Shperthimi i kryengritjes

Pas përgatitjeve të para për kryengritjen e përgjithshme u shtuan veprimet e armatosura dhe u kalua në krijimin e çetave, të cilat vepronin veçanërisht në Kosovë, ku u ndërmorën, siç u pa, edhe sulme kundër Komisionit të reformave. Moszbatimi i marrëveshjeve të gushtit të vitit 1911, vënia e taksave të reja dhe keqësimi i gjendjes ekonomike në vend e shtuan pakënaqësinë e popullit në fillim të vitit 1912. Gjendja u acarua më tej për shkak të përpjekjeve të autoriteteve xhonturke për manipulimin e zgjedhjeve, për të penguar çeljen e shkollave shqipe, si dhe për të imponuar alfabetin arab në shkolla.
Veprimtarët më të përkushtuar të komiteteve të fshehta e të shoqërive atdhetare të mërgimit iu vunë organizimit të kryengritjes dhe furnizimit të luftëtarëve me armë e me municione. Brenda vendit, përveç komiteteve që vepronin në Kosovë, me organizimin e çetave merreshin edhe komitetet e Manastirit, të Korçës, të Çamërisë, të Vlorës, të Elbasanit, të Dibrës etj., ndërsa jashtë vijonte veprimtarinë e tij Komiteti italo-shqiptar me Nikollë Ivanajn në krye. Në muajin prill Ismail Qemali rikrijoi në Korfuz një komitet të ri. Në dyjavorin e dytë të muajit prill ai, së bashku me Luigj Gurakuqin, u hodhën në Shqipëri për të organizuar kryengritjen, ku qëndruan afro tri javë, i pari në Shqipërinë e Jugut dhe i dyti në atë të Veriut.
Një kontribut të veçantë për blerjen e armëve dhe futjen e tyre në Shqipëri dhanë mërgimtarët e Rumanisë. Për përgatitjen e kryengritjes ndihmuan gjithashtu kolonitë shqiptare në ShBA, sidomos Federata “Vatra” dhe gazeta e saj “Dielli”. Një propagandë të gjerë për kryengritjen bëri shtypi i kolonive dhe veçanërisht gazeta “Liri e Shqipërisë” (Sofje), e drejtuar nga Kristo Luarasi.
Qendër e gjithë kësaj veprimtarie organizative e politike vijoi të ishte vilajeti i Kosovës. Me organizimin e forcave të kryengritjes së përgjithshme merreshin Hasan Prishtina dhe komandantët e çetave, si Mahmut Zajmi, Zefi i Vogël e të tjerë. Për shkak të rolit të veçantë që luante në përgatitjen e kryengritjes shqiptare, xhonturqit u orvatën ta zhduknin Hasan Prishtinën me anën e një atentati, i cili mbeti një tentativë e dështuar.
Ndërkaq u shtuan aksionet e armatosura të shqiptarëve kundër autoriteteve turke. Në mesin e muajit prill në Prizren u vra kryetari i komitetit xhonturk, u sulmua burgu dhe u liruan të gjithë të burgosurit.
Autoritetet vendore të Gjakovës bënë një përpjekje për ta shtypur këtë revoltë para se ajo të merrte përpjesëtime të gjera. Në mesin e muajit prill dy batalione qeveritare sulmuan kryengritësit e përqendruar në Has, por u thyen keq dhe u tërhoqën në Gjakovë.
Për të vendosur një bashkërendim të veprimeve të forcave kryengritëse në rrafsh krahinor, më 21 prill 1912 u mblodhën në Krasniqe në “Kuvendin e katër bajraqeve” krerët e Malësisë së Gjakovës, të Krasniqes, të Hasit, të Gashit e të Rekës, të cilët i parashtruan një varg kërkesash valiut të Shkupit. Duke e ndier veten të pafuqishëm përballë kryengritësve, kajmekami (nënprefekti) i Gjakovës për të fituar kohë, u premtoi atyre se brenda 15 ditëve do të vinte një përgjigje pozitive nga qendra e vilajetit për kërkesat e tyre. Ndërkaq, në drejtim të Gjakovës u dërguan nga Korpusi i 7-të i Shkupit dy batalione ushtarësh.
Kryengritësit mbajtën në afërsi të Gjakovës së rrethuar një miting të jashtëzakonshëm, nga i cili iu dërgua një ultimatum nënprefektit të Gjakovës dhe komandantit të ushtrisë, Xhavit Pashës, ku u parashtruan edhe njëherë kërkesat e tyre: kthimi i armëve, hapja e shkollave shqipe, kryerja e shërbimit ushtarak brenda vilajeteve shqiptare, zgjedhja e mydyrëve (e krahinarëve) nga paria e vendit, caktimi i nëpunësve shqiptarë, ulja e taksës së bagëtisë, ndreqja e rrugëve etj. Në të njëjtën kohë kryengritësit vendosën të hynin në qytet dhe të shtinin në dorë depon e armatimit e të municionit.
Pas vendimit që komandantët e forcave kryengritëse morën në Rekë, nisi sulmi mbi Gjakovë. Forcat e Rekës dhe të Krasniqes, të prirë nga Bajram Daklani, Zefi i Vogël, Ali Binaku, Qerim Binaku, Bajram Mani dhe Zog Abdyli, përparuan në drejtim të Çabratit. Forcat e Hasit, nën komandën e Miftar Sylës, sulmuan nga ana e Urës së Tabakëve. Sulmi mbi qytet filloi në mëngjesin e 11 majit. U zhvilluan luftime të përgjakshme që zgjatën tri ditë. Edhe pse u vunë nën zjarrin e dendur të mitralozave dhe të artilerisë, kryengritësit luftuan me vendosmëri. Por për mungesë të municioneve, u detyruan të pranonin një armëpushim dhjetëditor që u arrit me ndërmjetësinë e Riza bej Kryeziut. Megjithatë sulmi mbi Gjakovë pati jehonë në trevat e tjera dhe përshpejtoi përfshirjen e popullsisë së tyre në luftën e armatosur.
Udhëheqësit shqiptarë vijuan punën për zgjerimin e kryengritjes. Më 5 maj 1912 mbërriti nga Shkupi në Drenicë Hasan Prishtina, që iu kushtua bashkimit e organizimit të forcave shqiptare. Ai u mbështet tek Ahmet Delia në Prekaz dhe Sadik Ramë Gjurgjeviku në rrethinat e Pejës.
Më 6 maj u mbajt nën kryesinë e Nexhip Dragës mbledhja e Shalës, në të cilën u vendos që edhe kjo krahinë të bashkohej me kryengritjen.
Ndërkohë, forcat kryengritëse shtuan goditjet kundër trupave armike në rrethinat e Pejës, afër Istogut. Popullsia e Pejës, më 6 maj 1912, ngriti krye. Komanda osmane nisi me shpejtësi në drejtim të Pejës dy batalione. Por çetat e Mahmut Zajmit, me të cilin tani qe bashkuar atdhetari dibran Hasan Ballanca, dhe ato të Zefit të Vogël, të mbështetura edhe nga 500 kryengritës të Prekorupës, i goditën këto batalione gjatë rrugës dhe i shpartalluan. Luftimet vijuan gjatë 11-14 majit edhe pasi Istogu qe rrafshuar nga artileria osmane.
Sulmet e kryengritësve kundër ushtrive osmane vijuan në Pejë edhe dhjetë ditë të tjera. Gjatë këtyre luftimeve u vranë 400 ushtarë osmanë. Më 20 maj repartet ushtarake ndihmëse të nisura nga Mitrovica hynë në Pejën e rrethuar, ku u bashkuan me garnizonin e ngujuar atje. Edhe këtu, ashtu si në Gjakovë, u vendos një armëpushim ndërmjet kryengritësve dhe autoriteteve të Pejës. Vetë valiu që ndodhej atëherë në Pejë pranoi një pjesë të kërkesave të kryengritësve dhe pikërisht që forcat osmane të nënprefekturës të ndryheshin në qytet dhe që kadiu e komandanti i xhandarmërisë të largoheshin nga postet e tyre zyrtare, por nuk pranoi kërkesën për largimin e mytesarifit të Pejës. Autoritetet lokale premtuan gjithashtu se do të kërkonin nga Porta e Lartë që t’u jepte përgjigje pozitive të gjitha kërkesave të parashtruara nga kryengritësit.
Lëvizja kryengritëse u shtri edhe në sanxhakun e Prishtinës. Më 9 maj 1912 një çetë shqiptare u përlesh me repartin e xhandarmërisë në Llap e në Koshutovë dhe u ndërmor një sulm mbi depon e armëve e mbi postën e xhandarmërisë në Vuçiternë. Prefekti i Prishtinës kërkoi të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, por popullsia e këtij qyteti, ajo e Prizrenit, e Vuçiternës, e Mitrovicës, e Gjilanit dhe e Gjakovës i bënë të ditur valiut se, po të merrej kjo masë, ata të gjithë do të dilnin në mal. Kjo i detyroi autoritetet ta pezullonin vendimin për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Ndërkaq krerët e lëvizjes në Prishtinë kërkuan nga valiu anulimin e zgjedhjeve parlamentare të manipuluara nga qeveritarët xhonturq, mbylljen e shkollave turke dhe kthimin e armëve të grumbulluara një vit më parë.
Porta e Lartë vazhdonte të përqendronte në Kosovë forca të reja ushtarake që dërgoheshin nga provincat e tjera të Perandorisë. Më 23 maj arriti në Ferizaj divizioni i nizamëve nga Stambolli, i specializuar për kryerjen e detyrave të veçanta dhe i pajisur me armatime e mjete moderne luftarake. Në fundin e majit 1912 ishin angazhuar drejtpërsëdrejti në luftime 19 mijë ushtarë, të pajisur me mitroloza e topa dhe 700 kalorës, që drejtoheshin nga komandanti i Korpusit të 7-të të Shkupit, gjeneral Ismail Fadil pasha, ndërsa forcat osmane të përqendruara në Kosovë ishin shumë më të mëdha.
Me gjithë mungesat në të holla, në armatime e në materiale luftarake, numri i kryengritësve rritej çdo ditë. Sipas shtypit të kohës ai kishte arritur në maj 1912 në 15 mijë veta.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama