Si u manipulua vepra e Nolit

Nga Agim Xh. Dëshnica

Më 1937, me rastin e festimeve të 25 Vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në botimet zyrtare të Qeverisë së Mbretit Zog, shkruhej: “Në qiellin e botës kulturore shqiptare shndrijnë tre yje të pashuar, Naimi, Noli dhe Fishta.”

Në albumet e përkryera me fotografi pa retush, krahas figurave të shquara të kombit, shkëlqente dhe portreti i hijshëm i Fan S Nolit.

Po atë vit Faik Konica do të thoshte: ”At Noli do të mbetet në historinë e Shqipërisë si burri që arriu i pari me hir të vullnetit dhe hollësisë së tij, të fllasi gjuhën shqip në meshë. Dita që meshoi për të parën herë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”

Më 1943 Mitrush Kuteli do të shkruante: “Vjersha e Nolit nuk ka ondulacionin e valëve në mezin e detit, po përplasjen e tyre anës, me zhurmë, gjithëmonë të përsëritur. Në botën e arkitekturës ajo nuk u përngjan pjesave të rumbulla, por çipeve të mprehta. Sepse Noli nuk gdhend në mermer, po në krastë. Nuk limon me daltë, po pret me sëpatë dhe me çekan të rëndë.”

Imam Vehbi Ismaili në ligjëratën e vitit 1965 u shpreh: “Fan Noli u bë prift, që t’i shërbente më mirë Shqipërisë. Fan S. Noli ishte drita, ishte syri i gjithë bashkatdhetarëve të tij të mërgimit. Bashkë me të në krye, luftuam me çdo mjet për të liruar dhe për të mbrojtur vendin e lindjes.”

Ndërsa nacionalisti Baba Rexhepi e quan: “Frymëzuesin e parë të ndjenjave kombëtare, udhëheqësin e të gjithë lëvizjeve patriotike, fetare e të kulturës në këtë vend të bekuar; lulja e simbolit të bashkimit dhe të mburrjes kombëtare si para botës shqiptare dhe para botës së huaj.”

Të dhënat e parashtruara sa do të ngjeshura nuk mund të japin të plotë portretin e tij. Në mars të vitit 1944 shkrimtari Milto Sotir Gura, do të shkruante: ”Duhen volume të tëra, për të përshkruar veprën e këtij Titani të Rilindjes Kombëtare.”

 

 

 

Noli dhe hulumtuesit

 


Mbledhja, analiza dhe botimi i veprave të Fan S. Nolit, nuk është as meritë dhe as pronë e një grupi të caktuar intelektualësh. Qysh në vitet e para të shekullit që shkoi, veprat e Nolit qarkullojnë me sukses në Amerikë dhe në atdhe. Gazetat Kombi e Dielli ishin të parat, të cilat nxorën në dritë krijimtarinë e tij. Në antologjinë, “Shkrimtarët shqiptarë”, botuar më 1941 në Tiranë, Andon Frashëri paraqet disa nga shkrimet. Më 1943, Mitrush Kuteli u jep lexuesve librin “Mall e Brengë”, më 1944, Lifter Dilo, “Ligjëron Fan Noli”. Me këto punime mjaft tërheqëse merr udhë njohja e veprës së vatranit të madh dhe botimi i mëtejshëm i saj nga hulumtues të tjerë, prej të cilëve veçojmë disa.

Me kujdesin e Nolit, Federata Vatra boton më 1948, “Albumin-I”, ndërsa Qerim Panariti më 1966, “Albumin-II”. Nexhat Peshkëpia në Nju Jork, u jep lexuesve shqiptarë librin, “Noli si poet dhe si poet-përkthyes”, Tajar Zavalani e kujton në librin, “Historia e Shqipërisë”. Vehbi Bala dhe Pirro Tako, sipas kërkesave të kohës, marrin përsipër detyrën për trajtimin e veprës noliane. I pari, më 1958 “Albumi-1948”, “Poezi të zgjedhura të Nolit” (1966), “Jeta e Fan S. Nolit” (1972) dhe një kapitull në “Historinë e Letërsisë Shqiptare” (1984).

I dyti, “Fan Noli në fushën e politikës dhe publicistikës” (1975), “Rron, o rron e nuk vdes shqiptari” (1976) dhe “Kronika e jetës dhe e veprimtarisë së Fan S. Nolit”. Ylli Zajmi boton, “Jeta dhe veprat e Fan S. Nolit” (1986).

Me interes janë studimet dinjitoze të dijetarëve shqiptarë në Kosovë. Për jetën e veprën e Nolit kanë shkruar gjithashtu dhe shumë studiues të huaj në Europë dhe në Amerikë.

Të gjithë bashkohen tek një përcaktim: patriot, fetar i përkushtuar, demokrat, poet i lirisë, shkrimtar, dramaturg, shqipërues i pashoq, shtetar, orator, historian, filozof, muzikolog, kompozitor etj.

 

 

 

Mitrush Kuteli dhe profesorët “nolistë”

 

 

Në analizën mjeshtërore për krijimtarinë e Nolit më 1943, Mitrush Kuteli ëndërronte: “Dhe tani, në mbarim, pyetja që na rëndon në shpirt është kjo: A do të kemi fatin të vazhdojmë dhe të plotësojmë këtë vështrim panoramik mbi veprën poetike të Fan S Nolit? Në këto, ngritjet dhe përmbysjet e sotme askush nuk mund t’a dijë. Dhe në qoftëse na refuzon fati këtë hir, ata që vijnë pas nesh- se vijnë të fortë- le t’a vijojnë.”

E ku ta dinte prozatori ynë i shquar, se pas tij do të vinin të “fortët”, “profesorët”, të cilët do të orvateshin, si shumë të tjerë, ta fshinin nga faqet e historisë.

Ata që nga mosnjohja e teologjisë, ngatërrojnë Galilenë e Palestinës me Galileo Galilein e Italisë. Ata që nxjerrin përfundime se Noli është dhe ashtu dhe kështu: “Si patriot, artist e dijetar, ai u rrit në gjirin e lëvizjes antifeudale dhe antimperialiste”.

Pasi harrojnë se ç’thanë më lart, vazhdojnë: “Disa anë negative në veprimtarinë dhe krijimtarinë e tij të shumanëshme, rrjedhin nga kufizimet dhe presioni i ideologjisë sunduese borgjeze, apo nga të meta të karakterit subjektiv...”.

Ata që sajojnë letra misterioze dhe Parlamentin e viteve ‘30 e ngatërrojnë me Kuvendin e viteve ‘20. Ata që thurin ndodhi me zyrtarë amerikanë pa emër të “Departamentit të Shtetit në Boston“…(?!).

Ata që kanë probleme me njohjen e gjuhëve të Nolit e presin largimin nga jeta të ndonjë studiuesi për të përfaqësuar punimet e tyre. Me përjashtim të “Vëllimit-4”, gjendemi përballë një masakre të frikshme kulturore.

Në hyrjet e parathëniet nga kreu në fund, shohim vetëm trajtime politike. Në vend të atdhetarit, kërkohet me ngulm marksisti, leninisti dhe antizogisti. Në vend të poetit, kërkohet “revolucionari socialist”. Fetari- filozof shkruan e vepron “pa bindje” fetare.

Sipas profesorëve, Noli paskësh krijuar “pak poezi”.

Shqipërimi i poemës “Gjergj Kastrioti Skëndërbe” është “nën nivel”.

Në poezinë “Thomsoni dhe Kuçedra”,“mburr” figurën e një koloneli hollandez, Thomson, i sjellë në vendin tonë për të organizuar xhandarmërinë e qeverisë reaksionare të Durrësit, në shërbim të fuqive imperialiste.” Poezitë e fundit, “Kabineti dhe Sulltani” e “Vdekja e Sulltanit”, “vjersha pa pretendime”.

Por poezitë e Albumit si “Hymni i Flamurit”, “Thomsoni dhe Kuçedra”, “Shpella e Dragobisë”, “Syrgjyn Vdekur” “Anës Lumejve”, “Maratonomaku”, janë të barasvlerëshme me mijëra poezi.

Në një kohë kur marrëdhëniet e Vatrës me qeverinë komuniste ishin prishur përfundimisht, “Albumi”-1948 merr pamjen e Manifestit Kombëtar. Duke nisur nga Hymni i Flamurit, poezitë e tjera na sjellin ndër mend viktimat e kombit në gjyqet speciale, maratonomakun me lajmin e fitores mbi diktaturën. Pas Korbit, Anabel Li-së, poemës Skënderbe dhe Rubairave, Hamleti e Don Kishoti, jepen fragmentarë. Makbethi i frikshëm e Jul Çezari i vrarë me të pabesë, nuk shfaqeshin as në skenat e teatrove tona.

Ashtu si veprat madhore të Shekspirit, edhe kryeveprat e Nolit, herë klasike, herë moderne, herë popullore, jetojnë të sotmen, mbijetojnë në të nesërmen, janë të përjetshme!

Duhej një palenteolog si Eftim Dodona të zbulonte shkrime që flasin me gjuhën e dokumenteve për të vërtetën, madje të përpiqet si me fosilet të hulumtojë shkrime të fshehura në “guvat” enigmë në arkivat e Universitetit të Harvardit.

Noli ndonëse jetonte e krijonte jashtë atdheut, gjuha shqipe, fjalët e reja që përdori, vargu i zjarrtë, proza e rrjedhshme që krijoi, janë shembuj për veprim si për shkrimtarët, ashtu dhe për historianët e sotëm.

Megjithatë u vu re, se vargu i shqipërimeve, nga Shekspiri, Servantesi, Ibseni, Ibanjezi u shkëput nga veprat dhe emri i tij, humbi si përkthyes i thjeshtë nën mbulesat e antologjive, i dëmtuar nga parathëniet tendencioze të profesorëve.

Nëpër libraritë e botës nuk po shohim të ribotuara në gjuhë të ndryshme kryeveprat noliane. Libri “50-Vjetori i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë”, vijon të dalë nga shtypi me mangësi.

Ky libër me përkushtimin e zgjeruar ndaj figurave të shquara të kombit, me përshkrimet historike, autobiografinë, dokumentet e fotografitë, zbardh gjithçka rreth jetës së Fan Nolit dhe bashkësisë shqiptare në Amerikë.

Punimet për veprat e Nolit, nga “të fortët” përshkohen nga i njëjti bosht. Hyrjet, parathëniet e shënimet, kanë të njejtën ngjyrë, të njëjtin trajtim e të njëjtat synime. Një gjendje të tillë pasqyron, “Antologjia e mendimit estetik shqiptar 1504-1944”, botuar nga shkrimtari Nasho Jorgaqi më 1979, me shkrime të gatshme nga autorë si Barleti, Bardhi, Budi, Samiu, Naimi, Çajupi etj. Fan S. Noli me introduktet, i reshtuar krahas tyre, zbulohet nën peshën e parathënieve mbi parathënie. Libri është pa redaktor, pa reçensues e pa piktor. Së fundi mbi mbulesën e antologjisë vendos me gërma kapitale emrin e tij, duke marrë kështu pamjen e autorit. Më 1994 e rendit në librat e veta të realizmit socialist, si “Mërgata e Qyqeve”, “Poetika e Dokumentit”, “Skenarët”, “Dueli i heshtur”, “Tana”, “Mimoza llastica”, “Tomka dhe shokët e tij” etj.

 

 

 

Noli dhe letërkëmbimi

 


Profesor Jorgaqi njihet mbi të gjithë, si mbledhës, përpunues e botues letrash të çfarëdoshme. Kjo punë nis me librin “Poetika e Dokumentit”, në kohën kur sistemi komunist po merrte tatëpjetën. Lënda publicistike dhe letrat janë të larmishme me tema si: “Për një album folklorik të K. Marksit dhe për një këngë popullore”, “Marksi letrar i ri” “Lenini mik i një publicisti shqiptar” (N.Ivanaj), “Gjergj Fishta, udhëheqës shpirtëror i klerit”, “Mendime dhe konsiderata të F. Nolit, për personalitetin dhe rolin historik të shokut Enver Hoxha”, “Noli „para-marksist””, “Noli, në barrikadat e luftës klasore”, “Tri letra të Ali Kelmendit për Fan Nolin”, “Letër një miku të panjohuri grek” etj.

Përshkrimi i vlerave të Marksit e Leninit, i “konsideratave” për diktatorin, shtrëmbërimi i jetës së Nolit apo zhvlerësimi i Fishtës, janë në përputhje të plotë me pohimin e sotëm të autorit, i cili i mbetet “besnik i vetëvetes, bindjeve, idealit dhe natyrës” së tij.

Edhe tri letrat e Kelmendit më 1938, sado tepër fragmentare, përcjellin vetëm nderime dhe asnjë “ftesë” për pjesëmarrje “në frontet revolucionare”.

Noli bujar, dërgon për mërgimtarin e sëmurë në Paris, vetëm libra dhe ndihma financiare. Ndërhyrjet para, ndërmjet e në fund, janë thjesht fantazi, punë reporterësh të majtë.

Një gjetje e rrallë epistolare mban emrin: “Letër mikut të panjohur grek”, më saktë, njeriut të padukshëm grek. Nga kjo “letër” me doza të forta humori mësojmë se Noli, paskësh qenë një djalosh me “borxhe”, që “arratisej” jo ditën po “natën”. Për kohën kur ishte mësues në Fajum të Egjyptit, paskësh shkruar: “Aty më kanosën të më martonin, dhe unë u arratisa në Shëmtirat e Bashkuara të Amerikës në Nju Jork! Statuja e lirisë! Dollarë plot! Rroftë!”

Atje qenkësh dorëzuar prift, jo për qëllime fetare apo atdhetare, por thjesht për nevoja të ngushta vetjake, “në qytetin Boston, Athinën e SHBA-a”.

Ndaj profesori na bind: “Nga sa shkruan, kuptohet qartë se ai nuk ka pasur asnjë shtytje të brendshme dhe as bindje”.

Pasi vlerëson këtë letër të shëmtuar, në shënimin poshtë sqaron: “Në krahasim me Autobiografinë, në letër jepen më saktë të dhëna për jetën plot peripeci të Nolit në këtë kohë”(!?).

Mandej shton: “Letrën nuk e njohim në kopjen origjinale. E nxorëm nga gazeta greke „Paneperitikon agon.“ (Shif. “Poetika e dokumentit”, faqe 214-215).

Varianti i dytë, më i gjerë dhe më i mbrapshtë i letrës, drejtuar mikut të panjohur grek, ribotohet te “Vepra-6” 1996. (Shif: faqe 361-364.)

E para me emrin “Theofan Noli”, e dyta “Theofanis Nolis”, data 15 qershor, 1910.

Eshtë koha kur Noli, si udhëheqës i madh, mban ligjërata të zjarrta në përkrahje të kryengritësve shqiptarë në Kosovë e në veri të Shqipërisë.

Por profesori mendon ndryshe. Për t’u mbushur mendjen lexuesve, në labirintin e shënimeve, jep 17 sqarime!

Për sajime të tilla, na vjen në ndihmë studiuesi Mërgim Korça me bëmat e Baronit Munchhauzen: “Ishte e acaruar në kulm lufta. Vija e frontit gjarpëronte dhe nuk dinim se si zhvillohej situata. Hipa kaluar në majën e grykës së topit dhe i dhashë urdhër topçiut të shtinte... . U kapa pas gjyles dhe fluturova mbi vijën e frontit. Mbasi e studiova situatën u hodha nga gjylja mbi të cilën fluturoja dhe u kapa pas një gjyles që vinte nga vijat e armikut drejt pozicioneve tona. Kështu u ktheva në bazë!”

“Poetika e Dokumentit” mund të mbijetojë vite e vite, nëse autori do ta pagëzonte “Poetika e Gënjeshtrës”.

Disa fraza nga letra me grekun misterioz, profesori i vë në punë edhe në shkrimin “Udhëtim me Fan Nolin” (1994), ku trajtimi i pandalshëm majtist i ngjarjeve, tendencioziteti i njohur, mënyra e vjetër e rrëfimit “gju më gju me popullin”, jeton në vazhdimësi.

Si një bashkudhëtar i vërtetë, autori përshkruan udhëtimin e Nolit drejt Amerikës: “Me Lloidin udhëtonin 300 njerëz, shumica në kushtet e kafshëve... Noli prezantohet si revolucionar... Gjithë udhëtimi do të ishte një mundim pa fund, ditë e natë me shi e të ftohtë, mes dallgëve tronditëse të oqeanit... Por ndërsa të tjerët rrinin mbyllur në kabina, ai dilte sipër në kuvertë dhe lexonte Niçen“(?!!).

Mos vallë Noli i ri po lundronte për të organizuar revolucionin socialist në Nju Jork? Më tej shton: “Por vjen një çast që tronditet e preket se gjithë këta njerëz nuk e dinin se ekzistonte një vend që thirrej Shqipëri.”

Do të duhej viti 1913, viti i vendimeve të padrejta, që “njerëzit e munduar” e të lodhur në kabina, të shihnin në hartën e Ballkanit një shtet të ri. Shkrimi ndërtohet dhe me ndihmën e grave amvisa të moshuara, të cilat nuk mund të flasin shqip apo të ndonjë mërgimtari, i cili qenkësh takuar me Nolin rastësisht në një park, tek lexonte gazetën me lajme nga Hungaria. Autori kuptohet lehtë kur mendimin e tij ndaj Kryengritjes Hungareze, orvatet t’ia adresojë poetit tonë liberator. Në bisedë me vatranët e vjetër, gjithashtu përpiqet më kot, që në kundërshtim me faktet, kujtimet e tyre t’i përdorë si dëshmi për ta vendosur Nolin e lirisë së mendimit në krahun e majtë.

Më tej vijon vargu i letrave. Hasim përsëri njoftime të çuditshme. Autori shkruan: “Herë pas here Noli ka marrë letra nga intelektualë në zë të Shqipërisë... M. Kuteli i jep lajmin e gëzuar se është zgjedhur Kryetar nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe se një varg letrarësh ndjekin në fushë të letersise rrugën e tij.”

Japim pa koment dy letra që ndriçojnë këtë çudi.

E para, Mitrush Kuteli 30 maj 1945:

”I dashur Mjeshtër, zoti Stephan i Misionit Amerikan në Shqipëri po më jep rastin t’Ju shkruaj këto radhë. Ay vetë, më parë, më pat dhënë mendimin t’Ju dërgoj përmbledhjen e disa vjershave t’Uaja së cilës i dhashë emrin “Mall e Brengë,”... Me këtë rast po Ju dërgojë dhe disa nga librat e mija, dyke ju lypur ndjesë për paraqitjen e tyre të vobekët- ashtu siç është dhe vendi ynë- si edhe për të meta të tjera. Munt të them pa droje se ju kini krijuar këtu një shkollë letrare, ryma e së cilës ndjehet shumë në shkrimet e të rinjve. - Ju uroj shëndet dhe pleqëri të mirë. M. Kuteli.”

E dyta, Sejfulla Malëshova 12 dhjetor 1945:

“Hirësisë së Tij Imzot Nolit. Për kontributin e madh që kini dhënë në fushën e kulturës dhe të letrave shqipe, Konferenca e Shkrimtarëve të Shqipërisë që u mblodh në Tiranë më 7-11 Tetor 1945, Ju zgjodhi Kryetar Nderi të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë.

Ndjej një gëzim të madh që jam unë ay që po ju komunikon këtë gjë. Me respekt--Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, Sejfulla Malëshova.”

Në atë kohë Mitrush Kuteli ndodhej në Kampin tragjik të Maliqit, ku në mëngjezet e ftohta të dhjetorit 1945, i heshtur duhej të dëgjonte apelin para barakave të kampit. Nga këto sajesa lind natyrshëm dyshimi për saktësinë e letrave të tjera, madje dhe të disa ligjëratave, kur Noli jetonte e krijonte në Europë.

Vargu i gjatë i letrave zyrtare me Qeverinë Komuniste në Tiranë, për çështje të rëndësishme kombëtare gjatë vitit 1946, shpreh shqetësimin e madh e kujdesin e Nolit për Atdheun. Në fund të atij viti, ndihet qartë zemërimi i tij ndaj sjelljes së delegatëve që dërgonte E. Hoxha për bisedime me porosi të rrepta. Pas kritikave dhe lajmeve të hidhura që arrinin nga Shqipëria, bekimet e Nolit kanë marrë fund.

Më 1947 marrëdhëniet diplomatike janë prishur krejtësisht. Vatra patriotike do të cilësohej nga Akademia e Shkencave si: “organizatë reaksionre që kaloi në mbrojtje të politikës antishqiptare të qeverisë amerikane. Në vitin 1960 pjesa patriote u largua prej saj dhe krijoi organizatën “Shqipëria e Lirë.”(?!).

Pra, një shtrëmbërim tjetër, kur dihet se kjo organizatë është krijuar si kundërshtare e Vatrës shumë kohë më parë. Për këtë hedh dritë një dokument domethënës, botuar në gazetën Dielli, janar-mars 2003.

Në vijim, letrat për Milto Sotir Gurën, të botuara nga Profesor Jorgaqi edhe më 1996, u përdorën për të bindur popullin shqiptar se sa “i lumtur” jetonte nën terror. A mundej Noli, pas lajmeve tronditësë nga Shqipëria, të rrezikonte me letra postare miqtë e vet?

Si mund të qahej për gjendjen e tij në Amerikë, në kulmin e përparimit?

Nga një kartolinë me pamjen e kullës “Empire State Building”, dërguar Xhevdet Dëshnicës më 1931, pas fjalëve të ngrohta të përshëndetjes, shkruan: “... kjo bina e lartë që tregon kjo kartolinë… merr brenda Tiranën.”

Nga 281 letrat e botuara, me Zogun shfaqet një e vetme. Në cilat dosje flenë të tjerat? Një trajtim i tillë i letërkëmbimit dhe i ligjërimeve, që u takon fazave të ndryshme të historisë, ndër lexuesit shqiptarë lë hije të errëta.

Gjykimi i tyre kundërshtues hedh poshtë dita- ditës qëndrimet përbuzëse ndaj bijëve të kombit tonë, të njohur për mirë në historinë botërore.

Letërkëmbimi me njerëz të letrave, si Mitrush Kuteli, Milto Sotir Gura, Qerim Panariti, Ali Rexha, Xhevat Korça, Nexhat Peshkëpia, Arshi Pipa, Skënder Luarasi etj, natyrisht janë me vlerë, veçse nuk shohim letrat me Faik Konicën, Ahmet Zogun me shqetësime për fatin e Atdheut, as letrat me Tajar Zavalanin, as me Llazar Fundon, me analiza e kritika ndaj ideve komuniste.

Më 1996, në kritikat për “Biografinë dhe Letërkëmbimin”, profesor Jorgaqi, në vend të dokumenteve, përdor hamendjet e veta dhe kujtime pas kujtimesh të stërnipërve. Njoftimet e tyre gojore janë më të varfra, sesa kujtimet e mjegulluara të mërgimtarëve bashkëkohorë. Në shtjellën e hyrjeve dhe parathënieve, lavdet e shumta e frazeologjia steriotipe, përballen e shuhen në lëndën e përzgjedhur për keq. Një mendim përplaset me tjetrin.

Si një kritik që nuk fal asgjë, shkruan: “Subjektivizmi, mund të shfaqet në mënyra të ndryshme, nga fshehja e dobësive dhe përligja e gabimeve e deri mitivizmi i vetvetes. Kësaj të fundit nuk i ka shpëtuar as Autobiografia e Nolit”.

Më tej shton: “Nga ana tjetër të mos harrojmë se nga të dhënat e dëshmitarëve del që Noli pas mesit të viteve 30 (53 vjeç- A.D) e sidomos në vitet e pleqërisë, bëri jetën e një njeriu të vetmuar, u bë skeptik e nuk besonte kollaj, nuk i pëlqente të kujtonte të kaluarën, veçanërisht jetën politike e aq më tepër të rrëfehej para opinionit”(!?).

Por faktet kokëforta flasin ndryshe. Edhe pas viteve 30, Noli është në kulmin e veprimtarisë patriotike e krijuese. Takohet me mërgimtarët shqiptarë, mban ligjërata dhe tregon për jetën e tij. Letrat e botuara nuk flasin aspak për Nolin e vërtetë. Letërkëmbimi me miq të shumtë dhe personalitete të kulturës, pothuaj mungon. Profesori mbledh nga kolegët e miqtë e vet, letra, që nuk i rezistuan kohës dhe i bën publike në ditët tona, duke krijuar opinione të turbullta mbi Fan Nolin, për besimin e tij ndaj Zotit, për dashurinë ndaj njeriut, ndaj lirisë dhe Atdheut.

Meqenëse dyshon te “Autobiografia”, me shpresë të zbulojë ndonjë origjinë tjetër, viziton vendlindjen e Nolit. Përralla me “Theofanis Nolis” apo me “Theofanis Mavromatis”, u hynë në punë nënave, kur vënë në gjumë fëmijët. Tashmë anonimet e Nolit njihen me emrat: Ali Baba Qyteza, ABQ, Pesimisti, Mavromati, Ali Asllan Qyteza, Ali Dyrmish Qyteza, Rrushit Bilbil Gramshi, Theofani, Bajram Domosdova, Namik Namazi etj.

Për të plotësuar portretin e Fan Nolit, do të mjaftonte vetëm letërkëmbimi me Ismail Qemalin, Ahmet Zogun, Faik Konicën, Gjergj Fishtën, Mit’hat Frashërin, etj. Po ashtu letrat me Xhorxh Bernard Shoun, Tomas Manin, me Franz Babinger, Zhan Sibelius etj.

 

 

 

Penat e së vërtetës

 


Në kohën e demokracisë e vërteta del nga letargjia e flet me një varg librash: “Konica”, nga Prof. Dr. Jup Kastrati (1995), “Noli i Panjohur”, nga Dr. Eftim Dodona (1996), “Federata Panshqiptare Vatra” (2002), nga Prof. Dr. Beqir Meta, “Shqipëria dhe problemi Kombëtar, 1918- 1928”, nga Dr. Lush Culaj.

Në gazetën Dielli, hasim shkrime nga Petër Prifti, At Artur Liolin, Prof. Robert C. Austin, Anton Çefa etj. Ndërkohë profesorët e soc- realizmit, nisin të retushojnë me cilësi të dobët shkrimet e mëparshme.

Kërkesa nga BE, për dënimin e krimeve të komunizmit, na kujton Peshkopin ortodoks Theofan qysh më 1946, me kritikat e rrepta kundër “sjelljeve të autoriteteve të Tiranës”, ashtu si Ati katolik Zef Pllumi sot me dëshmitë rëngjethëse për krimet e komunizmit në Shqipëri.

 

 

 

Noli dhe komunizmi

 

 

Ashtu si më parë edhe pas vitit 1946, Fan S. Noli nuk ka patur asnjë iluzion për sistemin komunist, si në Shqipëri ashtu dhe në botë. Mjafton të lexohet vlerësimi negativ i “Manifestit Komunist”.

Manifesti i vërtetë i Nolit, është krijimi i ndritur, “Hymni i Flamurit”. Për idetë që mbart kjo poezi optimiste mjaftojnë vetëm dy strofa:

 


O Flamur gjak, o Flamur shkabë,

O vënt e vatr’ o nën’ e babë,

Lagur me lot, djegur me flagë,

Flamur i kuq, Flamur i zi !

 


Flamur që lint Shën Kastandinin,

Pajton Islamn’ e Krishtërimin ,

Çpall midis feve vllazërimin,

Flamur bujar për Njerëzi.

 


Më 18 tetor 1951, Noli bënte të ditur: “Unë nuk jam dhe nuk kam qenë kurrë një anëtar i një organizatekomuniste. Unë asnjëherë në jetën time nuk kam bërë një predikim komunist ose prokomunist ose antiamerikan. Përkundrazi unë kam lartësuar udhën demokratike amerikane të jetës dhe theksova faktin historik se Shqipëria i detyrohet për indenpendencën e saj krye- krye Amerikës e në mënyrë të veçantë Presidentit Uillson. Kurrë kisha ime, as unë nuk jemi nën juridiksionin e ndonjë Synodhe ose Patriarkati të huaj, komunist ose tjatër. Si Kishë Orthodokse Shqiptare në Amerikë, të cilin e kryesoj, kjo është në pikpamjen administrative indipendente.

Unë nuk kam të bëjë as me emërimet as me dorëheqjet e peshkopëve ose të arkipeshkopëve në kishat orthodokse të Shqipërisë. Kështu që, unë nuk jam përgjegjës në asnjë mënyrë për dorëheqjen e Kryepeshkopit Kisi dhe emërimin e pasardhësit të tij, Kryepeshkopit Vodica”.

Në parathënien e “Albumit –II” 1966, Qerim Panariti shkruan: „Kundërshtarët e Nolit s’kanë hequr dorë as sot që t’i ngjitin vulën e kuqe; s’kanë hequr dorë as sot kur Noli s’është më me neve që të mpronjë veten. Po të kishin kundërshtarët e Nolit vetëm një çerek derhemi mënt në kokë dhe pakëz fisnikëri, do ta merrnin me mënt, që dhe sikur të deshte Noli të lidhte relacione diplomatike me Bashkimin Sovjetik, kushtet politike në Shqipëri në Dhjetor, 1924, ishin aq të mërzitura sa Noli po thuaj se po pregatitej t’i linte shëndet Shqipërisë përgjithëmonë.”

At Artur Liolin, datë 30 janar 2007, “Noli dhe komunzimi”: “Pasi Noli mësoi mbi egërsitë e regjimit komunist në Shqipëri, ai u distancua, gjë që duket qartë kur ai nuk pranoi të kthehej asnjëherë në Shqipëri, as për të marrë titujt e ofruar nga Qeveria Komuniste- pa tjetër për qëllime të errta komprometuese – dhe as për hulumtime shkencore, as për të hyrë në çështje të mjegulluara fetare... Në fund, si mund ta ftonte senati i shtetit të Masaçusetsit Nolin për të dhënë bekimin e hapjes së sesioneve të vitit 1963 nëse Noli do të ishte një “komunist”? Apo si mund ta ftonte Nolin “komunist” presidenti Lindon Xhonson posaçërisht në Shtëpinë e Bardhë në korrik 1964 për të bekuar në Uashington dhe për të dhënë fjalimin me rastin e 400 vjetorit të Shekspirit? Argumentet ndryshe nuk pinë ujë.“

Rrëfimi i Fan Nolit, argumentet e Qerim Panaritit dhe të At Artur Liolinit, janë të qarta si drita e diellit, për qëndrimin e tij ndaj komunizmit. Pra, sado analistët, ndërmjet tyre dhe shumë të mirë, gjejnë në jetën politike qëndrime të ndryshme në përputhje me fazat e zhvillimit të ngjarjeve historike, udha e atdhetarit e shkelur prej tij, duket qartë tek shkon drejt përëndimit të praruar europian dhe amerikan, për lumturinë e popullit dhe lulëzimin e Atdheut.

 

 

 

Përkujtimi i Nolit

 


Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Nolit, në gazetën Bashkimi në Tiranë, u botua një shkrim kritik ndaj Fan Nolit, përgatitur nga kalemxhijtë gjasme “nolistë”, nënshkruar nga E. Hoxha. Për anëtarët e partisë ky shkrim qe një urdhër, të mos merrej pjesë në Konferencën përkujtimore! Shumë ftesa u anulluan. Salla e Kuvendit e caktuar më parë, u zevendësua me sallën e vogël të Institutit të Lartë të Arteve. Në mes të presidiumit, i ndriçuar nga prozhektorët, qëndronte drejt busti i diktatorit. Lart në këndin e djathë, fotografia e zvogëluar e Nolit, humbiste në muzg. Për cilin bëhej mbledhja përkujtimore, për Fan Nolin apo Enver Hoxhën? Ata që ishin ulur lart, u njoftuan të zbrisnin poshtë, dhe së bashku me dëgjuesit në fund të sallës të afroheshin në radhët e para. Në ato çaste kur hidhje sytë drejt fotografisë në kënd e dëgjoje kumtesat e profesorëve, kishe përshtypjen se Noli, në shenjë proteste, ishte larguar nga salla. Ndërkohë Vatra dhe UNESKO, në mbledhje të posaçme e konferenca shkencore, e përkujtuan me nderim, ashtu siç i takonte birit të Kombit Shqiptar, Theofan Stilian Nolit.

Në Shqipëri, nuk u ngrit asnjë përmendore. Emri i tij nuk u vendos në asnjë institucion shkencor, madje në asnjë shkollë të mesme. Me anën botimeve të cunguara u kuptua se numri i veprave të Nolit nuk duhej të kapte nivele të larta. Në pallatin e Akademisë së Shkencave fotografi të shumta të diktatorit vareshin kudo dhe busti i tij zbardhonte në ballë të sallës së mbledhjeve. Befas një punonjës i Akademisë, zbuloi në Qendrën Arkeologjike, ndërmjet arkash të mbuluar nga kartona, letra dhe pluhur, bustin e Skenderbeut, vepër e skulptorit të shquar Odhise Paskali. Të rimëkëmbur e mbarti për në Akademi.

Kohët ndryshuan, perdja e hekurt u gris, muri i Berlinit u shëmb, shtatoret e tiranëve u rëzuan. Në selinë e Akademisë së Shkencave, fotografitë dhe busti i bardhë i diktatorit u zhdukën. Tashmë çdo vizitor, merr frymë lirisht tek sodit dy buste, Skënderbeun dhe Fan S. Nolin.

 

 

 

Noli dhe shtrembëruesit e sotëm

 


Në vitin 2006, Prof. Jorgaqi, nuk priti më. Pas shumë të tjerëve arriti të përfundonte librin “Jeta e Fan Nolit”. Në promovimin e librit u shpreh kështu: “Për këtë libër kam punuar 20 vjet dhe arrita të rindërtoj jetën e Fan Nolit“ (?!). Por a mund të rindërtohet jeta e një gjeniu? A u takon, atyre që për 45 vjet me radhë, u përpoqën ta shkatërronin? Dhe a mundën ta kryejnë këtë punë të nderuar, ata që s’kanë trokitur asnjëherë në portën e Vatrës? Me sa duket, artikujt e botuar dhe leksionet si pedagog, që nisin nga vitet ‘70, pas retushimit të ngutshëm e sipas bindjeve të vjetra, i përfshiu në këtë libër, ku mjegullnajën mbi Nolin e hedh në një trajtë të re, por era e pastër e së vërtetës e shtyn tutje, përtej maleve. Mesa jemi në dijení, nëpër librari qarkullon një version i ri i veprave të Nolit, pothuaj i ngjashëm me pesë vëllimet e botuara nga Akademia e Shkencave më 1988.

Del në ballë sërish mbi të gjithë Jorgaqi. Në pasqyrën e lëndës të “Albumit”–1948, shihet pas 60 vjetësh, të ringjallet mjeshtri i kritikës, i paharruari Mitrush Kuteli. Së fundi reshtohet i dëmtuar edhe “Albumi II”, përgatitur nga Qerim Panariti më 1966, në Boston. Nga Historia e Kishës Shqiptare në Amerikë, vihen re heqje pjesësh të rëndësishne. Ngre krye përsëri sajesa, “Portrete dhe Skica”. Për shqipfolësit shqiptarë “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, jepet dhe në anglisht. Vëllimi i katërt është i ngjeshur me publicistikë nga gazeta arkivore. Reshtohen rubrikat “Andej- këtej” me lajmërime e ngjarje në shkretëtira dhe vende të largëta, të harruara nga historia. Nga fundi, shfaqet përsëri përkthyesi anti-Nol i letrës së shpifur, Spiro Xhai, nga Athina. Po shohim me habi se si pensionistët, të cilet nuk krijojnë më, marrin të gatshëm krijimtarinë e Nolit dhe me anën e kompjuteristeve të shkathëta, mbushin libra pa nivel shkencor, duke i hedhur në treg për biznes e synime të tjera.

Njëmendësia shqiptare po përjeton çdo dite përpjekje të ethëshme të disa profesorëve për të reabilituar fajtorët që vite me radhë, shkatërruan vlerat kombëtare të vendit tonë, duke u orvatur njëkohësisht të errësojnë veprën e bijëve të kombit tonë, të njohur për mirë nga historia botërore, si Noli, Zogu, Konica, Fishta etj. Deri kur do të vijohet kështu?

 

Me shume mbi personalitetin e Fan S. Nolit do gjeni ne kete artikull


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama