Kalaja berthama historike e kryeqytetit

Kalaja, bërthama historike e kryeqytetit
Kalaja e Tiranës ishte një stacion rrugor i vijës Egnatia i tipit Mansio-Mutatio. Ajo përbënte qendrën e një vendbanimi, të emërtuar me një variacion emrash që në shekujt e parë të erës sonë.

Tirkan (shek IV e.s ), Tergiana (1297) kur në të ishte vendosur kancelaria e sundimtarit të saj Karli I Anzhu, dhe në formën e sotme Tyranna (1505) sipas Barletit. Ky tiponim akoma nuk është saktësuar plotësisht.

Por kalaja, dëshmia më e lashtë e këtij qyteti, ndodhet pikërisht në vendin ku derdheshin e kryqëzoheshin rrugët e vjetra e të reja që e lidhnin kryeqytetin dhe pastaj krejt Shqipërinë – veriun me jugun, lindjen me perëndimin.

Secila nga rrugët e vjetra, para se të hynin në Tiranë dominoheshin nga një kështjellë apo kala.

Kështjella e Lalmit (shek. II e.s.) ndodhej në kodrinën ku lumi Erzenit merrte kthesën e lejonte kalimin rrugor drejt Petrelës.

Kalaja e Tujanit, një fortifikatë e gurtë me formë katërkëndëshe, ku gjurmët e jetës hasen që nga periudha e parë e hekurit. E rindërtuar në shek e IV e.s., ajo ishte porta hyrëse e koridorit Dibër-Tiranë-Durrës.

Në anën tjetër, pranë malit të Vilës ku janë ngushticat e Krrabës, ndodhej qyteti ilir i Parthinëve-Persqopi (shekIV-III p.e.s.), banorët e të cilit më pas u shpërngulën në Petrelë.

Kalaja e Dorëzit në kodrën ndërmjet lumit të Trezës e të Piollit ( periudha e I e hekurit), pastaj Kalaja e Ndroqit, e Prezës e Ishmit, të gjitha së bashku, këto kala antike e mesjetare përbënin rrethin mbrojtës të Tiranës. Kalaja e Tiranës ishte dhe mbeti bërthama historike e trevës së Tiranës dhe rezidencë administrative përgjatë mesjetës së mesme.

Si e tillë vazhdoi të ekzistonte edhe në shek. e XVII kur qyteti i Tiranës u shtri përreth saj duke patur një qendër qytetare me kullijen (kompleksin social kulturor) të ndërtuar nga Sulejman Pasha, pazarin zejtar tregtar nga pamja veriore, Namazgjanë dhe urën e Tabakëve nga ana lindore, ndërtesat e qeveritarëve brenda truallit të kalasë.

Nga dy anët e tjera kalaja ngrihej mbi brigjet e lumit të Lanës.

Është menduar që në vitin 1640, Ahmet beu kreu punime rindërtuese në muret rrethues të kalasë duke i ngritur ato në lartësi mbi strukturat antike. Vepër e tij ishte edhe kulla e gjatë që mbetet akoma pjesërisht në gjendje të mirë. Kalaja pëson dëmtime sërish në periudhën e luftrave ndërfeudale të shek XVIII, kur aty u përplasën trupat e Ahmet Kurt pashës së Beratit me Bushatllinjtë. Populli i Tiranës i mbyllur brenda saj u mbrojt me heroizëm dhe kalaja nuk u pushtua nga asnjëri prej tyre. Të kësaj kohe janë sistemi i frëngjive për armë zjarri në pjesën më të lartë të mureve rrethues.

Pas vitit 1814 Kalaja e Tiranës bëhet rezidencë e sundimtarëve të rinj të saj ; Toptanëve të ardhur nga Kruja, të cilët ndërtuan dy shtëpi njërën për banim dhe tjetrën për pritje që janë dhe sot. Përgjatë shek XX kur humbet funksioni i saj origjinal për mbrojtje, vërehen dëmtimet më të mëdha. Ajo humbi një pjesë të mureve rrethues dhe thuajse nuk lejon të kuptohet nga mbetjet, formulimi i saj i plotë stilistik.

Megjithatë ajo sërish mbeti rezidencë qeveritare apo vendi më i spikatur për to edhe në ditët tona. Në truallin e Kalasë janë sot Akademia e Shkencave, Kuvendi Popullor dhe Galeria Kombëtare e Arteve.

A do të ndriçohet plotësisht historia e saj?

Legjendave, fare pak mund t’iu besohet. Tradita gojore e sidomos burimet e shkruara nuk besojmë të kenë shterur. Sidoqoftë, mbetet akoma një rrugë e sigurtë, gjurmimi arkitekturor me metodat e vlerësimit të shkencës së restaurimit. Ky proçes iluminist ka nisur në vitin 2002, nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë të Bashkësisë së Tiranës me Institutin e Monumenteve të Kulturës, të cilët sëbashku i kushtojnë një vëmendje thelbësore këtij monumenti themelor të programit “ Kthim në identitet”.

E parë në këtë konceptim Kalaja e Tiranës ishte dhe duhet trajtuar në epokën tonë si bërthama historike e kulturore e Kryeqytetit

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama