Paketa fiskale 2011 taksat qe ndryshojne

Paketa fiskale 2011, taksat qe ndryshojne
Biznesi shqiptar dhe i huaj do të njihet zyrtarisht me të gjitha ndryshimet fiskale që propozon qeveria për vitin që vjen. Në formë pakete të plotë janë katër draft-projektligje që prekin nivelin e TVSH-së në shëndetësi, ndryshimin e pragut/xhiro vjetore për efekt kategorie, akcizën e duhanit, detyrimin dhe llogaritjen ndaj tatim-fitimit. Kurse një tjetër projektligj, ai i sistemit të taksave vendore, ka të bëjë me tarifat që paguan biznesi për tabelat e reklamave dhe masën e rimbursimit për pajisjet fiskale. Ndryshimet ligjore në formën e paketës fiskale do të diskutohen këtë të premte, më 15 tetor në Këshillin Konsultativ të Biznesit, pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Tregtisë, ku kryetar është ministri përgjegjës. Kështu, Ilir Meta do të ketë përballjen e parë publike dhe zyrtare me biznesin që kur mori postin e ministrit të Ekonomisë, dhe ku në takim pritet të ketë diskutime interesante. Sa i takon projektligjit “Për sistemin e taksave vendore”, diskutimi dhe miratimi i tij do të bëhet javën tjetër në Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat, ku edhe këtu pritet të zhvillohen debate të forta për shkak të kompetencave që prekin njësitë vendore, kryesisht bashkitë.

Ndryshimet e propozuara nuk kanë ndonjë efekt financiar të përllogaritur nga Ministria e Financave, përveç rastit të akcizës së cigareve, ku parashikohen të vilen rreth 2.8 miliardë lekë më shumë.

TVSH-ja në shëndetësi

Projektligji “Për TVSH-në” vjen me ndryshime të propozuara nga ministrat e Financave dhe të Shëndetësisë, pasi prek barnat dhe shërbimet spitalore etj. Synimi i projektligjit është për aplikimin e një norme të reduktuar TVSH-je nga shkalla standarde që aplikohet sot 20%, në 10% për barnat dhe shërbimet shëndetësore. P/ligji është në përputhje me Direktivën e KE-së dhe synon uljen e barrës fiskale. Megjithatë, duhet thënë se në shëndetësi nuk aplikohej fare TVSH dhe ajo çfarë po bën sot qeveria po i rikthehet skemës së mëparshme, me një ndryshim të përgjysmuar. Në skemën aktuale të TVSH-së në Shqipëri aplikohet TVSH në nivelin standard 20% dhe 0% për eksportet dhe shërbimet ndërkombëtare të transportit të mallrave dhe pasagjerëve. Shqipëria nuk aplikon normë të reduktuar TVSH-je për ndonjë lloj produkti.

Tjetër ndryshim lidhet me aplikimin e normës 10% të TVSH-së për barnat. Në ligjin ekzistues të TVSH-së, barnat janë të përjashtuara nga TVSH-ja. Trajtimi fiskal nga pikëpamja e TVSH-së në vende të ndryshme të BE-së është i ndryshëm për vetë arsyen se barnat lidhen me sistemin e rimbursimit që këto vende kanë në fuqi, barna me recetë dhe barna që jepen pa recetë. Barnat importohen kryesisht nga vende të BE-së, Kroaci, Turqi dhe Maqedoni. Në Shqipëri ka vetëm një prodhues barnash. Sipas udhëzimeve në fuqi, grosistët në Shqipëri fitojnë 12% për barnat e rimbursueshme nga ISKSH dhe 18% për të tjerat, farmacitë 29% për barnat e rimbursueshme dhe 33% për barnat e parimbursueshme. Grosistët bëjnë shitjen e barnave në depot sekondare të cilat i shpërndajnë në farmaci. Hyrja e medikamenteve bëhet vetëm me autorizim prodhuesi që jepet nga Ministria e Shëndetësisë.

“Synimi i aplikimit të TVSH-së në masën 10% nga të përjashtuara, nuk do të sjellë rritje të çmimit të barnave në treg qoftë të rimbursueshme, qoftë jo të rimbursueshme, sepse vendosja e TVSH për barnat do të synojë në sistemimin e mënyrës së faturimit të çmimeve reale të barnave në Shqipëri”, thotë Ministria e Financave.

Ulja e pragut

Ndryshimi i paraqitur për uljen e kufirit për regjistrimin për TVSH-në është bërë bazuar në propozimet e biznesit, në propozimet e drejtorive rajonale të tatimeve dhe në problemet e evidentuara gjatë administrimit të deritanishëm të ligjit “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Sipas Financave, propozimi i paraqitur synon përcaktimin me VKM të kufirit minimal të regjistrimit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, si një kompetencë e cila i është deleguar Këshillit të Ministrave nga pika 5 e nenit 3 të ligjit të TVSH-së. Propozimi përcakton një shkallë të ndryshme minimale të regjistrimit të personave fizikë dhe juridikë për TVSH-në, nga 5 milionë që është aktualisht, në 2 milionë lekë. Ulja e nivelit të regjistrimit për TVSH-në bëhet për zgjerimin e bazës së taksueshme për TVSH. “Kjo do të sjellë një rritje të numrit të personave fizikë apo juridikë të cilët deklarojnë TVSH, rritje të barazisë mes bizneseve, rritje të transaksioneve bankare, kufizon në mënyrë të ndjeshme rreziqet e mosdeklarimit dhe evazionit, rrit transparencën e qarkullimit ekonomik në vend, rrit të ardhurat në buxhetin e shtetit”, është sqarimi i ministrisë.

Tatim-fitimi

Draft-projektligji “Për tatimin mbi të ardhurat” paraqet propozime për disa ndryshime të rëndësishme. Kështu, shtohet një paragraf ku thuhet se “shpenzimet e sigurimit të jetës dhe shëndetit të punëmarrësve nga punëdhënësi njihen si shpenzime të njohura”. Synimi i kësaj shtese në elementët e shpenzimeve të njohura bëhet në kuadër të propozimeve dhe diskutimeve të mbajtura me Shoqatën e Siguruesve të Shqipërisë. Ky propozim synon në radhë të parë edukimin e publikut mbi sigurimin e jetës dhe shëndetit për të sjellë një përfitueshmëri të madhe social-ekonomike të punëmarrësve dhe familjeve të tyre. Tjetër ndryshim prek sektorin bankar, ku i hiqet si shpenzim i zbritshëm provigjionet për administrimin e kredisë, pasi ky sektor nuk ka barrë të rëndë fiskale.

Ndryshimi i propozuar në nenin 26 lidhet me riatdhesimin e kapitalit të kompanive shqiptare. Kështu, te ky nen, “Pjesëmarrjet që përjashtohen nga tatimi mbi fitimin”, mundësohet shmangia e tatimit të dyfishtë për subjektet përfituese rezidente, që zotërojnë një përqindje të caktuar të kapitalit aksionar apo fillestar të një subjekt tjetër rezident që shpërndan dividentë. Pra tatohet vetëm dividenti dhe jo e ardhura e këtij dividenti. Kjo do të thotë se në përcaktimin e fitimit të tatueshëm të një personi rezident nuk trajtohen dhe nuk merren parasysh si të ardhura për efekt tatimi dividentët dhe ndarjet e fitimit, kur ata shpërndaheshin nga shoqëritë dhe ortakëritë rezidente që janë subjekte të tatimit mbi fitimin, dhe kur subjekti përfitues zotëron një paketë aksionesh.

Ndryshimi i propozuar në nenin 4 të p/ligjit lidhet me sanksionin e së drejtës së tatimpaguesit dhe administratës tatimore për uljen e kësteve të parapagimit të tatim-fitimit. Në legjislacionin aktual është përcaktuar procedura e uljes së kësteve nga ana e taksapaguesit dhe se subjekti e gëzon një të drejtë të tillë në rast se bën supozime të caktuara për ecurinë e aktivitetit gjatë vitit. Ndryshimi i propozuar është që të vendoset interes në masën 10% në rast ulje “të tepruar” të kësteve, për diferencën midis tatim-fitimit që rezulton nga bilanci dhe shumës së kësteve të paguara, si dhe me gjobë sipas ligjit “Për procedurat tatimore”.

Akciza e duhanit

Drafti i hartuar nga Ministria e Financave dhe Ministria e Shëndetësisë parashikon një rritje të akcizës me rreth 30 për qind, pra nga 50 lekë që është sot, të bëhet 70 lekë për paketë. Kështu, për duhanpirësit nuk do të ketë lajme të mira, pasi çmimi i cigares pritet të rritet me të paktën 25 lekë për paketë. Sakaq, Ministria e Financave po bën gati strukturat në pikat kufitare, në mënyrë që të shmangë tentativat e mundshme të një kontrabande. Referuar studimeve të organizatave shëndetësore, Shqipëria është një ndër vendet me duhanpirjen më të lartë në Europë. Për këtë shkak, Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte rekomanduar një nivel taksë mbi paktën që të prekte 70 për qind të vlerës. Të dhënat nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se pirja e duhanit vazhdon të jetë një nga shkaqet kryesore të rritjes së vdekshmërisë në botë. Studimet tregojnë se duhanpirja shkurton pritshmërinë e jetëgjatësisë së njeriut mesatarisht me 20-25 vjet për çdo duhanpirës të rregullt.

“Sipas statistikave të nxjerra nga institucionet e pavarura jopublike, 34.9 për qind e popullatës mbi 18 vjeç janë duhanpirës të rregullt, 6.5 për qind e kësaj popullate janë duhanpirës të rastësishëm. Statistika të tjera vlerësojnë se numri i duhanpirësve në Shqipëri mund të arrijnë shifrën e lartë prej 872 mijë persona, ose e thënë ndryshe rreth 50 për qind e popullatës mbi 18 vjeç. Ministria e Financave pranon se rritja e akcizës mund të shtojë tentativat për evazion fiskal përmes kontrabandës. Aktualisht akciza mbi duhanin aplikohet në masën 50 lekë për paketë, çka do të thotë që taksat (TVSH plus akcizë) përbëjnë rreth 40 për qind të çmimit të shitjes me pakicë, kundrejt 70-80 për qind të rekomanduar nga OBSH-ja.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama