Ushtria shqiptare dhe arti i saj ushtarak

Përballimi me sukses i luftës kundër pushtuesve osmanë kërkonte në radhë të parë krijimin e një ushtrie të aftë dhe me cilësi të lartë luftarake.
Si njohës i mirë i ushtrisë osmane, i organizimit dhe i armatimit të saj, Skënderbeu, që në fillim, vuri në qendër të vëmendjes organizimin dhe fuqizimin e forcave ushtarake të vendit, që të ishin në gjendje të përballonin një kundërshtar aq të fuqishëm.
Në Kuvendin e Lezhës të marsit 1444 u vendos që, me kontributin e pjesëmarrësve të tij, të krijohej një ushtri e përbashkët. Bërthamën kryesore të saj e formuan luftëtarët që i mobilizonte vetë Skënderbeu, si komandant i përgjithshëm i ushtrisë. Në fillim forcat ushtarake të Besëlidhjes Shqiptare kishin karakter federal, sepse fisnikët shqiptarë, jashtë ushtrisë së përbashkët që ishte nën komandën e Skënderbeut, mbanin një numër jo të vogël forcash ushtarake. Këto trupa, gjatë procesit të formimit të shtetit të bashkuar shqiptar, u shkrinë me forcat e ushtrisë së përbashkët.
Masa e luftëtarëve vinte kryesisht nga radhët e fshatarësisë. Ajo mbante një qëndrim të papajtueshëm ndaj pushtetit osman dhe ishte në gatishmëri të tillë të përhershme luftarake aq sa, siç shprehej Barleci, "burrat me njërën dorë lëronin arat dhe me tjetrën mbanin shpatën". Fshatarësia u bë burim i pashtershëm forcash njerëzore për formimin e një ushtrie të madhe popullore, të fuqishme, me shpirt të lartë vetëmohimi, të panjohur në kushtet e luftërave të zakonshme feudale.
Ushtria shqiptare përbëhej nga trupat e përhershme dhe nga luftëtarë që mobilizoheshin vetëm gjatë kohës së luftës. Trupat e përhershme ishin ndarë në dy njësi kryesore. Njëra përbëhej prej 2 mijë deri 3 mijë kalorës të armatosur lehtë, të cilët stërviteshin prej Skënderbeut dhe shërbenin si gardë personale e tij. Pjesa tjetër ruante fortesat dhe kështjellat e vendit, si dhe brezin kufitar lindor. Trupat në viset kufitare lindore i komandonte Moisi Arianiti (Golemi) dhe, sipas M. Barlecit, përbëheshin nga 2 mijë kalorës dhe 1 mijë këmbësorë. Masën kryesore të ushtrisë shqiptare e formonin luftëtarët që mobilizoheshin gjatë kohës së luftës sipas parimit "burrë për shtëpi". Kur rreziku ishte tepër i madh, mobilizoheshin të gjithë banorët që mund të luftonin. Kur bëhej mobilizimi i përgjithshëm, forcat ushtarake shqiptare arrinin nga 20 mijë deri në 30 mijë luftëtarë, duke formuar një ushtri të madhe për kohën.
Komanda e ushtrisë ishte në dorën e Skënderbeut, që ishte komandant i përgjithshëm. Për t'u konsultuar gjatë veprimeve ushtarake pranë tij qëndronte Këshilli i Luftës, i përbërë nga komandantët më të shquar, të cilët zakonisht dilnin nga radhët e fisnikëve. Kishte edhe komandantë që dilnin nga radhët e njerëzve të thjeshtë, të cilët drejtonin formacionet e ndryshme luftarake, sidomos kur shpallej mobilizimi i përgjithshëm.
Pjesëmarrja e gjerë e shqiptarëve në ushtrinë e Skënderbeut la gjurmët e veta në taktikën dhe armatimin e saj. Në kushtet e vendit tonë mori përhapje të gjerë lufta guerile, formë tradicionale kjo e luftës së fshatarësisë në epoka e vende të ndryshme. Ushtria shqiptare përbëhej nga kalorësia, që përgjithësisht ishte e pakoracuar, prandaj lëvizte me shpejtësi, dhe nga këmbësoria. Luftëtarët e saj përgjithësish kishin armatim të lehtë dhe nuk mbanin armatime të rënda si ato që përdoreshin në ushtrinë feudale të kohës. Skënderbeu e mbështeti strategjinë dhe taktikën ushtarake në trimërinë dhe heroizmin e luftëtarëve të tij, në traditën luftarake të shqiptarëve, në njohjen prej tij të organizimit e të artit ushtarak të armikut etj.
Ushtria shqiptare kishte si detyrë parësore moslejimin e trupave osmane që të futeshin në thellësi të viseve të lira për të grabitur e shkatërruar vendin. Këtij qëllimi i shërbente sistemi mbrojtës i brezit kufitar, të cilit iu kushtua kujdes i veçantë. Pasi trupat osmane pushtuan Stefigradin, shqiptarët, pa vonesë, ngritën në viset lindore një bazë tjetër ushtarake e të fortifikuar, kështjellën e Modrishës. Zakonisht ushtritë armike sulmoheshin e shpartalloheshin në zonat kufitare. Kur ushtritë osmane ishin shumë të mëdha dhe nuk mund të shkatërroheshin në brezin kufitar, Skënderbeu ndërmerrte masa energjike për të përballuar zhvillimin e luftimeve në thellësi të vendit. Popullsia e paaftë për luftë largohej prej zonave që mund të shkeleshin prej ushtrive armike dhe strehohej përkohësisht nëpër vende malore e të sigurta, duke marrë me vete bagëtinë, rezervat ushqimore e sende të ndryshme. Materialet e prodhimet, që nuk mund të transportoheshin, asgjësoheshin me qëllim që trupave pushtuese t'u hiqej mundësia e përdorimit të tyre. Ndërkohë kështjellat përforcoheshin, duke i furnizuar me luftëtarë, armatime e rezerva ushqimore.
Kur trupat osmane arrinin të futeshin në thellësi të vendit, luftëtarët e brezit kufitar tërhiqeshin të organizuar dhe bashkoheshin me pjesën tjetër të forcave shqiptare. Gjatë tërheqjes ata sulmonin pareshtur trupat osmane, ngadalësonin marshimin e tyre, duke u shkaktuar dëme të mëdha.
Kur arrinin të depërtonin në thellësi të vendit, synimi kryesor i trupave osmane ishte pushtimi i Krujës, që ishte kryeqendra administrative dhe ushtarake për viset e lira shqiptare. Në këto raste Skënderbeu i organizonte veprimet luftarake në mënyrë të tillë, që pesha kryesore e luftimeve të binte jo mbi mbrojtësit e kështjellës, por mbi luftëtarët që vepronin jashtë saj. Me shumicën e ushtrisë ai qëndronte jashtë kështjellës dhe organizonte me to, ditën dhe natën, sulme të pandërprera e të befasishme, që u shkaktonin dëme të rënda forcave pushtuese. Vëmendje të veçantë i kushtonte Skënderbeu edhe prerjes së rrugëve të furnizimit të armikut. Sulmoheshin karvanet që vinin nga lindja për të furnizuar ushtrinë osmane me ushqime e sende të tjera të nevojshme, si dhe ato që vinin nga drejtime të tjera. Këtë detyrë e kryenin sidomos çetat e armatosura.
Skënderbeu i kushtoi kujdes edhe organizimit të zbulimit. Zbuluesit shqiptarë gjendeshin kudo, në krahinat fqinjë, në zonën ku marshonte, qëndronte e vepronte ushtria armike dhe në qendër të Perandorisë Osmane,. Nëpërmjet tyre siguroheshin të dhëna të karakterit strategjik, operativ e taktik që kishin të bënin me kohën e ardhjes së ushtrisë armike, me madhësinë e organizimin, si dhe me lëvizjen e veprimet luftarake të saj etj. Zbuluesit i paraprinin ushtrisë shqiptare, kur kjo futej në vise të pushtuara. Ata organizoheshin në grupe, lëviznin në largësi të caktuara ndërmjet tyre dhe kontrollonin mirë terrenin për të shmangur pritat e armikut, dërgonin shpejt në drejtim të Skënderbeut informacionin e grumbulluar.
Variantet taktike që përdorte Skënderbeu për të shpartalluar ushtrinë armike ishin të larmishme e mbështeteshin në bashkërendimin e mbrojtjes me sulmin, të mësymjes së ushtrisë së rregullt me goditjen e çetave, të ndeshjeve ballore me sulmet e befasishme, duke futur në përdorim si këmbësorinë ashtu edhe kalorësinë e armatosur lehtë. Në çdo luftim Skënderbeu përpiqej ta parashikonte ecurinë e tij, sulmonte e hapte beteja në kushte që i dukeshin më të përshtatshme. Ai gërshetoi dhe përdori gjerësisht manovrën e shpejtë të forcave të veta me sulmet e befasishme mbi ushtritë armike në çdo kohë, ditën dhe natën, duke i shoqëruar këto në mënyrë të përsosur me prita e kurthe të ndryshme.
Skënderbeu kishte aftësi të jashtëzakonshme ushtarake. Ai ishte në të njëjtën kohë strateg dhe ushtar, hartonte e ndryshonte në përshtatje me situatat planin e luftës, udhëhiqte ushtrinë dhe njëkohësisht luftonte edhe vetë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama