Qendresa kunderosmane e viteve 1867-1873

Orvatjet që bënte herë pas here Porta e Lartë për të zbatuar Tanzimatin në zonat e panënshtruara të vendit, ku ruheshin venomet tradicionale ose për të vendosur taksa të reja, që rëndonin në mënyrë të veçantë popullsinë, shoqëroheshin me konflikte të njëpasnjëshme. Në vitet 1867-1868 Porta ndërmori ekspedita të reja kundër krahinave të Lumës dhe të Malësisë së Gjakovës. Por zaptiet (xhandarët) turq që vajtën për të nxjerrë taksa e rekrutë u pritën me pushkë dhe u dëbuan nga popullsia e udhëhequr nga krerët Binak Alia e Shaqir Curri. Një farë suksesi patën autoritetet turke në Mirditë pas vdekjes së Bibë Dodë pashës më 1868; ato larguan për në Stamboll trashëgimtarin e tij të mitur Prengën dhe vendosën një kajmekam nga gjiri i familjes së kapedanit të vdekur, si dhe dy batalione ushtarësh. Megjithatë, Porta nuk mundi ta thyente qëndresën e mirditasve, të cilët, duke kërkuar që kjo trashëgimi të respektohej sipas zakonit, e mbrojtën për një kohë të gjatë autonominë e tyre. Më 1873 atje shpërtheu kryengritja e disa muaj më vonë ajo u shtri edhe në Dukagjin. Ekspedita osmane shtypi egërsisht popullsinë, por duke mos mundur ta nënshtronte atë u detyrua të tërhiqej.
Në vitin 1869, shtypja e ushtruar nga organet e Portës shkaktoi revolta në qytetet Pejë, Gjakovë e Prizren. Lëvizja mori përpjesëtime të mëdha veçanërisht në Shkodër. Pakënaqësia e shkodranëve shpërtheu atëherë kur valiu vendosi tri taksa të reja, veçanërisht “karagjymrykun”. Tani fshatarët detyroheshin të paguanin 8 për qind të vleftës për çdo mall që çonin në qytet. Kjo taksë sillte shtrenjtimin e ndjeshëm të jetesës dhe dëmtonte veçanërisht shtresat e vegjëlisë. Me këtë rast borgjezia shkodrane paraqiti ankesat e vjetra kundër korrupsionit të valiut dhe të gjyqeve, si dhe kundër abuzimeve që bëheshin me monopolet shtetërore të kripës e të duhanit. Shkodranët dhanë kushtrimin dhe kërkuan ndihmën e malësorëve. Por autoritetet turke, duke nxitur fanatizmin fetar, ia dolën ta përçanin popullsinë qytetare dhe të largonin një pjesë të saj nga lufta. Megjithatë, malësorët i sulmuan forcat kryesore ushtarake që ishin përqendruar pranë qytetit në fushën e Shtojit, por pas një përleshjeje të ashpër me një armik më të madh në numër e të armatosur mirë, malësorët e pushuan zjarrin, duke lënë në fushën e luftës shumë të vrarë e të plagosur.
Po në vitin 1869 ndodhën turbullira në krahinën e Matit dhe në qytetin e Tiranës. Për shpërthimin e trazirave në Tiranë u bë shkak urdhri i qeverisë për të ndërtuar rrugën për në Durrës vetëm me shpenzimet e me punën e qytetarëve dhe të fshatarëve që ndodheshin buzë rrugës. Meqenëse paria feudale e qytetit e gjeti mënyrën për të shpëtuar nga çdo detyrim, e gjithë barra i mbeti vegjëlisë, e cila protestoi duke rrëmbyer armët, ndërsa zejtarët mbyllën dyqanet. Qëndresa nuk u ndërpre edhe pasi në përleshje me repartet ushtarake u vranë mjaft qytetarë dhe u internua një numër i madh udhëheqësish.
Më 1872 ushtria osmane që u dërgua në Dibër u thye me humbje mjaft të rënda. Të njëjtin fat patën orvatjet për të nënshtruar zonat malore të Kosovës në vitet 1872-1874. Në një letër të shkruar nga Prizreni në tetor 1873 thuhej se përballë ushtrisë së madhe turke, që po futej në Kosovë, shqiptarët nuk rrinin duarkryq. Ata, thuhej në letër, “dëshirojnë ta ndezin zjarrin dhe janë të vendosur të luftojnë e të qëndrojnë përballë ushtrisë turke pa marrë parasysh nëse do t’i ndihmojë ndokush ose jo. Ata kurrsesi nuk e pranojnë pushtetin turk dhe dëshirojnë të çlirohen nga ai”. Edhe në malësitë e Kosovës, ashtu si në malësitë e tjera të Shqipërisë së Veriut, autoritetet turke ushtronin një pushtet formal, duke e kufizuar veprimtarinë e tyre vetëm në qytetet dhe në afërsitë e tyre.
Megjithëse të kufizuara e shpeshherë spontane, këto konflikte ishin rrëke që çonin ujë në shtratin e lëvizjes së përgjithshme kombëtare dhe i jepnin peshë çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama