Pjesa e I Organizimi dhe funksionimi i Kuvendit (4)

Neni 40
Veprimtaria parlamentare
 
1. Deputetët janë në veprimtari parlamentare kur ata marrin pjesë në seancë plenare dhe në mbledhjet e komisioneve ose të këshillave; kur marrin pjesë në veprimtari parlamentare brenda ose jashtë vendit, duke njoftuar më parë sekretarinë e Kuvendit, si dhe kur janë në mbledhjet e grupeve parlamentare ose në grupe të ndryshme pune të ngritura nga Kuvendi ose nga komisionet e Kuvendit. Procedurat dhe kriteret për vlerësimin e pjesëmarrjes së deputetëve në veprimtarinë parlamentare përcaktohen nga Byroja e Kuvendit.
2. Anëtarët e komisionit duhet të marrin pjesë rregullisht në mbledhjet e komisionit. Kur një anëtar i tij mungon pa shkaqe të arsyeshme për më shumë se tri mbledhje rresht gjatë një sesioni, komisioni mund të vendosë që kryetari i komisionit t’i kërkojë, në seancë plenare, grupit parlamentar përkatës zëvendësimin e anëtarit të komisionit.
3. Anëtarët e Kuvendit, gjatë veprimtarisë së tyre, zbatojnë Kodin e Sjelljes.
 
Neni 41
Aktivizimi i specialistëve të jashtëm
 
 
Komisionet ose këshillat, në përputhje me vendimin e Byrosë së Kuvendit, për realizimin e detyrave të tyre mund të aktivizojnë specialistë të fushave të ndryshme.
 
KREU VII
ZHVILLIMI I SEANCAVE PLENARE
 
Neni 42
Sesionet e punimeve të Kuvendit
 
 
1. Kuvendi i zhvillon punimet vjetore në dy sesione. Sesioni i parë i punimeve të Kuvendit fillon të hënën e tretë të janarit, ndërsa sesioni i dytë të hënën e parë të shtatorit. Data e mbarimit të sesionit dhe ora e fillimit të sesionit të ri të punimeve të Kuvendit njoftohen nga Kryetari i Kuvendit.
2. Kuvendi thirret në sesion të jashtëzakonshëm me kërkesë të motivuar me shkrim të Presidentit të Republikës, të Kryeministrit ose të paktën një të pestës së të gjithë deputetëve. Kryetari thërret mbledhjen e Kuvendit jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e kërkesës, mbi bazën e një rendi dite të mbledhjeve të komisioneve dhe të seancës plenare të përcaktuar prej tij.

Neni 43
Publiciteti i seancave plenare
 
1. Seancat plenare të Kuvendit bëhen të hapura, me përjashtim të rastit kur Kuvendi vendos ndryshe.
2. Kërkesën për të zhvilluar seancë plenare të mbyllur mund ta bëjë Presidenti i Republikës, Kryeministri ose të paktën një e pesta e të gjithë deputetëve, duke e motivuar atë. Pas dëgjimit të kërkesës dhe diskutimeve rreth saj, vendoset me votim të hapur me shumicën e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Kur vendoset zhvillimi i seancës plenare të mbyllur, drejtuesi i seancës u kërkon personave të ftuar, medias dhe personave nga publiku të largohen nga salla.
3. Nuk mund të zhvillohen seanca plenare të mbyllura gjatë shqyrtimit të Buxhetit të Shtetit ose projektligjeve financiare që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të.
 
Neni 44
Fillimi i seancës plenare
 
 
1. Kryetari i Kuvendit ose Zëvendëskryetari i autorizuar prej tij, sipas nenit 9 të kësaj Rregulloreje, hap dhe mbyll seancën plenare të Kuvendit.
2. Seanca plenare fillon me miratimin e procesverbalit të seancës së mëparshme. Kur nuk ka vërejtje për tekstin, ai quhet i miratuar dhe, nëse kërkohet, ai votohet me ngritjen e dorës. Për procesverbalin fjala u jepet vetëm deputetëve që kërkojnë të propozojnë korrigjim ose të saktësojnë mendimin e tyre të shprehur në seancën paraardhëse për jo më shumë se 2 minuta. Procesverbalet, pas pranimit, nënshkruhen nga Kryetari i Kuvendit dhe Sekretari që drejton Sekretariatin për Procedurat dhe Votimet, bëhen publike dhe ruhen në Arkivin e Dokumentacionit Parlamentar.
3. Në fillim të seancës plenare, drejtuesi i saj ose një prej anëtarëve të Sekretariatit për Procedurat dhe Votimet i caktuar prej tij, njofton projektligjet e depozituara në Kuvend, mesazhet dhe peticionet drejtuar Kuvendit, si dhe urdhrat dhe udhëzimet e Kryetarit ose vendimet e Byrosë së Kuvendit. Nuk njoftohen peticionet anonime dhe ato që kanë përmbajtje të kundërligjshme.
 
Neni 45
Çështje që s’janë në rendin e ditës
 
Para fillimit të rendit të ditës çdo deputet mund të diskutojë për çështje të ndryshme që ai i konsideron se duhen bërë publike në seancë plenare. Në këtë rast deputeti nuk mund të flasë më shumë se 5 minuta dhe, nëse diskuton në emër të grupit parlamentar, jo më shumë se 8 minuta. Drejtuesi i seancës kujdeset të harmonizojë diskutimet e çdo deputeti, sipas përkatësisë në grupin parlamentar. Koha e përgjithshme për diskutimin e këtyre çështjeve nuk mund te jetë më shumë se 60 minuta. Në rast se me diskutime kalohet ky afat, Kryetari i Kuvendit ndërpret diskutimet e deputetëve dhe atyre që kanë ngelur pa diskutuar u jepet fjala në fillimin e seancës plenare pasardhëse.
Neni 46
Diskutimet në seancë plenare

1. Çdo deputet që dëshiron të diskutojë për një çështje të përfshirë ose të papërfshirë në rendin e ditës duhet të regjistrohet në sekretari para fillimit të seancës plenare. Lista e diskutuesve të regjistruar i bëhet e njohur deputetëve në fillim të seancës plenare.
2. Diskutimet fillojnë pasi drejtuesi i seancës njofton hapjen e tyre. Asnjë deputet nuk mund të diskutojë pa iu dhënë fjala nga drejtuesi i seancës plenare.
3. Fjala kërkohet me ngritjen e dorës ose nëpërmjet sistemit elektronik, në përputhje me pikën 1 të këtij neni.
4. Lejohet ndërrimi i radhës së diskutimeve ndërmjet deputetëve në marrëveshje mes tyre.
5. Deputeti, i cili, kur i jepet fjala nga drejtuesi i seancës, nuk është në sallë, konsiderohet se ka hequr dorë nga diskutimi.
6. Drejtuesi i seancës u jep fjalën diskutuesve, sipas regjistrimit paraprak, duke harmonizuar pjesëmarrjen për çdo grup parlamentar. Kur lista e diskutuesve ka përfunduar ose nuk e kërkon më fjalën ndonjë deputet tjetër, Kryetari u jep fjalën kryetarëve ose përfaqësuesve të grupeve parlamentare, duke filluar nga grupi më i vogël në numër.
 
Neni 47
E drejta e fjalës për ministrat
 
 
1. Anëtarët e Këshillit të Ministrave kanë të drejtë, dhe kur u kërkohet e kanë për detyrë, të marrin pjesë në seancë plenare ose në mbledhjet e komisioneve dhe nënkomisioneve. Atyre u jepet fjala sa herë që e kërkojnë. Në debatet me kohë të përcaktuar, fjala e anëtarit të Këshillit të Ministrave llogaritet në kohën e grupit parlamentar të cilit i përket.
2. Kur anëtarët e Këshillit të Ministrave kërkojnë të flasin pas mbylljes së diskutimeve, rihapet diskutimi i çështjes që është në shqyrtim.
 
Neni 48
Koha e diskutimeve
 
1. Çdo diskutues, me përjashtim të rasteve kur në këtë Rregullore parashikohet ndryshe, ka të drejtë të flasë jo më shumë se 10 minuta. Diskutuesi nuk mund të flasë më shumë se një herë për thelbin e së njëjtës çështje dhe nuk mund të marrë nga koha e një diskutuesi tjetër.
2. Koha e përcaktuar në pikën 1 të këtij neni dyfishohet kur diskutohet programi politik dhe përbërja e Këshillit të Ministrave, mocionet e besimit ose mocionet e mosbesimit, projektligj që kërkon miratimin me shumicë të cilësuar sipas Kushtetutës, zgjedhje, emërim ose shkarkim titullarësh të organeve që zgjidhen nga Kuvendi ose ratifikim marrëveshjesh ndërkombëtare.
3. Kur çmohet e nevojshme për çështje konkrete, koha e diskutimeve mund të përcaktohet paraprakisht në Konferencën e Kryetarëve në mënyrë përpjesëtimore ndërmjet grupeve, sipas përfaqësimit të tyre në Kuvend, por në çdo rast jo më pak se 10 minuta për një grup parlamentar.
 
Neni 49
Çështje të procedurës
 
1. Për çështje të procedurës fjala jepet menjëherë. Janë çështje të procedurës kërkesat që kanë të bëjnë me zbatimin e Rregullores, kërkesat që përmbajnë propozime për ndryshime ose plotësime të rendit të ditës të miratuar, kërkesat për ndërprerjen ose shtyrjen e seancës plenare ose të diskutimeve, si dhe kërkesat që kanë të bëjnë me mënyrën e marrjes së vendimeve ose kryerjes së votimit.
2. Ndërhyrjet për çështjet e procedurës bëhen shkurtimisht dhe pa prekur thelbin e çështjes kryesore.
3. Në këto raste, përveç propozuesit që diskuton jo më shumë se 3 minuta, kanë të drejtë të diskutojnë një folës pro dhe një folës kundër jo më shumë se 2 minuta secili dhe merret vendim me votim të hapur nga Kuvendi me ngritjen e dorës.
 
Neni 50
Replika
 
Deputeti ka të drejtën e replikës, kur ndaj tij janë shprehur fjalë të padenja apo të pahijshme, ose janë bërë diskutime që kanë shtrembëruar thelbin e fjalës së tij. Replika bëhet menjëherë pas diskutimit dhe nuk mund të zgjasë më shumë se 2 minuta. Për të njëjtin diskutim deputeti nuk mund të bëjë më shumë se një replikë. Deputeti, si dhe deputetë të tjerë nuk lejohen të bëjnë replikë ndaj replikës.
 
Neni 51
Sqarimi i votës kundër
 
Deputeti ka të drejtën e sqarimit të arsyeve të votimit kundër deri në 2 minuta. Kur kërkohet të bëhet sqarim për votimin kundër, atij i jepet fjala menjëherë pas votimit.
 
Neni 52
Ndërprerja e seancës plenare
Drejtuesi i seancës, kur çmohet prej tij ose me kërkesën e një grupi parlamentar apo të një komisioni të përhershëm, mund ta ndërpresë seancën plenare për jo më shumë se 60 minuta dhe vetëm një herë për të njëjtën çështje.
 
                                                                                Neni 53
Mbajtja e qetësisë nga publiku
 
1. Personat e ftuar dhe publiku që ndjekin punimet e Kuvendit në seancë plenare, nuk duhet të shprehin shenja miratimi ose mosmiratimi dhe janë të detyruar të respektojnë rregullat e përcaktuara nga Byroja e Kuvendit për mbajtjen e qetësisë. Në rast shkeljeje të tyre, drejtuesi i seancës plenare urdhëron largimin e tyre nga salla.
2. Në rast se nuk është i mundur identifikimi i shkelësit të rregullave, drejtuesi i seancës plenare urdhëron largimin e të gjithë pjesëmarrësve në seksionin e galerisë ku u krye shkelja.

Neni 54
Regjistrimi dhe publikimi i diskutimeve
 
1. Në seancat plenare të Kuvendit mbahen proceverbale të përmbledhura, si dhe bëhet regjistrimi i plotë i tyre. Në procesverbalin e përmbledhur shënohet data e zhvillimit të seancës plenare dhe rendi i ditës së saj, pjesëmarrja e deputetëve, përmbledhja e diskutimeve dhe e qëndrimeve të mbajtura nga deputetët, si dhe rezultatet e votimit. Çdokush ka të drejtë të njihet me përmbajtjen e procesverbaleve të Kuvendit para botimit. Procesverbalet publikohen në faqen e internetit të Kuvendit.
2. Diskutimet në seancat plenare botohen të plota.
3. Procesverbalet, diskutimet, si dhe regjistrimi audiovizual, që bëhen gjatë zhvillimit të seancës plenare  të mbyllur, arkivohen dhe administrohen sipas rregullave të përcaktuara për sekretin shtetëror.
 
 
KREU VIII
VERIFIKIMI I NUMRIT TË DEPUTETËVE
DHE VOTIMI
 
Neni 55
Kuorumi dhe vendimmarrja në seancë plenare
 
 
1. Ligjet, vendimet, deklaratat dhe rezolutat konsiderohen të miratuara nga Kuvendi kur për to kanë votuar pro shumica e deputetëve, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit, me përjashtim të rasteve kur në Kushtetutë parashikohet shumicë e cilësuar për miratimin e tyre.
2. Për çështje të veçanta, që lidhen me mirëfunksionimin e Kuvendit, vendoset me shumicën e përcaktuar në këtë Rregullore.
3. Drejtuesi i seancës plenare, në leximin e rendit të ditës, i njofton Kuvendit edhe shumicën që kërkon miratimi i projektligjit ose i projektvendimit.

 

Neni 56
Verifikimi i kuorumit
 
 
1. Përpara çdo votimi, drejtuesi i seancës plenare verifikon numrin e deputetëve të pranishëm në sallë.
2. Drejtuesi i seancës, në çdo kohë, si dhe kur kjo kërkohet nga të paktën 7 deputetë, verifikon nëse në sallë është i pranishëm numri i kërkuar i deputetëve. Kërkesa për verifikimin e numrit të deputetëve të pranishëm shprehet me ngritjen në këmbë të kërkuesve. Për verifikimin e numrit të deputetëve, drejtuesi i seancës bën thirrjen në mënyrë elektronike ose nominale.
3. Kur mungon numri i kërkuar i deputetëve për marrjen e vendimit, drejtuesi i seancës shtyn seancën për 60 minuta dhe në rast se edhe pas kësaj kohe nuk arrihet numri i kërkuar, e anulon atë. Në rast anulimi, drejtuesi i seancës plenare përcakton ditën e nesërme, me kusht që ajo të mos jetë ditë pushimi, si ditë në të cilën Kuvendi do të mblidhet me të njëjtin rend dite, duke deklaruar njëkohësisht edhe orën e votimit për atë rend dite.
 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama