Premisat per krijimin e shtetit ne Epir

Si rezultat i zhvillimit të mëparshëm ekonomiko-shoqëror, në shek.V p.e.sonë në Epir ishin krijuar të gjitha premisat për lindjen e formacioneve të hershme shtetërore.
Diferencimi social, sidomos tek fiset ekonomikisht më të përparuara të kësaj krahine, siç ishin molosët, kaonët, thesprotët etj., pasqyrohet qartë në burimet historike që në shek. VIII-VII p.e.sonë, por tani ai merr përpjesëtime më të gjera. Aristokracia epirote e tokës dhe e bagëtive, kishte arritur t’u impononte pushtetin e vet prodhuesve të vegjël fshatarë dhe të shfrytëzonte për interesat e saja ekonomike punën e shtresave të tjera e të skllevërve.
Në duart e kësaj aristokracie ishin grumbulluar tashmë pasuri të mëdha që i mundësonin asaj të hynte në marrëdhënie të ngushta me shoqërinë antike të Greqisë.
Në gjysmën e dytë të shek.V p.e.sonë, në Epir ekzistonin edhe shtresa të tjera; përveç aristokracisë së tokës, ishte fuqizuar edhe shtresa e zejtarëve e tregtarëve. Shumë kuptimplotë në këtë drejtim paraqitet një mbishkrim i vitit 427/426 zbuluar në sanktuarin e Poseidonit në Tenarë, sipas të cilit një farë Eskrioni, epirotas, liron skllavin e tij, Herakleid, duke ia kushtuar këtë akt hyut të detrave. Sipas përmbajtjes dhe vendgjetjes së mbishkrimit Eskrioni duhej të kishte qenë pikërisht njëri nga përfaqësuesit e tregtarëve skllavopronarë epirotas të lidhur me tregtinë detare. Kjo është prova më e hershme epigrafike, që dëshmon për ekzistencën e institucionit të skllavërisë në Epir të paktën që nga gjysma e dytë e shek. V p.e.sonë.
Mbi bazën e këtij diferencimi të brendshëm dhe të luftës së vazhdueshme që bënin sundimtarët e fiseve të veçanta për nënshtrimin e fqinjëve të tyre, në Epir lindën një tok federatash, sistemi politik i të cilave mbështetej në bashkimin e një grupi fisesh të federuara të quajtura koine.
Më herët këto bashkësi u krijuan rreth fiseve ekonomikisht dhe politikisht më të fuqishme të Epirit, si tek thesprotët, kaonët dhe molosët. Ashtu siç paraqiten në mesin e shek.V, ato ndryshonin midis tyre jo vetëm nga madhësia dhe rëndësia politike, por edhe nga struktura e tyre organizative. Sipas një lajmi të Tukididit, i cili u referohet viteve të para të luftës së Peloponezit, Koinonet e kaonëve dhe të thesprotëve nuk e njihnin pushtetin e mbretit. Në krye të tyre qëndronin dy magjistratë më të lartë ekzekutivë të quajtur në traditën historike, prostatë, të cilët zgjidheshin çdo vit nga rrethet aristokratike të fisit që kryesonte Koinonin.
Molosët, ndryshe nga dy koinonet e para, sundoheshin nga mbretër, pushteti i të cilëve tanimë ishte bërë i trashëgueshëm. Tukididi përmend që në vitin 470 p.e.sonë një mbret molos Admetin, që i dha strehim politik gjeneralit grek Themistokliut të dëbuar me ostrakizëm nga Greqia. Sipas përshkrimit të kësaj ngjarjeje, Admeti paraqitet si një sundimtar me origjinë fisnike, i fuqishëm dhe me influencë deri në rrethet qeveritare të Athinës.
Për veprimtarinë politike të federatave të Epirit burimet historike heshtin pothuajse fare. Ato i shohim të dalin në skenën e historisë vetëm në kohën e luftës së Peloponezit, kur ushtritë e kaonëve, të thesprotëve, të molosëve etj., me sundimtarët e tyre në krye, marrin pjesë në anën e Spartës në ekspeditën luftarake kundër qytetit Strato të Akarnanisë.
Midis këtyre bashkësive të veçanta rolin më të rëndësishëm dhe aktiv në historinë politike të vendit filloi ta luajë Mbretëria e Molosëve. Në qoftë se deri në fundin e shek. V p.e.sonë këto bashkësi vepronin të veçuara dhe në konflikte të brendshme me njëra-tjetrën, tani është Mbretëria Molose ajo që do të marrë iniciativën për të zgjeruar pushtetin e saj dhe për ta vënë Epirin në rrugën e bashkimit të tij politiko-ushtarak.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama