Shan Pici nxenesi i Marubit qe i la Shkodres 70 mije negative


Në Shkodrën e viteve '20 -'30, të shekullit të kaluar, një familje me emër në fushën e fotografisë po shënonte kulmin e veprimtarisë së saj. Është familja Pici, e cila përfaqësohet nga Shani, Ndreka dhe Tefa, të cilët me individualitetin e tyre krijues ngritën me lart traditën e fotografisë shkodrane duke zgjeruar tematikën e saj dhe nivelin e realizimit.
Studiuesja Semiha Osmani, drjetore e Fototekës kombëtare "Marubi", në botimin më të fundit të albumit fotografik "Marubi" i kushton një hapësirë të veccantë asaj që asokohe quhej "Foto Pici". Nga kjo familje trashëgohet sot një fond prej rreth 70 mijë negativësh në xham dhe celluloid, që ruhen po ashtu në fototekën "Marubi" në Shkodër. Ky thesar fotografish zapton pjesëmn dërrmuese të jetës së këtij qyteti, që prej viteve '20-të e deri ën vitet '70-80.
Themelet  e dinastisë
Përfaqësuesi më në zë i kësaj familje është Shan Pici (1904 -1976). Kontakti i parë me fotografinë Shanit iu bë në moshë të mitur. Nuk ishte veçse 10 vjeç, kur njohu ketë art në studion e Marubit. Rruga e mjeshtërisë do të ishte e gjate, e vështire por dinjitoze. Në moshën 18 vjeçare ai do të fiksojë në studion e mjeshtrit Marubi fotografinë e tij të parë. Që nga ajo ditë për Shan Picin nisi rruga e dashur e fotografit të pasionuar. Në vitin 1924 Shan Pici arrin të hapë studion e vet. Çelja e studios fliste për një konsolidim të punës së tij si fotograf. Ai kishte marrë nga mjeshtri Marubi gjithçka që i duhej dhe që i mjaftonte për të çuar i pavarur fotografinë përpara në disa drejtime. Në këtë studio ai punoi bashkë me vëllezërit e tij Ndrekën dhe Tefën. Sipas studiueses Osmani, vend të rëndësishëm në fotografitë e Picit zë njeriu, mjedisi rrethues dhe natyra. Tonet e fotografisë së tij janë realiste. Ato shquhen për një kompozim të goditur artistik me forcë shprehëse të detajit, me harmonizim të kënaqshëm të dritës e të hijes.
Natyra ne fotot e Shanit
"Ai kërkonte vazhdimisht duke bërë objekt të fotografisë së tij veçanërisht natyrën, ku futi gjërësisht ndjenjat e tij dhe kristalizoi portretin e vet prej fotografi me vlere. Veçanërisht Pici u dashurua pas alpeve tona. Monumentaliteti dhe madhështia e kreshtmajave ngarkuar me bardhësinë e dëborës, lëndinat e qëndisura me shumëllojshmërinë e luleve, honet e thella ku gjarpërojnë përrenj kaltëroshë të gjitha këto e shqetësonin shpirtin e fotografit të ri dhe kuadrot u mpiksen në celulozë", thotë Semiha Osmani. Por krahas Alpeve në fondin arkivor të tij zë vend edhe fusha ku ndihet shpesh mjedisi pranveror, zëne vend mjediset etnografike, peisazhet e goditura në liqen e në lumin Buna, të cilat janë dhënë me tone të ngrohta dhe me nivel artistik. "Veç të bukurës në aparatin e tij u futen dhe subjekte me karakter dhe interesa të vërteta studimi si: Pazari i Shkodrës, dita dhe gjallëria e tregut, por dhe plagët sociale të rendit. Me dashuri të veçante ai fotografoi fëmijët. Në fotografitë e realizuara nga ai ndihet dëlirësia shpirtërore, naiviteti dhe sinqeriteti fëmijëror, bota e pasur psikologjike e tyre që spikasin veçanërisht në realizimet e malësoreve të vegjël", shënon Osmani, duke theksuar se karakteristikë e vazhdueshme e fotografisë së tij janë kontrastet, ndryshimet e forta të toneve. Ai i mban figurat në tone të qeta, në natyrën e tij.
Improvizimet
Improvizimi fotografik i jepte mundësi mjeshtrit Shan Pici të sillte shqetësimin e kohës dhe ta pasqyronte me koloritin e duhur. Portretet e tij shquhen për vërtetësi njerëzore, për botë psikologjike dhe ekspresivitet gati-gati kinematografik. Për t'u përmendur janë këtu malësorja nga Xhaj i Dukagjinit, gruaja duke tjerrë, portet fëmije etj. Në fiksimin e portreteve ka variacion dhe individualitet në evidentimin e kësaj galerie tipash. Duke pasqyruar madhështinë dhe bukurinë e natyrës alpine Pici nuk e estetizoi atë, por ai zbuloi thellësisht që në këtë fond epik jetonte një popull trim dhe bujar por që vuante varfërinë.
Aq të vërteta dhe jetësore janë këto fotografi sa të ngjajnë me kuadro filmike. Sicc shënon Osmani, në fiksimin e tipave ndihej vazhdimisht bota e brendshme e tyre, trazimi shpirtëror i kohës që ato bartin. Qytetin e rrethinat ai i fotografoi në të gjitha stinët, në dimrin e acartë dhe në pranverën e lulëzuar, në agimin e purpurt dhe në perëndimin vezullues.
Shan Pici mund të quhet fotoreporteri i parë sportiv. I pasionuar pas çiklizmit ai do ta shoqëronte dhe do ta pasqyronte këtë gare kombëtare në çdo etapë më 1935. Panoramat fotografike kompozoheshin kurdoherë mbi një frymëzim, mbi një gjetje, emocion e përjetim të artistit. Por krijimtaria fotografike e Picit kishte një vizion të gjërë. Ai përpiqej të fiksonte diçka nga çdo kënd i Shqipërisë. Shan Pici nuk la pa fiksuar edhe përpjekjet e popullit të Shkodres për tharjen e kënetave dhe bonifikimin. Por mbi gjithçka Pici mbeti fotograf i natyrës, me pamjen e saj transparente dhe të virgjër.

Por ç'mund të thuhet për fotografinë e famshme "Azem dhe Shote Galica" nga Kel Marubi në vitin 1920? Historianët thonë se të ndjekur nga forcat serbe dhe të detyrar nga moti i ftohtë, këta dy luftëtarë me çetën e tyre kishin zbritur atë dimër në Shkodër dhe ndoshta rastësisht u ndalën përpara studios Marubi. Për asgjë nuk mund të thuhet se është e sigurt, por duke parë fotografinë "Azem e Shote Galica" të forcohet bindja se pa këtë fiksim drite, fizionomia e këtij çifti luftëtarësh për liri do të ishte sot e panjohur dhe historia e tyre ndoshta do të tregohej si ato legjendat e lashta që jo gjithkush u beson. "Kjo është një nga fotografitë më të arrira artistikisht" thotë historiografi Vrioni "ku shkrihen natyrshëm me njera-tjetrën tema e luftës për liri me atë të emancipimit të familjes". Libri "Fotografia-një grusht diell", i Qerim Vrionit, është padyshim një trokitje paralajmëruese zgjimi në ndërgjegjen e kombit për të njohur më mirë e ruajtur vlerat e veta. Biblografia e pasur e përdorur nga autori, tregon gjithashtu se ai ndoshta ka në plan ta zgjerojë këtë punim për ta nxjerre nga kufijtë e një monografie, duke e shndërruar në një histori të plotë të fotografisë shqiptare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama