Statistikat Financiare dhe Bankare

HYRJE

Të dhënat për Statistikat Bankare janë marrë nga Buletini Tremujor dhe Vjetor i Bankës Qendrore të Shqipërisë. Statistikat  Financiare  janë marrë nga Buletini Tremujor dhe Vjetor “Statistikat Fiskale të Qeverisë” që botohen nga Ministria e Financave.
 
Përkufizime


Këtu më poshtë jepen disa përkufizime të bazuara në botimin e Ministrisë së Financave
“Statistikat fiskale të qeverisë”, nga ku edhe merren treguesit përkatës.
Metodologjia e përdorur është Cash Base.

Buxheti i Konsoliduar pasqyron të ardhurat, shpenzimet dhe defiçitin nga aktiviteti i institucioneve publike dhe rajonale pa transferimet reciproke midis tyre.

Të ardhurat gjithsej përfshijnë të gjitha të ardhurat nga burime të ndryshme  tatimore, jotatimore dhe ndihmat, duke përjashtuar të ardhurat nga privatizimi, të cilat janë konsideruar si financim për defiçitin.

Ndihmat janë të ardhurat që vijnë nga ndihmat që jepen nga qeveritë e shteteve të tjerë dhe donatorë të ndryshëm.

Të ardhura Tatimore janë të ardhura që merren nga vjelja e të gjitha llojeve të taksave dhe tatimeve që zbatohen.

Të ardhura nga Buxhetet e Pavarura, duke i qëndruar besnike skemës aktuale, përfshijnë kontributet nga sigurimet shoqërore dhe shëndetsore.

Të ardhura Jotatimore janë të ardhura të tjera që merren nga burime të ndryshme si aktiviteti ekonomik i sektorit buxhetor, transferim fitimi nga Banka e Shqipërisë, etj.

Shpenzimet gjithsej janë pagesat e pakthyeshme të qeverisë për blerjen e mallrave, shërbimeve, për transfertat dhe pagesat e interesave, për realizimin e funksioneve të shtetit.

Shpenzimet Korrente përfshijnë shpenzimet për shërbimet dhe sendet e konsumueshme (të konsumueshme në më pak se një vit) që janë të domosdoshme për kryerjen e operacioneve të qeverisë. Subvencionet, pagesat e interesit, etj. përfshihen në këtë kategori.

Shpenzimet Kapitale përfshijnë vetëm shpenzimet për sendet dhe shërbimet me afat përdorimi mbi një vit. Këtu futen pagesat për përftimin e sendeve me afat të gjatë përdorimi, mjetet e kapitalit fiks si dhe pagesat për zëvendësimin e mjeteve themelore të shkatërruara.

Defiçiti Buxhetor është tejkalimi i shpenzimeve mbi të ardhurat e buxhetit të shtetit.

Financimi i Defiçitit është përdorimi i fondeve hua  për të mbuluar shpenzimet qeveritare që nuk financohen nga të ardhurat.

Financimi i Jashtëm i Defiçitit është përdorimi i burimeve në formën e detyrimeve neto të krijuara gjatë një viti fiskal të qeverisë ndaj personave jorezidentë, institucioneve, qeverive të huaja, etj.

Financimi i Brendshëm i Defiçitit është përdorimi i burimeve në formën e detyrimeve neto të krijuara gjatë një viti fiskal të qeverisë ndaj personave rezidente, institucioneve brenda vendit, etj.

 Përkufizime

Më poshtë jepen disa përkufizime të bazuara në botimin e Bankës së Shqipërisë “Buletini ekonomik”

 Paraja Jashtë Bankave është diferenca ndërmjet parasë në qarkullim me paranë cash në arkat e bankave që mbajnë depozita.

 Rezervat e Tepërta dhe Rezerva e Detyrueshme pasqyrojnë gjendjet e llogarive në fund të periudhës të bankave që mbajnë depozita të hapura në Bankën e Shqipërisë.

 Depozitat pa Afat janë ato depozita të cilat klienti mund ti tërheqë në çdo kohë ose që mund ti përdorë për të bërë pagesa të ndryshme. 

 Depozitat me Afat janë ato që mund të tërhiqen pas një periudhë të caktuar, të shpallur, në se kërkohet të merret interes i plotë nga ato.

 Depozitat në Valutë përfshijnë si ato me afat dhe ato pa afat, vetëm se arkëtimi i tyre dhe pagesa bëhet në valutë.

 Agregati M1 është shumë e zërit “paraja jashtë bankave” me zërin “depozita pa afat”.

 Agregati M2 është shumë e agregatit M1 me zërin “depozita me afat”.

 Agragati M3 është shumë e agregatit M2 me zërin “depozita në valutë”.

 Shpejtësia e Parasë është raporti midis prodhimit të përgjithshëm të brendshëm (nominal) të realizuar në katër tremujoret e fundit me gjendjen e agregatit M1, M2, M3 në fund të periudhës.

 Norma e Rifinancimit është norma e interesit me të cilën Banka e Shqipërisë krediton bankat e nivelit të dytë.

 Norma e Depozitave (12 mujore) deri në vitin 1995 tregonte nivelin dysheme të vendosur nga Banka e Shqipërisë për normën e interesit për depozitat me afat maturimi dymbëdhjetëmujor në lekë. Pas asaj kohe tregon përqindjen mesatare të ponderuar për depozitat e reja me maturim dymbëdhjetemujor.

 Norma e Kredisë (12 mujore) para vitit 1995 ka qenë orientuese nga Banka e Shqipërisë, pas asaj kohe tregon mesataren e ponderuar për kreditë e reja me afat maturimi dymbëdhjetemujor.

Sigurimet

 Parathënie

Tregu i sigurimeve është i lidhur me shkallën e zhvillimit të përgjithshëm të ekonomisë. Ky treg për një periudhë disa-vjeçare deri në vitet 1999 prezantohej vetëm me kompaninë shtetërore të sigurimeve INSIG, ndërsa për dy vitet e fundit 2000-2001 kemi një dimension të ri, futjen e kompanive private të reja të sigurimit ku përmendim SIGAL, SIGMA dhe ATLANTIK.
Duke analizuar këtë sektor për grupin e sigurimeve të jo-jetës edhe për grupin e sigurimeve të jetës dhe të shëndetit vërehet se edhe në këto dy vite kanë dominuar sigurimet e jo-jetës.
Në sigurimet e jo-jetës peshën më të rëndësishme e zënë sigurimet motorrike sepse janë sigurime të detyrueshme. Sigurimet e jetës dhe të shëndetit qëndrojnë në një nivel më të ulët, si rezultat i mungesës së traditës për këto lloj sigurimesh dhe shkallës së ulët të ardhurave të popullsisë.


Burimet e të dhënave

Autoriteti i mbikqyrjes se sigurimeve
 
Përkufizime

 Sigurimi është një sistem sipas të cilit individët, bizneset, oraganizatat e ndryshme të cilët në këmbim të pagesës së shumës së parave (primeve), kanë të garantuar kompensimin nga humbjet e ndodhura nga rreziqet duke u bazuar në disa kushte specifike.

Primet e arkëtuara quhet shuma e të gjitha primeve për të gjitha policat e lëshuara nga një
kompani sigurimesh gjatë vitit.

Policë sigurimi është dokumenti legal që komapania e sigurimeve i ka lëshuar mbajtësit të policës, i cili përshkruan kushtet dhe termat e sigurimit, ajo gjithashtu quhet kontratë police ose thjesht kontratë.

Mbajtësi i policës së sigurimit është personi i cili i paguan primin kompanisë së sigurimit në këmbim të mbrojtjes së sigurimit, siguruar më parë sipas një policë siguruese.

Sigurimi i detyrueshëm është çdo lloj forme sigurimi që kërkohet detyrimisht me ligj.

Dëmi i paguar quhet kërkesa për pagesë e humbjes që mund të vijë në bazë të termave të kontratës së sigurimit.

Sigurimet motorrike përfshijnë sigurimin e përgjegjësive ndaj palëve të treta TPL, kartonin jeshil, sigurimin e vetë mjetit motorrik ose Kasko, policat provizore dhe policat kufitare. Ndër to vetëm polica Kasko është sigurim vullnetar, të tjerat janë sigurim i detyrueshëm.

Sigurimi i pasurisë është sigurimi që përcakton mbrojtjen financiare në rastin e humbjes ose dëmit real si dhe sigurimi i pasurisë personale shkaktuar nga rreziqet si zjarri, vjedhja, breshëri, eksplozioni, trazirat dhe rrëmujat civile, mjetet motorike, vandalizmat dhe duhani.

Sigurimi i jetës dhe shëndetit jane sigurimet e përcaktuara si pagesë ndihmë në rast sëmundjeje ose paaftësie të përhershme. Në këtë grup-sigurimi përfshihen tipe të ndryshme të sigurimit si sigurimi nga aksidentet personale, sigurimi i jetes së depozituesit, sigurimi i shëndetit në udhëtim, sigurimi i jetës së debitorit, sigurimi i detyrueshëm i udhëtarëve.
Këto janë sigurime vullnetare me përjashtim të sigurimit të detyrueshëm të udhëtarëve.

Sigurimi nga aksidentet personale mbulon të siguruarin nga paaftësia e përkohshme, paaftësia e përhershme dhe vdekja si pasojë e aksidentit.

Sigurimi i detyrueshëm i udhëtarëve mbulon të siguruarin nga paaftësia e përkohshme, paaftësia e përhershme dhe vdekja si pasojë e aksidentit gjate udhëtimit me mjete transporti hekurudhor ose detar.

Sigurimi i shëndetit në udhëtim mbulon të siguruarin për aksidentet personale, shpenzimet mjekësore të ndihmës së shpejtë dhe shpenzimet e riatdhesimit, kur i siguruari udhëton jashtë territorit të Shqipërisë.

Sigurimi i jetës së debitorit mbulon të siguruarin nga rreziku i vdekjes qofte ajo aksidentale ose natyrore, për shumën e huasë së pashlyer ndaj bankës e cila ka lëvruar kredinë.

Sigurimi i jetës së nxënësve dhe studentëve mbulon jetën e nxënësit apo studentit nga rreziku i vdekjes, qoftë kjo aksidentale apo natyrore, vdekjen e prindit ose ngeljen jetim të fëmijës, paaftësinë e përhershme, shpenzimet spitalore farmaceutike si dhe disa sëmundje kritike.

Sigurimi i jetës së depozitorit mbulon jetën e debitorit nga rreziku i vdekjes, qoftë kjo aksidentale apo natyrore.


 
 

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama