Rreth etimologjise se emervendit Damastion

Dëshmitë historike dhe arkeologjike
Damastioni, për disa, kryeqytet i Dardanisë, për disa të tjerë një qendër e prerjes së monedhave që në shek. IV-III para erës sonë, zgjoi, zgjon dhe do të zgjojë edhe më vonë interesimin e jo vetëm arkeologëve, historianëve, gjuhëtarëve, por edhe të gjithë atyre që kanë një ndjenjë të kultivuar për të kaluarën antike të trojeve të sotme.

Dëshminë e parë për ekzistencën e Damastionit na e jep Straboni në “Gjeografinë” e tij: “Pas Epidamnit dhe Apollonisë gjer në malet Keraune banojnë bylinët, taulantët, parthinët e bryget; aty afër janë edhe minierat e argjendit në Damastion, rreth të cilave dyestët vendosën sundimin e tyre, si dhe enkelenjtë, të cilët i quajnë edhe sesaretë” (IIAA, f. 159). Në pjesën e parme të monedhës është figura e Apollinit, hyjnisë pa dyshim më të adhuruar të botës antike, kurse në shpinë emërvendi i farkimit të tyre, DAMASTION.

Lidhur me lokacionin e Damastionit janë shkruar artikuj të ndryshëm. Sipas A. Stipçeviq, disa e kanë lokalizuar në Shqipërinë e Jugut (rrethi i Gjirokastrës), kurse disa, si R. L. Beaumont, në Shqipërinë e Veriut, në rajonin e Dukagjinit ose të Mirëditës. Po kështu me këtë problem u mor edhe Anton Mayer “Polozaj Damastija, Numizmatika, 2-4/1934-1936, f. 181-183.

Me lokacionin e Damastionit të përmendur nga Straboni janë marrë edhe arkeologët e tjerë sllavë, si Dubravka Ujes dhe Katarina Romiç në punimin me titull “Pozita e qytetit Damastion” (GSAD, fq. 77-98. ), të cilat pohojnë se qyteti minierë ndodhej afër kufirit të Peonisë. Sipas tyre, teoritë ekzistuese kanë propozuar 16 lokacione të ndryshme. Janë gjetur rreth 40 monedha të Damastionit, por në një shumicë shumë më të madhe në Kosovë, në zonat që kufizojnë me territorin nën kontroll të peonëve gjatë shek. IV p.e.s. Duke marrë parasysh dëshmitë në dispozicion, lokacioni i Damastionit në ose pranë burimeve të argjendit është shumë më i gjasshëm. Zonat e hulumtuara nga këto arkologe janë Mali

i Zi (duke përfshirë Bërskovën), Kosova (duke përfshirë këtu malet e Kopaonikut, Trepçën dhe Novo-Bërdon) dhe Maqedonia (zonën e Zletovës). Ndonëse nuk janë gjetur dëshmi të eksploatimit ekstensiv të argjendit në Kosovë në kohët pararomake, modelet e monedhave prej argjendti të gjetura në këtë rajon, i shtrëngojnë të përfundojnë se kandidat numër një i lokacionit të Damastionit duhet

të jetë Kosova. Kurse, dëshmitë e një veprimtarie të tillë të braktisur të rafinimit në Shqipërinë e Veriut dhe në afërsi të Ohrit, që janë përdorur për ta gjetur lokacionin e Damastionit në këto zona, në bazë të dëshmive gjeologjike dhe gjeomorfologjike, janë me gjasë një refleks i materialit të vrazhdë të importuar dhe, prandaj i burimeve të pamjaftueshme në të cilat mund të mbështetej veprimtaria e prerjes së parave e Damastionit.

Problemit të Damastioni i kushtoi një vëmendje të veçantë edhe historiani ynë, Zef Mirëdita, i cili, midis të tjerash, thekson: “Në vitin 1961 në jugperëndim të Janjevës, në vendin e quajtur ‘Bijela Zemlja’, janë zbuluar mbeturina të një vendbanimi antik dhe, meqenëse e tërë kjo zonë është e njohur si vend xeheror, i cili është shfrytëzuar edhe para dominimit romak, rreth galerive të xeheroreve me siguri është ndërtuar vendbanimi për xehetarët. Pastaj, duhet theksuar se pikërisht në këtë trevë janë gjetur më së shumti monedha të Damastionit, kurse si Straboni, po ashtu edhe Palimpsesti i Vatikanit i përmendin xeheroret e argjendit, të cilat gjendeshin në afërsi të Damastionit. Pikërisht këto të dhëna na bëjnë të mendojmë se Damastioni duhet ta lypim në afërsi të Kishnicës, respektivisht të Janjevës apo të Prishtinës. Veç kësaj, për një lokalizim të tillë flasin edhe mbeturinat arkeologjike te Kishnica, ku edhe sot edhe sot shihen mbeturinat e ndërtesave”.

Këtë mendim e kishte shprehur më parë, para gjetjes së monedhave, edhe Emil Çershkov. Zef Mirëdita, duke e përmbyllur vështrimin rreth Damastionit, shtron me të drejtë nevojën e ndriçimit të lokalizimit të kësaj qendre të rëndësishme jo vetëm në aspektin historik e arkeologjik, por edhe filologjik (SD, fq. 106-107).

Etimologjia e emërvendit Damastion
Nga të parët, që është marrë me etimologjinë e emërvendit Damastion, është ilirologu i dëgjuar gjerman, Hans Krahe. Ai, në veprën e tij, midis të tjerash, thotë: ”Damastion, (Strabo, 7, 326). Zu gr. da ‘Erde’ dhe mastoV ‘Brust’. Vgl. greich Ortsnamen wie DimastoV (Hesych s.v.).”

Duke e krahasur me emërvendin grek Dimastos, Krahe mendon se Damastioni është një kompozitë e sajuar nga apelativat grekë da ‘dhe, tokë’ dhe mastoV ‘kraharor, gji’. Këtë filolog të madh, në një shpjegim të tillë e çon jo vetëm krahasimi me emërvendin e ngjashëm grekë, por edhe forma e tij e greqizuar nga prapashtesa –on.

Një mendim fare tjetër nga ai i Krahas shfaqi Anton Mayer, i cili, tek emërvendi Damastion sheh etimonin *damas-, dalë nga rrënja i.e. dhe- : “Der Namen Damas-tion hat seinen nächsten Verwandten wohl in Damas-ia, Stadt der Likatoi, Licates oder ‘Lechanwohner’, die wsper akropoliV, d.i. ‘arx Alpibus imposita’ war (Strab. IV 6,8). Man könnte sie zur abgetönten Wurzel dem- ‘bauen’ stellen, doch hat das Venetische, zu dem der zweite Name wohl gehört, idg. o nich wie das Illyrische zu a gewandelt, darum wird es sich empfehlen, in den Namen die Schwundstufe der Wurzel dhe- ‘stellen, legen’ zu sehen und mit ai. Dhaman- ‘Satzung, Gesezt, Wohnstatte’ und gr. Jaimos oikia, sporoV juetia Hes. zu vergleichen. Ferner dürften hiehergehören: thrak. Uscu-dama ‘Hochburg’ (Tomaschek, Die Alten Thraker II 2, 57 f.), der Pflanzenname koadama potamogeitwn Dioskor., die zahlreichen Ortsnamen auf –dava sowie Datos, Küstenort der Edonen (: alb. Dhatë ‘Ort’), nach Jokl bei Ebert 13, 287. 1, 89. Dagegen ist mir die Zugehörigkeit von Domavia zweifelfaht: es könnte mit gr. Jwmos ‘Haufe, Schober’ zur abgetönten Vollstufe dieser Wurzel, aber auch mit gr. doma, - atoV ‘Haus’ zur abgetönten Dehnstufe von dem- ‘bauen; Haus’ gehören und bezüglich der Bildung mit abg. domovit ‘Hausherr’, kroat. domovina ‘Heimat’ als dom-ouia verglichen werden.”

Ai, duke marrë parasysh paralelizmat me rrënjën venete dem-, e cila bie ndeshë me rregullat e fonetikës historike, krahasimet me konkordancat trake –dama /-dava te Uscudama, koadama; mendimin e Joklit, që e përafron me formën arkaike dheut < dhatë ‘vend’, sjell përfundimin se rrënja e tij është damas- ‘ngulim, Siedlung’, duke e përqasur me greqishten dama, sll. domovit, kroat. domovina si dhe vendbanimin e njohur të minierës së argjendit në Bosnjë, Domovia.

Për studimet jo vetëm gjuhësore, por dhe historike e arkologjike, një rëndësi të madh ka relacioni i Pjetër Bogdanit i vitit 1684, ku, lidhur me këtë zonë, thuhet: “Duke ecur prej Prizrenit drejt veriut, arrihet për një ditë udhëtim në Fushë-Kosovë. Është ky vend shumë i rrafshtë, i rrethuar me xeherore të arit, të argjendit dhe të metaleve të tjera, të ruajtura në qytetin e Novobërdës, që gjendet në malin mbretëror të Argjentinës…” (Bogdani, fq. 20).

Në një shkrim të shkruar para një viti e sa, lidhur me toponimet antike të Dardanisë, dërguar edhe në revistën IJAS, patëm theksuar se këtij vargu toponimesh i kemi shtuar me të drejtë edhe toponimin Damastion, ku kemi gjetur një apelativ të shqipes, që është njëjësi primitiv i demit < dam, që e shohim si shumës të singularizuar (khs. sing. ka, pl. qe, sing. dash, pl. desh, sing. anë, pl. enë).

Si mund të shihet nga fjala e sotme lug(a)shtajë/lugajë, si dhe nga vargu i toponimeve: G(ë)r+ -asht+ prapashtesa sllave –ica, Pak + -asht+ prapashtesa sllave –ica , Prap+-asht+ prapashtesa sllave –ica, Petr+ -asht+ prapashtesa sllave –ica, Akr+ -asht+ prapashtesa sllave –ica, Ship+ -asht + prapashtesa sllave –ica, vihet re lehtë se –ast > –asht qe një prapashtesë e vjetër e ilirishtes dhe e protoshqipes.

Lidhur me toponimet antike, që krijojnë një grup më vete toponimik me prapashtesën –ast, le të shohim emërvendin EmASTos në Dardani, krahas atij EmONA në Liburni ose atij EmATHİA, emri i lashtë i Maqedonisë. Këtë prapashtesë të lashtë e ka edhe toponimi TediASTum, qytet në Liburni, DrivASTum në Shqipëri. Këtu mund të bëjë pjesë edhe emërvendi i qytetit antik PerAST në Bokë të Kotorrit të Malit të Zi.

Mendimi i A. Mayerit se ky emërvend mund të lidhet me ngulim, shtëpi është i qëndrueshëm vetëm si dam-, rrënjë kjo që mund të jetë zhvilluar nëpërmjet metafonisë në dem e dim, temë kjo që e kemi trajtuar në një numër më të hershëm të “Sheshit”.

Në antikë ka jo pak toponime që lidhen me emrin e demit. Kështu, kemi emërvendet Buthoe, Buthrotos, themelimin e të cilave Stefani i Bizantit e lidh pikërisht me flijimin e demave në themelet e tyre ose me legjendat e ndryshme për Kadmin që përshkon Ilirinë në një çift qesh (IIAA, f. 417).

Nga burimet historike e dimë se Dardania binte në sy me qe të mëdhenj, kurse gjithë ky rajon, siç vë re dhe Jireçek, mbushullon me toponime me emra qesh, për të cilat kemi bërë fjalë në një punim polemizues me gjuhëtarin sllav Aleksandër Lloma.

Burimet kryesore:

Aleksandër Stipçeviq, Ilirët, Rilindja, Prishtinë, 1980.

Anton Mayer, Die Sprache der alten Illyrier , Zagreb, 1959.

Dubravka Ujes, Katarina Romiç, Polozaj grada Damastion (Glasnik Srpskog arheoloskog drustva 11 (1996).

Hans Krahe, Die alten Balkanillyrischen geographischen namen, Heidelberg, 1925.

Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë, Rilindja, Prishtinë, 1979.

Pjetër Bogdani, Çeta e Profetëve, Rilindja, Prishtinë, 1990.

Zef Mirëdita, Studime dardane, Rilindja, Prishtinë, 1979.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama