Gjergj Fishta sociolog?

Nga Lekë Sokoli

Në gjykimin tim hyn edhe rehabilitimi zyrtar i Gjergj Fishtës, kësaj figure që u vlerësua “Nderi i Kombit”, nga Presidenti i Republikës, titull që kaloi pa jehonën e merituar dhe, siç duket, studiuesit socialë e përfaqësuesit e sotëm të kulturës nuk janë çliruar plotësisht nga njëfarë kompleksi mbi veprën e tij.

Hipotezat
Gjergj Fishta kreu studimet e larta për filozofi e teologji. Ai e filloi veprimtarinë studimore në Gomsiqe ku, siç rezulton, shkoi i nxitur edhe nga interesa hulumtuese, shkencore. Në këtë zonë përfaqësuese, nga pikëpamja historike dhe etnokulturore, ai njohu “shpirtin e racës”, mënyrën tradicionalisht shqiptare të jetesës, gojëdhënat, doket, zakonet, normat juridike etj., të cilat do t’i shfrytëzonte mjeshtërisht për veprat e tij. Ai dhe Shtjefën Gjeçovi bënë që Kisha e Gomsiqes të shndërrohej në një institut të vërtetë hulumtimi shkencor.
Fishta kryesoi Komisionin për Hartimin e Alfabetit, të cilin Kongresi i Manastirit (1908), e miratoi si alfabet të vetëm të shqipes. Shkencëtari i gjuhësisë, Gjergj Fishta, dha një kontribut të çmuar për krijimin e gjuhës shqipe të njësuar. Ai ishte i bindur se gjuhët nuk krijohen nga bashkimi apo shkrirja e dialekteve, por nga zgjedhja e një dialekti. “Alfabeti shqiptar i asaj kohe është gati i përkryer, thotë Kadareja, dhe po ju kujtoj se kryetari i komisionit të Manastirit të alfabetit shqip ka qenë Gjergj Fishta. Pra nuk ka qenë një njeri nga Jugu, po ka qenë një nga shkrimtarët më të shquar nga Veriu”.
Fishta është një personalitet profetik i kulturës shqiptare, jo vetëm si shkrimtar, por edhe si kritik, historian, estet, filozof etj. Të huajt e kanë cilësuar atë, siç vëren A. Plasari, themelues të një shkolle filozofike shqiptare sepse krijimtaria e tij, pavarësisht formës, vjen e ngarkohet me peshë filozofike. Për disa studiues, Fishta filozof është quajtur më së shumti si një përfaqësues i filozofisë kristiane. Të tjerë, përkundrazi, kanë vënë në dukje faktin se ai është ndikuar po aq nga Platoni e filozofë të tjerë të lashtë, nga idealizmi gjerman i Hegelit etj.
Nuk ishte vetëm njeri me vullnet politik, por politikan, madje edhe politolog. Ai, në stilin e Makiavelit të disa shekujve para tij, vrojtoi sjelljen e klasës politike të fillimit të shek. XX dhe fshikulloi, siç dinte ai, mediokritetin e qeverive të kohës, politikat e mbrapshta etj. Një mendimtar si ai, aktiv në politikë e diplomaci (deputet i Shkodrës, anëtar i Parlamentit të parë Shqiptar dhe nënkryetar i tij, përfaqësues në konferenca ndërkombëtare etj.), nuk mund të mos ishte edhe politolog.
Si studiues i sociologjisë, jam i prirur të pohoj se Fishta ka arsye të cilësohet edhe si një ndër pararendësit e sociologjisë shqiptare, në mos sociolog. Dihet se, si çdo shkencë shoqërore, edhe sociologjia nuk lindi në një boshllëk historik. Nga kjo formë latente zhvillimi, nuk mund të përjashtohet edhe sociologjia shqiptare. Fishta ka trajtuar një problematikë e cila është, gjithsesi, në fokus të sociologjisë bashkëkohore: të sociologjisë religjoze, të kulturës, artit e komunikimit, të moralit e të edukimit, të sociologjisë së familjes (kompleksi i marrëdhënieve familjare, martesa, familja, divorci etj.). Pra mund të pohojmë se ai ka vendosur një gur themeli në godinën sociologjike shqiptare.
Me “Lahuta e Malcis”, Fishta është quajtur “Homeri i shqiptarëve”. Por Homeri ishte edhe një eksplorator i madh, që ka bërë të njohur jetën e popujve që ka takuar dhe, në këtë vështrim, ai është quajtur si një ndër etnologët e parë. Me të njëjtën logjikë kemi të drejtë të pohojmë se Fishta ishte një ndër etnologët e parë shqiptarë. Ai ishte edhe psikolog apo etnopsikolog, në kuptimin që kanë marrë në kohën tonë këto fjalë.
Pohimi se Fishta është edhe shkencëtar social mund të kontestohen me “argumentin” se ai nuk ka shkruar vepra të veçanta mbi filozofinë, sociologjinë, antropologjinë, politologjinë apo degë e nëndegë të tjera të shkencave sociale, siç shkruajnë studiuesit e këtyre fushave në kohën tonë. Megjithatë duhet të mbajmë parasysh faktin se këto degë të shkencave sociale nuk kanë qenë gjithmonë qartësisht të diferencuara nga njëra-tjetra. Në Francë, për shembull, Monteskje quhet si një ndër themeluesit e sociologjisë, megjithse hibridi latino-grek, sociologji, do të përmendej për herë të parë gati një shekull pasi ai shkroi veprën e tij “Mbi frymën e ligjeve”. Kur gjykojmë për filozofinë e Fishtës apo për Fishtën filozof, mund të përmendim faktin se edhe Aleni, një filozof francez i shek.XX, nga filozofët më të lexuar, në të vërtetë është vetëm autor esesh. Por “filozofi e Alenit” është quajtur tërësia e ideve të tij, ide të shprehura në vepra jo të mirëfillta filozofike e të vendosura në një sistem. Makiaveli, gjithashtu, nuk është një studiues “i pastër” i shkencave sociale. Por ai trajtoi dhe vuri themele mbi një varg çështjesh që janë në fokusin e shkencave sociale bashkëkohore, sidomos të sociologjisë politike e politologjisë. Ne kemi të drejtë të përdorim të njëjtën logjikë për Fishtën.
Unë bashkohem me mendimin e disa studiuesve, A. Plasari etj., që e quajnë si të papranueshëm faktin që në strukturat e kurseve të një fakulteti të letrave apo të filozofisë, të mungojnë studimet fishtjane; se një kurs i tillë do të funksiononte si shtyllë kurrizore në një sistem shkollor me drejtim humanist; se botimi (dhe ribotimi) i mendimit fishtjan bëhet sot i domosdoshëm për rishtënien në dorë të vlerave të fshehura ose të huajsuara prej kulturës sonë.

Rivlerësime e (mos)vlerësime
Deri më 1940, Gjergj Fishta u nderua me çmime e tituj, u bë anëtar i Akademisë Italiane, u propozua për çmimin Nobel etj. Më pas u denigrua nga regjimit komunist. Eshtrat e tij u hodhën në lumin Drin, në përpjekjen për të varrosur një herë e mirë veprën e tij, për të ardhur te ”Nderi i Kombit” (dhjetor 2002). Edhe pse ky rivlerësim duhej të ishte bërë më parë (Alfred Moisiu është presidenti i katërt i periudhës paskomuniste dhe jo i pari), edhe pse ai përfaqëson një akt dinjitoz që nderon shtetin e shoqërinë shqiptare, ky rivlerësim duhej paraprirë nga rivlerësimi i veprës së tij, të paktën prej disa institucioneve shtetërore, duke filluar nga Akademia e Shkencave, e cila ka dhënë “vlerësimin zyrtar” (ende në fuqi) për Fishtën, të formuluar në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar. Them “ende në fuqi”, sepse deri më sot ai nuk është zëvendësuar nga një i ri, ndonëse kanë kaluar 12-13 vjet nga fillimi i proceseve demokratike, pra rivlerësuese.
Në këtë botim për Gjergj Fishtën është shkruar, si vëllim, sa 1/20 e asaj që është shkruar për E. Hoxhën, 2-5 herë më pak se për B. Currin, L. Gurakuqin, D. Agollin, M. Asllanin, L. Çukon, H. Çelikun... (!). Por më tepër rëndësi ka cilësia e (mos)vlerësimit të Fishtës (fq. 270-71): “Fishta, Gjergj. Shkrimtar dhe publicist reaksionar, përfaqësues kryesor i letërsisë klerikale-katolike, mori pjesë gjallërisht në jetën politike dhe kulturore për të forcuar në të ndikimin e klerit katolik..., drejtoi revistën “Hylli i Dritës”, një nga tribunat më aktive të reaksionit klerikal…, luftoi me tërbim kundër ideve përparimtare, përshëndeti pushtimin e vendit nga forcat fashiste italiane...”
Iu referova këtij fjalori, sepse ai përfaqëson veprën më të madhe e më voluminozë të hartuar te ne, si për nga vëllimi (1250 faqe), sikurse nga numri dhe cilësitë akademike të njerëzve të angazhuar në hartimin e tij. Hartimi i tij u drejtua nga një redaksi e përgjithshme, e përbërë nga 34 akademikë e shkencëtarë, për të ka funksionuar një sektor i veçantë (Sektori i Encilopedisë Shqiptare), njëzet redaksi të fushave të shkencave, mbi 800 studiues, autorë të zërave të Enciklopedisë, pa përmendur rreth 30 grupe të mëdha të punës për qendrat e banuara sipas rretheve, për Shqipërinë e Kosovën.
Të bën përshtypje zelli i regjimit politik të para viteve ’90-të, për t’u dhënë një veshje shkencore vendimeve e vlerësimeve të paravendosura politikisht. Por si për inerci, gjurmë të një (mos)vlerësimi të tillë për Fishtën vazhduan edhe në vitet e paskomunizmit. Ndoshta një reagim më realist mund të bëhet për të kapërcyer një herë e mirë logjikën “bardhë e zi”, për vlerësimin e gjithanshëm të Fishtës, këtij sovrani të letrave shqipe, këtij dijetari, eruditi të gjithanshëm, publicisti, polemisti, përkthyesi e shkencëtari të disa fushave të shkencave sociale. Nëse Fishta ka shkruar: “Dhe ta dijë bota mbar/se un mbas sodit s’jam ma shqiptar”, këto vargje kanë shprehur, siç vëren prof. Hamit Beqja, zemërimin e tij ndaj bashkatdhetarëve., sikurse edhe Noli (Skllevër, bij skllevërish/s’e meritoni, se liri s’doni), Pashko Vasa, Konica etj. etj. Kur ishte fjala për Shqipërinë, Fishta nuk kurseu jo më shqiptarët, por as Evropën (Moj Evropë, moj kurv’ e motit…), madje as vetë Perëndinë. “O Perendi a ndjeve/tradhtarët na lanë pa atdhe/e ti rrin e gjun me rrfe/lisat nëpër male kot”. Ky ishte “reaksionari” dhe “antishqiptari” Gjergj Fishta.
Sociolog

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama