Rendesia e luftes antiosmane te shqiptareve

Lufta e gjatë dhe e ashpër kundër pushtuesve osmanë ishte rrjedhojë e ndërgjegjësimit të shqiptarëve, e në radhë të parë e elitës drejtuese të tyre, për pasojat e rënda dhe shkatërrimtare që sillte pushtimi osman në të gjitha sferat e veprimtarisë shoqërore. Ky pushtim godiste më shumë se këto, deri në asgjësimin e plotë, shtresat e larta të shoqërisë shqiptare, duke u marrë pushtetin politik, si dhe pasuritë etj. Prandaj përfaqësues të tyre e udhëhoqën me vendosmëri luftën kundër pushtuesve osmanë. Në këtë luftë morën pjesë të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, sepse pushtimi osman të gjithëve u prekte të drejtën e pronësisë, interesat ekonomikë dhe mënyrën e jetesës.
Lufta e shqiptarëve kundër pushtimit osman në jetën e përditshme zhvillohej si një luftë për mbrojtjen e pronës e të marrëdhënieve të përparuara shoqërore kundër shpronësimit, si dhe kundër formave të prapambetura të pronës feudale e të marrëdhënieve shoqërore që rridhnin prej saj. Ishte një luftë kundër dhunës, shkatërrimit e grabitjes së njerëzve e të pasurisë dhe që mbronte mënyrën e jetesës, doket, kulturën dhe besimin fetar të shqiptarëve, të cilat ishin cilësisht të ndryshme me ato të pushtuesit lindor osman. Rrjedhimisht, lufta e shqiptarëve mbronte zhvillimin dhe raportet e përparuara shoqërore kundër formave arkaike të një shoqërie feudale të prapambetur dhe tashmë të perënduar në viset shqiptare. Për të gjitha këto, në sintezë, përmbajtje themelore e luftës ishte mbrojtja e jetës së pavarur politiko-shtetërore të shqiptarëve, pra e lirisë kundër pushtimit osman të vendit.
Përballë rrjedhimeve të tilla të thella për të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, periudha e sulmeve të ushtrive osmane për pushtimin e vendit dhe e qëndresë së fuqishme të shqiptarëve kundër tyre, sidomos gjatë viteve të luftës nën udhëheqjen e Skënderbeut, përbën ngjarjen më të rëndësishme e më kulmore të historisë së popullit shqiptar, që la gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen kombëtare të të gjithë shqiptarëve. Ajo u dha atyre traditën historike të luftës kundër pushtuesve osmanë dhe mbi këtë bazë ndjenjat e fuqishme kombëtare, përpara se të vendosej mbi shqiptarët pushtimi i plotë pesëshekullor osman dhe të bëhej islamizimi masiv i tyre.
Ndjenja kombëtare, që i ka mbrojtur popujt nga asimilimi dhe zhdukja, bëri që, gjatë gjithë periudhës së gjatë pesëshekullore të pushtimit osman, shqiptarët, edhe pse do të islamizoheshin masivisht, të ruanin identitetin e tyre kombëtar pa dallime fetare. Kur e kërkoi koha, si shqiptarët katolikë e ortodoksë, ashtu dhe ata myslimanë, nuk ngurruan të ngriheshin kundër pushtimit të huaj osman dhe të qëndronin në ballë të luftës për pavarësi kombëtare. Ndjenja kombëtare, si një tregues identiteti, i ka shoqëruar popujt gjatë gjithë historisë së tyre. Edhe protagonisti kryesor, që e udhëhoqi luftën e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë, Skënderbeu, në veprimtarinë e tij politike e ushtarake, iu referua traditës së lavdishme historike të popullit të vet. Kështu, p.sh., duke iu përgjigjur plot krenari kombëtare një kundërshtari politik në Itali, Skënderbeu do t'i shkruante atij për aksionet ushtarake të epirotëve e të Pirros kundër romakëve në Itali do të përdorte si simbole të veta shtetërore elementë nga simbolet e Pirros, të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë dhe nga mitologjia pellazge.
Idetë dhe fryma e lëvizjes humaniste evropiane, që ishte përhapur në atë kohë edhe te shqiptarët, ndikuan që lufta e tyre titanike kundër pushtimit osman dhe, sidomos, figura e Skënderbeut të çimentoheshin në vetëdijen kombëtare shqiptare dhe të materializoheshin në krijimtarinë e tyre jo vetëm nëpërmjet gojëdhënave, tregimeve e këngëve popullore, por edhe nëpërmjet veprave të para të historiografisë kombëtare, të cilat i përshkon një patos i fuqishëm patriotik, siç janë veprat e M. Barlecit, Dh. Frëngut, F. Bardhit etj.
Një tipar i rëndësishëm dallues i luftës së shqiptarëve kundër pushtimit osman ishte zhvillimi i saj mbi dallimet fetare. Në radhët e ushtrisë shqiptare qëndronin përkrah njëri-tjetrit luftëtarët e besimit katolik, ortodoks, si dhe shqiptari i islamizuar, siç ishte, p.sh., vetë Skënderbeu dhe nipi i tij, Hamzai. Besime të ndryshme fetare kishin edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të Skënderbeut, edhe familjet me të cilat lidhën krushqi Kastriotët. Krahas klerikëve katolikë, Skënderbeu dërgoi si përfaqësues të vet në shtetet italiane edhe priftërinj ortodoksë. Shembull i tolerancës fetare dhe i mirëkuptimit ndërmjet shqiptarëve me besime fetare të ndryshme ishte vetë familja e Kastriotëve. Shumica e fëmijëve të Gjon Kastriotit kishin emra ortodoksë, një djalë dhe një nip i tij (Skënderbeu dhe Hamzai) mbajtën deri në fund të jetës emra myslimanë, kurse veprimtaria politike e Kastriotëve, e sidomos e Skënderbeut, ishte e lidhur me botën katolike. Vetë Heroi Kombëtar, pasi u kthye në Shqipëri më 1443 dhe derisa vdiq, përdori emrin e dyfishtë, të kristianit dhe të myslimanit, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, si shprehje kjo e tolerancës fetare dhe e kujdesit të tij për ruajtjen e unitetit kombëtar të shqiptarëve që kishin rite fetare të ndryshme. Shqiptarët, duke përfshirë edhe shtresat e larta shoqërore, konvertonin lehtësisht besimin e tyre fetar. Balshajt, p.sh., në fund të shek. XIV u kthyen nga ortodoksë në katolikë, në përshtatje me besimin fetar të shumicës së banorëve të zotërimeve të tyre.
Pjesëmarrja masive e shqiptarëve të të gjitha besimeve fetare dhe të krahinave në luftën kundër pushtuesve osmanë ndikoi shumë në zbutjen e sheshimin e dallimeve e të mosmarrëveshjeve, që mund të lindnin nga bindjet e ndryshme fetare si dhe nga përkatësia krahinore. Rrjedhimisht, një nga arritjet më të rëndësishme të luftës antiosmane ishte kompaktësimi dhe forcimi i unitetit të shqiptarëve pa dallime fetare e krahinore, duke përfshirë edhe banorët e viseve të largëta që kishin mbetur jashtë shtetit të Skënderbeut. Dëshmi e gjallë për këtë është e drejta dokesore, përballë së cilës ishin të barabartë të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga pozita shoqërore dhe besimi fetar i tyre. Dëshmi e unitetit kombëtar të shqiptarëve janë edhe legjendat, tregimet dhe këngët popullore për figurën e Skënderbeut, të cilat u ruajtën pa dallime fetare, te shqiptarët katolikë, ortodoksë e myslimanë të të gjitha viseve kombëtare, madje edhe jashtë tyre, si te arbëreshët e Italisë e të Greqisë. Këngët popullore për Skënderbeun lindën qysh në shek. XV dhe ato vijuan ndër shekujt të këndohen me krenari nga shqiptarët. Kronisti venecian Antonio Sabeliko ka shkruar në vitin 1487 se shqiptarët “me këngë solemne ... këndonin lavdinë e princit të vdekur (Skënderbeut) ashtu siç e kishin zakon të moçmit në gostitë e heronjve të mëdhenj”. Në fillim të shek. XX Edit Durham rrëfen për dy krutanë që një ditë të tërë i kënduan trimëritë e Skënderbeut në një këngë të gjatë pa mbarim.
Lufta kundër pushtimit osman kaliti guximin, trimërinë dhe heroizmin masiv të shqiptarëve, i bëri ata të dalloheshin nga popujt e tjerë dhe të vlerësoheshin shumë në vendet e huaja për cilësite e vyera ushtarake. Gjatë shekujve që vijuan, nga radhët e shqiptarëve dalin shumë komandantë e udhëheqës ushtarakë të shquar që vepruan në kuadrin e Perandorisë Osmane apo edhe nëpër vende të tjera evropiane.
Gjatë viteve të luftës kundër pushtuesve osmanë u intensifikuan, si asnjëherë tjetër, lidhjet politike, ushtarake, ekonomike, fetare e kulturore të Shqipërisë me vendet e Evropës Perëndimore, lidhje që nxitën zhvillimet e brendshme në të gjitha ato fusha dhe e bënë botën shqiptare të ndihej më shumë se çdo rajon tjetër i Ballkanit si pjesë përbërëse e Evropës Perëndimore. U krijuan lidhje të ndërsjellta shpirtërore me shtetet italiane dhe me vendet e tjera të Evropës Perëndimore, sepse me luftën e tyre heroike shqiptarët i detyruan ushtritë osmane të luftonin për një periudhë shumë të gjatë në viset shqiptare dhe u bënë kështu pengesë e pakapërcyeshme për kalimin e tyre drejt Perëndimit. Lufta e shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu propagandohej në vendet e Evropës Perëndimore si pjesë e luftës së tyre shpirtërore për mbrojtjen e krishterimit kundër islamizmit dhe prandaj Heroi shqiptar cilësohej në Perëndim si "luftëtar i Krishtit" (Athleta Christi). Mbështetja e vendeve të Evropës Perëndimore ishte një nxitje dhe inkurajim për luftën e shqiptarëve kundër pushtimit osman. Me luftën e tyre shqiptarët penguan për një kohë shumë të gjatë kalimin e ushtrive osmane në Evropën Perëndimore dhe me këtë ata dhanë një ndihmesë të vyer për mbrojtjen dhe përparimin e qytetërimit evropian, e cila është vlerësuar jo vetëm nga personalitetet e shquara evropiane të asaj periudhe, por edhe gjatë shekujve që pasuan me botimin e dhjetëra veprave historike, letrare e artistike kushtuar figurës së Skënderbeut dhe epopesë shqiptare të udhëhequr prej tij. U krijua kështu një traditë e vyer e lidhjeve shpirtërore të ndërsjellta ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të Evropës Perëndimore.
Edhe popujt e Evropës Juglindore dhe ata fqinjë kurrë ndonjëherë nuk janë ndier më afër shqiptarëve sesa gjatë periudhës së luftës kundër pushtuesve osmanë. Lufta e Skënderbeut dhe e Huniadit kundër të njëjtit armik, krijoi lidhje të ngushta jo vetëm ndërmjet këtyre dy personaliteteve të shquara evropiane, por edhe një traditë miqësie e respekti të ndërsjelltë ndërmjet popujve të tyre. Lufta e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut ndikoi te popujt e Ballkanit që shpirtërisht të ndiheshin pranë njëri-tjetrit si kurrë ndonjëherë. Ajo i mbante të gjalla shpresat e ballkanasve për t`u çliruar nga zgjedha osmane, prandaj edhe sundimtari i fundit i Despotatit të Rashës qëndroi disa vjet në Krujë dhe u bë baxhanak me Skënderbeun. Për popujt e Ballkanit Heroi shqiptar u bë edhe si një hero popullor i tyre, prandaj ata do ta përkujtonin Skënderbeun nëpërmjet tregimeve e këngëve popullore dhe në shekujt që pasuan do t'i kushtonin figurës së tij një numër të madh veprash historike, letrare, artistike, në disa prej të cilave cilësohej me origjinë greke apo sllave, duke e paraqitur kështu si simbol të krenarisë së tyre kombëtare. Figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, mbeti ndër shekuj, jo vetëm te shqiptarët, por edhe te popujt e tjerë, si një simbol i luftëtarit të lirisë dhe u shërbente si burim frymëzimi në luftën e tyre për të mbrojtur e për të fituar lirinë dhe pavarësinë kombëtare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama