Punishtet manifakturore dhe fabrikat e para

Zhvillimi i ekonomisë monetare dhe shthurja e disiplinës esnafore i dhanë një shtytje shtimit të prodhimit të punishteve zejtare. Ky proces pushtoi sidomos punishtet zejtare të këpucëve, të opingave, të lëkurëve, të shajakëve, të qilimave, të armëve, të argjendarisë, të qëndistarisë etj. Rreth mesit të shek. XIX në Shkodër, Prizren, Berat, Elbasan, Korçë e gjetkë kishte mjaft punishte ku punonin 5 deri 10 krahë pune, madje në disa prej tyre deri në 15 krahë pune. Në këto punishte procesi i prodhimit vijoi të kryhej, si edhe më parë, me po ato vegla dore, por tani mori një përmbajtje të re social-ekonomike. Si trajtimi i krahëve të punës, ashtu dhe shitja e prodhimeve të tyre, nuk vareshin më nga disiplina esnafore, por nga ligjet e tregut të lirë. Kallfa dhe çiraku i djeshëm u kthyen në një shitës të “lirë” të krahut të tyre të punës, kurse mjeshtri zejtar në një pronar i plotë i mjeteve të prodhimit. Si rrjedhim, pas viteve 40 në gjirin e punishteve të mëdha zejtare filluan të lindnin, ku më parë e ku më pas, elementet e para të marrëdhënieve të ekonomisë së tregut.
Por në punishtet e mëdha zejtare të kësaj periudhe mbeti për disa kohë në fuqi ndarja e mëparshme e punës. Procesi i kooperimit të thjeshtë hyri me vështirësi në gjirin e tyre. Megjithatë, nën nxitjen e konkurrencës së lirë, që u zhvillua gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX, qoftë midis prodhimeve të zejtarëve lokalë, qoftë midis tyre dhe prodhimeve evropiane, nga radhët e borgjezisë tregtare dolën nisma për të ngritur punishte manifakturore me një bazë teknike më të përparuar se ajo e punishteve zejtare. Filluan të duken makineritë e para të sjella nga jashtë për punimin e lëndës së parë vendase. Nga vitet 70 të shek. XIX lindën elementet e para të industrisë me motor, u ngritën ndërmarrjet industriale të mekanizuara (fabrikat), që punonin me fuqi motorike. Por këto ndërmarrje kishin më shumë pamjen e punishteve të zgjeruara me disa makina. Të tilla qenë për shembull flandrat për përpunimin dhe endjen e mëndafshit, që tregtari shkodran Filip Parruca solli qysh në vitin 1860 nga Italia, filatura mekanike me avull që sollën nga jashtë afërsisht në atë kohë vëllezërit Bianki në Shkodër, makinat e dorës për përpunimin e gajtanëve ose çarqet për prodhimin e shiritave, që disa pronarë punishtesh sollën gjithashtu nga jashtë pak vite më vonë. Por ndërmarrjet më të rëndësishme të industrisë në Shkodër ishin fabrika e sapunit (e ndërtuar nga Stefan Bianki dhe Engjëll Çoba, e cila prodhonte afër 180 tonë sapun në vit), fabrika e makaronave, ajo e brezave, e tisazhit, e cigareve (ku punonin mbi 100 punëtore), fabrika e tullave, mullinjtë e blojes me fuqi motorike, shtypshkronja, fabrika e uthullës dhe e verës, një kantier i vogël për ndërtimin e riparimin e barkave, furra moderne Hofman etj. Në Ulqin ishin ngritur kantieret e ndërtimit të anijeve, në njërin prej të cilëve punonin deri në 50 punëtorë.
Në qendrat e tjera të vendit lindën gjithashtu ndërmarrjet e para industriale për përpunimin e artikujve të konsumit, si fabrika mielli, vaji, sapuni, të pëlhurave, të cigareve, të lëkurës, të tisazhit etj. Më 1870 u ndërtuan në Korçë dy furra moderne për prodhimin e gëlqeres, një mulli drithi me kapacitet bluarjeje 150 kv në 24 orë, një fabrikë miellit etj. Në fundin e shek. XIX u ndërtuan në Prishtinë dy fabrika mielli dhe disa mullinj me motorë, ndërsa në viset e tjera të vilajetit të Kosovës u ngritën një fabrikë sapuni, një sharrë mekanike për përpunimin e drurit (me kapital shqiptaro-gjerman), fabrika e birrës, e miellit, e tullave dhe e tjegullave; në Tetovë ishte ngritur fabrika e gajtanit, 15 punishte për prodhimin e pëlhurave dhe fabrika e miellit (e ndërtuar nga një firmë hungareze); në Prizren dhe në Plevlje kishte dy fabrika të tjera gajtani. Në Durrës ishte ngritur një sharrë mekanike (që i përkiste një shoqërie franceze) dhe disa mullinj me fuqi motorike; në Vlorë ishte ngritur industria nxjerrëse e bitumit të Selenicës, kriporja, një poçeri (ku punonin më shumë se 100 punëtorë), disa fabrika të kohës për prodhimin e vajit; në Elbasan ishin ndërtuar dy presa moderne dhe një makinë hidraulike për prodhimin e vajit, një fabrikë sapuni, fabrika e duhanit dhe ajo e miellit; në Gjirokastër ishte ngritur fabrika e përpunimit të lëkurës; në Kavajë kishte kripore, punishte të qeramikës, dy mullinj me fuqi motorike; në Prevezë u ngrit një fabrikë sapuni etj.
Gjatë kësaj periudhe u dukën edhe investimet e huaja, të cilat u kufizuan vetëm në sferën e shfrytëzimit të minierave dhe të pyjeve. Qysh më 1875 Shoqëria angleze “Mejers” (Mayers) mori për shfrytëzim minierat e serës në Selenicë; më pas (më 1891) këtë koncesion e mori nga Shoqëria “Mejers”, një shoqëri frënge, e formuar në Paris posaçërisht për shfrytëzimin e kësaj miniere (Société des bitumes de Selenitza). Më 1904 Shoqëria italiane “Firpo e Berberis” mori për shfrytëzim pyjet e Thumanës afër Durrësit dhe solli këtu sharra mekanike moderne. Më 1910 Shoqëria tjetër italiane “Vismara” filloi, gjithashtu, me anën e sharrave moderne shfrytëzimin e pyjeve të Mirditës. Në vitet e fundit të sundimit osman u ngritën nga investitorë të huaj një fabrikë makaronash në Shkodër, një fabrikë vaji në Vlorë etj.
Ngritja e fabrikave, sado që u krye me ritme të ngadalshme, tregonte se Shqipëria kishte hyrë në rrugën e lindjes së ndërmarrjeve kapitaliste. Megjithëse me një teknikë më të përparuar, të gjitha këto fabrika kishin pa përjashtim një kapacitet të vogël prodhimi dhe secila kishte një numër të kufizuar punëtorësh, madje disa prej tyre më pak se punishtet e mëdha zejtare. Pesha e prodhimit të tyre industrial, së bashku me atë të punishteve manifakturore, zinte një vend fare të parëndësishëm kundrejt prodhimit që dilte nga duart e zejtarëve të vegjël, të cilët mbushnin si edhe më parë tregjet lokale të vendit. Veç kësaj, megjithëse borgjezia reshpere zotëronte fonde monetare të mëdha dhe ndonëse kishte një treg të lirë krahësh pune, as fabrikat e reja, as punishtet manifakturore nuk e rritën më tej prodhimin dhe nuk u kthyen në industri moderne. Për më tepër, disa prej tyre e pushuan pas disa kohësh veprimtarinë ekonomike. Arsyeja kryesore e zhvillimit shumë të ulët të prodhimit industrial kapitalist në Shqipëri qe varfërimi me ritme shumë të shpejta që i shkaktuan tregut të brendshëm, nga njëra anë sistemi fiskal parazitar i sunduesit osman, nga ana tjetër vërshimi i pandalshëm i mallrave të huaja të vendeve të zhvilluara të Evropës.
Çdo vit me miliona groshë mblidheshin në formë taksash nga Shqipëria dhe merrnin rrugën e Stambollit, ndërsa në vend shpenzoheshin shuma tepër të pakëta vetëm për mbajtjen e administratës shtetërore. Kështu, për shembull, në vitin 1888, sipas të dhënave të salnamesë osmane për vilajetin e Manastirit, nga tre sanxhakët shqiptarë të këtij vilajeti (sanxhakët e Korçës, të Elbasanit dhe të Dibrës) shuma e taksave të vjela ishte 13,8 milionë groshë, kurse pjesa e shpenzuar në vend vetëm 3,7 milionë groshë. Po kështu ndodhte edhe në viset e tjera. Sipas salnamesë turke për vilajetin e Janinës, në vitin 1900 në sanxhakët e Gjirokastrës, të Beratit e të Prevezës u grumbulluan atë vit 16,4 milionë groshë dhe u shpenzuan në vend vetëm 2,7 milionë groshë. Kjo grabitje e vazhdueshme, e cila bëhej në kurriz të shtresave të gjera të popullsisë, që ishin pothuajse të vetmit kontribuesë të buxhetit turk dhe konsumatorë kryesorë të prodhimeve industriale, solli si pasojë dobësimin e vazhdueshëm të tregut të brendshëm shqiptar.
Faktori tjetër që shpuri në dobësimin e tregut të brendshëm shqiptar ishte konkurrenca e mallrave evropiane, të cilat në bazë të kapitulacioneve hynin në Shqipëri me një tagër tepër të ulët doganor. Si rrjedhim i këtyre faktorëve, prodhimi i punishteve zejtare e manifakturore lokale, duke mos qenë në gjendje t’i bënte ballë konkurrencës së prodhimeve industriale të huaja, hyri në një krizë të rëndë, e cila e çoi në një rënie të vazhdueshme. Goditjen e parë e pësuan prodhimet e tekstileve, siç qenë tekstilet e linjta, të leshta dhe të mëndafshta. Me vërshimin e mallrave të huaja, eksportimi i këtyre prodhimeve nga Shqipëria u ndërpre, madje këto prodhime filluan të mos gjenin treg as brenda vendit. Si pasojë, filandrat dhe makineritë, që u sollën në vitet 60-80 në Shkodër, në Korçë e në Berat për prodhimin e tekstileve të leshta e të mëndafshta filluan të mbylleshin njëra pas tjetrës. Në fillim të shek. XX jetonte ende prodhimi i vogël i grave shtëpiake (shajaku në Korçë e në Berat, mëndafshi në Tiranë e në Shkodër), por edhe këtu ky prodhim ishte në rënie të plotë. Për të njëjtat arsye, rënia që ishte shfaqur qysh më parë në prodhimin e armëve të zjarrit (pushkë, kobure, fishekë) tani u thellua më tej. Pas mesit të shek. XIX zejtarët armëtarë, që mbushnin ende pazaret e Shkodrës, të Prizrenit dhe të Elbasanit nuk i prodhonin më të gjitha pjesët e armëve. Disa prej tyre, siç qenë për shembull tytat e pushkëve e të kobureve, filluan t’i sillnin nga jashtë. Por edhe kjo nuk vijoi gjatë. Me vërshimin në Shqipëri të armëve martina, më të lira dhe më moderne, prodhimi vendas i pushkëve e i kobureve, me gjithë traditat e lashta, ra përfundimisht, derisa u zhduk fare gjatë çerekut të fundit të shek. XIX. Gjatë kësaj periudhe filloi të binte edhe zejtaria e tabakëve, e cila gjithashtu nuk qe më në gjendje t’i konkurronte nga çmimi lëkurët e regjura në fabrikat moderne evropiane. Këtë fat pësuan edhe degë të tjera, siç qenë zejtaritë e argjendarëve, të remtarëve, të drugdhendësve etj.
Nga ana tjetër, me vërshimin e mallrave të huaja dhe me rrënimin e punishteve të vendit, u përmbys raporti që ekzistonte më parë në bilancin e tregtisë së jashtme të viseve shqiptare. Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX vëllimi i mallrave të importuara nga tregjet evropiane erdhi duke u rritur. Në listat e tyre tani bënin pjesë edhe artikuj të cilët më parë prodhoheshin nga zejtarët shqiptarë, madje edhe artikuj të cilët më parë figuronin në listat e mallrave që eksportonte Shqipëria (fije mëndafshi, fije pambuku, stofra të leshta, pëlhura mëndafshi, enë shtëpiake, lëkurë të punuara, shuall e këpucë, armë e barut, brava e gozhdë, feste e breza, kazma e lopata etj.). Për më tepër, në listën e mallrave që tani eksportoheshin nuk figuronin më si dikur artikuj të përpunuar dhe aq më pak mallra të gatshme, por vetëm bagëti të imëta e të trasha, shumë pak prodhime bujqësore dhe kryesisht lëndë të para në gjendje natyrore (lesh, lëkurë, duhan, ullinj, dyllë i papunuar etj.). Diferenca midis importimeve dhe eksportimeve erdhi kështu vazhdimisht duke u rritur. Në fund të shek. XIX vlefta e mallrave të importuara nga skelat bregdetare ishte tri herë më e madhe se ajo e mallrave të eksportuara (më 1898 nga skelat e Shqipërisë u importuan mallra me një vleftë prej 34 milionë franga ari, kurse vlefta e mallrave të eksportuara ishte rreth 12 milionë franga ari). Ky deficit i theksuar që vazhdoi me dhjetëra vjet e varfëroi edhe më shumë pasurinë monetare të vendit. Shterrimin e plotë të kësaj pasurie e frenuan deri në një farë shkalle vetëm dërgesat periodike valutore të kurbetlinjve (emigrantëve) shqiptarë, që punonin në vise të huaja dhe që i kishin lënë familjet në Shqipëri.
Karakteri parazitar i administratës osmane dhe konkurrenca tregtare e shteteve evropiane, duke varfëruar sistematikisht pasurinë monetare vendase, e dobësuan thellësisht fuqinë blerëse të masave popullore dhe krijuan kështu një situatë mbytëse për zhvillimin e industrisë kombëtare shqiptare. Për këtë arsye trojet shqiptare mbetën deri në fund të sundimit osman pa asnjë industri të zhvilluar.
Më 1912 në trojet e trungut etnik shqiptar kishte, përveç punishteve manifakturore, shumë pak fabrika të vogla me motorë:

Mullinj drithi ……………………. 26 njësi
Fabrika vaji ……………………... 4 “
Fabrika sapuni ………………….. 2 “
Fabrika lëkurësh ………………... 2 “
Fabrikë tisazhi ………………….. 1 “
Fabrika cigaresh ………………... 2 “
Fabrikë makaronash ……………. 1 “
Shtypshkronja …………………... 5 “
Sharra mekanike ………………... 7 “
50 “

Të gjitha këto fabrika kishin pa përjashtim një kapacitet shumë të kufizuar prodhimi. Numri i punëtorëve të këtyre njësive ishte gjithashtu fare i vogël. Në secilën prej tyre punonin 3-15 punëtorë dhe fare rrallë mbi 16 punëtorë, kurse numri i tyre i përgjithshëm llogaritej në disa qindra punëtorë. Si përfundim, marrëdhëniet karakteristike për ekonominë e tregut në u dukën Shqipëri jo aq në rritjen e ndërmarrjeve moderne kapitaliste, por kryesisht në veprimin e ligjeve të ekonomisë së tregut.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama