Ndihma ushtarake e Skenderbeut per Mbreterine e Napolit

Për të gjallëruar marrëdhëniet me Mbretërinë e Napolit Skënderbeu e gjykoi të nevojshme t`i jepte ndihmë ushtarake mbretit Ferdinand në luftën që kishte shpërthyer midis tij dhe kundërshtarëve të vet politikë, që ishin baronët e Italisë së Jugut. Këta ishin bashkuar me princin francez Rene të Anzhuinëve, i cili pretendonte fronin e Mbretërisë së Napolit.
Me këtë hap Skënderbeu shihte mundësinë për të siguruar më pas ndihmë për qëndresën e shqiptarëve prej mbretit Ferdinand dhe aleatëve të tij, papa Piu II dhe dukës së Milanos, Françesk Sforcës, të cilët formonin bllokun politik më të fuqishëm në Itali. Këta ishin propaganduesit kryesorë të idesë për organizimin e një fushate ushtarake antiosmane me pjesëmarrjen e shumë shteteve, duke përfshirë edhe vendet e tyre.
Në shtator të vitit 1460, pasi bëri armëpushim me osmanët, Skënderbeu dërgoi në Itali grupin e parë të luftëtarëve të drejtuar nga i nipi, Koiko Stres Balsha. Zbarkimi i trupave shqiptare në Itali shkaktoi tronditje të thellë në radhët e kundërshtarëve të mbretit Ferdinand. Një nga kundërshtarët kryesorë të mbretit, princi i Tarantit, Xhovan Antonio de Orsini, i kërkoi Skënderbeut të hiqte dorë nga përkrahja për mbretin Ferdinand, duke i shkruar me një farë ironie se lufta në Itali do të ishte për të e pasuksesshme. Në përgjigjen e tij të 31 tetorit 1460, me kulturë të gjerë prej humanisti, duke evokuar historinë e lavdishme të popullit të vet, Skënderbeu i ka shkruar princit të Tarantit se "në qoftë se kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë. Duhet ta dini se në kohë të tjera, paraardhësit tanë kaluan në vendin që ju mbani sot dhe patën bërë luftime të mëdha me romakët dhe, nga sa dimë, në të shumtën e herës u ndanë me nder sesa me turp".
Në fund të gushtit të vitit 1461, në krye të 2-3 mijë luftëtarëve, Skënderbeu u nis vetë për në Itali dhe zbarkoi në Barletë, ku gjendej i rrethuar mbreti Ferdinand, bashkë me një pjesë të ushtrisë së vet. Luftëtarët shqiptarë, me Skënderbeun në krye, me të zbritur në tokën italiane, filluan sulmet energjike e shumë të shpejta, duke shkaktuar panik në radhët e forcave kundërshtare. Këta hoqën dorë nga rrethimi i Barletës, filluan tërheqjen drejt jugut, arritën në Andria dhe, pasi lanë pas Barin, u vendosën në Akuaviva.
Skënderbeu organizoi sulme të njëpasnjëshme për të shtënë në dorë qendrat e fortifikuara, që mbaheshin nga kundërshtarët e mbretit Ferdinand. Pasi la në roje të Barletës një pjesë e trupave, me të tjerët Skënderbeu marshoi në veri të saj, çliroi Sant Anxhelon dhe San Xhovani Rotondon dhe u rikthye në Barletë. Pas kësaj, të përforcuar edhe me reparte italiane dhe duke ndjekur forcat kundërshtare, luftëtarët shqiptarë zbritën deri në jugperëndim të Barit, në Altamurë, dhe u futën në zotërimet e princit të Tarantit. Përballë gjendjes shumë të vështirë ushtarake, Xhovan Antonio de Orsini hyri në bisedime me Skënderbeun dhe kërkoi që ky të ndërmjetësonte për të lidhur paqe me mbretin Ferdinand. Ndërkohë udhëheqësi shqiptar organizoi arrestimin e komandantit të qytetit të Tranit, i cili nuk pranoi të bashkohej me mbretin Ferdinand, dhe, pas kësaj, i gjithë garnizoni i atij qyteti iu dorëzua Skënderbeut.
Luftëtarët shqiptarë i dhanë një ndihmë të vyer ushtarake mbretit Ferdinand për të shpartalluar kundërshtarët e vet dhe ajo ndikoi në gjallërimin e marrëdhënieve të Skënderbeut me Mbretërinë e Napolit dhe aleatët e saj. Duke vlerësuar ato ditë rëndësinë e kësaj ndihme, duka i Milanos, Françesk Sforca, i ka shkruar Skënderbeut në fund të shtatorit të vitit 1461 se "ne kemi po atë detyrim ndaj madhërisë suaj, siç e ka edhe ajo madhëri (Ferdinandi) ... dhe që tani e përgjithmonë po afrohemi për të gjitha kënaqësitë, nevojat dhe nderet e të sipërthënit zotërisë suaj, si një vëlla i mirë e i përzemërt". Në shenjë mirënjohjeje për këtë ndihmë, mbreti i Napolit i dhuroi Skënderbeut feudet e Monte Sant Anxhelos e të San Xhovani Rotondos, si dhe një pension vjetor prej 1 200 dukatesh. Për të kryer formalitetet e nevojshme feudale për pronat që iu dhuruan dhe për të nxitur interesimin e shteteve italiane për fillimin e një lufte të përbashkët antiosmane, gjatë muajve mars e prill të vitit 1464 Skënderbeu shkoi vetë në Napoli.
Skënderbeu krijoi lidhje edhe me shtete të tjera italiane, si me Dukatin e Milanos, Mantovën, Sienën etj., madje edhe me vende të largëta evropiane si me dukatin e Burgonjës, por ato nuk ishin aq intensive si me Napolin, Venedikun e Papatin. Marrëdhëniet me Milanon e me Burgonjën lidheshin kryesisht me projektet për organizimin e një fushate të përbashkët antiosmane, pjesëmarrës të së cilës parashikohej se do të ishin edhe ato. Me Spanjën dhe me vendet e Evropës Qendrore, si me Poloninë etj., lidhjet ishin rrjedhim i sundimit në to i po atyre dinastive që ishin përkatësisht edhe në Napoli dhe në Hungari.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e Evropës i forcuan edhe vizitorët e vullnetarët e huaj që erdhën nga vende të ndryshme, deri nga Franca e nga Anglia, dhe luftuan në ushtrinë e Skënderbeut. Ndër ta përmendet më 1457 anglezi Xhon Njupor.
Lidhje krijoi Skënderbeu edhe me vende përtej kufijve të Evropës. Dokumentet e kohës përmendin p.sh. marrëdhëniet e tij me emirin Ibrahim të Karamanisë në Azinë e Vogël. Ibrahimi në një projekt të tij për luftë të përbashkët kundër Perandorisë Osmane një vend qendror i dha aksionit të shqiptarëve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama