Kthimi ne Shqiperi i djalit te Skenderbeut Gjon Kastriotit (1481-1484)

Rënia gjatë viteve 1478 e 1479 e Krujës, e Shkodrës, e Lezhës, e Himarës dhe e kështjellave të tjera i forcuan pozitat e pushtuesve osmanë në Shqipërinë Perëndimore dhe u krijuan atyre prapavija deri diku të sigurta për të realizuar synimet e sulltan Mehmetit II për pushtimin e Italisë dhe të vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.
Pas marrjes së qyteteve të mësipërme dhe përgatitjeve intensive, trupat osmane u grumbulluan në Vlorë dhe në rrethinat e saj. Në pranverë të vitit 1480 rreth 10 mijë ushtarë me Ahmet Gjedik pashën në krye u nisën nga Vlora dhe zbarkuan në tokën e Mbretërisë së Napolit. Këtu ushtritë osmane rrethuan kështjellën e Otrantos, të cilën e pushtuan më 11 gusht të atij viti.
Sulmet e ushtrive osmane për pushtimin e kështjellave të tjera të Mbretërisë së Napolit qenë të pasuksesshme, prandaj gjatë dimrit osmanët filluan përgatitjet për të hedhur në Itali trupa të tjera. Por ndërkohë, me vdekjen në maj të vitit 1481 të sulltan Mehmetit II, ndërmjet djemve të tij, Bajazitit dhe Xhemit, shpërtheu lufta për trashëgimin e fronit, gjë që pezulloi dërgimin e përforcimeve ushtarake osmane në Itali. Pasi siguroi fronin, sulltan Bajaziti e drejtoi vëmendjen nga Italia dhe komandën e trupave të reja për në Gadishullin Apenin ia ngarkoi bejlerbeut të Rumelisë, Sulejman pashë Eunukut.
Pushtimi i kështjellës së Otrantos prej osmanëve i kishte tronditur qarqet drejtuese të shteteve evropiane dhe i nxiti ato që të krijonin një koalicion të përbashkët nën kryesinë e Mbretërisë së Napolit. Forcat e koalicionit evropian e detyruan ushtrinë osmane të qëndronte e rrethuar në kështjellën e Otrantos. Në këto luftime, në radhët e ushtrisë napolitane mori pjesë edhe djali i Skënderbeut, Gjon Kastrioti.
Lufta e koalicionit evropian kundër ushtrisë osmane në Itali, interesimi i mbretit Ferdinand të Napolit për të krijuar në Shqipëri një prapavijë të pasigurt për trupat osmane që vepronin e që dërgoheshin në Itali, si dhe kriza politike që shpërtheu në Perandorinë Osmane me vdekjen e sulltan Mehmetit II, u ngjalli shpresa shqiptarëve për t'u çliruar nga zgjedha osmane dhe i hodhi ata në aksione të fuqishme.
Në këto rrethana në Shqipërinë Perëndimore shpërtheu një valë kryengritjesh, të cilat e detyruan bejlerbeun e Rumelisë që ushtritë e destinuara për në Itali t'i angazhonte në luftë kundër shqiptarëve. Për shpërthimin dhe organizimin e këtyre kryengritjeve rol parësor patën disa nga drejtuesit e mëparshëm të vendit dhe trashëgimtarë të tyre, që u kthyen në Shqipëri nga mërgimi për të rimëkëmbur zotërimet e tyre.
Në fillim të verës së vitit 1481, pas vdekjes së sulltan Mehmetit II, filluan të kthehen në Shqipëri Nikollë Dukagjini, Lekë Dukagjini, Gjon Gjurashi (Cërnojeviçi) dhe, pak më vonë, Gjon Kastrioti e Konstandin Muzaka. Gj. Gjurashi hyri në marrëveshje me osmanët, u bë vasal i tyre dhe ringriti kështu shtetin e tij.
Gjon Kastrioti jetonte në Mbretërinë e Napolit, në pronat që i kishte trashëguar prej babait të tij, Skënderbeut. Ai ishte duke luftuar kundër osmanëve në Otranto, kur përfaqësues të kryengritësve shqiptarë i kërkuan Gjon Kastriotit që të kthehej në Shqipëri dhe ai e pranoi kërkesën e tyre.
Duke përfituar nga interesimi që kishte në këtë kohë oborri napolitan për zgjerimin sa më shumë të frontit të luftës kundër pushtuesve osmanë, Gjon Kastrioti arriti të siguronte nga mbreti Ferdinand mjetet e nevojshme të lundrimit për të ardhur në Shqipëri së bashku me një numër luftëtarësh. Në katër anije (galera) napolitane i ngarkoi forcat e veta dhe u nis në drejtim të atdheut bashkë me kushëririn e tij, Konstandin Muzakën.
Pasi Gjon Kastrioti zbarkoi në jug të Durrësit, anijet napolitane iu drejtuan Shqipërisë së Poshtme dhe zbarkuan Konstandin Muzakën në zonën e Himarës, ku ishte krijuar një vatër tjetër kryengritjesh antiosmane. Ndërkohë në Shqipërinë e Epërme, në rajonet malore të Lezhës e të Shkodrës vepronin forcat e Nikollë e Lekë Dukagjinit. Këta sulmuan edhe qytetin e Shkodrës, gjë që e detyroi Sulejman Pashën të dërgonte përforcime ushtarake edhe në këtë zonë.
Gjon Kastrioti u mirëprit nga banorët e Shqipërisë Qendrore si trashëgimtar i ligjshëm i vendit. Me ardhjen e tij kryengritësit e këtyre rajoneve e fuqizuan luftën për dëbimin e pushtuesve osmanë. Në këto kushte, Sulejman pashë Eunuku nisi kundër tyre një pjesë të ushtrisë osmane, e cila po përgatitej në rrethinat e Vlorës për të shkuar në Itali.
Për të përballuar sulmin e ushtrisë osmane Gjon Kastrioti dërgoi një pjesë të luftëtarëve të vet në mbrojtje të një shtegu nga do të kalonin trupat armike. Por luftëtarët shqiptarë nuk e përballuan dot sulmin e forcave osmane dhe thuajse të gjithë ranë robër. Kjo humbje ia lëkundi besimin Gjon Kastriotit për suksesin e kryengritjes, prandaj ai mendoi të largohej nga Shqipëria dhe të kthehej në Itali. Por banorët e zotërimeve të Kastriotëve shprehën një gatishmëri masive për të vazhduar luftën kundër pushtuesve osmanë. Rreth 7 mijë luftëtarë u grumbulluan rreth Gjon Kastriotit dhe në gjysmën e parë të muajit gusht të vitit 1481 i sulmuan dhe i shpartalluan trupat osmane. Krahas kësaj fitoreje u arrit të liroheshin edhe shqiptarët që ishin zënë rob prej osmanëve në betejën e mëparshme.
Po gjatë muajit gusht të vitit 1481 edhe në viset perëndimore të Shqipërisë së Poshtme, sidomos në rajonin e Himarës, u zhvilluan luftime të ashpra ndërmjet shqiptarëve dhe trupave osmane. Nën drejtimin e Konstandin Muzakës luftëtarët shqiptarë rrethuan dhe sulmuan kështjellën e Himarës dhe të Sopotit (Borshit). Gjendja shumë e vështirë që u krijua për forcat osmane, që vepronin në këto vise, e detyroi Sulejman Pashën të nisej vetë në krye të 3 mijë ushtarëve në drejtim të Himarës. Por rrugës këta u shpartalluan prej shqiptarëve dhe lanë mbi 1 mijë të vrarë e robër. Midis robërve ishte edhe bejlerbeu i Rumelisë, Sulejman Pasha, të cilin himariotët ia dhanë si trofe lufte Gjon Kastriotit, shprehje kjo e ndjenjave të tyre të thella për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, si dhe të respektit që ata tregonin për veprimtarinë e djalit të tij. Për të tërhequr vëmendjen e përkrahjen e shteteve evropiane për luftën e shqiptarëve, Gjoni i dërgoi mbretit të Napolit si trofe bejlerbeun e Rumelisë.
Pas fitores së himariotëve mbi trupat e Sinan Pashës, në viset bregdetare të Shqipërisë së Poshtme u çliruan kështjella e Himarës më 31 gusht 1481 dhe më pas ajo e Sopotit.
Shpartallimi i ushtrisë së Sulejman Pashës në Shqipëri, i lehtësoi së tepërmi aksionet luftarake antiosmane që zhvilloheshin në mbretërinë e Napolit. Më 10 shtator të vitit 1481 ushtria e Napolit çliroi kështjellën e Otrantos dhe i dëboi kështu osmanët nga Italia.
Pas fitoreve të shqiptarëve gjatë muajit gusht të vitit 1481 kundër ushtrisë së Sulejman Pashës, u zgjeruan veprimet e tyre luftarake për çlirimin e qyteteve dhe të kështjellave të vendit. Luftëtarët e Gjon Kastriotit iu drejtuan Krujës dhe ndërmorën sulme për çlirimin e saj. Megjithëse nuk arritën ta merrnin atë, sepse kështjella e Krujës ishte shumë e fortifikuar dhe e papushtueshme me forcën e armëve, deri në fund të vitit 1481 shqiptarët çliruan një pjesë të konsiderueshme të zotërimeve të Kastriotëve, duke përfshirë edhe kështjellën e Stelushit, si dhe krahina të tjera rreth saj. Si kryezot i viseve të çliruara u njoh Gjon Kastrioti.
Pas marrëveshjes së paqes të vitit 1483 ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Mbretërisë së Napolit, ushtritë osmane fuqizuan veprimtarinë e tyre për ripushtimin e zotërimeve të Kastriotëve dhe të viseve të tjera të lira shqiptare. Edhe pse në janar të vitit 1484 luftëtarët e Gjon Kastriotit shpartalluan një ushtri osmane pranë lumit Erzen, qëndresa dhe lufta e organizuar e shqiptarëve përkohësisht filloi të dobësohej prej presionit të madh e të pandërprerë të trupave pushtuese. Në verë të vitit 1484 osmanët ripushtuan kështjellën e Himarës. Rënia e qëndresës antiosmane e detyroi Gjon Kastriotin të largohej nga Shqipëria dhe të vendosej përsëri në pronat që Kastriotët kishin në Itali. Të njëjtën gjë bënë edhe sundimtarët e tjerë shqiptarë, që kishin emigruar dhe që në fillim të viteve 80 erdhën në Shqipëri për të udhëhequr kryengritjet antiosmane.
Gjon Kastrioti vdiq pas vitit 1502 dhe la pesë fëmijë: Gjergjin (Skënderbeu i Ri), Konstandinin, peshkop i Izernias që vdiq në vitin 1500 në moshën 20-vjeçare, Ferrantin (të cilit M. Barleci i ka kushtuar një parathënie te “Historia e Skënderbeut” dhe që ka vdekur më 1561), Federikon, që vdiq më 1503 në moshën 15-vjeçare në Valencie të Spanjës, ku u varros me nderime mbretërore, dhe Marien, e cila iu përkushtua artit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama