Karakteri demokratik dhe antifeudal i Rilindjes

Lëvizja Kombëtare Shqiptare e periudhës së Rilindjes pati përgjithësisht tipare demokratike e antifeudale, sepse drejtohej kundër ideologjisë së prapambetur mesjetare të sundimtarëve osmanë dhe kundër administratës së tyre shtypëse. Përgjithësisht programi politik i Rilindjes frymëzohej nga parimet demokratike të revolucioneve të Evropës Perëndimore, në të cilat disa nga mendimtarët rilindës kishin qenë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë.
Lufta kundër zgjedhës nacionale osmane për krijimin e një shteti të pavarur, që përbënte synimin themelor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, ishte në vetvete një masë demokratike, e cila i dha asaj një përmbajtje të përgjithshme demokratike. Përmbushja e këtij objektivi do t’i hapte rrugën zhvillimit ekonomik e kulturor të vendit. Përveç kësaj, lëvizja kombëtare drejtohej kundër një force të caktuar shoqërore, kundër parisë gjysmëfeudale turko-osmane (me sulltanin në krye), që kishte pushtetin politik dhe shtypte e mbante të robëruar popullin shqiptar e ata joturq në tërësi. Kjo luftë, që i shkaktoi goditje të njëpasnjëshme gjithë sistemit ekonomik e politik gjysmëfeudal osman, e dobësoi atë dhe sundimin e tij në Ballkan, i dha lëvizjes së Rilindjes Shqiptare një karakter antifeudal.
Por, në një kuptim më të gjerë, fryma antifeudale e demokratike shfaqet në gjithë përmbajtjen e Rilindjes Shqiptare, në ideologjinë dhe në programin e saj, në lëvizjen kulturore, në luftën për lirinë e shkollës e të shkrimit shqip dhe në kërkesat programatike të organizatave kombëtare e të kryengritjeve shqiptare, që synonin ta fusnin vendin në rrugën e përparimit ekonomik e kulturor.
Megjithatë, Rilindja Shqiptare nuk doli nga suazat e lëvizjes kombëtare, ajo synonte të zgjidhte në radhë të parë çështjen nacionale dhe nuk arriti të merrte, si në vendet e tjera të Ballkanit, karakter agrar, të shtronte për zgjidhje edhe çështjen e tokës. Për këtë ndikuan një varg faktorësh, të cilët nuk ishin të pranishëm në vendet fqinje të Ballkanit. Në këto vende (në Serbi, në Greqi e në Bullgari) klasa e çifligarëve feudalë osmanë shtypte ekonomikisht e politikisht popujt e tyre, jo vetëm me anën e pushtetit politik, por edhe si pronare e pjesës më të madhe të tokave. Për më tepër, ajo ishte me fe myslimane, ndërsa popujt e shtypur ishin të krishterë. Kështu që në këto vende konflikti nacional ndërmjet sunduesve osmanë dhe popujve të robëruar u mpleks edhe me atë shoqëror ndërmjet fshatarësisë së shtypur e çifligarëve turq, si edhe me kontradiktën fetare ndërmjet fshatarit të krishterë e çifligarit mysliman. Të tria këto kontradikta u shkrinë në lëvizjen kombëtare të këtyre popujve në një të vetme dhe i dhanë asaj në të vërtetë, megjithëse jo në mënyrë të shprehur, edhe karakter agrar.
Lëvizja Kombëtare Shqiptare u zhvillua në rrethana të tjera shoqërore dhe në një kuadër tjetër fetar. Në Shqipëri çifligarët ishin me kombësi shqiptare dhe në pjesën më të madhe me fe myslimane, pra me të njëjtën fe që kishte shumica e popullsisë së vendit. Për më tepër, një pjesë e tyre u përfshi në lëvizjen kombëtare. Përveç kësaj, edhe rrethet borgjeze, që morën pjesë në lëvizje, pjesërisht ishin vetë pronarë tokash dhe si rrjedhim bashkëpunuan me çifligarët. Nga ana tjetër, shumica e fshatarëve, që u rreshtuan në luftën për çlirimin kombëtar, ishin fshatarë të lirë individualë të zonave malore e kodrinore. Ata nuk ishin nën varësinë social-ekonomike të pronarëve çifligarë, por vuanin nga shtypja e shtetit osman. Prandaj, këta fshatarë individualë u ngritën kundër kësaj shtypjeje të rëndë ekonomike e politike të Portës së Lartë, kundër politikës së egër fiskale, kundër shërbimit të detyrueshëm e të gjatë ushtarak, kundër shpërdorimeve të qeveritarëve dhe të derebejve që bashkëpunonin me ta për çlirimin e vendit. Fshatarësia, në përgjithësi, i drejtoi armët edhe kundër çifligarëve e parisë gjysmëfeudale, por në ato raste kur këta bashkëpunuan hapur me sunduesit osmanë dhe me ushtrinë e tyre që dërgohej për shtypjen e kryengritjeve.
Në zbehjen e konflikteve sociale dhe të luftës për tokën ndikoi edhe një faktor tjetër i natyrës politike. Në kushtet kur në Shqipëri sundonte një regjim mesjetar e despotik pushtues, me tiparet më të shëmtuara të dhunës ekonomike e politike (siç ishin taksat e rënda, diskriminimi politik, që arrinte deri në mohimin e vetëqenies së kombit shqiptar, ndalimi i mësimit të gjuhës amtare shqipe në shkolla, mungesa e të drejtave më elementare njerëzore, madje edhe masakrimi i popullsisë shqiptare me anën e ekspeditave ndëshkimore), dilnin në plan të parë kontradiktat nacionale midis popullit shqiptar dhe sundimtarëve osmanë. Në këto rrethana nuk mund të shtroheshin për zgjidhje problemet ekonomiko-shoqërore të luftës kundër shtypjes gjysmëfeudale, duke përfshirë edhe çështjen agrare, të tokës; kështu Rilindja mori tërësisht karakterin e një lëvizjeje që duhej të zgjidhte, në radhë të parë, çështjen më të mprehtë politike, atë kombëtare, të zhdukte robërinë osmane, duke krijuar një shtet autonom ose të pavarur shqiptar. Si rrjedhim, aspiratat ekonomiko-shoqërore të fshatarëve dhe posaçërisht ato për tokën nuk u përfshinë në programet e Rilindjes.
Megjithatë, lufta e fshatarësisë dhe e vegjëlisë së qytetit kundër sistemit të rëndë shtypës ekonomik e politik osman dhe në radhë të parë kundër taksave e detyrimeve të tjera, kundër diskriminimit në lëmin politik, të arsimit e të kulturës, kishte karakter shoqëror e antifeudal. Kjo e përforcoi edhe më shumë kontradiktën kombëtare dhe i dha përmasa të gjera bazës sociale të lëvizjes rilindëse.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama