Marredheniet politike te Lidhjes me Maqedonine

Pas viteve 60 të shek. IV p.e.sonë në politikën e jashtme të Lidhjes Molose vihen re ndryshime të dukshme, që çuan në zgjerimin territorial dhe në fuqizimin e mëtejshëm politik të saj.
Në këtë kohë në kufijtë verilindorë të Epirit filloi të mëkëmbet me shpejtësi shteti maqedon. Gjatë sundimit të Filipit II Maqedonia u shndërrua në një monarki të fuqishme të centralizuar, në një forcë kryesore politike dhe ushtarake në Ballkan.
Duke shfrytëzuar krizën e shteteve greke, Filipi pasi zgjeroi dhe konsolidoi shtetin e vet, nuk vonoi të ndërhynte edhe në çështjet e brendshme të tyre duke zhvilluar një politikë konsekuente hegjemoniste mbi to. Në këtë drejtim Epiri duhet të shërbente si një mbështetje për të shtrirë kontrollin maqedon në brigjet perëndimore të Greqisë, për këtë qëllim Filipi II i dha një rëndësi të veçantë vendosjes së një aleance të qëndrueshme me Lidhjen Molose. Për këtë aleancë ishte interesuar dhe vetë Lidhja, sa kohë që Maqedonia do t’i linte dorë të lirë për ta çuar më tej politikën e zgjerimit të mëtejshëm të kufijve të saj. Dhe jo rastësisht Arryba, i cili kryesonte në këtë kohë Lidhjen, shpejtoi të lidhte krushqi me Filipin II, duke i dhënë këtij të fundit në vitin 357 p.e.sonë mbesën e tij, Olymbinë për grua.
Midis viteve 360-344 p.e.sonë, Lidhja Molose shënon një zgjerim të mëtejshëm të territorit të saj nga verilindja duke arritur kufirin më të largët në këtë drejtim deri tek Parauejtë në pellgun e Përmetit, Timfejtë dhe Orestët në luginën e sipërme të Haliakmonit.
Por në vitin 344 p.e.sonë, Lidhja detyrohet të heqë dorë nga këto krahina, të cilat Filipi II ia kaloi Maqedonisë. Kur pak më vonë Athina nisi të përzihet në çështjet e brendshme të Epirit, duke rrezikuar pozitat e Maqedonisë në Epir, Filipi II sulmoi ushtarakisht Ambrakinë duke kaluar nëpër territorin shtetëror të Lidhjes. Pasi mposhti Ambrakinë dhe nënshtroi kolonitë helene të elejve në Kasopi, Buketin, Pandosinë dhe Eletren, zboi nga froni Arrybën, aleatin e lëkundur dhe të pabindur të Maqedonisë, i cili kërkoi strehim në Athinë. Në krye të Lidhjes Molose vuri kunatin e vet Aleksandrin 20-vjeçar, të mbiquajtur Molos, të cilit i dorëzoi dhe qytetet që sapo i kishte pushtuar. Për ta angazhuar edhe më shumë ndaj Maqedonisë, Filipi II i dha Aleksandrit për grua të bijën, Kleopatrën, dhe e përkrahu atë në politikën e zgjerimit territorial të shtetit molos. Gjatë sundimit të Aleksandrit (342-331 p.e.sonë), Lidhja Molose i zgjeroi shumë kufijtë e saj në drejtim të krahinave jugore dhe veriperëndimore të Epirit. Nën kontrollin e Lidhjes hynë tani jo vetëm kolonitë elease, por edhe tërë Kasopia fqinje, të cilat u bënë aleatë të saj (symnatios), duke gëzuar një farë autonomie dhe të drejtën që të prisnin monedhat e tyre.
Aleksandri arriti t’i imponojë pushtetin e tij dhe Koinonit të thesprotëve, deri atëhere i pavarur, megjithëse territorialisht në përfitim të Lidhjes Molose, e cila ushtronte mbi të presion të vazhdueshëm, për të dalë në det. Jashtë kontrollit të shtetit molos ende mbetej në këtë kohë Koinoni i kaonëve, që vazhdoi të ruante pavarësinë e tij. Zgjerimi territorial në drejtim të pjesës më të zhvilluar nga pikëpamja social-ekonomike të Epirit dhe në mënyrë të veçantë dalja e tij gjerësisht në det, e fuqizuan edhe më shumë ekonomikisht dhe politikisht shtetin molos, dhe hapën rrugë për një intensifikim të lidhjeve sidomos me brigjet perëndimore të Mesdheut.
Në vitin 334 p.e.sonë Tarenti kërkoi nga Aleksandri molos ndihmë ushtarake, meqenëse po rrezikohej pavarësia e qytetit dhe e aleatëve të tij nga lukanët. Aleksandrit do t’i jepej mundësia që të përhapte influencën e Epirit edhe në qytetet e tjera të Italisë së Jugut, për të cilën ishin të interesuara shtresat sunduese të vendit, që ai përfaqësonte dhe në mënyrë të posaçme ajo tregtare. Kjo u bë nxitje që Aleksandri të ndërhynte aktivisht në çështjet e qyteteve greke të Italisë së Jugut.
Pasi ia la sundimin e Mbretërisë Epirote gruas së vet sa kohë që ai do të mungonte, Aleksandri u nis për në Itali me forca të kufizuara, sipas Aristotelit me 15 anije ushtarake dhe mjaft anije tregtare. Me të zbritur në Itali, ai e zgjeroi bërthamën e ushtrisë së tij relativisht të vogël, me forca tarentine si edhe me mercenarë, me lukanë të dëbuar dhe me kontingjentet që i vunë në dispozicion qytetet e tjera greke të kërcënuara nga fiset italike.
Në fillim Aleksandri korri një sërë fitoresh kundër lukanëve dhe samnitëve, futi në dorë Heraklenë, koloninë e Tarentit, Sipontin e Apuljes etj., dhe për një kohë ai e konsideroi veten sundimtar të plotë mbi to. Nga kjo pozitë, ai bëri marrëveshje dhe me qytete të tjera, madje dhe me Romën. Nga vendet e kontrolluara prej tij dërgoi për në atdhe 300 familje të shquara si pengje. Më vonë lukanët dhe samnitët e morën veten dhe me forca të shumta të bashkuara, filluan të ushtrojnë përherë e më tepër presion mbi ushtrinë epirote dhe të aleatëve të saj numerikisht më të pakët, derisa në dimrin e vitit 331-330 p.e.sonë, pas një beteje të përgjakshme pranë Pandosisë, jo larg Kozencës, forcat e Aleksandrit u thyen keqas dhe ai mbeti i vrarë në këtë betejë.
Me rrjedhimet që patën këto ngjarje në Epir mbyllet dhe etapa e parë e zhvillimit historik të shtetit federativ epirot.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama