Thesari shtrengohen fondet per firmat e ndertimit

Thesari, shtrengohen fondet per firmat e ndertimit
Firmat ndërtuese vijojnë ende të kenë probleme me buxhetin e shtetit, për shkak të moslikuidimit të fondeve të prapambetura. Pavarësisht deklaratave të ministrave të Financës dhe Punëve Publike, për “hesape të mbyllura” me shoqëritë e ndërtimit, burime të shoqatës deklarojnë se ka ende fatura të palikuiduara, madje për punë të kryera që në vitin 2008.

Në fillim të këtij viti, Shoqata e Ndërtuesve vendosi ndaj qeverisë ultimatumin për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura, që shkonin përtej 50 milionë eurosh. Reagimi i Ministrisë së Financave ishte i menjëhershëm, duke garantuar likuidim total brenda muajit mars, por që në fakt, të dhënat nga shoqata e ndërtuesve tregojnë se as në muajin gusht nuk ka mbyllje të procesit.

Vetëm për dy shoqëri të njohura private në fushën e ndërtimit të rrugëve dhe të projekteve gjigante të qeverisë, numërohen rreth 15 milionë dollarë borxhe të pashlyera nga buxheti i shtetit, duke i vendosur në rrezik falimenti. Sakaq, Ministria e Transporteve deklaron se firmat e punimit kanë ecur me ritme përtej parashikimit të kontratës, duke krijuar situata të paqena me mungesë fondesh në buxhet.

Megjithatë, një shkresë e Ministrisë së Financave, që i drejtohet degëve të thesarit nëpër rrethe, vë kufizime të përdorimit të fondeve, deri në një urdhër të dytë zhbllokues. Situata me sektorin e ndërtimit parashikohet të mos marrë zhvillimin e dy viteve më parë, pasi qeveria do të vërë në dispozicion më pak fonde për investime. Të dhënat e buxhetit paraprak tregojnë për 1.7 miliardë lekë investime më pak që do të kryhen në vitin 2011, në krahasim me këtë vit (me buxhetin e rishikuar).

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama