Leku mbyll javen ne renie

Leku mbyll javën në rënie
Leku shqiptar mbylli javën e kaluar me dobësim të lehtë, duke i dhënë fund efekteve sezonale që shkaktohen nga turistët dhe emigrantët dhe që zakonisht gjatë verës sjellin forcimin e monedhës vendëse. Largimi i emigrantëve dhe turistëve si dhe rrallimi i ankandeve për bono thesari duket se rënduan mbi kërkesë-ofertën për lekë në treg.

Zakonisht leku forcohet në fillim të javës. Gjatë tre javëve të fundit, leku ka njohur një forcim të lehtë kundrejt euros, e cila është monedha referencë për ne, për shkak të rritjes së kërkesës së qeverisë për borxh të brendshëm dhe për shkak të rritjes së fluksit hyrës të valutës që ndodh çdo vit në gusht. Por gjatë ditëve të fundit, gjithnjë e më shumë emigrantë dhe turistë të huaj janë larguar nga Shqipëria dhe efekti i fundit i sezonit turistik po ndjehet edhe te kursi i këmbimit.

Leku shqiptar u forcua vazhdimisht që nga viti 2003 deri në vitin 2006, ndërsa ka filluar të dobësohet gjatë vitit 2007, për shkak të rritjes së deficitit të llogarisë korrente të vendit. Deficiti parashikohet në rritje edhe për këtë vit, gjë që do të ushtrojë presion mbi lekun.

Importet e larta të energjisë dhe ushqimeve, si dhe ulja e prurjeve valutore nga emigrantët kanë qenë shkaktarët e thellimit të deficitit të llogarisë korrente të vendit, që këtë vit pritet të kapërcejë kuotën e 1 miliardë eurove. Gjatë vitit të kaluar, deficiti u kompensua pjesshëm me hyrjen e investimeve të huaja, por këtë vit, një gjë e tillë nuk po përsëritet.


Gazeta: Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama