Shqiperia gjate krizes ballkanike te viteve 60

Çështja e çlirimit dhe e bashkimit kombëtar të popujve ballkanas nuk gjeti zgjidhje as me Hat-i Humajunin dhe as me Traktatin e Paqes të Parisit të vitit 1856. Përkundrazi, me këtë Traktat, Anglia, Franca dhe Austro-Hungaria u bënë garante të tërësisë territoriale dhe të pavarësisë së Perandorisë Osmane. Popujt e shtypur të Ballkanit nuk u pajtuan me këtë përmbajtje të Traktatit të Parisit, që përbënte një pengesë në luftën e tyre për çlirimin nga robëria osmane.
Një varg kryengritjesh çlirimtare shpërthyen gjatë viteve 60 në Hercegovinë, në Bullgari etj. Vetëm përpjekjet e diplomacisë së Fuqive të Mëdha perëndimore dhe prirjet shoviniste të shteteve ballkanike e shmangën mundësinë e një lufte të përbashkët të popujve të shtypur të Ballkanit kundër Perandorisë së sulltanëve.
Porta e Lartë nga ana e saj bënte çmos që ta nënshtronte principatën e vogël të Malit të Zi, e cila i kishte shkaktuar asaj kaq telashe, kurse princi Danilo organizonte vazhdimisht provokacione në kufirin turko-malazez kundër viseve shqiptare, të cilat synonte t’i aneksonte. Popullsia e Shkodrës dhe viset kufitare në veri u shqetësuan nga sulmet e çetave malazeze drejt tokave shqiptare. Edhe qarqet patriotike të vendit, me Pashko Vasën, Zef Jubanin, Oso Kukën etj. në krye, arritën në përfundimin se shqiptarët duhej të ndërmerrnin veprime mbrojtëse kundër sulmeve malazeze.
Drejt qëndresës kundër Malit të Zi i nxiste shqiptarët edhe Porta e Lartë, që ishte e interesuar të përdorte në luftë forcat e tyre. Në fillim të vitit 1862 këto provokacione çuan në shpërthimin e një konflikti kufitar, të një lufte ndërmjet Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane. Njësitë malazeze sulmuan kullat kufitare në drejtim të fshatit Vraninë, duke djegur dhjetëra shtëpi të shqiptarëve. Në këto rrethana, disa reparte vullnetarësh u nisën për në front. Në krye të tyre u vu Oso Kuka, që qe vendosur në Vraninë si komandant i forcave vullnetare, së bashku me M. Golemin, M. Begenë, I. Koplikun etj. Forcat vullnetare mbrojtën me vendosmëri një nga kullat kryesore kufitare në Vraninë.
Më 26 shkurt 1862, pas disa ndeshjesh paraprake, u zhvilluan luftime të rrepta kundër çetave malazeze në Kërnicë. Megjithëse pësuan humbje të mëdha, forcat vullnetare, me Oso Kukën në krye, qëndruan deri në fund, vendosën të mbronin vendin qoftë edhe me flijimin e jetës së tyre. I rrethuar në një kullë të ishullit të Vraninës (buzë liqenit të Shkodrës), Osoja, për të mos rënë në duart e malazezëve, u vuri zjarr fuçive të barutit dhe u hodh në erë bashkë me luftëtarë të tjerë shqiptarë, duke vrarë edhe kundërshtarët malazezë që sulmonin kullën. Akti i tij u bë një shembull vetëmohimi për mbrojtjen e trojeve shqiptare.
Në vitet 60 qeveritë e Serbisë e të Greqisë u aktivizuan përsëri për ndarjen e trojeve të Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik, ku përfshihej edhe Shqipëria. Qysh në vitin 1861 ato hynë në bisedime për një aleancë politiko-ushtarake kundër Turqisë. Në këto bisedime, të cilat nuk patën sukses, të dyja palët i jepnin rëndësi qëndrimit të shqiptarëve si për potencialin e tyre ushtarak që e çmonin shumë, ashtu edhe për faktin se territori i Shqipërisë do të formonte hallkën ndërlidhëse midis frontit jugor grek dhe atij verior serb. Sipas fjalëve të kryeministrit serb I. Garashanin, pjesëmarrja e shqiptarëve në luftë ishte një kusht i domosdoshëm për fitoren mbi Turqinë.
Një mendim të tillë kishin edhe shumë diplomatë rusë. Njëri prej tyre, M. Hitrov, duke vlerësuar gjendjen në Shqipëri, ku vihej re një pakënaqësi e përgjithshme jo vetëm në malësitë dhe në radhët e borgjezisë së qyteteve, por edhe midis bejlerëve e pashallarëve të prekur nga administrata e re, deklaronte më 1862: “Turqia jo vetëm nuk mund të shpresojë shumë në përkrahjen e shqiptarëve, por, përkundrazi, në disa kushte të caktuara, pikërisht këtu përgatitet mbarimi i saj i shpejtë. Çdo gjë varet nga kjo: A do të përgatitet Shqipëria me kohë për ngjarjet e ardhshme? A do t’i kushtohet asaj vëmendja e duhur?”.
Në gjendjen e krijuar në Gadishullin Ballkanik ndikuan edhe ngjarjet që kishin ndodhur në Italinë e afërt. Në vitet 1859-1861, si pasojë e një lëvizjeje të gjerë popullore, ishte realizuar, ndonëse akoma jo plotësisht, çlirimi dhe bashkimi i Italisë në një shtet. Një rol të rëndësishëm në këto ngjarje kishte luajtur demokrati revolucionar Xhuzepe Garibaldi. Në luftë me diplomacitë e Fuqive të Mëdha, Xh. Garibaldi mendonte të zgjidhte çështjen e çlirimit dhe të bashkimit kombëtar jo vetëm të Italisë, por të të gjitha kombeve të shtypura, veçanërisht të Evropës Juglindore e Lindore, me anë të një lëvizjeje të gjerë revolucionare të vetë popujve, të cilët, sipas tij, ishin aleatë dhe duhej të harronin urrejtjet, grindjet e paragjykimet kombëtare e fetare. “Çështja e lirisë është një e vetme, cilido që të jetë populli që e mbron. Kur ta kenë kuptuar të gjithë popujt këtë të vërtetë ..., atëherë mbretëria e despotizmit do të marrë fund përgjithmonë ... Kur të jetë përmbysur më në fund krenaria e Habsburgëve dhe të jetë dëbuar osmani barbar në shkretëtirat e tij, Adriatiku do të banohet në të dy brigjet prej popujsh të lirë, të denjë të duhen e të kuptohen si vëllezër ...”, deklaronte Garibaldi në një proklamatë të vitit 1862.
Vëmendja e revolucionarëve italianë u drejtua edhe nga Shqipëria. Arbëreshët e Sicilisë e të Kalabrisë, të cilët kishin luajtur një rol me rëndësi në lëvizjen për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të Italisë dhe ishin të lidhur me Garibaldin, shërbyen në këtë rast si ndërmjetës për vendosjen e lidhjeve ndërmjet revolucionarëve italianë e shqiptarë.
Qendra kryesore për organizimin e bashkëpunimit ndërmjet Italisë dhe Ballkanit u krijua në Korfuz. Emisarët italianë filluan të përshkonin Shqipërinë dhe provincat e tjera ballkanike të Perandorisë Omane. Me kërkesën e shqiptarëve, Garibaldi filloi të dërgonte armë në Shqipëri. Ai parashikonte t’i zbarkonte forcat e veta diku në bregun e Shqipërisë dhe, duke u bashkuar me forcat vendase, të niste marshimin drejt veriut.
Kjo ekspeditë, sipas mendimit të revolucionarit të shquar italian, do ta ndihmonte popullin shqiptar, që ai e çmonte si popull trim, të fitonte lirinë dhe do ta vinte diplomacinë evropiane, që nuk ishte për një kryengritje, përpara një fakti të kryer.
Por diplomacia evropiane dhe vështirësitë e brendshme e penguan një zhvillim të tillë të ngjarjeve. Këtë lëvizje u përpoqën ta shfrytëzonin qarqet qeveritare italiane për shtrirjen e ndikimit të Romës në bregun lindor të Adriatikut, ndërsa qeveria greke me anën e saj shpresonte të realizonte “Idenë e Madhe”. Greqia dërgoi emisarët e vet në Thesali dhe në vilajetin e Janinës për të drejtuar veprimet e bandave të andartëve grekë në këto krahina. Përpjekjet e saj për të gjetur mbështetje te shqiptarët, që tanimë i njihnin synimet aneksioniste të Athinës, nuk dhanë rezultat, ndërsa komitetet greko-shqiptare, që arriti të ngrejë ajo më 1862, siç ishin ai i Janinës dhe i Durrësit, nuk u vunë në shërbim të politikës së Athinës. Komiteti i Durrësit, më 15 korrik 1862, doli botërisht me anën e një promemorjeje, drejtuar opinionit publik evropian, kundër synimeve të Athinës për aneksimin e Shqipërisë së Jugut, shpalli se shqiptarët, edhe pse çështja e tyre nuk po përkrahej nga diplomacia evropiane, ishin të vendosur të luftonin, nën flamurin e Skënderbeut për të çliruar atdheun e tyre.
Porta e Lartë, e alarmuar nga mundësia e një zbarkimi të garibaldinëve, mori masa ushtarake duke bllokuar me flotën e saj bregdetin shqiptar dhe duke lidhur një marrëveshje me Austrinë për të luftuar së bashku çdo lëvizje revolucionare në Ballkan.
Pas disfatës që pësoi Austria në luftën kundër Prusisë më 1866 dhe duke marrë shkas nga kryengritja e popullsisë greke të Kretës që shpërtheu po atë vit kundër zgjedhës osmane, Rusia filloi të bënte përsëri një politikë aktive në Ballkan. Duke synuar të vendoste ndikimin e saj në këtë zonë, diplomacia ruse kërkoi nga Porta njohjen e autonomisë së popujve të krishterë të Perandorisë.
Me memorandumet e kancelarit Gorshakov të datës 12 mars dhe 18 prill 1866, qeveria ruse, duke u bërë një kritikë të ashpër reformave të deriatëhershme centraliste, paraqiste një projekt për krijimin e katër provincave të mëdha autonome në Turqinë Evropiane, që do të kishin të drejta mjaft të gjera vetëqeverisjeje. Por projekti rus e mbështeste parimin e autonomisë mbi fenë e popullsisë. Asnjëra nga provincat nuk do të kishte karakter homogjen nga pikëpamja etnike. Shqipëria e Veriut dhe Kosova parashikohej të bashkoheshin me Bosnjën dhe Hercegovinën me popullsi sllave, kurse Shqipëria e Jugut me Thesalinë dhe me krahinat e vilajetit të Janinës.
Politika ruse përpiqej njëkohësisht të krijonte në Shqipëri edhe një vatër të dytë kryengritjesh pranë Kretës, për ta ashpërsuar edhe më tej krizën. Diplomatët rusë u vunë në lidhje me disa feudalë shqiptarë të pakënaqur; ndër ta ishte edhe Xhelal pashë Mati, i cili rronte në Stamboll nën vëzhgimin e Portës. Pashai shqiptar i premtoi Rusisë se do të mobilizonte forca të rëndësishme shqiptare për një kryengritje me kusht që të kishte përkrahjen financiare dhe politike të Rusisë. Qeveria ruse e vuri pashën e Matit në lidhje me qeverinë serbe, e cila e siguroi se do ta përkrahte në përpjekjet për t’u bërë sundimtar i pavarur i vendit të tij. Lidhje të tilla qeveria serbe krijoi edhe me disa krerë bajraktarë të Veriut e të Dibrës.
Meqë ndërhyrja energjike e Anglisë nuk e lejoi të merrte pjesë haptazi në konfliktin midis Portës dhe kretasve, qeveria greke filloi të hidhte andartë në Thesali dhe në vilajetin e Janinës. Qeveria e Athinës edhe kësaj radhe u përpoq të gjente mbështetje në viset e banuara nga shqiptarët. Por propaganda e saj, ashtu si edhe më parë, doli me parullën për formimin e një Greqie të Madhe, që kësaj here shtrihej “nga gjiri i Burgasit në Detin e Zi e deri në Shkodrën e Shqipërisë në detin Adriatik”, gjë që jo vetëm e bëri të pamundur çdo afrim me shqiptarët, por shkaktoi edhe kundërshtimin e vendosur të tyre.
Pas dështimit të bisedimeve serbo-greke të vitit 1861 dhe të nismave të tjera që u morën më 1862 e më 1863 për një luftë të përbashkët kundër Turqisë, qeveritë e Athinës e të Beogradit i rifilluan ato në janar të vitit 1867 dhe i përfunduan më 26 korrik të atij viti me një traktat të nënshkruar në qytetin austriak Vëslau dhe me një konventë ushtarake që u nënshkrua në Athinë më 28 shkurt 1868. Gjatë këtyre bisedimeve të dy palët hynë në pazarllëqe për ndarjen e territoreve dhe i trajtuan si plaçkë tregu sidomos tokat shqiptare. Qysh në fillim ato u morën vesh që Greqia nuk do ta kundërshtonte aneksimin nga Serbia të Bosnjës, të Hercegovinës dhe të Shqipërisë Veriore gjer në Durrës, kurse Serbia do të pranonte bashkimin e Thesalisë, të Epirit (ku përfshihej Shqipëria Jugore dhe e Mesme deri në Durrës), të Maqedonisë, të Thrakës dhe të ishujve të Egjeut me Greqinë. Këto ishin kërkesat e tyre maksimale që do të shërbenin si bazë për ndarjen territoriale pas fitores së luftës kundër Turqisë, kurse në traktat u përfshinë zyrtarisht kërkesa më të moderuara. Gjatë të gjitha bisedimeve, si edhe në dokumentet përfundimtare, shqiptarëve u kushtohej një vëmendje e veçantë. Të dy palët merrnin përsipër të punonin me të gjitha mjetet për t’i pasur ata me vete në rastin e konfliktit me Turqinë, d.m.th. për t’i hedhur shqiptarët në një luftë, fitorja e së cilës do të çonte në copëtimin e atdheut të tyre.
Megjithatë, këto projekte për ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Serbisë e Greqisë nuk u realizuan në atë kohë. Ato do të ringjalleshin për t’u vënë në jetë gjatë Krizës Lindore të viteve 70 dhe luftës ruso-turke të 1877-1878-ës, që përfundoi me disfatën e plotë të Perandorisë Osmane.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama