Tiparet e reja te levizjeve clirimtare kunderosmane

Me zbatimin e Tanzimatit u vendos mbi popullin shqiptar shtypja e drejtpërdrejtë dhe e egër e sundimtarëve osmanë. Administrata burokratike e përbërë nga nëpunës me kombësi të huaj, grabitqarë e të pangopur, detyrimet e rënda fiskale, shërbimi i rregullt dhe i zgjatur ushtarak, gjyqet e korruptuara etj., e rëndonin zgjedhën kombëtare dhe e shtonin shtypjen ekonomike e politike mbi pjesën më të madhe të popullsisë.
Fshatarësia dhe vegjëlia e qyteteve duhej të përballonin detyrime e taksa të rënda që vendoste administrata e re, abuzimet e nëpunësve osmanë, si dhe mashtrimet e spekulimet e sipërmarrësve të të ardhurave shtetërore, në një kohë kur ekonominë e popullsisë myslimane e dëmtonte edhe shërbimi shumëvjeçar ushtarak, që i rrëmbente krahët më të aftë për punë.
Me administratën e re u ndesh edhe fshatarësia e disa zonave malore, që gëzonte të drejta vetëqeverisjeje të fituara me luftë. Mosnjohja e këtyre të drejtave dhe orvatjet për të zbatuar sistemin tatimor e rekrutimin e detyruar ushtarak u sillnin këtyre krahinave një shtypje e shfrytëzim ekonomik që nuk e kishin njohur më parë.
Nga reforma prekeshin edhe shtresa të tjera të popullsisë: spahinjtë e dikurshëm dhe krerët e esnafëve, të cilët kishin humbur të drejtat e privilegjet që u siguronte sistemi i mëparshëm feudal-ushtarak; një pjesë e bajraktarëve, e kapedanëve dhe e bylykbashëve, të cilët nuk e gëzonin më të drejtën e rekrutimit të ushtarëve me rrogë që u sillte fitime; çifligarët e goditur nga Porta si dhe ata që ishin lidhur me tregun kërkonin zhvillimin e tij dhe ishin të pakënaqur nga pengesat burokratike të administratës së re; pjesa më e madhe e borgjezisë, që u zhgënjye shumë shpejt nga reformat të cilat, jo vetëm nuk vendosën rregullin e qetësinë e dëshiruar dhe nuk zhdukën pengesat e brendshme për zhvillimin e lirë të tregtisë e të industrisë së tregut kombëtar, por edhe e bënë atë objekt të abuzimeve grabitqare të administratës së re.
Si pasojë, pakënaqësia ndaj reformave përfshiu shtresat më të ndryshme shoqërore, pjesën më të madhe të popullsisë. Kjo pakënaqësi erdhi duke u rritur shkallë-shkallë me orvatjet që bëri Porta e Lartë për të zbatuar reformat në Shqipëri dhe u shndërrua në kryengritje të armatosura që vijuan njëra pas tjetrës për disa dhjetëra vjet. Në këto kryengritje morën pjesë pothuajse të gjitha forcat e grupet shoqërore të popullsisë. Lufta mori karakter ballor, që dëshmonte për ndryshime në përmasat e në organizimin e saj. U krijua kështu një front i gjerë kundërosman, i cili përbënte tiparin kryesor të kthesës që ishte bërë në luftën çlirimtare të popullit shqiptar.
Pas goditjeve ekonomike e politike që krerët feudalë shqiptarë pësuan në vitet 1822-1831, ata nuk qenë më në gjendje as të organizonin dhe as të udhëhiqnin kryengritjet kundër sundimit osman. Në udhëheqje të lëvizjes kryengritëse, gjatë viteve 30-40, krahas krerëve çifligarë dolën përfaqësues të borgjezisë qytetare e të fshatarësisë. Ky ishte një tipar tjetër i ri që dëshmonte për ndryshimet cilësore të ndodhura në zhvillimin e luftës së armatosur.
Ndryshime thelbësore ndodhën edhe në përmbajtjen e në karakterin e kërkesave të kryengritjeve të fillimeve të Rilindjes Kombëtare, të viteve 30-40 të shek. XIX. Lufta për të përjashtuar nga zbatimi i politikës së centralizmit burokratik viset shqiptare shprehte në fakt kërkesën për njohjen e kombësisë shqiptare si kombësi më vete, për trajtimin e veçantë të Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë dhe për administrimin e saj nga njerëzit e vendit, që nënkuptonte synimin për vetëqeverisje në shkallë kombëtare e jo më lokale-krahinore. Kurse në rastet, qoftë edhe të veçanta, siç ishte ai i Kryengritjes së Dervish Carës të viteve 1843-1844 e ndonjë tjetër, kur kryengritësit i referoheshin shembullit të organizimit të shteteve fqinje, shpreheshin haptazi pretendimet për autonominë e vendit të tyre.
Forcat e shtresat e ndryshme shoqërore u jepnin këtyre kërkesave përmbajtje të ndryshme. Në lëvizje u aktivizuan edhe ato shtresa, të cilat kishin humbur privilegjet e pozitat që gëzonin në sistemin feudal-ushtarak e që synonin t’i rifitonin ato. Lëvizja e tyre kishte karakter të kufizuar e konservator, sepse synonte ta kthente vendin prapa, në të kaluarën. Por pjesa më e madhe e popullsisë që mori pjesë në kryengritjet përbëhej nga masat qytetare e fshatare, të cilat në administrimin e vendit nga shqiptarët shihnin çlirimin e tyre nga zgjedha e rëndë kombëtare e administratës së huaj burokratike osmane dhe nga shtypja e egër e saj.
Këto kërkesa nuk arritën, në ato vite, të formuloheshin në mënyrë të përcaktuar, në formën e një programi të vetëm dhe të paraqiteshin në emër të të gjithë popullit shqiptar, sepse mungonte një udhëheqje e formuar politikisht dhe një organizatë a një qendër e vetme drejtuese, që të bashkërendonte lëvizjet e veçanta, t’i shkrinte ato në një lëvizje të përgjithshme e t’i jepte asaj një program të përbashkët kombëtar. Megjithatë, siç është pranuar me të drejtë nga historiografia e sotme shqiptare, kërkesa më e shpeshtë e këtyre kryengritjeve për një status të veçantë të trojeve shqiptare, duke i dalluar e duke i veçuar nga territoret e tjera të Perandorisë Osmane, përmbante në “embrion”, në formulimin e saj fillestar, kërkesën e administrimit autonom të Shqipërisë, të autonomisë territoriale-administrative të saj, duke ua lënë atë në dorë “krerëve” të vendit.
Kryengritjet kundër shtypjes kombëtare patën në fillim karakter lokal, por, meqenëse shpërthyen pothuajse në të njëjtën kohë e për të njëjtat shkaqe, drejtoheshin kundër një armiku të përbashkët dhe kishin kërkesa të njëllojta. Ato u shndërruan dora-dorës në kryengritje të gjera të fuqishme duke përfshirë krahina të tëra të vendit. Për herë të parë u bënë përpjekje për kapërcimin e kornizave lokale dhe për organizimin e një kryengritjeje të përgjithshme (më 1834), që shprehte prirjen e popullit shqiptar drejt bashkimit. Gatishmëria e bashkëpunimi ndërmjet vatrave të veçanta të kryengritjeve dhe solidariteti ndërmjet popullsisë së trevave të ndryshme, tregonin se procesi i bashkimit të popullit shqiptar kishte hedhur rrënjë të qëndrueshme.
Ndryshime u vunë re edhe në aspektin organizativ të kësaj lufte. Dolën në skenë forma organizative demokratike dhe më të kohës. Me zgjerimin e luftës, për të përballuar forcat e mëdha armike dhe për të bashkërenduar veprimet luftarake u organizuan kuvende, besëlidhje, pleqësi dhe këshilla të kryengritësve, disa nga të cilat, ndonëse kishin qenë edhe më parë, morën përmbajtje të re. Krahas përfaqësuesve të parisë çifligare, në to merrnin pjesë tani edhe përfaqësues të shtresave më të gjera të popullsisë, të vegjëlisë qytetare e fshatare, të pronarëve të vegjël të tokave, kryepleq e nëpunës të vegjël, shumica e të cilëve ishin pak të njohur. Përveç kësaj, besëlidhjet e kapërcyen karakterin e ngushtë lokal dhe në disa raste morën karakter ndërkrahinor, siç ishin Besëlidhja e nëntë krahinave të Shqipërisë së Jugut e viteve 1833-1834, Këshilli i Përkohshëm në Shkodër (1833-1835), Kuvendi i Madh Ndërkrahinor i Mesaplikut (1847), i cili, duke krijuar Lidhjen Kombëtare Shqiptare dhe organin e saj Komitetin Kombëtar, mund të shihet si një organizëm që synonte të merrte karakterin e një forumi me përmasa kombëtare.
Një rol gjithnjë e më të dukshëm filluan të luanin në këto kryengritje qytetet e sidomos ato kryesore, si Shkodra, Berati, Prizreni, Gjakova, Shkupi e Elbasani, të cilat u bënë qendra të rëndësishme të këtyre lëvizjeve. Kjo dëshmonte për peshën gjithnjë e më të madhe që filluan të kishin qytetet në jetën ekonomike e politike të vendit.
Të zhvilluara në kohën, kur te shqiptarët ishte formuar tanimë një vetëdije politike e kombëtare, kryengritjet e viteve 30 e 40 nuk mund të mos merrnin tipare të reja, nacionalçlirimtare. Dëshmi e kësaj vetëdijeje të shqiptarëve ishte edhe përkrahja që ata u dhanë revolucioneve nacionale në Principatat Rumune dhe në Greqi, në vitet 20, në të cilat dhanë një kontribut të çmuar. Mjaft e gjerë ishte pjesëmarrja e shqiptarëve të kolonisë së Rumanisë dhe jo vetëm e atyre, por edhe e të tjerëve të ardhur nga Shqipëria, e veçanërisht nga trevat e saj jugore, në kryengritjen që shpërtheu në Principatat Rumune në vitin 1821. Disa prej tyre kishin marrë pjesë edhe në Revolucionin serb të vitit 1815. Është një fakt i njohur, tanimë, se Naum Veqilharxhi, një nga personalitetet më të shquara të Rilindjes Shqiptare, mori pjesë në kryengritjen e vitit 1821 në Vllahi dhe në Moldavi qysh në fillim të saj, ndihmoi në organizimin e revoltës dhe ishte i pranishëm, si komandant ushtarak, gjatë disa veprimeve luftarake që u zhvilluan kundër forcave osmane. Rol të veçantë, si organizator dhe komandant ushtarak, në kryengritjen e vitit 1821 në Principatat Rumune luajti iluministi tjetër i njohur shqiptar, Konstandin Duka.
Shqiptarët përbënin një forcë të rëndësishme luftarake në trupat e eteristëve*, të komanduar nga princi grek Aleksandër Ipsilanti, si edhe në ato të rumunit Tudor Vladimiresku që luftuan trimërisht në radhët e kryengritësve të drejtuar nga komandantët shqiptarë, Haxhi Prodani e kapiten Mihallaqi. Të shumtë ishin shqiptarët që u vranë në betejat që u zhvilluan gjatë kësaj kryengritjeje e sidomos në atë të Skulenit, pas së cilës trupat e tyre u hodhën në lumin Pruth. Edhe masakra që ushtria osmane ndërmori në Bukuresht ndaj forcave kryengritëse, në gusht të vitit 1821, ishte drejtuar kundër shqiptarëve që morën pjesë në revoltën kundërosmane.
Shqiptarët u bashkuan me kryengritjen e Principatave Rumune jo si mercenarë, por si luftëtarë që ishin të ndërgjegjshëm se, duke kontribuar në çlirimin e popullit rumun nga sundimtarët osmanë, të cilët mbanin të robëruar gjithë popujt e Ballkanit, do të jepnin ndihmesën e tyre edhe në çështjen e çlirimit kombëtar të popullit shqiptar. Pikërisht pse vepruan si një forcë e ndërgjegjshme politikisht në aktet e kryengritjes së Principatave Rumune, shqiptarët përmenden krahas grupeve të tjera etnike që morën pjesë në lëvizje. Edhe frymëzuesit e lëvizjes, eteristët, në thirrjen që u drejtuan shqiptarëve, grekëve, vllahomoldavëve, bullgarëve, serbëve, maqedonëve etj. qysh në fillim të kryengritjes u kujtonin atyre se kjo luftë bëhej për çlirimin e gjithë popujve të Ballkanit dhe njëherazi të atdheut të tyre, se është atdheu i tyre i robëruar ai që u bën thirrje të ngrihen kundër sundimtarëve të huaj osmanë.
Shqiptarët ishin, gjithashtu, një forcë aktive me rol të veçantë si në përgatitjen e kryengritjes greke të vitit 1821, ashtu edhe në zhvillimin e revolucionit në përgjithësi. Nëse Ali pashë Tepelena me veprimet e tij ushtarake kundër ushtrive osmane u dha dorë eteristëve të shpërthenin kryengritjen në mars të vitit 1821, shqiptarët (arvanitët), krahas grekëve, ishin nismëtarë të kësaj kryengritjeje. Qysh në mars të vitit 1821 u bashkuan me Revolucionin grek fshatra të tëra shqiptare (arvanite) të Atikës. Kryengritësit shqiptarë, të udhëhequr nga fshatari i thjeshtë Melet Vasili nga Atika (i quajtur Haxhimeleti), marshuan në fundin e marsit drejt Athinës, e detyruan garnizonin osman të mbyllet në Akropol dhe çliruan Athinën. Përgjithësisht gjatë fazës së parë të Revolucionit grek arvanitët, dhe jo vetëm ata, por edhe shqiptarët e trevave të Shqipërisë, duke përfshirë edhe ata myslimanë, u bënë figura qendrore e ngjarjeve dhe e veprimeve luftarake të kryengritësve. Kryengritësit e Peloponezit, grekë e shqiptarë (arvanitë), të komanduar nga Kolokotroni, arritën të merrnin qytetin e Tripolicës, për çlirimin e të cilit patën luftuar pesë muaj me radhë, vetëm pasi shqiptarët myslimanë hynë në marrëveshje me ta dhe dezertuan në masë nga ushtria osmane. Pati edhe mjaft shqiptarë myslimanë, ndërmjet të cilëve njihen Mustafa Gega, Bajram Lapi, Avdi Gega etj., të cilët jo vetëm dezertuan nga ushtria osmane, por morën pjesë në veprimet luftarake të Revolucionit grek. Është i njohur gjithashtu kontributi i luftëtarëve suliotë, të udhëhequr nga Marko Boçari, të cilët gjatë periudhës së parë të Revolucionit grek mbajtën barrën kryesore të luftës në Greqinë kontinentale. Edhe sundimtari i pashallëkut të Shkodrës, Mustafa pashë Bushatlliu, duke kundërshtuar urdhrin e sulltanit, braktisi, në vitin 1823, luftimet në Misolongjin e rrethuar, nuk pranoi të marshonte drejt Athinës për të shtypur kryengritjen dhe u kthye me ushtrinë e tij në Shkodër. Shpërthimi i rrethimit të Misolongjit nga grekët më 1823 u arrit, krahas të tjerave, edhe nga ndihmesa e shqiptarëve që dezertuan në masë nga ushtria osmane. Këto dezertime të shqiptarëve myslimanë nga ushtria do të përsëriteshin edhe në rrethimin e dytë të Misolongjit, në vitin 1825.
Po kështu, pjesa më e madhe e feudalëve shqiptarë të Toskërisë nuk pranoi të bashkëpunonte me Portën e Lartë në shtypjen e kryengritjes greke. Ata i kumtuan të dërguarve të Stambollit se do të hynin në ushtrinë osmane vetëm në qoftë se do të rrezikoheshin territoret e Shqipërisë Jugore. Për shkak të këtij qëndrimi të shqiptarëve dështoi fushata ushtarake osmane kundër Revolucionit grek në shkurt-qershor të vitit 1821. Dështuan gjithashtu përpjekjet që Hurshid Pasha bëri në vitin 1822, pas vrasjes së Ali pashë Tepelenës, për të mobilizuar shqiptarët në ushtrinë osmane dhe për t’i hedhur ata kundër Revolucionit grek. Dezertimi i ushtarëve shqiptarë vazhdoi edhe gjatë fushatës së Ibrahim Pashës së Egjiptit kundër Revolucionit grek në vitin 1827. Megjithatë, qysh në periudhën e Revolucionit grek, shqiptarët u ndeshën me qëndrimet shoviniste të udhëheqësve grekë ndaj tyre dhe territoreve të Shqipërisë. Ndërsa popullsia myslimane shqiptare iu nënshtrua atëherë masakrave nga forcat ushtarake të Revolucionit grek.
Pjesëmarrja e shqiptarëve në revolucionet në Principatat Rumune e në Greqi dhe kontributi që dhanë ato në luftën për çlirimin e popujve rumun e grekë ishin dëshmi jo vetëm e ndjenjave miqësore ndaj popujve fqinjë, por edhe dëshmi e aspiratave të tyre liridashëse. Këto aspirata dëshmojnë njëherazi se shqiptarët, si popull, po hynin në epokën e re të Rilindjes me një vetëdije të përcaktuar politike, me ideale kombëtare e çlirimtare, të cilat nuk mund të mos shfaqeshin edhe në kërkesat, në synimet, në shkallën e organizimit dhe përgjithësisht në karakterin e kryengritjeve të viteve 30-40 të shek. XIX.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama