Qendrimi i shteteve ballkanike

Duke qenë se nuk mundën të gjenin aleatë të jashtëm në luftën e tyre kundër Perandorisë Osmane, krerët e kryengritjes së Kosovës u përpoqën të siguronin të paktën krahët nga sulmet e pritshme të armiqve të jashtëm. Për ta nuk qenë të panjohura synimet shoviniste të qarqeve politike të shteteve fqinje, që mund të shfrytëzonin luftën shqiptaro-osmane për plotësimin e qëllimeve të tyre. Megjithatë, krerët e kryengritjes u kërkuan autoriteteve shtetërore të vendeve fqinje ndihmë ushtarake, madje u bënë edhe propozime për aleancë.
Kështu, krerët e qëndresës së armatosur në Llap e në Shalë, sapo nisi kryengritja në muajin prill, kërkuan të mësonin nga konsulli i Serbisë në Prishtinë nëse Beogradi ishte i gatshëm t’i ndihmonte me armatime e municione dhe t’i strehonte në rast se do të ishin të detyruar të tërhiqeshin nga lufta kundër forcave osmane. Në përputhje me udhëzimet që kishte marrë nga ministri i Jashtëm Millovanoviç, konsulli Rakiq u tha shqiptarëve se në rast nevoje mund të gjenin strehim në Serbi, ndërsa kërkesën e tyre për armatime e kundërshtoi në mënyrë të prerë, me pretekstin se shqiptarët e kishin mbajtur të fshehtë nga Serbia përgatititjen e kryengritjes.
Qëndrimi negativ i qeverisë serbe ndaj kërkesave të shqiptarëve për ndihmë diktohej nga marrëdhëniet e mira që Serbia kishte në atë kohë me Turqinë, të cilat kushtëzoheshin nga interesat ekonomikë, politikë dhe ushtarakë të çastit. Kryengritja kundërosmane në Kosovë filloi në kohën kur mbreti Pjetër I, N. Pashiqi dhe Millovanoviçi, pas vizitës së tyre në Petrograd, shkuan edhe në Stamboll. Qeveritarët serbë shpresonin atëherë se do të mund të siguronin koncesionin e hekurudhës së Adriatikut.
Nga ana tjetër, Bullgaria bënte përpjekje të lidhej me qarqet politike shqiptare për ta përdorur luftën e tyre në të mirë të synimeve të veta. Për këtë qëllim qeveria bullgare dhe vetë mbreti Ferdinand mbanin lidhje me organizatat shqiptare dhe me disa nga krerët shqiptarë. Ndërkaq qarqet politike dhe shtypi i Sofjes ndiqnin me interesim kryengritjen shqiptare. Disa prej tyre i shikonin ngjarjet në Kosovë si fillim i fundit të sundimit osman dhe kërkonin të përfitohej nga gjendja e krijuar për të ndërhyrë në Maqedoni. Grupe të tjera politike bullgare, duke i vlerësuar ngjarjet në Shqipëri si kalimtare, kërkonin që Bullgaria të mbante qëndrim korrekt kundrejt Perandorisë Osmane. Megjithëkëtë, si qarqet oborrtare të Sofjes të kryesuara nga princi Ferdinand, ashtu edhe qeveria bullgare, duke menduar se kryengritja shqiptare do t’i jepte një goditje të fortë regjimit xhonturk, parashikonin të nxirrnin përfitime prej saj. Shtypi zyrtar bullgar shkruante pas fillimit të kryengritjes, se Bullgaria, si fqinjë e mirë e Turqisë, dëshironte që qeveria osmane të vendoste qetësinë e rregullin në viset e përfshira nga kryengritja, por në rast se kjo kryengritje merrte përmasa të mëdha dhe shndërrohej në një të keqe që mund të cenonte paqen në Ballkan e të sillte pasoja të rënda për bullgarët e Maqedonisë, atëherë qeveria bullgare nuk mund të rrinte duarkryq.
Përfaqësuesi diplomatik serb në Sofje u përpoq të bindte kreun e qeverisë bullgare, se ishte në interesin e shteteve ballkanike t’i liheshin Turqisë duart të lira për të shtypur kryengritjen shqiptare.
Shqetësimi se kryengritja shqiptare mund të shfrytëzohej nga Vjena, si pretekst për ndërhyrje në Ballkan, përbënte një arsye më shumë që Serbia të tregohej e rezervuar ndaj lëvizjes së armatosur në Kosovë. Këto zhvillime rrezikonin planet e saj të kahershme për ekspansionin drejt territoreve shqiptare. Synimet autonomiste të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e shtynin edhe më shumë qeverinë serbe që të kërkonte shtypjen e kryengritjes së Kosovës. Sendërtimi i tyre vlerësohej në Beograd si një pengesë shumë më e madhe për projektet e Serbisë, sesa pushteti i Perandorisë Osmane mbi trevat shqiptare. Fati i kësaj Perandorie tashmë ishte përcaktuar. Ajo po i afrohej me shpejtësi fundit të saj.
Millovanoviçi shprehu mendimin se ishte në interesin e Serbisë dhe të vendeve të tjera ballkanike që konflikti i armatosur i shqiptarëve me xhonturqit të ishte sa më i përgjakshëm, në mënyrë që të dyja palët të dobësoheshin sa më shumë. Sipas parashikimeve të tij, kështu do të arrihej qëllimi i dyfishtë: nga njëra anë, dobësimi i Perandorisë Osmane do ta lehtësonte luftën e ardhshme të Serbisë e të Bullgarisë kundër saj; nga ana tjetër, shqiptarët e mposhtur nga ushtria osmane do të arrinin në një gjendje të tillë sa të pranonin të viheshin nën Serbinë.
Diplomatët serbë ndiqnin me kënaqësi çarmatimin e shqiptarëve nga autoritetet ushtarake osmane. Përfaqësuesi i Beogradit në Stamboll e siguronte ministrin e Jashtëm të Perandorisë Osmane, se Serbia ishte e gatshme t’i bënte Turqisë shërbimet e nevojshme për t’ia lehtësuar mposhtjen e kryengritjes. Edhe Porta e Lartë e priti me kënaqësi gatishmërinë e Beogradit për të ndihmuar në qetësimin e Kosovës.
Pas rënies së Grykës së Kaçanikut, kur ushtria osmane filloi marshimin në drejtim të Carralevës, konsulli serb në Prishtinë mori udhëzime për t’i dhënë ekspeditës turke çdo përkrahje. Me porosinë e tij fshatarët e mësuesit serbë u vunë në shërbim të Turgut Pashës. Sipas udhëzimeve që morën nga oficerët e shtabit turk në Ferizaj, ata mblidhnin të dhëna për gjendjen, organizimin e vendndodhjen e forcave kryengritëse dhe përhapnin lajme të rreme rreth marshimit të forcave të mëdha osmane për të shkurajuar shqiptarët.
Në kundërshtim me premtimin që u kishte bërë shqiptarëve në fillim të kryengritjes, Serbia nuk pranoi t’i strehonte kryengritësit. Beogradi pranoi të strehonte në Serbi vetëm disa prej krerëve, si Hasan Hysen Budakovën, Zejnel Beun nga Gjilani, Shaqir Çavdarbashën nga Peja dhe bajraktarin e Ostrozubit, duke shpresuar se mund t’i përdorte në shërbim të politikës serbe. Qeveria serbe i ofroi strehim edhe Idriz Seferit, por ky nuk e pranoi dhe qëndroi në malet e krahinës së vet, në Karadak.
Ndryshe nga Serbia, Mali Zi, edhe pse nuk e përkrahu kryengritjen shqiptare, nuk mbajti qëndrim armiqësor kundrejt saj dhe u dha strehim kryengritësve.
Kryengritësit e anës veriperëndimore të Kosovës në fillim u vendosën në Bjeshkët e Namuna. Por mungesa e ushqimeve dhe fillimi i të ftohtit e bëri të pamundur qëndrimin e tyre të mëtejshëm në ato anë. Në këto rrethana, Isa Boletini, në emër të të gjithë krerëve të kryengritjes, kërkoi nga Cetina që t’i strehonte në Mal të Zi. Kjo kërkesë u pranua nga qeveria e Malit të Zi, e cila formoi një komision të posaçëm për strehimin e emigrantëve. Ata u vendosën në Cetinë, në Podgoricë, në Shpuzë, në Nikshiq dhe në Ulqin.
Por pas deklaratave të princ Nikollës për motivet humanitare që e shtynë të mbante këtë qëndrim, fshihej synimi i tij për të bërë për vete krerët shqiptarë, duke shpresuar se me ndihmën e tyre do të kënaqte lakmitë territoriale ndaj tokave shqiptare që shkonin deri në Mat e më gjerë, ndërsa populli malalez i priti miqësisht refugjatët e ardhur nga territoret shqiptare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama