97 fshatra 20 dyqane, në atë të Matit me 33 fshatra 15 dyqane, në atë të Gramshit me 66 fshatra 5 dyqane etj.
Shtrirja e rrjetit të tregtisë në fshat i dha një shtytje të madhe forcimit të lidhjeve ekonomike midis tregjeve lokale dhe qyteteve kryesore, njëkohësisht edhe midis vetë qyteteve kryesore të vendit. Me gjithë pengesat që vinin nga vështirësitë e komunikacionit dhe nga pasiguria e qarkullimit, qendrat kryesore ekonomike të vendit tashmë u lidhën me njëra-tjetrën ose drejtpërdrejt, ose tërthorazi, duke u kthyer në hallka të veçanta të tregut të brendshëm kombëtar. Si rezultat i këtij zhvillimi, gjatë kësaj periudhe u formua bashkësia e jetesës ekonomike në viset shqiptare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama