Pjesa e I Organizimi dhe funksionimi i Kuvendit (2)

Neni 14
 Këshilli për Legjislacionin
 
1.Këshilli për Legjislacionin përbëhet nga 10 deputetë, të emëruar nga Kryetari i Kuvendit, në mënyrë që të sigurojnë përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe opozitës parlamentare. Deputetët e emëruar duhet të jenë me profesion jurist ose të kenë një përvojë të spikatur legjislative.
2. Këshilli për Legjislacionin kryesohet me rotacion çdo 5 muaj nga secili anëtar, duke filluar sipas renditjes alfabetike të mbiemrit të secilit të anëtar të Këshillit.
3. Këshilli shpreh mendimin e tij për projektligjet me kërkesën e komisionit përgjegjës, që ka në shqyrtim projektligjin, ose të Kryetarit të Kuvendit, në përputhje me pikën 4 të këtij neni.
4. Komisioni përgjegjës, me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të tij, ose Kryetari i Kuvendit mund të kërkojnë mendimin e Këshillit për Legjislacionin në lidhje me cilësinë e hartimit të një projektligji, për qartësinë dhe thjeshtësinë e tij, për çështjet kushtetuese ose ligjore që ngrihen në tekstin e tij, si dhe për çështje të tjera, të cilat komisioni ose Kryetari i Kuvendit i konsiderojnë të nevojshme. Kërkesa duhet të paraqitet duke i lejuar Këshillit një kohë të arsyeshme shqyrtimi, si dhe duhet të jetë në përputhje me kalendarin e punimeve të komisionit përgjegjës dhe të harmonizohet me kalendarin e punimeve të Kuvendit. Në mbledhjen e Këshillit merr pjesë relatori në komisionin përgjegjës dhe përfaqësuesi i Këshillit të Ministrave.
5. Raporti i Këshillit për Legjislacionin i përcillet komisionit përgjegjës për shqyrtimin e projektligjit. Nëse komisioni përgjegjës nuk merr parasysh mendimin e Këshillit, ai paraqet edhe arsyetimin përkatës në raportin për seancën plenare.
6. Këshilli mblidhet në mënyrën e parashikuar nga kjo Rregullore për komisionet e përhershme.
 
KREU III
GRUPET PARLAMENTARE

Neni 15
Formimi i grupeve parlamentare
 
 
1. Deputetët mund të formojnë grupe parlamentare sipas përkatësisë partiake ose orientimit politik.
2. Për krijimin e një grupi parlamentar kërkohet një minimum prej 7 deputetësh. Çdo deputet mund të jetë anëtar vetëm i një grupi parlamentar. Një deputet që largohet nga grupi parlamentar, mund t’i bashkohet një grupi tjetër parlamentar vetëm pas gjashtë muajve nga data e largimit.
3. Kur numri i deputetëve të një grupi parlamentar bie nën numrin e parashikuar nga pika 2 e këtij neni, grupi pushon së ekzistuari.
4. Brenda 3 ditëve nga data e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, çdo deputet deklaron me shkrim se në cilin grup parlamentar bën pjesë. Vetëm deputetët që nuk bëjnë deklarimin e mësipërm ose që nuk i përkasin asnjë grupi parlamentar mund të formojnë grup të përzier.
5. Çdo deputet ka të drejtë të largohet nga grupi parlamentar. Për këtë ai duhet t’i paraqesë një deklaratë me shkrim kryesisë së grupit dhe të njoftojë me shkrim Byronë e Kuvendit.
6. Deputetët që zgjidhen gjatë legjislaturës, brenda 3 ditëve nga kryerja e betimit, bëjnë deklarimin me shkrim se cilit grupi parlamentar i përkasin.
 
Neni 16
Kryesia e grupit parlamentar
 
 
1. Çdo grup parlamentar, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh kryesinë e tij.
2. Për zgjedhjen e kryesisë, si dhe për çdo ndryshim të mëvonshëm të përbërjes së grupeve parlamentare ose kryesive të tyre, vihet në dijeni Kryetari i Kuvendit.
3. Kryetari i Kuvendit zhvillon takim me kryetarët e grupeve parlamentare me qëllim përcaktimin e vendeve të grupeve parlamentare në sallën e Kuvendit. Vendet e deputetëve të secilit grup parlamentar përcaktohen nga kryetari i secilit grup.
 
Neni 17
Kushtet e punës për grupet parlamentare
 
 Grupeve parlamentare u sigurohen mjediset e punës dhe pajisjet e nevojshme për funksionimin e tyre.
 
KREU IV
KOMISIONET E PËRHERSHME TË KUVENDIT

Neni 18
Kompetencat e komisioneve të përhershme
 
Komisionet e përhershme të Kuvendit shqyrtojnë sipas përkatësisë projektligjet, projektvendimet dhe çështjet e tjera që paraqiten në Kuvend, kryejnë studime për efektivitetin e ligjeve në fuqi, ndjekin zbatimin e ligjeve dhe kontrollojnë veprimtarinë e ministrive dhe të organeve të tjera qendrore, duke i propozuar Kuvendit ose Këshillit të Ministrave marrjen e masave përkatëse, si dhe propozojnë për miratim në Kuvend projektligje, projektdeklarata ose projektrezoluta.
 
Neni 19
Komisionet e përhershme dhe nënkomisionet e Kuvendit
 
1. Kuvendi emëron në seancë plenare 8 komisione të përhershme me këto emërtime dhe fusha përgjegjësie:
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.
(Kodet dhe organizimi i pushtetit gjyqësor, administrata publike, administrata e pushtetit gjyqësor, organizimi dhe funksionimi i pushtetit vendor, shërbimet e pavarura në sistemin e drejtësisë dhe të drejtat e njeriut).
Komisioni për Integrimin Europian.
(Integrimi në Bashkimin Europian).
Komisioni për Politikën e Jashtme.
(Politika e jashtme, marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ndërkombëtar, si dhe zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare).
Komisioni për Ekonominë dhe Financat.
(Politikat ekonomike, Buxheti i Shtetit dhe mbikëqyrja e zbatimit të tij, financat publike, privatizimet dhe sistemi bankar).
Komisioni për Sigurinë Kombëtare.
(Organizimi i mbrojtjes kombëtare dhe Forcat e Armatosura, bashkëpunimi ushtarak, punët e brendshme, emergjencat civile, rendi publik dhe shërbimet sekrete).
Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin.
(Bujqësia, industria, telekomunikacionet, turizimi, rregullimi i territorit, tregtia dhe mbrojtja e mjedisit).
Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë.
(Marrëdhëniet e punës, çështjet sociale, sigurimet shoqërore, familja, gruaja dhe shëndetësia).
Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.
(Arsimi në çdo nivel, kultura, rinia, shkenca, sportet, media e shkruar dhe vizive).
2. Në përbërje të komisioneve të përhershme, me propozimin e Konferencës së Kryetarëve, mund të ngrihen edhe nënkomisione për probleme të veçanta.
 
Neni 20
Anëtarësia në komisionet e përhershme
 
1. Në komisionet e përhershme marrin pjesë të gjithë deputetët dhe përbërja e tyre, për aq sa është e mundur, pasqyron grupet parlamentare, sipas përpjesëtimit që zënë në Kuvend. Kryetari i Kuvendit dhe anëtarët e Këshillit të Ministrave nuk mund të jenë anëtarë të komisioneve të përhershme.
2. Deputeti mund të jetë anëtar vetëm i një komisioni të përhershëm. Ai mund të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve të tjera, por pa të drejtë vote.
 
Neni 21
Përbërja e komisioneve të përhershme dhe e nënkomisioneve të Kuvendit
 
1. Anëtarët e komisioneve të përhershme dhe të nënkomisioneve, së bashku me kryesitë e tyre, zgjidhen me votim të hapur nga Kuvendi me propozimin e Konferencës së Kryetarëve, duke u mbështetur në listat e kandidatëve të hartuara në marrëveshjen e Kryetarit të Kuvendit me kryetarin e çdo grupi parlamentar.
2. Kuvendi mund të ndryshojë përbërjen e komisioneve të përhershme dhe të nënkomisioneve, duke ruajtur përpjesëtimin që zënë grupet parlamentare në Kuvend. Për ndryshimin e numrit dhe të përbërjes së komisioneve dhe të nënkomisioneve synohet arritja e mirëkuptimit mes grupeve parlamentare.
3. Kuvendi, në seancë plenare, me votim të hapur, me propozimin e Kryetarit të Kuvendit, pas këshillimit me kryetarët e grupeve parlamentare, cakton emrat e zëvendësuesve të anëtarëve të komisionit ose të nënkomisionit për secilin grup parlamentar. Anëtari i një komisioni ose nënkomisioni, në rast mungese ose pamundësie për të marrë pjesë në mbledhje, zëvendësohet nga një prej anëtarëve të caktuar në vendimin e Kuvendit. Zëvendësimi autorizohet me shkrim nga kryetari i çdo grupi parlamentar, duke përcaktuar edhe datat e zëvendësimit dhe i dorëzohet kryetarit të komisionit. Zëvendësimi i një anëtari të komisionit të përhershëm ose nënkomisioni nuk mund të ndodhë më shumë se 4 herë gjatë një sesioni të Kuvendit.

Neni 22
Kryesia e komisionit të përhershëm dhe e nënkomisionit
 
Kryesia e komisionit të përhershëm përbëhet nga kryetari, zëvendëskryetari dhe sekretari i komisionit, ndërsa ajo e nënkomisionit nga kryetari dhe zëvendëskryetari. Përcaktimi i përbërjes së kryesive të komisioneve të përhershme dhe të nënkomisioneve bëhet duke mbajtur parasysh përfaqësimin në to të grupeve parlamentare, sipas përpjesëtimit që zënë në Kuvend.
 
Neni 23
Detyrat e kryetarit, zëvendëskryetarit dhe sekretarit të komisionit
 
1. Kryetari i komisionit të përhershëm përfaqëson komisionin, organizon dhe drejton mbledhjet e komisionit, mban lidhje me organet e tjera, si dhe siguron respektimin e procedurave, sipas kësaj Rregulloreje.
2. Zëvendëskryetari zëvendëson kryetarin në rastet e mungesës së tij ose kur ai nuk ka mundësi të kryejë detyrat.
3. Sekretari verifikon rezultatin e votimit në komision dhe kontrollon e nënshkruan procesverbalin e përmbledhur të mbajtur në mbledhjen e komisionit.
 
Neni 24
Komisionet e posaçme
 
1. Kuvendi mund të vendosë krijimin e një komisioni të posaçëm për shqyrtimin dhe përgatitjen e nismave ligjvënëse, si dhe për çështje të një rëndësie të veçantë.
2. Propozimi për krijimin e komisionit të posaçëm mund të bëhet nga Kryetari i Kuvendit, nga një komision i përhershëm ose nga të paktën 7 deputetë. Kryetari i Kuvendit, brenda 10 ditëve nga paraqitja e kërkesës, thërret Konferencën e Kryetarëve për të diskutuar rreth kërkesës për ngritjen e komisionit të posaçëm.
3. Kuvendi, brenda 2 javëve nga diskutimi në Konferencën e Kryetarëve, përcakton sipas propozimit të Konferencës detyrat, numrin, përbërjen dhe afatin kohor të veprimtarisë së komisionit të posaçëm.
4. Rregullat procedurale, të përcaktuara në nenet 32-41 të kësaj Rregulloreje, zbatohen edhe për komisionet e posaçme, me përjashtim të rastit kur në vendimin e krijimit të tyre përcaktohet ndryshe.
 
Neni 25
Komisionet hetimore
 

1. Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesën e një të katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë një komision hetimi, për të shqyrtuar një çështje të veçantë.
2. Komisionet hetimore të Kuvendit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj.
 
KREU V
ORGANIZIMI I PUNIMEVE TË KUVENDIT
DHE TË KOMISIONEVE TË TIJ

Neni 26
Programi i punës së Kuvendit
 
1. Kuvendi i zhvillon punimet në seancë plenare dhe në komisione, sipas një programi të caktuar.
2. Programi i punës së Kuvendit përcaktohet nga Konferenca e Kryetarëve për një periudhë nga 4 deri në 12 javë, me propozimin e Kryetarit të Kuvendit, pasi ka marrë më parë mendimin e anëtarit të Këshillit të Ministrave, i ngarkuar të mbajë lidhjet me Kuvendin, të kryetarëve të komisioneve të përhershme dhe të shërbimit juridik në Kuvend. Në mbledhje merr pjesë edhe anëtari i Këshillit të Ministrave. Projektprogrami i punës u jepet kryetarëve të grupeve parlamentare dhe anëtarit të Këshillit të Ministrave të paktën 4 ditë para zhvillimit të mbledhjes.
3. Programi i punës përmban listën e çështjeve që do të shqyrtojë Kuvendi. Në të shënohen institucioni që ka ndërmarrë nismën, data e paraqitjes, si dhe komisioni përgjegjës që ngarkohet me shqyrtimin e tij. Si komision përgjegjës Kryetari propozon një komision të përhershëm dhe, në rastet kur e sheh të nevojshme, ai propozon mbledhje të përbashkët të dy komisioneve të përhershme ose ngritjen e një komisioni të posaçëm.
4. Projektligjet për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare shqyrtohen nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, nga Komisioni për Politikën e Jashtme, nga komisioni që mbulon fushën në të cilën është bërë marrëveshja dhe, nëse marrëveshja ka efekte financiare, nga Komisioni për Ekonominë dhe Financat.
5. Programi i punës miratohet me mirëkuptim në Konferencën e Kryetarëve dhe i njoftohet Kuvendit. Për programin e punës çdo deputet, në seancë plenare, për jo më shumë se 3 minuta, mund të bëjë propozime, për të cilat Kuvendi vendos me votim të hapur.
6. Në rast se në Konferencën e Kryetarëve nuk arrihet mirëkuptimi për programin e punës së Kuvendit, ai hartohet nga Kryetari për një periudhë 3 - javore dhe i paraqitet për miratim Kuvendit në seancë plenare. Në programin e paraqitur Kryetari merr në konsideratë propozimet e bëra nga Këshilli i Ministrave dhe kryetarët e grupeve parlamentare. Për shqyrtimin e propozimeve për ndryshime në program, të propozuara me shkrim nga një grup prej 7 deputetësh ose nga Këshilli i Ministrave, votohet pa debat në seancë plenare, pasi është dëgjuar për jo më shumë se 5 minuta një folës pro dhe një folës kundër.
7. Në programin e punës së Kuvendit futen automatikisht dekretet e Presidentit të Republikës për rishqyrtim ligjesh, emërime, për të cilat kërkohet pëlqimi i Kuvendit, projektligje financiare ose ndryshimi i Buxhetit të Shtetit, shqyrtimi i akteve normative me fuqinë e ligjit, propozimet për emërim dhe shkarkim titullarësh të organeve që zgjidhen nga Kuvendi, mocionet e kërkuara, projektligjet ose projektvendimet e mbartuara nga programi paraardhës, si dhe çështjet që lidhen me gjendjen e jashtëzakonshme.
 

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama