Perpjekjet per sigurimin e aleateve

Një nga detyrat parësore të kryengritjes së armatosur që po përgatitej mbetej sigurimi i aleatëve ose të paktën sigurimi i krahëve të forcave kryengritëse gjatë ndeshjes me forcat ushtarake osmane
Hasan Prishtina, pas shpërndarjes së parlamentit, hyri në bisedime me deputetë arabë e kurdë dhe u bëri thirrje atyre që t’i kundërviheshin me kryengritjen e armatosur politikës nacionaliste dhe asimiluese të xhonturqve.
Ndërkohë, Ismail Qemali vazhdoi përçapjet diplomatike pranë kancelarive të Fuqive të Mëdha në disa prej kryeqyteteve evropiane. Duke njohur qëndrimin e shteteve fqinje ndaj çështjes shqiptare, ai iu shmang vizitës në kryeqytetet ballkanike.
Edhe Hasan Prishtina, me t’u kthyer nga Stambolli në Kosovë, u përpoq të siguronte bashkëpunimin me lëvizjen bullgaro-maqedone në Shqipërinë Lindore. Për këtë qëllim pati një takim me ish-deputetin e Shkupit në parlamentin osman, Pavllov, të cilit i kumtoi se për të shpëtuar nga politika panturke e xhonturqve, që po u sillte pasoja shumë të rënda si shqiptarëve, ashtu edhe maqedonëve, ishte e domosdoshme të organizohej një kryengritje e përbashkët, për të arritur krijimin e një shteti autonom shqiptaro-maqedon. I sigurt në fitoren e forcave kryengritëse shqiptare, Hasan Prishtina nuk kërkoi angazhimin e menjëhershëm të palës maqedone. Ajo mund të bashkohej me kryengritjen pasi të shihte frytet e para të luftës së shqiptarëve. Por Pavllovi, pasi u këshillua me qendrën e lëvizjes bullgaro-maqedone (me verhovistët) në Sofje, u përgjigj se “bullgarët nuk mundeshin kurrsesi të merrnin pjesë në kryengritje”. Kjo përgjigje diktohej nga angazhimi i Sofjes në aleancën ballkanike që po përgatitej, me të cilën Bullgaria shpresonte të përmbushte planet e saj aneksioniste ndaj trojeve shqiptare.
Beogradi mbajti qëndrim të ndryshëm nga ai i Sofjes. Duke parashikuar shpërthimin e afërt të një lufte ballkanike kundër Perandorisë Osmane, kur edhe aleanca ballkanike ishte duke përfunduar, Serbia mendonte se ishte në interesin e saj që shqiptarët të hidheshin sërish në luftë kundër sundimit osman. Beogradi parashikonte që gjatë konfrontimit shqiptaro-turk do të dobësoheshin të dyja palët dhe kështu do t’i lehtësohej atij realizimi i planeve aneksioniste ndaj trevave shqiptare. Por Beogradi donte që kryengritja në Shqipëri të shpërthente kur Serbia ta ndjente veten të gatshme për t’u ndeshur me Turqinë. Serbia u lidh me krerë të lëvizjes shqiptare në Kosovë dhe u premtoi atyre t’i furnizonte me armë, por me kusht që të mos nguteshin për të filluar kryengritjen dhe të mos kërkonin autonominë e Shqipërisë.
Rëndësi të posaçme për fatin e kryengritjes do të kishte qëndrimi që do të mbanin ndaj saj Fuqitë e Mëdha të Evropës dhe në radhë të parë ato të Adriatikut. Duke shpresuar të gjente mbështetje në Londër, Hasan Prishtina iu drejtua së pari konsullit britanik në Shkup. Hasan Prishtina i deklaroi atij se shqiptarët kishin zgjedhur tani si mjet për të shpëtuar nga dhuna xhonturke dhe nga ndjekjet që i bëheshin kulturës së tyre kombëtare luftën e armatosur, se kishin vendosur “me ba nji lëvizje t’armatosun kundra sundimit turk”. Për këtë kërkonin përkrahjen e Anglisë. Konsulli u shpreh i gatshëm t’ia përcillte menjëherë këtë kërkesë Londrës. Pas disa ditësh ai i njoftoi Hasan Prishtinës se vendi i tij nuk kishte interesa në Ballkan, prandaj as nuk do ta kundërshtonte dhe as nuk do ta përkrahte kryengritjen kundërosmane të shqiptarëve.
Kujdes të veçantë udhëheqësit e kryengritjes i kushtuan qëndrimit të Perandorisë Dualiste. Hasan Prishtina hyri në lidhje edhe me kryekonsullin austro-hungarez në Selanik, Kral. Edhe Vjena nuk premtoi ta ndihmonte kryengritjen shqiptare. Me këtë rast, Krali kërkoi që Lëvizja Kombëtare Shqiptare të mbetej në kuadër të një lëvizjeje paqësore e kufizuar me kërkesa kulturore, arsimore dhe ekonomike. Ai u mundua t’i mbushte mendjen Hasan Prishtinës se “mirëqenia e shqiptarëve nuk realizohej me revolucion, por me evolucion”. Edhe përfaqësuesit konsullorë të Vjenës në Shkodër, në Manastir e në Prizren u bënë të ditur krerëve shqiptarë dhe komiteteve të fshehta se qeveria e tyre ishte e interesuar për ruajtjen e gjendjes ekzistuese në Ballkan dhe të tërësisë territoriale të Perandorisë Osmane. Si rrjedhim, në rast se do të shpërthente kryengritja në Shqipëri, ata nuk do ta ndihmonin. Përveç kësaj, kryengritësit do të quheshin nga Fuqitë e Mëdha fajtorë për prishjen e paqes.
Në këto rrethana atdhetarët, deri në prag të kryengritjes, nuk arritën të siguronin në Evropë armët e nevojshme. Kjo i detyroi krerët e lëvizjes në Kosovë që t’i drejtonin sytë nga vendet fqinje. Mali i Zi, ndryshe nga viti i kaluar, duke qenë edhe nën trysninë e Austro-Hungarisë, mbajti një qëndrim të rezervuar ndaj përpjekjeve të shqiptarëve për organizimin e kryengritjes. Cetina u deklaroi krerëve të Gjakovës dhe të Pejës, që u orvatën të hynin në lidhje me të, se nuk do të pranonte të zhvillonte bisedime me ta.
Ndryshe nga Mali i Zi, Serbia u tregua e gatshme që t’i furnizonte shqiptarët me armë. Qysh në vitin 1911 dhe sidomos në fillim të vitit 1912 autoritetet serbe hynë në lidhje me krerë të Kosovës, me Hasan Hysen Budakovën, Iljaz Agushin, Mahmut Zajmin, Bajram Daklanin, Sadik Ramën e Gjurgjevikut dhe me Ramadan Shabanin e më pas edhe me Isa Boletinin. Disa shkuan deri në Beograd, ku u takuan me funksionarë të ministrisë së Jashtme dhe me Nikolla Pashiqin. Beogradi vuri përsëri si kusht të parë, për të siguruar ndihmën e Serbisë, dorëheqjen nga çdo synim për të fituar autonominë administrative të Shqipërisë. Edhe koha kur do të fillonte kryengritja, sipas Serbisë duhej përcaktuar në marrëveshje me autoritetet serbe. Prandaj edhe sasia e armëve të siguruara në Serbi ishte tejet e kufizuar. Megjithatë, Beogradi nuk nxori pengesa për kalimin e armëve në Shqipëri përmes kontrabandës, e cila, në pragun e shpërthimit të kryengritjes mori përmasa të mëdha.
Përballë këtyre rrethanave udhëheqësit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare bënë të gjitha përpjekjet që kryengritja të fillonte sa më parë, duke pasur si kërkesë kryesore formimin e një shteti autonom shqiptar.
Përgatitjet për kryengritjen e përgjithshme përkuan me zgjedhjet parlamentare. Më 18 janar 1912 xhonturqit shpallën shpërndarjen e parlamentit. Sipas kushtetutës, zgjedhjet e reja duhej të bëheshin në vjeshtë, por, për të mos i dhënë kohë opozitës të shtonte ndikimin në provinca, xhonturqit vendosën që ato të zhvilloheshin menjëherë, që në muajin shkurt. Ata synonin të fitonin shumicën absolute në parlamentin e ri. Ligji i zgjedhjeve, veç të tjerave, i kufizonte shumë të drejtat e kombësive joturke të Perandorisë dhe lejonte hapësira të gjera për manipulimin e listave të zgjedhësve nga autoritetet qeveritare.
Shtypi patriotik dhe në mënyrë të veçantë gazeta “Liri e Shqipërisë”, si edhe shoqëritë e komitetet atdhetare brenda e jashtë vendit, duke u përfshirë në fushatën elektorale, i bënin thirrje popullit që të mos votonte për ata kandidatë që kishin braktisur interesat e atdheut dhe që ishin propozuar nga xhonturqit, por të zgjidhnin deputetë atdhetarë të sprovuar, si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Nexhip Draga, Bajram Topulli, Ismail Haki Strazimiri, Ibrahim Temo, Aqif pashë Elbasani, dr. Haki Mborja etj. Xhonturqit, nga ana e vet, mobilizuan njerëzit e tyre për të penguar zgjedhjen e atdhetarëve shqiptarë në parlament. Organet e xhandarmërisë bënin presion mbi zgjedhësit e dytë për t’i detyruar që të miratonin kandidatët e Komitetit “Bashkim e Përparim”.
Malësorët e Mbishkodrës, të zhgënjyer nga premtimet e xhonturqve, që nuk zbatuan marrëveshjen e gushtit të vitit 1911, nuk morën pjesë në votime.
Shpërdorimet e qeverisë xhonturke gjatë fushatës së zgjedhjeve e acaruan edhe më shumë situatën në vend. Ministri i Jashtëm turk, Asim Beu, pranoi para ambasadorit austro-hungarez në Stamboll se “shkaku i kryengritjes në Shqipëri janë gabimet e bëra në zgjedhjet”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama