Levizja e vitit 1862 ne Mirdite

Qëndresa e vendosur që vijonte t’i bënte popullsia e Shkodrës dhe e malësive të saj politikës shtypëse të administratës së re osmane, frymëzoi një grup intelektualësh të rinj shkodranë, të cilët u vunë në lëvizje për t’i dhënë luftës çlirimtare kundërosmane një karakter më të organizuar. Ky grup përbëhej nga Zef Jubani, Pashko Vasa dhe nga disa klerikë katolikë atdhetarë, si abati i Mirditës Gaspër Krasniqi etj. Në nismën e këtij grupi ndikuan lëvizjet për çlirimin kombëtar që po zhvilloheshin në vendet fqinje e në Itali, si dhe kontaktet e revolucionarëve italianë me rrethet patriotike shqiptare. Ata ishin frymëzuar nga shembulli i bashkimit të territoreve italiane rreth krahinës së Piemontit, që çoi në formimin e shtetin të njësuar italian.
Sipas planit të hartuar nga grupi i intelektualëve shkodranë, kryengritja kombëtare shqiptare, që do të ishte njëherazi pjesë përbërëse e lëvizjes së përgjithshme kundërosmane në Ballkan, duhej të shpërthente në Mirditë në pranverën e vitit 1862 dhe prej këtej do të shtrihej edhe në malësitë e tjera. Për realizimin e këtij plani ata mbështeteshin në gatishmërinë për luftë që kishin prej kohësh popullsitë e armatosura të Malësisë, në rrethanat e krijuara nga gjendja e luftës me Malin e Zi, që i lidhte duart Perandorisë Osmane, si edhe në ndihmën që shpresonin të kishin nga Franca. Në të vërtetë, Napoleoni III prej disa kohësh kishte filluar t’i ndiqte me interes ngjarjet në Ballkan, me qëllim që ta rivendoste përsëri ndikimin e Perandorisë Franceze në Lindje. Në konfliktin malazezo-turk Franca përkrahu principatën e vogël, por nuk i kurseu as premtimet e ndihmat për Shqipërinë e veçanërisht për Mirditën, e cila, për numrin e bajrakëve, për potencialin luftarak më të madh dhe për ndikimin që kishte ndërmjet malësive të tjera, kishte tërhequr vëmendjen e perandorit francez.
Sipas mendimit të grupit shkodran, kapedani i Mirditës Bibë Doda duhej të ngrinte i pari flamurin e kryengritjes dhe të shpallte një principatë shqiptare autonome ose të pavarur, rreth së cilës më vonë mund të bashkoheshin edhe krahinat e tjera të vendit.
Pasi arriti t’i ndalonte malësorët të mos rekrutoheshin në repartet ndihmëse që kërkonte të ngrinte Porta, grupi i atdhetarëve shkodranë filloi të përgatiste truallin për kryengritjen. Por kapedani Bibë Doda, i cili si pasha merrte një rrogë të majme, u tremb nga zhvillimi i ngjarjeve dhe u tërhoq nga ndërmarrja. Kur ai, në pranverën e vitit 1862, duke plotësuar urdhrat e qeverisë, u mundua të rekrutonte disa reparte vullnetarësh, në Mirditë shpërtheu një konflikt i ashpër. Në këtë konflikt shumica e popullsisë u rreshtua kundër kapedanit, të cilin e akuzonte se donte të përfitonte në kurriz të saj, se edhe në fushatat e mëparshme kishte përvetësuar rrogat e vullnetarëve, se po i shpinte ata në një vdekje të sigurt etj. Në këto kushte ky u detyrua të largohej nga Mirdita dhe të kërkonte strehë e mbrojtje te valiu turk në Shkodër. Ndërkohë mirditasit sulmuan shtëpitë e pronat e kapedanit në Kallmet dhe u vunë zjarrin.
Njëkohësisht reparte të tjera ndërprenë rrugën Shkodër-Prizren. Gjendja u bë kërcënuese për Portën. Masa që mori ajo me arrestimin e abatit Gaspër Krasniqi, i cili ishte bërë udhëheqësi i lëvizjes në Mirditë, nuk e qetësoi, përkundrazi, e acaroi edhe më shumë gjendjen. Patriotët shkodranë nuk ngurruan të akuzonin Bibë Dodë pashën si “vrasës të popullit të tij” e qeverinë e sulltanit si “shtypëse të pamëshirshme të kombit shqiptar” dhe të vinin në dukje se Fuqitë e Mëdha, si Anglia e Austria, të cilat me politikën e tyre përkrahnin “një kufomë që quhet Turqi”, ndihmonin për të mbajtur edhe më tej popullsitë e Ballkanit nën zgjedhën e Perandorisë Osmane.
Me gjithë fillimet e mbara, kryengritja në Mirditë nuk mori hov. Fitoret e rëndësishme që korri ushtria turke kundër malazezëve në qershor 1862, armëpushimi i arritur në gusht të atij viti dhe dështimi i projekteve për kryengritjen e përgjithshme në Ballkan i hoqën lëvizjes mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm. Për më tepër, kundër saj ndërhyri tani edhe diplomacia austriake, e cila e shihte me shqetësim gjithnjë më të madh zhvillimin e ngjarjeve në Shqipërinë e Veriut. Hovi i kryengritjes ra. Pas disa kohësh Bibë Doda u kthye përsëri në Mirditë si kapedan-pashë.
Me përpjekjet e përfaqësuesve të kulturuar të borgjezisë për t’u lidhur me lëvizjen popullore kundërosmane dhe për ta organizuar e për ta drejtuar atë bëhej një hap i ri në lëvizjen kombëtare. Por lëvizja u projektua në një zonë të ngushtë, të banuar vetëm nga popullsi katolike, pa lidhje me krahinat e tjera dhe për më tepër u zhvillua vetëm në Mirditë, në një nga krahinat më të prapambetura të vendit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama