Pjesa e I Organizimi dhe funksionimi i Kuvendit (5)

Neni 57
Votimi
 
1.Votimi është vetjak.
2. E drejta e votës nuk delegohet.
3. Votimi bëhet i hapur ose i fshehtë.
4. Me fillimin e votimit nuk lejohet të bëhen më diskutime dhe as i jepet fjala ndokujt deri në shpalljen e rezultatit të votimit. Votimi nuk ndërpritet për asnjë arsye.
 
Neni 58
Votimi i hapur
 
 
1. Votimi i hapur bëhet me ngritjen e dorës ose nëpërmjet mjeteve elektronike.
2. Votimi bëhet përherë i hapur në rastet e miratimit të programit politik dhe të përbërjes së Këshillit të Ministrave, të shqyrtimit të dekretit të Presidentit të Republikës për emërim dhe shkarkim ministri, të votimit të Buxhetit të Shtetit ose të projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të.
 
Neni 59
Votimi nominal
 
 
1. Votimi nominal mund të kërkohet nga të paktën 7 deputetë dhe vendoset me votim nga Kuvendi. Kërkesa për votim nominal duhet të formulohet në kohën që drejtuesi i seancës mbyll diskutimet, deklaron se do të kalohet në votim dhe përpara se të ketë ftuar deputetët të votojnë me ngritjen e dorës ose nëpërmjet mjeteve elektronike.
2. Në votimin nominal drejtuesi i seancës ose sekretari i caktuar prej tij thërret deputetët sipas rendit alfabetik të mbiemrit të tyre dhe ata përgjigjen me zë të lartë pro, kundër ose abstenim.
3. Në rastin e mocionit të besimit ose të mocionit të mosbesimit votimi në Kuvend bëhet kurdoherë nominal.
4. Në rastin e votimit nominal, lista e deputetëve votues me shënimin e votës pro, kundër ose abstenim të secilit deputet, publikohet së bashku me materialet e seancës plenare.
 
Neni 60
Votimi i fshehtë
 
 
1. Votimi i fshehtë bëhet për çështje që kanë të bëjnë me personat.
2. Votimi i fshehtë, përveç rasteve kur nuk lejohet të kryhet sipas Kushtetutës, ligjit ose kësaj Rregulloreje, mund të kërkohet nga të paktën 7 deputetë dhe vendoset me votim nga Kuvendi. Kërkesa për votim të fshehtë duhet të formulohet në kohën që drejtuesi i seancës mbyll diskutimet, deklaron se do të kalohet në votim dhe përpara se të ketë ftuar deputetët të votojnë me ngritjen e dorës ose nëpërmjet mjeteve elektronike.
3. Votimi i fshehtë bëhet duke hedhur në kutinë e votimit fletën e votimit ose në mënyrë elektronike.
4. Fleta e votimit të fshehtë duhet të përmbajë të paktën objektin e votimit dhe alternativat e votimit pro, kundër dhe abstenim. Në fletën e votimit deputeti shënon me një shenjë të dallueshme dhe të qartë për zgjedhjen e bërë në alternativën për të cilën është dakord. Në rast se fleta e votimit përmban më shumë se një kandidat, përbri emrave të tyre vendoset një kuadrat, në të cilën deputeti duhet të vendosë shenjën për zgjedhjen e bërë.
 
Neni 61
Përsëritja dhe shpallja e rezultatit të votimit
 

1. Çdo votim i kryer në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin ose Rregulloren e Kuvendit është i pavlefshëm. Drejtuesi i seancës, pasi merr mendimin e Sekretariatit për Procedurat dhe Votimet, urdhëron anulimin e votimit dhe përsëritjen menjëherë të tij.
2. Rezultati i votimit në seancë plenare shpallet nga drejtuesi i seancës, duke përdorur togfjalëshin “Miratohet nga Kuvendi” ose “Nuk miratohet nga Kuvendi”.
 
KREU IX
RREGULLI DHE SJELLJA NË KUVEND

Neni 62
Rregulli dhe sjellja në Kuvend
 
Anëtarët e Kuvendit nuk duhet të ndërpresin fjalën e drejtuesit të seancës plenare ose të diskutuesve të tjerë, të përdorin gjuhë ofenduese dhe joparlamentare në Kuvend, të ndërmarrin sulme personale apo veprime ndaj ndonjë deputeti, të përhapin informacione që cenojnë jetën private të cilitdo, të sillen në mënyrë të padenjë ose të shkaktojnë rrëmujë në mjediset e Kuvendit.
 
Neni 63
Masat disiplinore

Masat disiplinore që zbatohen ndaj deputetëve janë:
a) tërheqje vëmendjeje;
b) vërejtje;
c) përjashtim nga seanca plenare;
ç) përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare deri në 15 ditë.

Neni 64
Masa disiplinore e tërheqjes së vëmendjes dhe vërejtjes
 
 
1. Kur deputeti thotë fjalë të pahijshme, pengon me sjelljen e tij zhvillimin e seancës plenare ose cenon rregullin e saj, i tërhiqet vëmendja nga drejtuesi i seancës plenare.
2. Në rast se deputeti, ndaj të cilit është zbatuar masa disiplinore e parashikuar në pikën 1 të këtij neni, kërkon të japë shpjegime për veprimet e tij ose gjuhën e përdorur, fjala i jepet në përfundim të seancës plenare të asaj dite për jo më shumë se 2 minuta.
3. Kur deputeti e përsërit shkeljen në të njëjtën seancë plenare, pasi i është tërhequr një herë më parë vëmendja, ose deputeti që cenon seriozisht rendin në seancë plenare i jepet vërejtje nga drejtuesi i seancës. Masa disiplinore e vërejtjes jepet nga drejtuesi i seancës për deputetin që përdor për votim kartën e votimit të një deputeti tjetër. Vërejtja regjistrohet në procesverbalin e përmbledhur të seancës plenare dhe bëhet publike.
4. Në rast se shprehjet ose fyerjet e bëra nga deputeti në seancë plenare tërhiqen prej tij në po të njëjtën seancë dhe deputeti kërkon publikisht ndjesë për sjelljen e tij, masa disiplinore e dhënë në zbatim të pikës 3 të këtij neni anulohet nga drejtuesi i seancës.
 
Neni 65
Masat disiplinore më të rënda
 
 
1. Kur deputeti përdor fjalë fyese ose cenon personalitetin e drejtuesit të seancës apo vazhdon të kryejë shkeljen, pasi më parë në të njëjtën seancë janë zbatuar masat disiplinore, sipas nenit 64 të kësaj Rregulloreje, me urdhër të drejtuesit të seancës, përjashtohet nga seanca plenare për atë ditë. Në rast se deputeti s’pranon të dalë nga salla, drejtuesi i seancës e ndërpret atë dhe i jep porositë e nevojshme Shërbimit të Sigurisë në Kuvend për zbatimin e urdhrit të dhënë.
Masa displinore e përjashtimit nga seanca plenare shoqërohet me sanksion financiar të barabartë me një ditë nga paga e deputetit.
2. Kur deputeti bën thirrje për përdorim dhune, provokon rrëmujë në seancë që pengon zhvillimin e saj të rregullt, fyen ose kërcënon deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave ose përdor fjalë fyese për Presidentin e Republikës apo institucione të tjera shtetërore ndalohet të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione nga 2 deri në 15 ditë.
Ndalimi i pjesëmarrjes vendoset nga Byroja e Kuvendit me propozimin e drejtuesit të seancës ose propozimit me shkrim të jo më pak se 7 deputetëve.
Masa displinore e ndalimit të pjesëmarrjes në seancë plenare dhe në komisione shoqërohet me sanksion financiar të mbajtjes së pagës së deputetit për aq ditë sa është marrë masa disiplinore.
Në rast se deputeti përpiqet të hyjë në sallën e seancës plenare ose të komisioneve përpara mbarimit të kësaj mase ndërshkimore, afati i masës dyfishohet.
3. Për ngjarje tepër të rënda që ndodhin jashtë sallës ku zhvillohen punimet e Kuvendit, por brenda mjediseve të tij, Kryetari i Kuvendit merr masën disiplinore të parashikuar në pikën 2 të këtij neni.
 
Neni 66
Pezullimi dhe mbyllja e seancës plenare
 
 
Në rast se në sallë bëhet rrëmujë dhe nuk merren parasysh kërkesat e drejtuesit të seancës për mbajtjen e rregullit, drejtuesi i seancës lë vendin e tij dhe seanca plenare quhet e ndërprerë. Në rast se përsëri rrëmuja vazhdon, drejtuesi i seancës e pezullon seancën për një periudhë kohe të caktuar ose e mbyll atë. Në rast të mbylljes së seancës, Kuvendi mblidhet me të njëjtin rend dite të nesërmen, nëse nuk është ditë pushimi.
 
Neni 67
Paraqitja në seancë plenare dhe në komisione
 
 
Deputetët, gjatë zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve dhe të seancës plenare, paraqiten me veshje zyrtare dhe nuk duhet të përdorin telefonat e lëvizshëm.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama