Zgjerimi i levizjes atdhetare ne kolonite e mergimit (1896-1908)

Ngritja e lëvizjes kombëtare në Shqipëri në vitet e fundit të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX solli si rrjedhojë shtimin e shoqërive atdhetare në kolonitë shqiptare të mërgimit dhe zgjerimin e veprimtarisë së tyre. Duke vepruar në kushte të favorshme legale, atdhetarët shqiptarë i kishin shndërruar këto koloni në vatra të rëndësishme për përhapjen e ideve të çlirimit kombëtar.
Një rol të madh vijuan të luanin kolonitë e Rumanisë dhe të Bullgarisë, popullsia shqiptare e të cilave ishte rritur me të mërguar të rinj të ikur nga Shqipëria për të gjetur punë ose për t’u shpëtuar ndjekjeve të administratës osmane. Nga shoqëritë e kolonisë së Rumanisë më e rëndësishmja vijoi të mbetet “Dituria” e Bukureshtit. Në janar të vitit 1896 u miratua statuti i ri (kanonizma e re) i ndryshuar i kësaj Shoqërie dhe u zgjodh komiteti i saj drejtues, me kryetar Pandeli Evangjelin. Sipas këtij statuti, qëllimi kryesor i Shoqërisë “Dituria” ishte të përhapte shkrimin e këndimin e gjuhës shqipe në të gjitha anët e Shqipërisë, të çelte, me miratimin e qeverisë turke e të sulltanit, shkolla shqipe në atdhe e jashtë tij dhe të përhapte në Shqipëri literaturën mësimore e shkencore.
Në nëntor të vitit 1898, nën drejtimin e shoqërive atdhetare, u mbajt në Bukuresht, në sallën “Amiçicia” (“Miqësia”), një mbledhje e gjerë e kolonisë së Bukureshtit, që shtypi i kohës e cilësoi si kongres të shqiptarëve, i cili iu kushtua përhapjes së shkollave shqipe. Në fjalimet që atdhetarët e rinj Visarion Dodani, Faik Konica, Jorgji Meksi, Murat Toptani e Dervish Hima mbajtën në këtë tubim, përshkruan prapambetjen e madhe të arsimit në Shqipëri dhe theksuan se kombi shqiptar, si gjithë popujt e tjerë, duhej të kishte shkollat e veta kombëtare, që do ta ndihmonin të hynte në rrugën e qytetërimit. Në telegramin që iu dërgua sulltanit, kërkohej që të futej gjuha shqipe në të gjitha shkollat e Shqipërisë, duke siguruar për këtë qëllim edhe mjetet e nevojshme financiare.
Ndërkaq u zgjerua edhe veprimtaria organizative e kolonisë së Rumanisë. Në fillim të vitit 1899 u ngrit në Bukuresht “Rrethi i studentëve shqiptarë”, me kryetar Ibrahim Naxhiun (Dervish Himën) dhe me statutin e vet të vaçantë. Rrethi kishte si qëllim të ndihmonte studentët e varfër që vinin nga Shqipëria në Bukuresht, të punonte për përhapjen e kulturës midis shqiptarëve dhe për lëvrimin e saj, si edhe për t’i bërë të njohura botës të drejtat kombëtare të shqiptarëve. Në vitin 1902 u formua po në Bukuresht, si vazhduese e këtij “Rrethi…”, Shoqëria kombëtare me emrin “Shpresa - shoqëria e shqiptarëve të rinj”, me kryetar Pandeli Durmishin. Po në vitin 1902 u themelua një degë e Shoqërisë “Dituria” në Kostancë, që kishte po ato qëllime si ajo e Bukureshtit, ndërsa në dhjetor të vitit 1904, me nismën e doktor Ibrahim Temos, u organizua në Braila të Rumanisë shoqëria “Djalëria shqiptare”, e kryesuar nga Kristo A. Dako.
Shoqëria “Dituria” e Bukureshtit dhe ajo “Dëshirë” e Sofjes, që ishte e lidhur me të dhe udhëhiqej prej saj, u morën me botimin e me përhapjen në Shqipëri të librave shkollorë, të veprave letrare të rilindësve dhe të literaturës politike shqiptare. Dokumentet më të rëndësishme programatike të lëvizjes kombëtare, memorandumet, thirrjet dhe manifestet e ndryshme, organet politike të shtypit, si “Shqiptari” (Bukuresht, 1887-1903), “Shqipëria” (Bukuresht, 1897-1899) etj., botoheshin në kolonitë shqiptare të mërgimit.
Një rol të veçantë në veprimtarinë botuese të kolonive të mërgimit luajti shtypshkronja “Mbrothësia”, e themeluar në Sofje në vitin 1897, me ndihmën e Shoqërisë “Dituria” të Bukureshtit dhe “Dëshirë” të Sofjes, nga atdhetarët Kostë Jani Trebicka dhe Kristo P. Luarasi (1875-1934). Kristo Luarasi, i vendosur në Sofje në vitin 1894, meqë kishte mësuar zanatin e shkronjërradhitësit qysh kur ndodhej në Bukuresht, mbajti barrën kryesore të shtypshkronjës “Mbrothësia”, duke qenë radhitës, redaktor e administrator i saj. Këtu u shtyp, duke filluar nga viti 1897, “Ditërrëfenjësi” (“Kalendari Kombiar”, Sofje, 1897-1912), që u botua si organ i Shoqërisë “Dëshira”, gazeta “Drita” (1901-1908) e Shahin Kolonjës, “Shkopi” (Kajro, 1907-1908), drejtuar nga Jani Vruho etj. Me ndihmën financiare të shoqërive atdhetare, sidomos të asaj “Dituria” të Bukureshtit, shtypshkronja “Mbrothësia” botoi gjithashtu në mijëra kopje veprat didaktike dhe ato të letërsisë shqiptare të Rilindjes, si “Abetare toskërisht”, “Abetare gegërisht”, “Bagëti e bujqësija”, “Istoria e Skënderbeut” dhe vepra të tjera të Naim Frashërit, librin e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë?”, “Hrestomacinë” e Gjergj Qiriazit, “Valët e detit” të Spiro Dines etj., që shpërndaheshin nga shoqëria “Dituria” në të gjitha qytetet e Shqipërisë.
Megjithëse zhvillonin një veprimtari të gjerë, shoqërive atdhetare të kolonive të mërgimit u mungonte në fillim të shek. XX një udhëheqje e vetme, që do të bashkërendonte veprimtarinë e tyre. Këtë rrethanë u orvatën ta shfrytëzonin politikanë dhe aventurierë, të tillë si Albert Gjika, Aladro Kastrioti dhe Di Auleta. Albert Gjika, princ rumun me origjinë të largët shqiptare, duke dashur të vihej në krye të lëvizjes shqiptare dhe, nëse do të kishte sukses, të zinte fronin e Shqipërisë, hodhi parullën e “pavarësisë” së Shqipërisë, të cilën pretendonte ta siguronte me anën e një kryengritjeje të përgjithshme shqiptare. Edhe qarqet qeveritare rumune, ndonëse ishin të bindura se ndërmarrja e Albert Gjikës ishte një aventurë, duke shpresuar ta përdornin lëvizjen shqiptare, si edhe atë të vllehëve, për të ushtruar trysni mbi Portën e Lartë dhe për ta detyruar Stambollin t’u bënte lëshime vllehëve të Turqisë Evropiane, e përkrahën atë dhe i krijuan kushte për veprimtarinë e tij në koloninë shqiptare të Rumanisë. Pas vizitave që kishte bërë në Malin e Zi, në Romë, në Londër, në Paris, në Sofje dhe në Beograd, për të krijuar përshtypjen se gëzonte një përkrahje ndërkombëtare, Albert Gjika u kthye në Rumani. Me nismën e disa shqiptarëve të kolonisë së Bukureshtit, më 23 prill 1905 u mblodh në kryeqytetin rumun një kongres, ku morën pjesë rreth 2 000 veta, përfaqësues nga kolonitë dhe nga Shqipëria, si edhe maqedonë e rumunë. Kongresi doli me kërkesën e Albert Gjikës për një Shqipëri të pavarur, në të cilën, përveç tokave shqiptare të të katër vilajeteve, kërkohej të përfshihej edhe vilajeti i Selanikut; u krijua edhe një komitet qendror me emrin “Kombi”. Kongresi vendosi gjithashtu të përgatitej kryengritja e armatosur dhe caktoi për këtë një organ të veçantë drejtues. Pas kongresit filloi të dilte në Romë edhe një organ shtypi i komitetit me titullin “Lajmëtari i Shqipërisë” (“L’Araldo d’Albania”).
Por vendimet e kongresit nuk patën ndonjë ndikim në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Shumica e atdhetarëve shqiptarë nuk e përkrahu Albert Gjikën dhe qëndroi larg tij, ndërsa organet e shtypit atdhetar e cilësuan atë si një aventurier, që mund t’i sillte dëm lëvizjes shqiptare. Shumë shpejt edhe ata shqiptarë që u bashkuan me të, qysh në vitin 1905 filluan t’i largoheshin. Albert Gjikës iu kundërvunë edhe organi “Kombi”, gazeta “Lajmëtari i Shqipërisë”, si edhe botuesi e bashkëpunëtori i tij Gaspër Jakova - Mërtiri, të cilët deklaruan se nuk i njohin atij asnjë nga të drejtat e pretenduara mbi Shqipërinë. Në këto rrethana princi rumun mbeti i izoluar, ndërsa orvatja e tij dështoi tërësisht.
Po këtë fat pësuan edhe aventurierët e tjerë politikë, diplomati spanjoll Aladro Kastrioti dhe markezi italian Di Auleta, të cilët u aktivizuan sidomos gjatë vitit 1907 dhe, duke u paraqitur si pasardhës të familjes së Kastriotëve, e shpallën veten pretendentë të fronit të Shqipërisë. Në maj të vitit 1907 Aladro Kastrioti, në emër të një të ashtuquajturi Komitet shqiptar, u drejtoi një thirrje shqiptarëve për t’u bashkuar nën drejtimin e tij në luftën për autonominë e Shqipërisë. Propaganda nuk pati ndikim në qarqet atdhetare shqiptare as brenda, as edhe jashtë Shqipërisë. Orvatjet e Aladro Kastriotit gjatë takimeve që pati në Paris në vitin 1907 me veprimtarë të tillë të lëvizjes shqiptare si Bajo Topulli e Shahin Kolonja, për të vendosur lidhje me komitetet shqiptare “Për lirinë e Shqipërisë” dhe për t’i nxitur ata të hidheshin në një kryengritje të përgjithshme e të parakohshme, nuk patën sukses. Atdhetarët shqiptarë, ndonëse ishin të interesuar për ndihmën financiare të premtuar prej tij për blerjen e armëve, nuk pranuan të bashkëpunonin me këtë aventurier.
Shoqëritë e kolonive të mërgimit e vijuan veprimtarinë e tyre të pavarur atdhetare dhe qëndruan jashtë çdo ndikimi të huaj. Kjo veprimtari u gjallërua edhe më shumë me formimin e komiteteve “Për lirinë e Shqipërisë”, nën drejtimin e të cilave lëvizja kombëtare brenda Shqipërisë po merrte një karakter të organizuar. Në shembullin e këtyre komiteteve u bë organizimi i shoqërive kulturore ekzistuese dhe u themeluan shoqëri të tjera.
Gjatë muajve nëntor-dhjetor të vitit 1906 u arrit bashkimi i të gjitha shoqërive të Bukureshtit në një të vetme. Në takimet që u bënë në fundin e nëntorit ishte vendosur që shoqëria e bashkuar të mbante emrin “Tomori”, ndërsa më 7 dhjetor rreth 200 përfaqësues të shoqërive të kolonisë së Rumanisë (“Dituria”, “Drita” dhe “Shpresa”) shpallën shkrirjen e tyre në një Shoqëri të vetme kulturore me emrin “Bashkimi”. Kryetar i komitetit të Shoqërisë u zgjodh Thoma Çami, ndërsa zëvendësa Kristo Meksi e Pandeli Evangjeli. Midis veprimtarëve të saj ishin edhe Mihal Gramenoja, Aleksandër Drenova (Asdreni) etj. Sipas statutit të ri, Shoqëria kishte për qëllim të përhapte kulturën në gjuhën shqipe, të botonte libra didaktikë për shkollat shqipe dhe të ndihmonte për mbajtjen e shkollave shqipe në Shqipëri, si dhe për hapjen e shkollave të tilla në Bukuresht. Në janar të vitit 1907 u formua në Kostancë një degë e Shoqërisë “Bashkimi” të Bukureshtit. Shoqëria “Bashkimi” e Kostancës mori përsipër të ndihmonte për përhapjen e ideve kombëtare dhe për ngritjen e shkollave shqipe në Shqipëri, si dhe të një shkolle të tillë në Kostancë, ku të mësonin shqiptarët e Dobruxhës. Një ndihmesë të rëndësishme në veprimtarinë e kësaj kolonie dha doktor Ibrahim Temo. Me nismën e tij, qysh në vjeshtën e vitit 1905, qe ngritur në Kostancë një shkollë nate për mësimin e gjuhës shqipe, ndërsa në vitin 1907 u hap një mësonjëtore shqipe, me drejtor Jani M. Lehova, ku jepnin mësim edhe Asdreni, Neofit Simoni nga Shkupi, Thoma Avrami etj.
Në maj të vitit 1907, me nismën e Kristo Meksit, të Pandeli Evangjelit, të Bajram Topullit, të Veli Këlcyrës e të Vasil Zografit u formua në Bukuresht Komiteti i shqiptarëve “Për lirinë e Shqipërisë” dhe u botua statuti i tij (kanonizma).
Në mars të vitit 1907, duke dashur të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së alfabetit të gjuhës shqipe, Shoqëria “Bashkimi” e Bukureshtit publikoi një thirrje drejtuar gjithë shoqërive brenda e jashtë Shqipërisë, si dhe gazetave shqipe, ku kërkonte që të bashkërendonin përpjekjet e tyre për të vendosur një alfabet të njësuar për gjuhën shqipe, duke formuar për këtë qëllim edhe një komision të posaçëm.
Në këto vite edhe kolonia e arbëreshëve të Italisë e shtoi veprimtarinë e saj. Në janar të vitit 1897 filloi të botohej në Pallagorio (provinca Katanzaro) gazeta politike-letrare e “Shoqërisë Kombëtare Shqiptare”, “La Nazione Albanese” (“Kombi Shqiptar”), e drejtuar nga Anselmo Lorekio. Megjithëse “Shoqëria Kombëtare Shqiptare” pati deklaruar se kishte vetëm qëllime letrare e gjuhësore, as ajo, as edhe organi i saj i shtypit nuk qëndruan larg çështjeve politike. Në gazetën “La Nazione Albanese”, falë kujdesit të Anselmo Lorekios, u botuan pothuajse të gjitha memorandumet shqiptare të fundit të shek. XIX dhe të fillimit të shek. XX për autonominë e Shqipërisë, ndërsa redaksia e saj publikoi shumë artikuj e shkrime, në të cilat kërkohej pavarësia e Shqipërisë. Por, për shkak të vendit e të rrethanave, në të cilat nxirrej kjo gazetë, në shkrimet e saj propagandohej edhe ideja e mbështetjes tek Italia dhe përkrahej politika e saj e jashtme ndaj Shqipërisë.
Gjatë viteve 1897-1901 zgjerohet më tej aktiviteti i kolonisë shqiptare të arbëreshëve të Italisë. Më 1897 u thirr në Lungro të Kalabrisë, nën drejtimin e Anselmo Lorekios, një kongres tjetër gjuhësor. Ndërkaq, në vend të “Shoqërisë Kombëtare Shqiptare”, që nuk pati ndonjë ndikim në Shqipëri, u themelua në Romë (më 1898) “Liga Nazionale Albanese” (“Lidhja Kombëtare Shqiptare”), e cila krijoi degët e saj në të gjitha lokalitetet e Italisë së Jugut, të banuara nga arbëreshët. Krahas me gazetën “La Nazione Albanese” u botuan njëra pas tjetrës “Albania”, “Nuova Albania” (“Shqipëria e re”) dhe nga viti 1900 “Pro Patria” (“Pro Atdheut”), të gjitha në gjuhën italiane.
Në vitin 1901 u mbajt në Napoli nën drejtimin e poetit arbëresh Zef Skiroi një kongres gjuhësor shqiptar, në të cilin u diskutua gjerësisht për nevojën e lëvrimit e të përhapjes së gjuhës shqipe dhe për vendosjen e një alfabeti të vetëm. Në kongres u fol gjithashtu për “shkrirjen” e dialekteve të gjuhës shqipe në një gjuhe letrare të njësuar. Por propozimi për ta ngritur atë mbi bazën e të folmes së arbëreshëve të Italisë hasi në kundërshtimin e atdhetarëve rilindës. Po në këtë kohë u çel në Institutin Mbretëror të Orientalistikës në Napoli një katedër e gjuhës shqipe, e drejtuar nga Zef Skiroi. Një katedër tjetër për mësimin e gjuhës shqipe u ngrit në Palermo.
Në vitet e para të shek. XX filloi të merrte pjesë në veprimtarinë e shqiptarëve të Italisë Riçioti Garibaldi, i cili, duke pasur përkrahjen e personaliteteve të njohura arbëreshe, themeloi më 1904 “Këshillin shqiptar të Italisë” (“Consiglio albanese d’Italia”), që kishte për qëllim të bashkonte shqiptarët e Italisë me ata të Shqipërisë dhe të mbështeste politikën italiane në Shqipëri e në tërësi në Ballkan. Shoqëria nxori edhe organin e vet të shtypit “Gazeta albanese” (“Gazeta shqiptare”) në italisht.
Në fillim të shek. XX, me përkrahjen financiare të qeverisë, u ndërmorën botime italiane për Shqipërinë e Ballkanin. Shoqëria “Dante Aligeri” qysh në vitin 1901 organizoi botimin “Biblioteka italo-shqiptare”. Dolën gjithashtu vepra për gjuhën, për historinë dhe për aspekte të tjera të çështjes shqiptare.
Në koloninë shqiptare të Egjiptit, me ndihmën e Ismail Qemalit, duke filluar nga viti 1901, ripërtërihet e zgjerohet veprimtaria e Shoqërisë “Vëllazëria shqiptare”. Në këtë shoqëri u aktivizuan figura të tilla të Rilindjes Kombëtare, si Filip Shiroka që ishte edhe sekretari i saj, Athanas Tashko, Loni Logori etj.
Më 27 dhjetor të vitit 1904 u formua në Vjenë Shoqëria “Dija” dhe komiteti i saj, i kryesuar nga Gjergj Pekmezi. Veprimtaria e kësaj Shoqërie udhëhiqej kryesisht nga Hilë Mosi, që ishte edhe sekretar i saj. Ajo ndiqte qëllime kulturore, merrej me botimin e përhapjen e librave shqip dhe pranonte në radhët e saj gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Dega qendrore e Shoqërisë “Dija” ishte ajo e Vjenës, e cila përbëhej nga studentë, nxënës, mësues dhe atdhetarë të tjerë shqiptarë, që ndodheshin në kryeqytetin austriak. Shoqëria “Dija” mbahej me ndihmat që jepnin bashkatdhetarët shqiptarë, por gëzonte edhe përkrahjen financiare të qeverisë austriake. Shoqëria, duke filluar nga viti 1907-1908, nxori “Kalendarin” e Shoqërisë “Dija”, një nga botimet më të rëndësishme publicistike e letrare shqipe të asaj periudhe. “Dija” bashkëpunonte dhe mbante lidhje të ngushta me Shoqërinë “Dituria” të Bukureshtit.
Megjithëse Shoqëria “Dija” kishte deklaruar se nuk do të merrej me çështje politike, Porta e Lartë, që u informua shumë shpejt për themelimin e saj, e rreshtoi atë ndër organizatat që synonin të luftonin për autonominë e Shqipërisë dhe mori masat për të penguar shtrirjen e komiteteve të saj në vilajetin e Kosovës e në atë të Shkodrës. Megjithatë, gjatë viteve 1906-1907 kjo shoqëri, përveç Vjenës e Shkodrës, që ishin vatrat e para të saj, themeloi degët e veta edhe në Klagenfurt (Austri), në Prizren, në Tiranë, në Durrës e në Shkup. Një degë e saj u ngrit në Raguzë (Dalmaci), nën drejtimin e Nikollë Ivanajt, që nxirrte atje gazetën “Shpnesa e Shqypënisë” dhe një tjetër në Bukuresht (1907), nën drejtimin e Asdrenit.
Vatër e rëndësishme e lëvizjes kombëtare në fillim të shek. XIX u bënë kolonitë e ShBA-së, në të cilat kishte në atë kohë rreth 20 000 emigrantë, tregtarë, zanatçinj e punëtorë, të krishterë e myslimanë.Të mërguarit shqiptarë formuan këtu një varg shoqërish të reja. Më 1906 u themelua në Bufalo Shoqëria “Malli i Mëmëdheut” dhe në Nju-Jork “Koha e Lirisë”. Në fillim të vitit 1907 u krijua në Boston shoqëria “Besa-Besën”, me kryetar Fan Nolin, me degë në tërë qytetet e ShBA-së ku kishte shqiptarë, ndërsa në Sen Lui u ngrit Shoqëria “Lidhja” etj.
Edhe shoqëritë e kolonisë shqiptare të Amerikës synonin të ndihmonin në ngritjen kulturore e politike të popullit shqiptar dhe të shqiptarëve të Amerikës, për shtypjen e librave e të çdo lloj literature në gjuhën shqipe, për botimin e gazetave shqipe dhe për çeljen e shkollave në qytetet më të mëdha të Shqipërisë. Një rol të rëndësishëm në organizimin e shoqërive të ShBA-së luajtën Petro Nini Luarasi dhe veprimtarët e rinj të lëvizjes shqiptare, Sotir Peci e Fan Noli?.
Po në vitin 1907 u formua në Buenos-Aires (Argjentinë) Shoqëria “Lidhja shqiptare” dhe në vitin 1908 në Odesë Shoqëria “Përlindja”.
Shoqëritë e reja të mërgimit, sikurse edhe ato që ishin krijuar më parë, bënë një punë të madhe për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar me anën e botimit të librave, të gazetave, të revistave dhe të shkollave shqipe, për përhapjen e të cilave organizonin herë pas here fushata ndihmash në të holla. Ndonëse në statutet e tyre, për t’iu shmangur ndërlikimeve të mundshme, nuk flitej hapur për qëllimet politike, shoqëritë mbanin lidhje me komitetet dhe atdhetarët shqiptarë brenda e jashtë atdheut. Gjatë viteve 1907-1908, kur Bajram Topulli vizitoi kolonitë shqiptare të Bukureshtit e të Sofjes, shoqëritë atdhetare të këtyre qendrave, si edhe ato të Egjiptit e të ShBA-së, mblodhën mjete financiare për të ndihmuar veprimtarinë e komiteteve shqiptare e të çetave të armatosura dhe dërguan vullnetarë, duke dhënë kështu një ndihmesë të veçantë në organizimin dhe në përgatitjen e luftës së armatosur në Shqipëri.
Në të njëjtën kohë, shoqëritë atdhetare të mërgimit punonin për t’i bërë të njohur opinionit publik ndërkombëtar çështjen shqiptare dhe kërkesat e kombit shqiptar. Kur në vitin 1907 (korrik-shtator) u mblodh në Hagë Konferenca e Paqes, një forum ndërkombëtar, ku morën pjesë dhjetëra shtete, atdhetarët shqiptarë, ndonëse nga përvoja e Konferencës së vitit 1899, nuk shpresonin shumë se ajo do të zgjidhte çështjen shqiptare, i parashtruan asaj katër memorandume: njëri, i hartuar në Boston më 8 korrik, në emër të shoqërive atdhetare të kolonive të ShBA-së dhe nënshkruar nga kryetarët e tyre, Fan Noli etj.; një tjetër dërguar në emër të kolonisë shqiptare të Kostancës (gusht 1907); një i tretë nga “Komiteti i kolonisë shqiptare të Egjiptit” po në gusht të atij viti; një i katërt hartuar nga Dervish Hima dhe dërguar “Në emër të shqiptarëve myslimanë, ortodoksë e katolikë” (korrik, 1907). Memorandumet iu dorëzuan Konferencës dhe disave prej përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha, jashtë saj, nga një delegacion shqiptar.
Edhe pse vinin nga kolonitë e vendeve të ndryshme, memorandumet kishin në thelb një përmbajtje të përbashkët: kërkohej nga Konferenca e Hagës që t’i kushtonte vëmendje edhe çështjes shqiptare dhe përgjithësisht gjendjes së mjerueshme politike, ekonomike e kulturore të Shqipërisë nën sundimin osman, të detyronte Turqinë të njihte zyrtarisht kombin shqiptar si një komb i veçantë, sipas parimit të gjuhës e jo të besimit fetar dhe të lejonte hapjen e shkollave shqipe, që do t’u jepnin mundësi shqiptarëve të hynin në rrugën e qytetërimit e të përparimit. Në memorandumin e paraqitur nga Dervish Hima parashtrohej kërkesa e autonomisë së Shqipërisë, si zgjidhja më optimale në atë kohë e çështjes shqiptare. Përfaqësuesit e shoqërive të mërgimit u kumtuan pjesëmarrësve të Konferencës së Hagës se nuk do të kishte paqe në Ballkan e stabilitet në Lindje, gjersa të mos zgjidhej edhe çështja shqiptare në pajtim me aspiratat e kombit shqiptar.
Shoqëritë atdhetare të mërgimit luftuan jo vetëm kundër zgjedhës osmane, por edhe kundër politikës asimiluese e përçarëse që Patrikana greke e Stambollit ndiqte ndaj shqiptarëve, duke e shtrirë veprimtarinë e saj jo vetëm në Shqipëri, por edhe në kolonitë shqiptare. Një masë e rëndësishme për të përballuar ndikimin e Patrikanës ishte krijimi i një kishe kombëtare shqiptare. Kjo kërkesë e shtruar qysh në fundin e shek. XIX u bë shumë e ngutshme në fillim të shek. XX.
Themelimi i kishës ortodokse shqiptare është i lidhur me emrin e Fan S. Nolit. Kërkesa për krijimin e një kishe të tillë me prift shqiptar dhe me shërbesat në gjuhën shqipe u bë në maj të vitit 1907. Në vjeshtën e atij viti shqiptarët e Hadsënit formuan shoqërinë fetare “Nderi Shqiptar” dhe ngritën një komision, i cili, pasi mori edhe pëlqimin e të gjitha kolonive shqiptare të Bostonit, të Netikut e të Marlboros, filloi veprimet praktike për krijimin e kishës shqiptare. Me gjithë kundërshtimet e Patrikanës së Stambollit, edhe Sinodi rus pranoi kërkesën e shqiptarëve, që peshkopi i tij në ShBA të shuguronte një prift shqiptar. Këto përpjekje të shqiptarëve u kurorëzuan me sukses në shkurt të vitit 1908, kur me dorëzimin e Fan Nolit si prift në një nga kishat e Nju-Jorkut, u themelua kisha shqiptare. Për të ndihmuar funksionimin e saj, Fan Noli gjatë viteve 1908-1914 shqipëroi 6 libra të shërbesës fetare.
Kjo ngjarje u përshëndet nga shqiptarët brenda vendit dhe në kolonitë e mërgimit, ndërsa organet e shtypit atdhetar, duke botuar njoftimin e Fan Nolit për ngritjen e kishës shqiptare, e cilësuan këtë akt si një goditje kundër shovinizmit grek dhe një fitore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Atdhetarët shqiptarë, të krishterë e myslimanë, e vlerësuan krijimin e kishës ortodokse shqiptare jo thjesht si një ngjarje ekleziastike, por edhe si një veprim që do të ndihmonte në emancipimin kombëtar të shqiptarëve. Ngritja e kishës shqiptare në ShBA ishte hapi i parë i rëndësishëm për themelimin, më 1922, të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Veprimtaria e shoqërive atdhetare të kolonive shqiptare të mërgimit mbeti edhe në vitet e ardhshme një faktor i rëndësishëm në luftën e popullit shqiptar për pavarësinë kombëtare dhe për tërësinë territoriale të atdheut.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama