Themelimi i komiteteve “Per lirine e Shqiperise” dhe programi i tyre (1905)

Në vitin 1905 lëvizja kombëtare filloi të merrte forma të reja organizimi, që u përcaktuan si nga nevojat e brendshme të zhvillimit të saj, ashtu edhe nga rrethanat e jashtme të krijuara në Ballkan e në mënyrë të veçantë në Turqinë evropiane pas marrëveshjes së Myrcshtegut.
Vendimet e Myrcshtegut nuk arritën të mënjanonin përfundimisht kundërthëniet ndërmjet shteteve evropiane për ndikimin në Ballkan, sidomos rivalitetin italo-austriak në Shqipëri. Roma nuk mund të pajtohej me epërsinë që Vjena siguroi, së bashku me Rusinë, në aksionin e reformave në Maqedoni. Në takimet e ministrave të Jashtëm të të dy vendeve (në Abacie të Italisë në prill 1904 dhe në Venecie në prill 1905), Vjena e Roma ripohuan se do të ruanin status quo-në në Ballkan. Lidhur me çështjen shqiptare, në takimin e Venecies të dyja palët arritën në përfundimin që, në rast se zhvillimi i ngjarjeve do ta bënte të pamundur ruajtjen e status quo-së dhe do të vendosej një organizim i ri në Maqedoni (me të cilën nënkuptonin vilajetet e Selanikut, të Manastirit e të Kosovës), viset e banuara nga popullsia shqiptare (që u përjashtuan në vitin 1904 nga reformat) do të veçoheshin prej saj dhe do të bashkoheshin me vilajetet e Shkodrës e të Janinës për të formuar një njësi të vetme (territoriale) me to.
Ky orientim i Italisë dhe i Austro-Hungarisë shkaktoi shqetësime në qarqet politike drejtuese të Beogradit e të Sofjes. Në prill të vitit 1904 u lidh Traktati i Aleancës ndërmjet Serbisë e Bullgarisë për ndarjen e territoreve shqiptare e maqedone të Turqisë Evropiane, që do të kryhej me arbitrazhin e Rusisë.
Shtetet ballkanike u nxitën për të ndërhyrë në Turqinë Evropiane edhe nga nyja 3 e marrëveshjes së Myrcshtegut, sipas së cilës Turqisë i kërkohej që, pasi të qetësohej gjendja në këtë zonë, të bënte ndryshime në kufijtë territorialë të njësive administrative për të siguruar “një grupim më të mirë dhe më të rregullt të kombësive të ndryshme”. Kjo kërkesë, e cila në parim ishte e drejtë, u bë burim konfliktesh të reja ndërmjet qeverive ballkanike dhe forcave politike të kombësive të krishtere në Turqinë Evropiane.
Serbia, Bullgaria e Greqia filluan të botonin statistika të tilla për përbërjen etnike të popullsisë së të ashtuquajturave vilajete maqedone, të cilat e shtrembëronin gjendjen reale dhe mund të shërbenin si mbështetje për pretendimet e tyre territoriale. Krejt të pavërteta e tendencioze paraqiteshin të dhënat për popullsinë e vilajeteve shqiptare të Kosovës, të Manastirit dhe të Janinës, në të cilat secili prej shteteve fqinje pretendonte se kishte shumicën e banorëve. U shtua veprimtaria e komiteteve dhe e bandave të hedhura nga Bullgaria, nga Serbia e nga Greqia në Turqinë Evropiane, që rifilluan përleshjet e përgjakshme ndërmjet tyre dhe ushtruan trysni mbi popullsitë e kësaj treve për të ndërruar me forcë karakterin e tyre etnik dhe për të zgjeruar hapësirën territoriale të kombësive serbe, bullgare e greke; ato synonin të siguronin në këtë mënyrë, kur të zbatohej nyja 3 e vendimeve të Myrcshtegut, sanksionimin e këtyre ndryshimeve nga ana e Fuqive të Mëdha.
Bandat vepronin sidomos në vilajetin e Selanikut, në sanxhakun e Shkupit të vilajetit të Kosovës, në sanxhakun e Manastirit, në sanxhakun e Korçës dhe në pjesën jugore të vilajetit të Janinës, në kufi me Greqinë. Sipas të dhënave zyrtare osmane, gjatë viteve 1905-1907 bandat vrisnin çdo vit në këta sanxhakë më shumë se 1 800 veta, një pjesë e mirë e të cilëve ishin banorë të pafajshëm të atyre trevave. Në këto territore i takonte mesatarisht një i vrarë në 1 500 frymë.
Një kërcënim të drejtpërdrejtë për shqiptarët përbënin bandat greke, që filluan të vepronin në shkallë më të gjerë në vitet 1904-1908, sidomos në vilajetin e Janinës, ku u përpoqën me anë të terrorit e të propagandës panheleniste, në të cilën qenë angazhuar edhe dhespotët grekë të kësaj treve, të largonin popullsinë e Shqipërisë së Jugut nga lëvizja kombëtare. Bandat greke ishin autore të veprave të shumta terroriste që ndodhnin në vilajetin e Janinës, ndërsa në shkurt të vitit 1905 një çetë greke prej 40 vetash masakroi në mënyrën më barbare, në fshatin Negovan, priftin e poetin atdhetar Papa Kristo Negovani, së bashku me disa bashkëfshatarë të tij, sepse përhapnin shkrimin shqip dhe idetë kombëtare në përgjithësi. Ky krim shkaktoi një zemërim të thellë jo vetëm tek intelektualët atdhetarë, por edhe te populli shqiptar në përgjithësi, që e quante këtë veprim si një sulm të hapur dhe të organizuar të qarqeve politike greke kundër Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në rrethana të tilla, përjashtimi nga reformat i pjesës më të madhe të tokave shqiptare të vilajeteve të Kosovës e të Manastirit, si edhe i të gjithë vilajetit të Shkodrës dhe të Janinës, nuk qe i mjaftueshëm për të siguruar tërësinë territoriale të Shqipërisë. Rritja e ndikimit të ideve të çlirimit kombëtar, të propaganduara nga qarqet atdhetare brenda vendit, si edhe nevoja e vetëmbrojtjes nga ndërhyrjet e shteteve fqinje dhe nga terrori i bandave të tyre në tokat shqiptare, bënë të domosdoshëm riorganizimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare mbi themele të reja. U shtrua kështu si një nevojë e ngutshme formimi, sipas shembullit të popujve të Evropës e të Ballkanit, i një organizate politike të fshehtë, qendrore dhe të përgjithshme, që të bashkërendiste veprimet e të gjitha shoqërive dhe të atdhetarëve sipas një programi të njëjtë, të ripohonte me rrugën e luftës së armatosur e të organizuar të drejtat e kombit shqiptar në trojet e veta dhe t’i detyronte Turqinë dhe shtetet evropiane t’i njihte ato.
Në lëvizjen kombëtare kishte filluar tani të aktivizohej dhe të ushtronte ndikim të fuqishëm një brez i tërë atdhetarësh me pikëpamje radikale, që ishin kryesisht intelektualë, gazetarë e botues të organeve të shtypit shqiptar, mësues të shkollave turke, nëpunës të aparatit shtetëror, njerëz të profesioneve të ndryshme, që rridhnin nga borgjezia e nga bejlerët patriotë, por edhe nga borgjezia e vogël e qytetit dhe e fshatit, nga vegjëlia, siç shprehej shtypi i kohës. Përfaqësuesit e këtij brezi intelektualësh morën këtë herë nismën për krijimin e një organizate të fshehtë. Pas takimeve e diskutimeve që atdhetarët shqiptarë bënë në Dibër, në Elbasan, në Tiranë e në qytete të tjera, në nëntor të vitit 1905, me nismën dhe nën kryesinë e patriotit Bajram (Bajo) Topulli, nëndrejtor i gjimnazit turk të Manastirit, u formua këtu komiteti i fshehtë shqiptar me emrin “Për lirinë e Shqipërisë”, që shënoi fillimin e një organizate të përgjithshme kombëtare. Themelues e anëtarë të tij ishin gjithashtu Halit Bërzeshta, kolonel dhe shef i shërbimit farmaceutik të Korparmatës III, Fehim Zavalani, pronar, Sejfi Vllamasi (Novosela), veteriner i qytetit të Manastirit, Gjergj Qiriazi, përkthyes i konsullatës austriake në atë qytet dhe Jashar Bitincka, mësues gjimnazi.
Komiteti doli me programin e vet politik, i cili u përgjigjej kërkesave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në atë periudhë. Sipas statutit (kanonizmës) të Komitetit, botuar në Sofje, qëllimi i organizatës ishte “të ngjallurit e Shqipërisë duke mbjellë vëllazërimin, dashurinë, bashkimin; duke përhapur udhën e qytetërimit me anë të librave që do të shtypeshin; duke dërguar njerëz nëpër gjithë anët e Shqipërisë që të mbjellin këto mendime; duke mbajtur njerëz maleve që të ndihnin në çdo mënyrë për qëllime të komitetit edhe duke përdorur çdo vegël për mbrothësinë e kombit dhe të shpëtuarit nga zgjedha dhe errësira në të cilën gjendet sot”.
Statuti përmbante qëllimet më të përgjithshme të Komitetit “Për lirinë e Shqipërisë”. Por, siç dëshmojnë të dhënat e tjera dokumentare, organizata e re shtroi si synim themelor dhe më të fundit çlirimin e Shqipërisë nga robëria osmane. Si detyra më të afërta vlerësoheshin bashkimi i të gjitha forcave të kombit për “mbrojtjen e atdheut shqiptar nga rreziku i jashtëm që i kanosej” në atë periudhë, “njohja e shqiptarëve si komb i veçantë dhe e gjuhës shqipe si gjuhë kombëtare (zyrtare)”, futja e saj në institucionet shtetërore e në shkollat (mësonjëtoret) e gjithë Shqipërisë, emërimi në vend vetëm i nëpunësve shqiptarë etj. Si mjet kryesor për plotësimin e këtyre kërkesave u quajt, përveç propagandës kombëtare, krijimi i çetave atdhetare dhe lufta e tyre e armatosur. Sipas kanonizmës, Komiteti parashikonte të krijonte një organizatë të gjerë ku të merrnin pjesë atdhetarët e vërtetë shqiptarë, burra e gra. Për të shtrirë veprimtarinë e tij në tërë vendin, Komiteti i Manastirit, që u quajt Komiteti Qendror, dërgoi përfaqësues në krahina të ndryshme të Shqipërisë së Veriut, të Mesme e të Jugut. Ai vendosi lidhje me dhjetëra atdhetarë shqiptarë të viseve të ndryshme të Shqipërisë, myslimanë e të krishterë, që përkrahën programin e tij kombëtar.
Në fillim të vitit 1906 ishin krijuar komitete lokale ose degë të Komitetit në mjaft qendra të Shqipërisë, si në Shkup, Pejë, Gjakovë (ku bënte pjesë edhe Bajram Curri), Prishtinë, Tetovë, Dibër e në vende të tjera. Ndihmesë të veçantë për ngritjen e degëve të Komitetit në vilajetin e Kosovës dha Idriz Gjakova (Soroviçi), që ishte dërguar atje nga Komiteti i Manastirit. Komiteti punoi gjithashtu për ngritjen e degëve të veta në qytetet e vilajetit të Janinës. Në pranverën e vitit 1906 një komitet i tillë vepronte në Janinë, i cili, siç theksohej në dokumentet e administratës osmane, qe themeluar me nismën e atdhetarëve të viseve të Shqipërisë Perëndimore dhe kishte bërë përparime të shumta në këtë trevë të Shqipërisë.
Në mars-prill të vitit 1906, Komiteti i Manastirit kishte vendosur marrëdhënie me shoqëritë patriotike jashtë atdheut, veçanërisht me ato të Bukureshtit e të Sofjes, të cilat përkrahën programin dhe veprimtarinë e tij.
Krahas librave e gazetave shqipe që sillte nga kolonitë e Sofjes dhe të Bukureshtit, Komiteti i Manastirit shpërndau në pranverën e vitit 1906, në qendrat më të rëndësishme të Shqipërisë së Veriut, të Mesme e të Jugut qarkore, në të cilat bëhej fjalë për synimet e tij për të siguruar autonominë, madje edhe pavarësinë e Shqipërisë. “Ne, - thuhej në një nga këto akte të Komitetit, - jemi një popull prej më tepër se 2 500 000 frymësh, ndaj nuk duhet të privohemi nga kjo e drejtë”.
Për të siguruar mbështetjen e një Fuqie të Madhe, sikurse ishte Austro-Hungaria, drejtuesit e Komitetit “Për lirinë e Shqipërisë”, nëpërmjet konsullatës së saj në Manastir, kërkuan nga Vjena që t’u jepte ndihmë materiale dhe përgjithësisht të përkrahte veprimtarinë e tyre politike. Në pajtim me udhëzimet që Golluhovski, ministër i Punëve të Jashtme, u dha konsullatave austriake në Shqipëri, në prill të vitit 1906, këto, “për shkak të qëllimeve revolucionare të Komitetit”, mbajtën një qëndrim të rezervuar dhe mjaft të kujdesshëm ndaj tij. Ndërkaq, Vjena përkrahu programin kulturor të Komitetit, i premtoi ndihma financiare për të ngritur shkolla, për të paguar trupën mësimore, për të botuar libra shqip, për të mbajtur shkollën e vajzave në Korçë dhe për të shtuar numrin e nxënëseve të saj. Por në të njëjtën kohë i kërkoi Komitetit që “të mos dilte nga caqet e rrugës paqësore dhe të mos përdorte mjetet e dhunës”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama