Kryengritjet e vitit 1833

Reformat centralizuese të qeverisë osmane, që filluan të zbatoheshin në Shqipëri me dërgimin e nëpunësve civilë dhe ushtarakë turq, hasën në qëndresën e popullsisë shqiptare që nisi me moszbatimin e urdhrave për t’u shndërruar më pas në kryengritje të armatosur.
Pas dy kryengritjeve lokale, që shpërthyen në fillim të vitit 1833 në Kolonjë e në Dibër dhe që u shtypën nga qeveria turke, kryengritja mori një shtrirje të gjerë të panjohur në periudhat e mëparshme në zonën Berat-Vlorë-Delvinë-Çamëri.
Qeverisja arbitrare e Emin Pashës, i biri i Mehmet Reshit pashës, e mbështetur në një terror, si dhe orvatjet për zbatimin e reformës ushtarake ishin shkaqet e drejtpërdrejta që e kthyen pakënaqësinë e popullsisë në një kryengritje që u shtri në krejt Shqipërinë e Jugut. Në fillim të korrikut 1833 ngritën krye banorët e Tepelenës, të cilët shtinë në dorë qytetin. Kryengritja, që udhëhiqej nga Balil Nesho, u shtri në krahinat e Gjirokastrës e të Delvinës. Për shtypjen e saj Stambolli dërgoi forca të shumta osmane, të komanduara nga Emin Pasha. Shumica e kryengritësve u vendos në Qafën e Peshkëpisë, ndërsa pjesa tjetër, e organizuar në çeta të vogla, u vendos gjatë rrugës për në Peshkëpi. Goditjet që këto çeta u dhanë forcave osmane dhe dezertimi i shumë ushtarëve shqiptarë, të rekrutuar me forcë, e vështirësuan gjendjen e qeveritarit osman. Por këtij i erdhi në ndihmë peshkopi ortodoks i Drinopojës (i Gjirokastrës), i cili, duke njohur mirë pozicionet e kryengritësve, i kaloi forcat osmane nëpër një grykë tjetër. Të papërgatitur për sulmin e befasishëm, kryengritësit luftuan me trimëri dhe, pasi lanë shumë të vrarë, u tërhoqën në fshatin Luzat, ku i shkaktuan Emin Pashës një shpartallim të plotë.
Të nxitur nga kjo fitore, u hodhën në kryengritje edhe banorët e qyteteve të Beratit e të Vlorës. Duke nisur si një kryengritje fshatare, ajo brenda një kohe të shkurtër u kthye në një lëvizje të të gjithë popullsisë, gjeti mbështetje të fortë në banorët e Beratit, të cilët rrethuan kështjellën. Kryengritja përfshiu gjithashtu krahinat e Tomoricës, të Skraparit e të Kurveleshit. Një pjesë e kryengritësve shkuan në ndihmë të forcave që kishin rrethuar kështjellën e Beratit, kurse pjesa tjetër zuri grykat e rrugët nga pritej të vinte ushtria osmane. Rrezja e kryengritjes u përhap në krahinat e Delvinës e të Çamërisë. Jehona e saj u ndje edhe në Shqipërinë e Mesme. Me kërkesën e banorëve të Elbasanit një pjesë e kryengritësve u hodh nga Berati në atë krahinë për t’i ndihmuar ata në luftën kundër administratës osmane.
Në këto rrethana Porta e Lartë, me shpresë se kryengritësit do të shpërndaheshin, e largoi Emin Pashën nga Shqipëria e Jugut. Por në mesin e shtatorit të 1833-it, nën goditjet e fuqishme të kryengritësve, ra kështjella e Beratit. Në qytetin e çliruar të Beratit, kuvendi i përfaqësuesve të të gjitha krahinave kryengritëse miratoi dy kërkesa themelore: t’u ngarkohej shqiptarëve drejtimi i krahinave kryengritëse dhe të uleshin detyrimet ndaj shtetit, duke zbritur në atë masë që paguhej në kohën kur pashallëku i Beratit qeverisej nga feudali shqiptar, Ahmet Kurt pasha.
Shtrirja e gjerë e kryengritjes, që fillonte nga Skrapari e Kurveleshi, në Myzeqe e në Vlorë e deri në Çamëri, e detyruan Portën e Lartë të hiqte dorë përkohësisht nga rekrutimi i ushtarëve nizamë, të shpallte amnistinë dhe të lejonte vendosjen e disa shqiptarëve si qeveritarë në kazatë e Beratit, të Vlorës, të Tepelenës, të Gjirokastrës e të Përmetit dhe emërimin e të tjerëve si komandantë në garnizonet e kështjellave të Beratit, të Gjirokastrës etj. Kjo ishte një fitore e rëndësishme e kryengritjes, por jo e plotë. Të paformuara politikisht dhe me një udhëheqje pa përvojë, forcat kryengritëse u shpërndanë, duke besuar se do të plotësoheshin të gjitha kërkesat e tyre.
Po në vitin 1833 lëvizja kryengritëse përfshiu edhe Shqipërinë e Veriut. Vatra kryesore e saj u bë Shkodra, qyteti më i zhvilluar i vendit. Zbatimi i reformës ushtarake, abuzimet dhe grabitjet e administratës së re shkaktuan pakënaqësi te popullsia qytetare. Por shtresat e pasura të krishtera të qytetit, sipas porosisë së dhënë nga emisarët austriakë, që u kërkonin të mos bashkoheshin me popullsinë myslimane, nuk u përfshinë në lëvizje. Më 10 prill të vitit 1833 u dha kushtrimi për mbylljen e dyqaneve në tregun e Shkodrës. Rreth 4 000 veta të armatosur nga popullsia e qytetit dhe nga malësorët përreth zunë sheshin e qytetit. Në emër të kryengritësve një delegacion i dërguar nga ata kërkoi që veziri Ali Namik pasha të hiqte dorë nga zbatimi i reformave, nga dhuna e grabitjet dhe të vendoseshin rregullat që kishin qenë në fuqi në kohën e qeverisjes së vendit nga Mustafa pashë Bushatlliu. Por thelbin e këtyre kërkesave e përbënte synimi për një qeverisje autonome të krahinës së Shkodrës. Duke parë fuqinë e revoltës dhe për të fituar kohë, qeveritari, Ali Namik pasha, premtoi se do të merrte parasysh kërkesat e të revoltuarve. Ndërkohë ai mori masa për shtypjen e saj. Më 7 gusht të vitit 1833 ai dërgoi një repart ushtarësh në tregun e qytetit për ta shtënë në dorë. Ky veprim çoi në përleshje të ashpra midis forcave osmane dhe njësive kryengritëse. Pabesia e qeveritarit e shtyti edhe popullsinë katolike të bashkohej me myslimanët. Pas kësaj lëvizja mori formën e një kryengritjeje. Më 8 gusht u organizua një kuvend, ku morën pjesë përfaqësues të lagjeve të qytetit. Kuvendi zgjodhi një Këshill të Përkohshëm, që riorganizoi forcat vullnetare dhe caktoi një delegacion që do të shkonte në Stamboll për t’u ankuar në emër të popullsisë së Shkodrës kundër qeveritarit të sanxhakut. Kryengritja udhëhiqej nga një Këshill përfaqësues. Kjo ishte një formë e re organizimi që ndeshej për herë të parë në lëvizjen shqiptare. Këshilli përbëhej nga përfaqësues të parisë, të krerëve që ishin pasardhës të Bushatllinjve dhe të borgjezisë zejtare-tregtare të qytetit.
Ndërsa pritej përgjigjja nga Stambolli, Ali Namik pasha, duke thirrur në ndihmë edhe trupat që kishte mbledhur i biri në Ohër e në Elbasan, u orvat të shtypte me forcën e armëve kryengritjen qytetare. Mirëpo këto orvatje dështuan para qëndresës së forcave kryengritëse. Forcat osmane u thyen dhe u tërhoqën me disfatë para se të mbërrinin në Shkodër.
Kryengritja nuk gjeti ndonjë mbështetje te Fuqitë e Mëdha. Edhe qeveria austriake, ndonëse kishte marrë përsipër mbrojtjen e katolikëve, urdhëroi emisarin e saj në Shkodër që të mos pranonte asnjë kërkesë të kryengritësve. Vonesa e përgjigjes së Portës së Lartë u tregoi qartë kryengritësve se kërkesat e tyre mund të përmbusheshin vetëm me luftë e në bashkëpunim me krahinat e tjera të vendit. Përveç lidhjeve që ishin vendosur me malësorët e me krahinat përreth qytetit të Shkodrës, u bënë përçapje për të hyrë në bashkëpunim me viset e tjera shqiptare, në Shqipërinë e Mesme e të Jugut. Një delegacion u dërgua në Elbasan, ku banorët e qytetit, të ndihmuar edhe nga vullnetarët e ardhur nga Berati, mbanin të bllokuar qeveritarin e huaj.
E ndodhur para një lëvizjeje kryengritëse, që kishte përfshirë tokat shqiptare nga Shkodra deri në Çamëri dhe që krijonte përshtypjen e një kryengritjeje të përgjithshme, Porta e Lartë u detyrua të pushonte nga detyra Ali Namik pashën, të pezullonte përkohësisht zbatimin e reformave dhe të premtonte se do të paguante dëmet që u ishin shkaktuar shqiptarëve gjatë luftimeve. Më 2 dhjetor 1833 Ali Namik pasha, pas tre muajsh rrethimi, u detyrua ta lërë Shkodrën. Në vendin e tij u dërgua Hafëz Pasha. Ndërkaq, pasi zgjidhi konfliktin me Mehmet Aliun e Egjiptit, Porta e Lartë rifilloi orvatjet për të zbatuar me forcë reformat. Kjo u bë shkak për rigjallërimin e lëvizjes kryengritëse. I shoqëruar nga tetë regjimente të rregullta, Hafëz Pasha filloi të shkarkonte elementët kundërshtarë dhe t’i zëvendësonte me nëpunës të huaj, rriti taksat doganore për mallrat e importuara nga 2% në 5% dhe u orvat të zbatonte reformën ushtarake. Ndërkohë, edhe qeveritari i Shqipërisë së Jugut, Mehmet Hamdi pasha, kishte marrë urdhër të zbatonte reformën ushtarake në këto treva.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama