Pushimet shqiptare me shtrenjte se BE?

Pushimet shqiptare, me shtrenjte se BE?
Nëse i keni bërë apo doni t’i kaloni pushimet e verës në Shqipëri, sepse mendoni se nuk keni mjaftueshëm para, mund ta keni gabim. Nuk bëhet fjalë për ndonjë itinerar kufitar, si bregdeti i Malit të Zi, apo rrethinat tepër të qeta të Ohrit. Madje, nuk bëhet fjalë as për ndonjë udhëtim disi më të largët e ekzotik që mundësohet përmes ndonjë pakete të lirë turistike në Turqi. Po u referohemi vendeve të Bashkimit Europian dhe shërbimeve të standardeve të larta dhe me çmime të përfolura si tepër të shtrenjta. Dhe nëse pjesa e standardeve të larta është e vërtetë, niveli i çmimeve jo domosdoshmërisht është i tillë. Madje, në disa raste, çmimet mund të rezultojnë më të lira, krahasuar me ato që ofrohen në bregdetin shqiptar. Ndërsa, niveli i shërbimeve as që ka të krahasuar.

Për shembull, një dhomë modeste për dy persona në një hotel në Drimades dhe pa asnjë shërbim shtesë, kushton 30 euro më shtrenjtë se një dhomë hoteli serioz pranë qendrës së Barcelonës. Ekzagjerim? Krahasime të tilla mund të bëhen edhe me destinacione turistike në Portugali, siç është qyteti historik i Portos, apo me Berlinin, Selanikun etj. Gjithnjë krahasimi bëhet mes Eurozonës dhe Shqipërisë. Ndoshta, kjo mund të jetë një nga arsyet që ndonëse raportimet e turistëve në vend jepen me nota tejet optimiste nga institucionet qeveritare, në fakt, kush është kthyer nga pushimet brenda vendit, raporton se plazhet janë më bosh se një vit më parë dhe si rrjedhojë edhe vëllimi i punës në sektorin turistik është ulur ndjeshëm.

Eltoni: Pushime të shëmtuara në Himarë

Elton Hoxha, i cili është kthyer nga një javë pushime në Himarë me miqtë e tij, thotë për MAPO-n se nuk ka ndër mend të shkelë më atje për një kohë të gjatë. “Të paktën, derisa shërbimet të jenë përmirësuar, njerëzit që i ofrojnë ato të jenë bërë më njerëzorë dhe çmimet të përshtaten në mënyrë më të logjikshme”, thotë ai. Eltoni ka kaluar disda ditë në një dhomë që nuk i përkiste një hoteli të mirëfillë, por një vile, ku banonte edhe pronari me familjen dhe pagoi një shumë prej 8 mijë lekësh për një shomë dyshe. Ndërkohë u bë subjekt edhe i bezdisjes dhe kontrolleve të njëpasnjëshme të të zotit të bujtinës, i cili vazhdimisht gjente mënyra që të kontrollonte se mos ishte dëmtuar diçka nga orenditë e dhomës.

 “Në fillim menduam se ishte fati ynë i keq, por pastaj dëgjuam edhe histori për vilat përreth. Për shembull, kishte që nuk pranonin kosovarë edhe pse në një rast që dëshmuam, bëhej fjalë një çift pedagogësh nga Prishtina”, tregon ai, duke shtuar se kjo çështje binte disi era racizëm. Eltoni thotë se kishte edhe nga ata që nuk preferonin të strehonin familjarë me fëmijë nga frika se mos u prishej qetësia. “E gjitha kjo është shumë absurde”, vëren ai. Ndërkaq edhe shërbimet e tjera ishin në nivele të pakënaqshme. Në gjysmë-restorantet e zonës i shërbehej peshk i ngrirë rezervati me çmime që sfidonin ato të restoranteve për të qenë në kryeqytet. Më vonë, ai kishte lëvizur nga Himara në Dhërmi, por shtoi se situata nuk ishte më e mirë.

Elida: Durrësi, ndotje dhe çmime të larta

Por, problemi në raportin cilësi/çmim nuk është vetëm jugu i vendit. Durrësi, i cili deri në një farë mase, ende përfaqëson destinacion masiv për shumë pushues nga Shqipëria e Kosova, ndonëse mund të reflektojë çmime më të ulëta, sërish ka probleme të mëdha në industrinë e shërbimeve. Elida Kola, e cila një pjesë të mirë të stinës së verës e kalon në një apartament që e përdor për pushime në zoënën pranë Golemit, thotë për revistën se edhe supermarketet në zonën e plazhit, aplikojnë çmime shumë më të shtrenjta, për disa artikuj edhe dyfish të vlerës, krahasuar me ato në kryeqytet. “Shërbimet në restorante e hotele kanë shpesh nuk kanë tarifa fikse, pasi pushues të ndryshëm paguajnë çmime të ndryshme për të njëjtin shërbim. Ka dhe raste që turpërohemi vetëm duke i përmendur, kur kosovarëve u vendosen çmime më të shtrenjta se të tjerëve”, tregon ajo, duke shtuar se diçka e tillë e shqetëson seriozisht dhe për më tepër në familjen e saj kanë shumë miq nga Kosova. Nga ana tjetër, vetë çmimet e hoteleve në tërësi rezultojnë të larta. Kola tregon se në zonën pranë banesës së saj, ka hotele që mund të klasifikohen brenda kategorisë “normale” që ofrojnë dhoma me rreth 100 euro nata. “Diçka e tillë është e pakuptimtë sepse mjafton të shohësh përreth për të kuptuar se nuk ndodhesh në vendin më të mirë të imagjinueshëm për të pushuar: deti është i ndotur nga ujërat e zeza, rëra nuk është e pastër dhe anët e rrugëve janë plot plehra”, thekson ajo.

Në fakt, në zonën e plazhit të Durrësit janë të shumta lokalet që nuk kanë hapur as gropa septike dhe i derdhin të pëgërat drejt e në det. Institucionet shtetërore vënë gjoba dhe çështja mbetet aty për të gjithë sezonin, sepse aktiviteti vazhdon.

Një problem që mbetet ende pa zgjidhje është derdhja e ujërave të zeza në det nga lokalet apo banesat, në mënyrë direkte apo indirekte. Në disa raste ekzistojnë kanalizime të mirëfillta që shkarkojnë ujërat e zeza në ambientet ku pushuesit bëjnë banjë. Në raste të tjera, këto ujëra mblidhen në gropa të mëdha septike, të cilat si pasojë mungesës së njëizolimi të përshtatshëm dhe përbërjes ranore të tokës, bëjnë që ujërat të shkarkohen përsëri në det.

Elida Kola tregon se po bëhen pesë vjet që banorët dëgjojnë për ndërtimin e një kolektori, por diçka e tillë nuk duket se ka gjasa të materializohet së afërmi. “Ndërkohë, njerëzit këtu ndodhen në kushtet e një emergjence të higjenës, por kjo as ka ulur çmimet e as ka përmirësuar disi shërbimet. Të paktën të kishte një qajse më të njerëzishme ndaj pushuesve që vijnë këtu”, thekson ajo. Kola tregon se këtë vit edhe pushuesit nga Kosova – të cilët tashmë i janë larguar vendit për shkak të fillimit të muajit të ramazanit – kanë qenë shumë më të pakët në numër në Durrës.

Një pjesë prej tyre, këtë vit u janë drejtuar jugut të Shqipërisë. “Kjo është shenjë se diçka duhet të ndryshojë në mënyrën sesi bëhet biznes me pushuesit, ose një ditë nuk do të ketë më të tillë dhe për ata që ofrojnë këto shërbime nuk do të ketë as mundësi për të bërë biznes”, vëren ajo.

“Welcome in EU !”

Kjo frazë përshëndetëse vlen vetëm për ata që kanë mundësi të pajisen me vizë. Sepse për pushimet në Europë, nuk mjaftojnë vetëm paratë, por edhe një procedurë, shpesh e mundimshme, e aplikimit për vizë turistike nëpër ambasada. Një tjetër problem janë tarfiat e larta të udhëtimit, por nëse fluturimet pronetohen kohë më parë në internet, gjasat janë të larta që për udhëtimet brenda Europës, të sigurohen bileta të lira, në disa raste edhe shumë të lira.

Revista kontaktoi disa të rinj që në mënyrë të organizuar kishin shëtitur në disa vende të Bashkimit Europian, për të gjetur se cilësia dhe çmimet e një sërë shërbimesh, si akomodim, shërbim në restorant, madje edhe festat në klubet e natës, shpesh rezultonin shumë më konkurruese sesa ato në Shqipëri.

Stivi: Barcelona, hotele të lira por ushqim i keq

Stivi, një prej të rinjve që përmes programit “Travel to Europe”, ka udhëtuar në një sërë vendesh, tregon se për një dhomë dyshe që morën në një hotel pranë qendrës së Barcelonës, paguan 50 euro. “Hoteli ishte shumë serioz dhe ofronte të gjitha shërbimet e pritshme; sigurisht edhe mëngjesin e përfshirë në çmimin fillestar, ndërsa kur u ktheva në Shqipëri kalova një fundjavë në Drimades, ku për një dhomë dyshe paguam 80 euro”, tregon ai. Gjithashtu, Stivi thotë se përsa i përket ushqimit, cilësia linte për të dëshiruar, por gjithçka tjetër ishte në maksimum. Lidhur me cilësinë e shërbimeve në jug të vendit ai thotë: “Është e vërtetë që janë kryer investime në industrinë e shërbimeve, në disa raste edhe sipas standardeve europiane, por ata kanë arritur të importojnë vetëm materialet, jo mentalitetin”.

Besa: Porto merr notën 10!

Ndërsa Besa, e cila udhëtoi në Portugali, tregon se jo vetëm çmimi i akomodimit në hotele me kushte shumë të mira, ishte i lirë – rreth 20 euro për person – por edhe çmimet në restorante, ishin gjithashtu shumë të lira. “Vakti më ishtrenjtë që kam ngrënë kushtoi diçka më shumë se 7 euro për person dhe ne porositëm vërtet shumë, përfshi këtu edhe verën”, thotë ajo. Për më tepër, në qytetin e Portos, ku ajo kaloi disa ditë, organizoheshin fsta të ndryshme për të rinj me çmime të lira. “Në një festë, për shembull, për 3 euro e gjysmë merrje një litër e gjysmë rum dhe kola, në një enë që ngjasonte me një kovë”, tregon Besa. Ajo qëndroi dy ditë edhe në Berlin dhe thotë se çmimet atje ishin disi më të shtrenjta se në Portugali, por gjithsesi, të përballueshme.

Henriku: Ishujt grekë, qejf me çmime të lira

Rast interesant është edhe ai i Greqisë, ku pavarësisht krizës së thellë ekonomike, çmimet në sektorin e turizmit nuk kanë shënuar ndonjë ulje të ndjeshme.

Në grupin e Ishujve Cikladikë, një nga zonat më të preferuara dhe me më shumë popullim turistësh në Greqi, çmimet rezultojnë të pranueshme. Henriku, i cili kaloi rreth një javë pushime atje, thotë se hotelet kushtonin në një mesatare prej rreth 40 eurosh nata për dy persona, ndërsa një vakt i bollshëm në restorante të mira, kushtonte rreth 15 euro deri në 20 euro për person, në varësi të llojit të ushqimit.

E gjithë kjo tablo krahasuese brenda dhe jashtë vendit, përveç diferencës cilësi/çmim flet edhe për një rrezik të afërt që i kanoset turizmit vendas, kur shqiptarët mund të mos kenë më nevojë për viza për të udhëtuar në Europë dhe ndoshta do të marrin përsipër të paguajnë disa euro më shumë, për të marrë mbrapsht një nivel shumë më të lartë shërbim

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama