Ndryshimi i kabinetit ne Stamboll.Çlirimi i qyteteve

Megjithëse u ndodhën përballë një ushtrie të shumtë, të përqendruar në vilajetin e Kosovës, kryengritësit arritën të çlironin krahina të tëra, ku nuk ndihej më pushteti xhonturk. Kryengritja shqiptare e futi Portën e Lartë dhe pallatin sulltanor në një krizë të rëndë. Të gjitha masat që mori qeveria për shtypjen e kryengritjes së armatosur të shqiptarëve, nuk dhanë ndonjë përfundim. Opozita kundërqeveritare në ushtri, duke përfituar nga kryengritja shqiptare, shtoi ndikimin e saj në repartet ushtarake osmane në Shqipëri dhe përgjithësisht në Rumeli. Parlamenti e qeveria xhonturke ishin të detyruar të merreshin pothuajse çdo ditë me çështjen shqiptare, çështje të cilën ata e kishin mohuar deri atëherë dhe që në fund të fundit nuk mund ta zgjidhnin.
Në këto rrethana dhe kur vazhdonte ende lufta me Italinë, qeveria xhonturke u detyrua të jepte dorëheqjen më 17 korrik 1912. Ministri i Luftës, Mahmut Shefqet pasha, duke qenë i pafuqishëm të rivendoste rregullin në ushtri, dha i pari dorëheqjen. Shembullin e tij e ndoqi i gjithë kabineti i Said Pashës.
Udhëheqësit e kryengritjes në Kosovë, si Hasan Prishtina, Bajram Curri, Isa Boletini e të tjerë, përshëndetën formimin e qeverisë së re, por kërkuan shpërndarjen e parlamentit. Ata shpresonin se qeveria e re do të vinte në jetë kushtetutën dhe do të respektonte të drejtat e popullit shqiptar.
Ismail Qemali u shkruante nga Korfuzi komiteteve të Shqipërisë së Jugut se kishte shpresa që me kabinetin e ri të fitoheshin të drejtat kombëtare. Por në të njëjtën kohë ai porosiste që, duke u nisur nga “provat e hidhura të deritashme, duhet të mbajmë një qëndrim të rezervuar” kundrejt këtyre ndërrimeve. “Ju atje, - këshillonte ai, - duhet të jeni gati gjithmonë dhe të jeni gati për sakrifica më shumë se në çdo kohë”.
Edhe shtypi shqiptar, si gazeta “Dielli” e të tjera organe, i paralajmëronin kryengritësit që të hapnin sytë e të mos gënjeheshin me premtime të thata nga qeveria e re.
Qeveria e re, e përbërë nga përkrahës të itilafistëve e të opozitës ushtarake dhe e kryesuar nga Ahmet Muhtar pasha, premtoi se do të zbatonte kushtetutën dhe do të anulonte ligjet që ishin në kundërshtim me të. Si detyrë të parë ajo përcaktoi marrjen e masave për të qetësuar gjendjen në Shqipëri që t’i jepej fund kryengritjes shqiptare.
Ndërkohë forcat kryengritëse në Kosovë u hodhën në sulm për çlirimin e qyteteve. Pasi kishin çliruar Gjakovën më 17 korrik, kryengritësit, të udhëhequr nga Hasan Prishtina e Bajram Curri, iu drejtuan Prishtinës. Qytetarët e Prishtinës, me një aksion të shpejtë, të përkrahur edhe nga xhandarët e vendit dhe nga një pjesë e ushtrisë, rrethuan zyrën e telegrafës dhe e detyruan komandantin osman që të hiqte dorë nga qëndresa. Kështu, kryengritësit hynë në Prishtinë pa luftë dhe e çliruan atë më 21 korrik.
Më 22 korrik forcat e Mitrovicës çliruan Pazarin e Ri. Autoritetet civile e ushtarake të qytetit u bashkuan me kryengritësit. Banorët shqiptarë të Senicës, të Novi Varoshit, të Akovës, të Prepoljes, të Plevljes, të Tërgovishtës, të Beranës dhe të Kolashinit hynë në lidhje me Isa Boletinin. Po më 22 korrik u solidarizuan me kryengritësit edhe forcat qeveritare që ndodheshin në Prizren.
Nga Pazari i Ri forcat e komanduara nga Isa Boletini, rreth 6 000 veta, u drejtuan për në Mitrovicë. Qyteti, pas bisedimeve të nënprefektit me Isa Boletinin, u dorëzua pa luftë më 27 korrik 1912. Pas Mitrovicës u çliruan edhe Vuçiterna e Ferizaj. Që këtej kryengritësit marshuan drejt Prishtinës për t’u bashkuar me forcat e Bajram Currit.
Edhe popullsia e qytetit të Pejës, e udhëhequr nga krerë të zejtarëve dhe të tregtarëve të vegjël, në mbledhjen e datës 27 korrik vendosi të bashkohej me kryengritjen. Mytesarifi, i pafuqishëm përballë revoltës popullore, nuk veproi dhe e tërhoqi ushtrinë në kazerma. Në këto kushte edhe bejlerët e Pejës shpejtuan që të bashkoheshin me forcat kryengritëse të grumbulluara në Prishtinë. Në mbarim të korrikut rreth 1 700 pejanë të armatosur u nisën së bashku me krerët e tyre për në Fushë-Kosovë.
Afër 30 000 kryengritës, me gjithë mungesën e ushqimeve, të veshmbathjeve e sidomos të materialeve luftarake, po marshonin në të gjitha anët e Kosovës, edhe pse kishin përballë rreth 70 000 ushtarë osmanë, të armatosur mirë dhe të përforcuar me reparte artilerie e kalorësie. Kryengritësit kudo ku hynë u pritën me gëzim të madh nga popullsia vendase. Me të hyrë në qytete, ata lironin të burgosurit dhe dëbonin funksionarët e urryer nga populli.
Në viset juglindore të Kosovës, rreth 2 000 kryengritës të drejtuar nga Idriz Seferi e Bejtullah Aga, pas vendimit që morën në kuvendin e organizuar në Pozharan, nisën sulmin mbi qytetin e Gjilanit, dhe e çliruan atë. Kryengritësit e kësaj treve ishin të gatshëm të marshonin drejt Kaçanikut e Shkupit. Më 27 korrik forcat kryengritëse çliruan Bujanovcin, ku vendosën rendin dhe qetësinë. Që këtej Idriz Seferi, i shoqëruar nga 70 kryengritës, u nis më 29 korrik për në Prishtinë.
Pas sukseseve që arritën forcat kryengritëse kundër ushtrisë osmane dhe pas çlirimit të një pjese të mirë të qyteteve, në Kosovë për një kohë u ndërprenë veprimet luftarake. Repartet ushtarake osmane u tërhoqën kudo në kazerma. Organet administrative xhonturke po ua lëshonin vendin udhëheqësve radikalë të kryengritjes, të cilët formuan këshillat lokalë. Këta këshilla në shumë vende morën në dorë ruajtjen e rendit dhe detyra të tjera. Në të vërtetë ata duhej të luanin rolin e organeve të pushtetit të ri shqiptar që kishte dalë nga kryengritja e armatosur. Një kujdes të veçantë këto organizma i kushtuan edhe mbrojtjes së popullsisë serbe.
Ndërkaq në Kosovë, që ishte vatra kryesore e lëvizjes, lindën vështirësi për furnizimin dhe për mbajtjen me ushqime të kryengritësve, numri i të cilëve ishte tani shumë i madh. Ndihmat e siguruara nga jashtë ishin të pamjaftueshme.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama