Gjatë viteve 30 të shek. XV shqiptarët për herë të parë i thyen ushtritë osmane në disa beteja. Me gjithë këto fitore, lufta e tyre nuk dha përfundimet e dëshiruara, sepse mungoi bashkimi i të gjitha forcave shqiptare, mungoi bashkërendimi efikas i veprimtarisë ushtarake të tyre dhe aksionet luftarake në rajonet kryengritëse u zhvilluan të veçuara, prandaj përgjithësisht qenë të pasuksesshme. Kjo situatë e përgjithshme ndikoi negativisht edhe në shtetin e Gj. Arianitit, duke i bërë të paqëndrueshme rezultatet e fitoreve ushtarake të tij.
Situata politike në Shqipëri mbeti shpërthyese edhe gjatë gjysmës së dytë të viteve 30 të shek. XV, kur luftimet kishin pushuar. Në viset e Gjirokastrës e të Vlorës si dhe në zonat pranë qendrave ushtarake të pushtuara etj., qëndresa antiosmane vazhdoi në forma të tjera. Për të vendosur në to plotësisht pushtetin e vet, sulltan Murati II iu drejtua për ndihmë Venedikut. Kështu, në tetor të vitit 1436, një përfaqësues i sulltanit i kërkoi Republikës së Venedikut të ndëshkonte ata shqiptarë që, nga zotërimet e saj të Shkodrës, Pargës etj., sulmonin forcat osmane, si dhe të mos lejohej në to strehimi i dezertorëve të ushtrisë osmane.
Gjendja e rëndë politike në Shqipëri për pushtuesit osmanë dhe pamundësia e tyre për të dërguar aty vazhdimisht ushtri të mëdha, ndërkohë që kishte fronte të tjera lufte edhe në rajone të tjera kufitare me Perandorinë Osmane, e detyruan sulltan Muratin II të ndryshonte përkohësisht qëndrimin e vet ndaj shqiptarëve. Ai ndërpreu sulmet ushtarake mbi zotërimet e Arianitëve e të viseve të tjera shqiptare dhe i largoi forcat osmane nga zonat, ku pozitat e tyre ishin shumë të dobëta.
Osmanët i braktisën krahinat në veri të lumit Mat dhe kështjellën e Dejës ia dhanë Lekë Zaharisë. Me aktivizimin energjik të djemve të Gjon Kastriotit, Stanishës e Skënderbeut, që ishin funksionarë osmanë, shteti i Kastriotëve u rimëkëmb shpejt, siguroi përsëri dalje në det, duke rimarrë skelën e Shufadasë në grykëderdhjen e lumit Mat, si dhe kontrollin e rrugëve për në Prishtinë dhe në Shkup. Zotërimet e tij u bënë kufitare në perëndim me zotërimet veneciane të Lezhës e të Shkodrës. Edhe në rajone të tjera të brendshme e larg qendrave osmane, si në krahinat malore e fushore që shtriheshin ndërmjet lumenjve Devoll-Seman dhe Erzen u rivendosën pozitat e zotërve vendas, ndonjë prej të cilëve i mori zotërimet e veta në formën e timareve.
Për të ruajtur në viset shqiptare pushtetin e tronditur osman, sulltan Murati II u përpoq të mbështetej te ata fisnikë vendas që ishin të lidhur me administratën vendore osmane. Krahas Evrenozëve, që vazhduan të ishin në krye të pashasanxhakut të Shkupit, gjatë viteve 1437-1438 sulltani emëroi sanxhakbe të Sanxhakut Shqiptar të birin e Teodor Muzakës, Jakup Beun, dhe subash të Krujës Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Kurse qysh në verën e vitit 1434 ishte emëruar në postin e dizdarit të Krujës Ballaban Beu, i njohur sipas rrëfimit të M. Barlecit me titullin pashë, titull që realisht nuk e ka pasur asnjëherë.
Gjatë qeverisjes së Sanxhakut Shqiptar prej Jakup Beut dhe të vilajetit të Krujës prej Skënderbeut, sipas rekomandimeve të tyre u bënë shumë ndryshime në shpërndarjen e timareve e të fshatrave në të mirë të elementit shqiptar, duke shprehur kështu vijimin e lidhjeve familjare që ata mbanin me elitën drejtuese shqiptare. Sa kohë që Skënderbeu qëndroi në postin e subashit të vilajetit të Krujës edhe këto vise mund të konsiderohen si pjesë e shtetit të Kastriotëve. Por Jakup bej Muzaka dhe Skënderbeu nuk i mbajtën gjatë pozitat drejtuese në Sanxhakun Shqiptar.
Në fund të vitit 1438 qenë të pasuksesshme aksionet e trupave osmane kundër ushtrisë hungareze në Transilvani. Më pas veprimet luftarake osmane u shtrinë pranë viseve shqiptare, në Rashë e në Bosnjë. Në vitin 1439 ata pushtuan kryeqytetin e Despotatit të Rashës, Smederevën, dhe e nënshtruan atë.
Ndërkohë sulltan Murati II largoi Skënderbeun dhe Jakup Beun nga funksionet e larta drejtuese që kishin në Sanxhakun Shqiptar dhe i ngarkoi me funksionet e larta të sanxhkbejlerëve në rajone të tjera më pak shpërthyese, me sa duket larg viseve shqiptare. Në vend të tyre për drejtimin e Sanxhakut Shqiptar u emëruan persona të huaj, që ishin më të besueshëm. Këta bënë ndryshime të shumta nëpër timaret e Sanxhakut Shqiptar, duke favorizuar elementin e huaj. Pas një rrethimi të gjatë njëvjeçar, në qershor të vitit 1441, osmanët pushtuan Novobërdën, qendra më e rëndësishme e prodhimit të arit e të argjendit në Ballkan, të cilin nuk arritën ta mbanin në duar për një kohë të gjatë.
Pas kryengritjeve të viteve 30 të shek. XV jeta politike në Shqipëri u zhvilluan në mënyrë të tillë që çoi në forcimin shkallë-shkallë të pozitave të pushtuesve osmanë në dëm të shqiptarëve, gjë që rriti pakënaqësinë e tyre. Elita drejtuese shqiptare u vu në pritje të rrethanave më të favorshme për të rifilluar luftën kundër pushtuesve osmanë, siç do të ndodhte në nëntor të vitit 1443 në Shqipëri, kur në krye të saj u vu Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.