Zgjerimi i veprimeve luftarake ne viset e tjera te Kosoves

Përballë një kryengritjeje të re shqiptare të fuqishme dhe të organizuar, me një program politik që u shpall botërisht në Kuvendin e Junikut, xhonturqit përqendruan forca të shumta ushtarake në Kosovë. Në Ferizaj u sollën tri regjimente të Divizionit I të Stambollit. Në Mitrovicë ishin përqendruar një regjiment i plotë, një batalion pushkatarësh dhe dy bateri artilerie; në Prishtinë një regjiment kalorësie dhe një bateri artilerie; në Prizren një regjiment kalorësie dhe në Pejë një regjiment tjetër këmbësorie. Në Gjakovë ndodheshin në gatishmëri një regjiment këmbësorie, një regjiment artilerie fushore dhe një batalion pushkatarësh. Në Pazar të Ri, në Senicë, në Beranë e në Guci kishte nga dy batalione dhe në Plavë një regjiment nizamësh e një kompani mitralozash.
Përballë tyre qëndronin forcat e kryengritësve, që ishin gjysmë të armatosur, por të vendosur për të luftuar për çlirimin e vendit. Në fundin e majit kryengritësit filluan veprimet e organizuara luftarake kundër trupave turke. Të parët u hodhën në luftë, pas Kuvendit të Junikut, kryengritësit që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit dhe që udhëhiqeshin nga Hasan Prishtina e nga Bajram Curri.
Një pjesë e këtyre forcave, rreth 2 000 veta, të përqendruara në fshatin Strellc, nën drejtimin e Isa Boletinit, të Bajram Daklanit, të Sadik Ramës, të Mahmut Zajmit, të Zefit të Vogël etj., filluan më 31 maj sulmin mbi Pejë, ku asgjësuan pozicionet ushtarake dhe postat e xhandarmërisë të rrethinave të saj. Luftimet ishin të rrepta dhe zgjatën disa ditë. Garnizoni i qytetit ishte në prag të kapitullimit. Por në ndihmë të tij erdhën forca të reja ushtarake. Divizioni XIX i nizamëve, që mbërriti nga Mitrovica, pas përleshjes me forcat kryengritëse në fshatin Strellc (Klinë) arriti të futet në qytet. Kryengritësve shqiptarë iu desh të përballonin për dy ditë e dy netë kundërsulmin e këtyre formacioneve të mëdha ushtarake, të pajisura me teknikën luftarake të kohës. Më 6 qershor 1912, për mungesë armësh e municionesh, kryengritësit u detyruan të tërhiqeshin në drejtim të Gucisë dhe të Beranës. Grupi i parë sulmoi në Guci kazermat e ushtrisë dhe pastaj vijoi rrugën për t’u bashkuar në Krasniqe me grupin tjetër, që kishte marrë drejtimin e Beranës. Autoritetet malazeze kishin marrë masa të mos u lejonin kryengritësve të kalonin kufirin dhe të hynin në Mal të Zi. Përgjithësisht, gjendja e kryengritësve në këtë zonë ishte mjaft e vështirë.
Megjithatë kryengritësit vazhduan të vepronin me sukses në drejtime të tjera. 2 000 kryengritës sulmuan më 9-10 qershor kazermat ushtarake të Gucisë, shtinë në dorë një sasi të madhe armësh e municionesh. Prej andej iu drejtuan Krasniqes për t’u bashkuar me forcat e atjeshme shqiptare. Një grup tjetër, i përbërë nga 2 300 kryengritës, qe tërhequr në anët e Rugovës. Këto veprime luftarake, që u zhvilluan në pjesën perëndimore të vilajetit të Kosovës, shënuan një kthesë të rëndësishme në ecurinë e mëtejshme të kryengritjes.
Kryengritës të tjerë të viseve të Hasit, të Gashit dhe të Bytyçit, nën drejtimin e Bajram Currit, goditën katër batalione të përqendruara në Qafën e Prushit. Forcat qeveritare u thyen keq, duke lënë në duart e shqiptarëve municione, armë, mitraloza e topa, që u përdorën për armatosjen e kryengritësve. Ata lanë gjatë këtij luftimi 300 të vrarë, të plagosur e robër lufte.
Suksesi i kryengritësve në Qafë të Prushit ushtroi ndikim në popull dhe, siç theksonte Hasan Prishtina, i dha një shtytje të fuqishme lëvizjes së armatosur edhe në viset e tjera. Kjo fitore bëri të aktivizoheshin edhe elementët opozitarë në radhët e oficerëve të garnizoneve ushtarake në viset verilindore e lindore të Shqipërisë.
Ndërkohë, 4 000 ushtarë osmanë rrethuan më 30 qershor 1912 Boletinin, ku gjendeshin 1 500 kryengritës nën komandën e Isa Boletinit. Këtu u zhvilluan luftime të rrepta, gjatë të cilave turqit lanë rreth 100 ushtarë të vrarë. Artileria turke hodhi mbi fshatin Boletin më shumë se 1 200 predha. Pas dy javë luftimesh, kryengritësit u detyruan të tërhiqeshin nga Boletini në drejtim të Pazarit të Ri.
Përkundrejt goditjeve që kryengritësit u dhanë forcave qeveritare në Rrafshin e Dukagjinit, xhonturqit ushtruan një terror të pashembullt mbi popullsinë shqiptare. Valiu i Kosovës, Masar Beu, njoftonte më 30 qershor telegrafisht Adil Beun, ministrin e Punëve të Brendshme, se “burgosja dhe internimi i familjeve të kryengritësve nuk i tremb shqiptarët, por i ka nxitur edhe më shumë; në çdo çast pritej që ata të sulmonin nga të gjitha anët”.
Kryengritja shqiptare po merrte përpjesëtime gjithnjë e më të mëdha dhe po shndërrohej gradualisht në një kryengritje të përgjithshme, në të cilën merrnin pjesë shtresa të ndryshme shoqërore, fshatarë, qytetarë, oficerë dhe ushtarë shqiptarë, që kishin dezertuar nga ushtria osmane. Si rrjedhim, kryengritja mori karakter të gjerë popullor.
Kryengritja shqiptare shpërtheu në kushtet e thellimit të krizës së Perandorisë Osmane dhe të acarimit të gjendjes ndërkombëtare në Ballkan, kur shtetet ballkanike po bënin përpjekje për një aleancë ndërmjet tyre. Më 13 mars 1912 u nënshkrua Traktati i miqësisë dhe i aleancës ndërmjet Serbisë e Bullgarisë. Në “Aneksin e fshehtë” të tij bëhej fjalë edhe për ndarjen e tokave shqiptare midis aleatëve. Më 29 maj u nënshkrua Traktati greko-bullgar dhe në korrik Mali i Zi e Bullgaria përfunduan një marrëveshje verbale.
Të gjitha këto zhvillime politike e diplomatike në Gadishullin Ballkanik nuk mund të mos ndikonin në veprimet dhe në taktikën e udhëheqjes së kryengritjes shqiptare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama