Gjendja e keqe ekonomike dhe abuzimet e papërmbajtura të administratës së re osmane në Shkodër i dhanë shkas shpërthimit në këtë qytet të një revolte të fuqishme të popullsisë.
Gjatë viteve 1851-1852, valiu i ri Masar Pasha ua dyfishoi të krishterëve të qytetit taksën “nizamie”, të përjashtimit nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, një pjesë të mirë të së cilës e merrte për vete. Protestat që popullsia bëri në Stamboll kundër këtij veprimi arbitrar nuk dhanë rezultat. Shpallja në Shkodër, në pranverën e vitit 1854, e një fermani të sulltanit për barazinë e të drejtave të nënshtetasve të krishterë me ata myslimanë, nuk e qetësoi gjendjen, sepse Masar Pasha dhe administrata e tij vijonin të grabisnin popullsinë. Përveç kësaj, një burim tjetër pasurimi për qeveritarët turq u bë spekulimi me tregtinë e drithit sidomos më 1854, kur zhvillohej Lufta e Krimesë (1853-1856) dhe vijonin konfliktet me Malin e Zi. Duke bashkëpunuar ngushtë me ta, sipërmarrësit e tregtarët e grumbullonin drithin dhe e shisnin me leverdi jashtë vendit. Pasoja e menjëhershme e këtij veprimi ishte ngritja e çmimeve të artikujve ushqimorë e sidomos e çmimit të drithit, që edhe në kohën e lëmit u dyfishua në vend që të ulej. Përveç mungesës së drithit gjendjen në Shkodër e keqësoi edhe më shumë detyrimi i popullsisë për të mbajtur me ushqime 20 mijë ushtarë osmanë që ndodheshin në kufirin turko-malazez. Shkodrës po i kanosej zija e bukës. Pakënaqësia e shtresave të varfra shpërtheu haptazi, kur në qytet ndodhën vdekjet e para nga uria. Më 7 gusht 1854 vegjëlia qytetare e udhëhequr nga Hasan Alia, klerik i ri që do të njihet më vonë me emrin Sheh Shamia, organizoi një mbledhje të gjerë, ku kërkoi ndalimin e eksportit të drithit, uljen e çmimeve dhe dënimin e spekulatorëve. Por valiu nuk mori asnjë masë. Të nesërmen, më 8 gusht, një turmë e madhe prej disa mijëra zejtarësh e punëtorësh të varfër vërshoi në treg, i cili u mbyll, ndërsa qeveritarët u detyruan të tërhiqeshin në kala. Demonstruesit hapën hambarët dhe ua shpërndanë drithin banorëve të varfër. Sheh Shamia dha shembullin duke hapur i pari hambaret e babait të vet. Një ditë më vonë, vegjëlia e armatosur organizoi një demonstratë të madhe dhe kërkoi largimin e valiut nga qyteti. Atëherë ndërhyri konsulli i Francës, i cili bëri çmos që të shpërndante të revoltuarit, duke vënë në dukje rrezikun që mund t’i vinte Shkodrës nga revolta për shkak të gjendjes së luftës dhe qëndrimit kërcënues të Malit të Zi.
Pas mbarimit të veprimeve ushtarake në kufirin me Malin e Zi, Porta e zëvendësoi Masar Pashën, dërgoi në Shkodër valiun e ri, gjeneralin Mustafa Pasha, me 10 000 ushtarë nizamë, që ndërmori arrestime në masë. Sheh Shamia mundi të largohej fshehurazi nga Shqipëria, kurse drejtuesit e tjerë të revoltës u internuan.Valiu ndaloi eksportimin e drithit nga qyteti i Shkodrës. Megjithatë, edhe pse kishte forca të shumta ushtarake, valiu nuk guxoi të zbatonte reformat e Tanzimatit në Shkodër.