Kriza Lindore e viteve 1853-1856 dhe Shqiperia

Kryengritjet kundër Tanzimatit dhe sidomos kryengritja e madhe e vitit 1847 i kishin treguar Stambollit rrezikun që i kanosej Perandorisë nga një acarim i ri i gjendjes në Shqipëri në një kohë kur kishte filluar të rritej edhe lëvizja e përgjithshme për çlirimin kombëtar të popujve të Ballkanit dhe ishin acaruar kontradiktat e Fuqive të Mëdha lidhur me trashëgimin e “të sëmurit të Bosforit”, siç quhej tashmë Perandoria Osmane. Shqetësimi i Portës ishte shtuar edhe nga interesimi që kishin filluar të tregonin për Shqipërinë shtetet e reja ballkanike dhe nga orvatjet e tyre për t’i shfrytëzuar lëvizjet kundërosmane të shqiptarëve.
Në këto rrethana, kur mund të shpërthente një konflikt ndërkombëtar, Stambolli, duke dashur të kishte në krahun e vet forcën ushtarake të shqiptarëve, që e çmonte shumë, krahas zgjerimit të propagandës panislamike mori edhe disa masa për të ulur tensionin në marrëdhëniet me shqiptarët. Autoritetet osmane në Shqipëri u urdhëruan të mos përdornin përkohësisht forcën për të zbatuar reformat. Sulltani fali një varg krerësh të burgosur ose të internuar të kryengritjes, si dhe Zenel Gjolekën. Më 1849 kapedanit të Mirditës Bibë Doda iu dha titulli pashë dhe iu njoh e drejta që të merrte pjesë në luftë me një repart të vetin, të përbërë prej afër 10 mijë luftëtarësh. Si komandantë repartesh të çrregullta u njohën edhe feudalë të tjerë, të cilëve Porta u siguroi shpërblime e grada.
Nga ana tjetër, në Shqipëri kishte filluar të shtohej gjithnjë e më shumë shqetësimi i shkaktuar nga synimet ekspansioniste të shteteve fqinje, i cili e kishte rritur gatishmërinë e popullsisë për të mbrojtur trojet e veta. Këtë rrethanë u përpoq me të gjitha mënyrat ta shfrytëzonte qeveria osmane për të nxitur urrejtjen e shqiptarëve kundër vendeve fqinje dhe për të siguruar një bashkëpunim sa më të ngushtë me ta.
Një rast i tillë u paraqit më 1852, kur Turqia i shpalli luftë Malit të Zi duke marrë shkas nga disa ndryshime në formën e shtetit që kishte bërë princi i ri Danilo. Thirrjes së sulltanit për të marrë pjesë në luftë iu përgjigjën një varg krerësh feudalë dhe bajraktarë shqiptarë, midis tyre edhe Bibë Doda, Zenel Gjoleka etj., të cilët shkuan me repartet e tyre në ndihmë të ushtrisë osmane. Por lufta nuk i solli ndonjë përfitim Stambollit. Ndonëse u sulmua edhe nga Shqipëria e nga Hercegovina, Mali i Zi, me ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha, doli nga lufta i padëmtuar. Repartet shqiptare nga ana e tyre patën humbje të ndjeshme në njerëz, midis të tjerëve u vra edhe Zenel Gjoleka.
Përleshjet e përgjakshme në kufirin turko-malazez vijuan edhe pas luftës. Ato nxiteshin nga krerët e Malit të Zi për të përgatitur truallin për aneksimin e trojeve veriore të Shqipërisë. Por sulmet malazeze ndeshën në qëndresën e vendosur të popullsisë shqiptare të këtyre krahinave.
Në mesin e shek. XIX u acarua edhe më shumë rivaliteti ndërmjet Fuqive të Mëdha evropiane për ndikimin në vendet e Lindjes së Afërme. Në këtë kohë Anglia e Franca e kishin dëbuar pothuajse krejtësisht Rusinë e prapambetur nga tregjet e kësaj zone. Por Rusia nuk kishte hequr dorë nga synimi për të shtënë në dorë Ngushticat e Dardaneleve dhe vetë Stambollin, që të shtrinte kështu më tej praninë e saj në Lindjen e Afërme e në Ballkan. Ajo priste të krijohej një gjendje ndërkombëtare e përshtatshme për ta shembur Perandorinë e sulltanëve dhe për të arritur këto qëllime. Në projektet e saj për rregullimin e ardhshëm të Turqisë Evropiane, Rusia parashikonte krijimin e forcimin e shteteve të pavarura, sllave ose përgjithësisht të krishtere, të cilat do të ishin nën ndikimin e Rusisë. Por në këto projekte nuk figuronte Shqipëria. Qeveria cariste nuk parashikonte krijimin e një shteti shqiptar dhe prandaj qëllimisht i identifikonte shqiptarët myslimanë me turqit, ndërsa ata të krishterë ortodoksë me grekët.
Politika ruse e copëtimit të Perandorisë Osmane ndeshi në kundërshtimin e vendosur të fuqive perëndimore e në radhë të parë të Anglisë e të Francës. Këto fuqi vijonin të garantonin e të përkrahnin status quo-në dhe paprekshmërinë e Turqisë, sepse po e kthenin atë në një gjysmëkoloni të tyre dhe sepse me ruajtjen e Turqisë pengohej dalja e Rusisë në Mesdhe. Kur në korrik 1853 qeveria cariste i shpalli luftë Perandorisë Osmane (Lufta e Krimesë, 1853-1856), ajo u gjend shumë shpejt përpara një konflikti të madh, në të cilin Anglia e Franca dhe më vonë edhe Mbretëria e Sardenjës morën anën e Turqisë. Pas një vargu fitoresh fillestare të Rusisë në frontin e Danubit e në det, operacionet e aleatëve të Turqisë u përqendruan në gadishullin e Krimesë dhe prandaj konflikti mori emrin Lufta e Krimesë.
Duke pasur ushtritë e saj në brigjet e Danubit, Rusia u bëri thirrje popujve ortodoksë të Ballkanit të rrëmbenin armët kundër shtypësit shekullor. Duke shpresuar se me fitoren e Rusisë ortodokse do të përmirësohej gjendja e tyre, kësaj thirrjeje iu përgjigjën vullnetarë nga vende të ndryshme ballkanike, si edhe shqiptarë ortodoksë nga Shqipëria e Jugut.
Edhe Turqia nga ana e saj u përpoq të mobilizonte forcat shqiptare me parullën e mbrojtjes së fesë islame, por nuk arriti ndonjë sukses të madh. Ajo nuk mundi të nxirrte nga Shqipëria veçse pak nizamë. Nuk dhanë fryte të dukshme edhe përpjekjet e saj për të dërguar krerët shqiptarë me forcat e tyre në frontin rus. Shumica e tyre nuk pranoi të shkonte në një front kaq të largët, siç ishte fronti i Danubit dhe preferoi t’i mbante forcat gati në rastin e një sulmi të mundshëm nga Mali i Zi ose nga Greqia. Vetëm Bibë Doda me një numër mirditasish u nis për në front, por pas disa kohësh edhe ai u kthye në vendin e vet për shkak të mosmarrëveshjeve që lindën midis tij dhe komandantit turk, Omer Pashës.
Lufta e Krimesë nxiti Malin e Zi dhe Greqinë të ndërmerrnin veprime luftarake kundër Perandorisë Osmane. Mali i Zi ndërmori disa sulme në Hercegovinë e në tokat shqiptare dhe përgatiste një goditje kundër Tivarit. Por përballë qëndresës së vendosur të shqiptarëve dhe nën presionin e fortë të Austrisë e të Francës, princi Danilo u detyrua të hiqte dorë nga kjo ndërmarrje.
Më larg shkuan veprimet e Greqisë. Megjithëse Anglia e Franca nuk e lanë të hynte në luftë kundër Portës, qeveria greke organizoi çeta të shumta të komanduara nga oficerë të ushtrisë, të cilët u futën fshehurazi në Thesali dhe në krahinat e vilajetit të Janinës për të organizuar një kryengritje kundërosmane. Ata hynë edhe në krahina të Shqipërisë, duke bërë kështu një hap të parë drejt sendërtimit me forcën e armëve të “Megali Idesë”. Për këtë qëllim ajo u përpoq të shfrytëzonte urrejtjen e shqiptarëve ortodoksë kundër sundimtarëve osmanë dhe prandaj vuri në krye të lëvizjes figura të shquara të luftës për pavarësi me prejardhje arbëreshe ose nga Suli, si Theodhor Griva e Nikollë Zerva, të cilët do t’i jepnin kryengritjes në tokat shqiptare dukjen e një aleance greko-shqiptare.
Më 2 janar 1854, pasi shpallën “lirinë dhe pavarësinë” e gjithë provincave të “Greqisë së Vjetër”, udhëheqësit e kryengritjes, me parullën “perandori greke ose vdekje”, i ftuan banorët e këtyre krahinave të rrëmbenin armët. Kryengritësit arritën në fillim disa suksese në ato krahina ku nuk kishte ushtri të rregullt dhe ku vepronin disa feudalë shqiptarë me forcat e tyre lokale. Arta ra në duart e kryengritësve dhe një çetë e madhe andartësh?, e komanduar nga gjenerali Griva, arriti deri në Mecovë. Gjatë marshimit në viset e brendshme të vilajetit të Janinës, andartët grekë përdorën edhe forcën për t’i detyruar vendasit të bashkoheshin me ta, ndërsa në Filat persekutuan në prill të vitit 1854 disa familje shqiptare, midis të cilave edhe atë të Xhafer pashë Demit.
Por synimet aneksioniste të qeverisë greke bënë që shqiptarët t’i shmangeshin bashkëpunimit me ta dhe kryengritja të mos merrte karakter të përgjithshëm. Për më tepër, krerët shqiptarë të Jugut, ndër të cilët Çelo Picari, Halit bej Frashëri, Ahmet Çapari etj., duke njohur synimet pushtuese të Athinës, mobilizuan forcat e tyre dhe i thyen andartët grekë në krahinën e Artës dhe në Thesali. Nga ana tjetër, Anglia me Francën, pas protestave të Turqisë që e akuzoi Athinën për ndërhyrje në punët e brendshme të Perandorisë Osmane, e detyruan qeverinë e Athinës të hiqte dorë nga këto veprime, që ishin në dobi të Rusisë; si masë shtrënguese kundër saj, ato pushtuan me flotën e tyre Pireun, limanin kryesor të Greqisë.
Krizën e shkaktuar nga lufta ruso-turke e shfrytëzoi edhe Vjena për t’i shkëputur Portës së Lartë një varg koncensionesh dhe për të përforcuar pozitat në Shqipërinë e Veriut ku, në bazë të traktateve ndërkombëtare, ajo kishte fituar të drejtën e mbrojtjes së popullsisë katolike (i ashtuquaturi kultusprotektorat)??.
Me ndërhyrjen e Austrisë u kthye përsëri në Shkodër urdhri i jezuitëve, i dëbuar prej andej 11 vjet më parë. Me anë të një demonstrate detare përpara grykës së Bunës më 1853, Vjena e detyroi Portën të lejonte ngritjen e një seminari të jezuitëve. Disa vjet më vonë u themelua në Shkodër nën mbrojtjen e Austrisë edhe një kuvend françeskan. Nga ana tjetër, kapitali tregtar austriak po bëhej veçanërisht aktiv në Shqipëri dhe në trevat e tjera perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Kjo u pasqyrua edhe në shtimin e numrit të anijeve austriake që vinin në limanet shqiptare. Me forcimin e pozitave ekonomike e politike Austria fitoi në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor një pozitë të privilegjuar ndër Fuqitë e Mëdha.
Edhe Franca u përpoq të përforconte me këtë rast pozitat në Ballkan e të vinte nën ndikimin e saj princin Danilo të Malit të Zi dhe kapedanin e Mirditës Bibë Dodën.
Lufta e Krimesë mori fund në mars 1856 me nënshkrimin nga ndërluftuesit të Traktatit të Paqes në Paris. Në këtë Traktat u përfshinë edhe parimet themelore të Dekretit të ri perandorak (Hat-i Humajun), që sulltan Abdyl Mexhiti ishte detyruar të shpallte më 15 shkurt 1856 me shtytjen e drejtpërdrejtë të Anglisë e të Francës dhe që shënonte fillimin e periudhës së dytë të Tanzimatit. Ky dekret ritheksonte, përveç të tjerave, detyrimin e Portës së Lartë për t’u njohur popullsive të krishtere nën sundimin e saj disa të drejta administrative. Duke e përfshirë thelbin e Hat-i Humajunit në Traktatin e Paqes të Parisit (mars 1856), Anglia dhe Franca synonin t’i hiqnin Rusisë mundësinë që të ndërhynte në favor të këtyre popullsive dhe të vendosnin një kontroll të përbashkët mbi Perandorinë Osmane.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama