Pjesa e I Organizimi dhe funksionimi i Kuvendit (1)

KREU I
DISPOZITA PARAPRAKE
 
Neni 1
Mbledhja e parë e legjislaturës
 

1. Mbledhja e parë e legjislaturës së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, hapet dhe drejtohet nga deputeti më i vjetër në moshë. Në rast mospranimi ose mungese, mbledhja drejtohet nga deputeti që është pas tij më i vjetër në moshë.
2. Tre deputetë, ndër deputetët me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e Sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit. Përbërja e Sekretarisë pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve.
3. Deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk zhvillohet asnjë debat.
 
Neni 2
Verifikimi i mandateve
 

Me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre.

Neni 3
Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve
 

1. Kuvendi, në mbledhjen e tij të parë, zgjedh një Komision të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve të anëtarëve të Kuvendit. Komisioni përbëhet nga 9 deputetë dhe pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Propozimet për përbërjen dhe Kryesinë e Komisionit bëhen nga përfaqësuesit e grupimeve politike dhe miratohen nga Kuvendi me votim të hapur, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij.
2. Komisioni i Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve dhe brenda 2 ditëve i paraqet Kuvendit në seancë plenare raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit. Në rast se Komisioni vëren paligjshmëri në zgjedhje, i propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Kërkesa drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e hartuar nga Komisioni, duhet të nënshkruhet nga jo më pak se një e pesta e të gjithë deputetëve brenda 3 ditëve nga leximi i raportit. Nëse në përfundim të kësaj periudhe kërkesa nuk është nënshkruar dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese, deputeti ftohet të kryejë betimin.

Neni 4
Betimi i deputetëve
 

1. Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin.
2. Teksti i betimit është: “Betohem me nderin tim se do të kryej me ndërgjegje detyrën si deputet i popullit në Kuvend. Do të përfaqësoj denjësisht popullin, do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve, do të mbroj lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, do të respektoj dhe do të mbroj të drejtat dhe liritë e shtetasve dhe do të përpiqem me të gjitha fuqitë e mia për përparimin e Atdheut dhe mirëqenien e popullit tim.”
3. Teksti i betimit lexohet nga drejtuesi i seancës dhe deputetët ftohen, një e nga një, të ngrihen në këmbë dhe të deklarojnë “Betohem”.
4. Deputetët që mungojnë në seancën kur kryhet betimi, betohen në seancën më të parë në të cilën marrin pjesë.
5. Drejtuesi i seancës, në këshillim me Sekretarinë e Përkohshme, deklaron mbarimin e mandatit të deputetit kur ai nuk pranon të betohet ose i shmanget betimit dhe njofton menjëherë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Deklarimi i mbarimit të mandatit botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare.

KREU II
KRYETARI I KUVENDIT, BYROJA E KUVENDIT
DHE KONFERENCA E KRYETARËVE

Neni 5
Organet drejtuese
 

Menjëherë pas kryerjes së betimit nga deputetët, procedohet me zgjedhjen e Kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit.

Neni 6
Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit
 
1. Kandidati për Kryetar të Kuvendit propozohet nga të paktën 15 deputetë. Një deputet nuk mund të mbështesë më shumë se një kandidat. Propozimi bëhet me shkrim, përmban nënshkrimet përkatëse dhe paraqitet në Sekretarinë e Përkohshme të Kuvendit.
2. Kryetari i Kuvendit zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka fituar shumicën e kërkuar, vijohet me një raund të dytë, ku votohet për dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota.
3. Votimi organizohet publikisht dhe drejtohet nga një komision votimi, i përbërë prej 5 deputetësh, që pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Anëtari më i vjetër në moshë kryen edhe detyrën e kryetarit të komisionit të votimit dhe shpall rezultatin e votimit.
4. Drejtuesi i seancës fton menjëherë Kryetarin e Kuvendit të zërë vendin e tij.

Neni 7
 Kryetari i Kuvendit
 
1. Kryetari i Kuvendit përfaqëson Kuvendin, siguron respektimin e të drejtave të Kuvendit dhe të anëtarëve të tij. Ai kujdeset për zhvillimin e veprimtarisë parlamentare, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, si dhe për sigurimin e kushteve të nevojshme Kuvendit dhe strukturave të tij.
2. Në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, Kryetari u jep fjalën deputetëve dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, drejton dhe moderon debatet, siguron rendin në seancë plenare, cakton radhën e votimeve dhe njofton rezultatin e tyre.
3. Kryetari i Kuvendit, në këshillim me kryetarët e grupeve parlamentare, përcakton listën e anëtarëve dhe të kryesive të delegacioneve të përhershme të Kuvendit pranë organizatave ndërkombëtare. Përbërja e delegacioneve pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Lista e anëtarëve të delegacioneve të përhershme dhe çdo ndryshim i mëvonshëm në to i njoftohen Kuvendit në seancën plenare më të parë. Në rast kundërshtimesh, Kuvendi vendos me votim të hapur.
4. Kryetari i Kuvendit, në bashkëpunim me Sekretariatin për Marrëdhëniet me Jashtë, cakton delegacionet e përkohshme, që përfaqësojnë Kuvendin në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Neni 8
Byroja e Kuvendit
 

1. Byroja e Kuvendit ndjek dhe vendos për anën administrative, si dhe funksionimin e brendshëm të Kuvendit dhe të organeve të tij.
2. Byroja e Kuvendit përbëhet nga Kryetari i Kuvendit, 2 zëvendëskryetarë, 2 sekretarë për buxhetin e 4 sekretarë dhe drejtohet nga Kryetari i Kuvendit. Përbërja e Byrosë së Kuvendit pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit. Nuk mund të zgjidhet më shumë se një sekretar nga i njëjti grup parlamentar. Një Zëvendëskryetar duhet t’i përkasë partisë më të madhe të opozitës parlamentare.
3. Kryetari i Kuvendit këshillohet me kryetarët e grupeve parlamentare për përbërjen e Byrosë së Kuvendit.
4. Përbërja e Byrosë së Kuvendit përcaktohet me mirëkuptim në mbledhjen e Kryetarit të Kuvendit me kryetarët e grupeve parlamentare. Kryetari ia propozon atë Kuvendit për votim në seancë plenare, i cili vendos me votim të hapur.

Neni 9
Zëvendëskryetarët e Kuvendit
 

Zëvendëskryetarët bashkëpunojnë me Kryetarin e Kuvendit për realizimin e detyrave të Kryetarit; ata thirren për këshillim nga Kryetari sa herë shihet e nevojshme. Në rast se Kryetari mungon ose është në pamundësi të kryejë detyrat e tij, ai autorizon një nga zëvendëkryetarët për kryerjen e tyre. Në mungesë të autorizimit, ai zëvendësohet nga Zëvendëskryetari i Kuvendit që i përket shumicës parlamentare.

Neni 10
Sekretariatet e Kuvendit
 

1. Sekretariatet e Kuvendit, që funksionojnë pranë Byrosë së Kuvendit, janë: Sekretariati për Buxhetin e Kuvendit, Sekretariati për Procedurat dhe Votimet, Sekretariati për Statusin e Deputetit, Sekretariati për Kërkimin Shkencor, Biblotekën dhe Botimet Parlamentare, si dhe Sekretariati për Marrëdhëniet me Jashtë të Kuvendit.
2. Sekretariatet përbëhen nga 3 deputetë secili, ndërsa Sekretariati për Buxhetin e Kuvendit nga 5 deputetë. Përbërja e tyre miratohet nga Kuvendi me votim të hapur me propozim të Kryetarit të Kuvendit, pas këshillimeve me kryetarët e grupeve parlamentare.
3. Sekretarët e Byrosë së Kuvendit, në përputhje me detyrat e caktuara nga Byroja, drejtojnë sekretariatet e Kuvendit. Ata informojnë rregullisht Kryetarin dhe Byronë e Kuvendit për veprimtarinë e sekretariatit përkatës.
4. Dy sekretarët për buxhetin përfaqësojnë grupet politike të shumicës dhe të opozitës parlamentare. Ata drejtojnë kolegjialisht Sekretariatin për Buxhetin e Kuvendit dhe, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, kujdesen për administrimin e veprimtarisë së Kuvendit, në përputhje me buxhetin e Kuvendit.
 
Neni 11
Thirrja dhe kompetencat e Byrosë së Kuvendit
 

1. Kryetari i Kuvendit thërret mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, sipas rendit të ditës të përcaktuar prej tij.
2. Byroja vendos për buxhetin e Kuvendit, sipas propozimit të bërë nga sekretarët për buxhetin; vendos për ankimet në rastet e konstituimit të grupeve parlamentare dhe për ankesat e grupeve parlamentare për përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit.
3. Byroja e Kuvendit, me propozimin e Sekretarit të Përgjithshëm, miraton Rregulloren e Brendshme për Organizimin dhe Funksionimin e Shërbimeve të Kuvendit.
4. Byroja e Kuvendit nxjerr vendime dhe udhëzime për sa i përket:
a) organizmit të shërbimeve në Kuvend dhe detyrave të ngarkuara çdo njësie të saj, në përputhje me funksionimin e Kuvendit;
b) statusit ligjor, trajtimit ekonomik dhe kushteve të shërbimit për të punësuarit në Kuvend.
5. Byroja e Kuvendit shqyrton dhe vendos për masat disiplinore të propozuara nga drejtuesi i seancës, sipas nenit 65 pika 2 të kësaj Rregulloreje.
6. Byroja e Kuvendit emëron, me propozimin e Kryetarit të Kuvendit, Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit mbi bazën e tre kandidaturave të dala nga procedura e konkurrimit, sipas ligjit të shërbimit civil.
7. Byroja e Kuvendit miraton raportin vjetor të veprimtarisë së Kuvendit, të përgatitur nga Sekretari i Përgjithshëm dhe vendos për publikimin e tij.
 
Neni 12
Konferenca e Kryetarëve
 
1. Konferenca e Kryetarëve diskuton dhe vendos për programin e punës, kalendarin e punimeve të Kuvendit dhe të komisioneve të tij, si dhe për çështje të zhvillimit të punimeve të Kuvendit në seancë plenare.
2. Konferenca e Kryetarëve përbëhet nga Kryetari i Kuvendit e kryetarët e grupeve parlamentare dhe drejtohet nga Kryetari i Kuvendit. Konferenca thirret nga Kryetari i Kuvendit ose me kërkesën e Këshillit të Ministrave apo të një kryetari grupi parlamentar. Në Konferencën e Kryetarëve merr pjesë edhe anëtari i Këshillit të Ministrave, i ngarkuar të mbajë lidhjet me Kuvendin.
3. Zëvendëskryetarët e Kuvendit dhe kryetarët e komisioneve të përhershme të Kuvendit mund të ftohen për të marrë pjesë në Konferencën e Kryetarëve.
4. Në Konferencën e Kryetarëve shqyrtohet programi i punës dhe kalendari i punimeve të Kuvendit mbi bazën e propozimit të Kryetarit te Kuvendit. Si rregull, programi i punës dhe kalendari i punimeve miratohen me mirëkuptim nga Konferenca e Kryetarëve dhe kur kjo nuk realizohet, Kryetari ia paraqet ato Kuvendit në seancë plenare, në përputhje me nenet 26 dhe 27 të kësaj Rregulloreje.
5. Në mbledhjet e Konferencës së Kryetarëve mbahen procesverbale të përmbledhura, të cilat bëhen publike dhe u shpërndahen përfaqësuesve të medias ose personave të tjerë.
 
 
Neni 13
Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin
 
 
1. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin përbëhet nga 10 deputetë, të emëruar nga Kryetari i Kuvendit, në mënyrë që të sigurojnë përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe opozitës parlamentare. Këshilli kryesohet nga Kryetari i Kuvendit.
2. Këshilli studion propozimet për ndryshimin e Rregullores, jep mendime për çështje të interpretimit të Rregullores, sipas nenit 116 të kësaj Rregulloreje, si dhe për konfliktet në lidhje me kompetencat ndërmjet komisioneve të Kuvendit.
3. Me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit, Këshilli shqyrton kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për fillimin e ndjekjes penale ose arrestimin e një deputeti, në përputhje me nenin 118 dhe nëse ka vend për procedim ndaj deputetit të ndaluar ose të arrestuar, sipas nenit 119 të kësaj Rregulloreje.
4. Këshilli shqyrton të gjitha çështjet që lidhen me mandatin e deputetit dhe paraqet raportin përkatës në seancë plenare.
5. Këshilli verifikon mandatin e deputetit, i cili zgjidhet gjatë legjislaturës dhe paraqet raportin përkatës në seancë plenare.
6. Këshilli mblidhet në mënyrën e parashikuar nga kjo Rregullore për komisionet e përhershme.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama