Gjendja ne Shqiperi pas reformave te para centralizuese osmane

Zhvillimi i lëvizjes kombëtare në vitet 30-40 të shek. XIX përkon me periudhën e reformave të para centralizuese, që filluan të ndërmerreshin në Perandorinë Osmane në vitet 30. Me këto reforma, në mënyrë të veçantë me likuidimin e sistemit të timareve, dhe me njohjen ligjërisht të pronës private mbi tokën (më 1834), si edhe me masat për riorganizimin e sitemit administrativ, ushtarak dhe të taksave, Porta e Lartë synonte ta fuste vendin në rrugën e evropianizimit, të forconte pushtetin qendror, të rimëkëmbte fuqinë e Perandorisë, e cila ishte dobësuar së tepërmi nga prapambetja ekonomiko-shoqërore, nga sistemi shtetëror anakronik, thellësisht shtypës e parazitar, dhe nga kryengritjet e vazhdueshme të popujve të shtypur.
Reformat filluan të zbatoheshin në Shqipëri qysh në vitet 30. Ato i dhanë një goditje të rëndë në radhë të parë shtresës së vjetër feudale-ushtarake, e cila, si kudo edhe në Shqipëri, kishte filluar të shthurej dhe ishte dobësuar shumë nga ekspeditat osmane të viteve 1822-1831. Një pjesë e krerëve feudalë që ishin aktivizuar në kryengritjet u asgjësua, të tjerë u internuan dhe ata që mundën të shpëtonin mërguan jashtë vendit, ndërsa pronat e tyre u shpallën çifligje shtetërore. Reforma agrare u dha mundësi të ngriheshin e të forcoheshin çifligarëve të rinj, pronarë privatë të tokave, të lidhur me Portën e me politikën e saj centralizuese.
Dobësimi i klasës feudale shqiptare i dha mundësi borgjezisë, të përfaqësuar nga tregtarët dhe pronarët e punishteve zejtare e të manifakturave të merrte pjesë më me gjallëri në jetën ekonomike e politike të vendit.
Reformat e para centralizuese u quajtën të pamjaftueshme, prandaj Mustafa Reshit pasha, pasi mori edhe pëlqimin e sulltanit të ri, Abdyl Mexhitit, që sapo kishte hipur në fron, përgatiti projektin e reformave, të njohura me emrin Tanzimat. Ato u shpallën nga Mustafa Reshit pasha me dekretin perandorak (Hati Humajun) të 3 nëntorit 1839, që mban emrin “dekreti i Gjylhanesë”. Me këtë akt shpalleshin këto reforma: garantohej paprekshmëria e jetës, e nderit dhe e pasurisë për të gjithë shtetasit osmanë, pa dallim feje; hiqej konfiskimi i pasurisë për ata që paditeshin në gjykatë dhe fëmijët e tyre nuk privoheshin nga e drejta e trashëgimisë së pasurisë; vendosej ndarja dhe mbledhja e rregullt e taksave dhe hiqej sistemi i sipërmarrjes së tyre (iltizami); futej shërbimi i rregullt ushtarak dhe shkurtohej afati i tij; shërbimi i regullt (nizami) do të zgjaste 4-5 vjet, ndërsa ai rezervist (redifi) 7 vjet.
Po të vlerësohet në përgjithësi, Tanzimati ishte një orvatje që ndërmorën qarqet qeveritare osmane për ta shpëtuar Perandorinë e tyre nga humnera ku po rrukullisej dhe për ta rimëkëmbur atë mbi baza të reja, sipas shembullit të shteteve evropiane. Prandaj Tanzimati është vlerësuar nga bashkëkohësit dhe nga studiues të sotëm si një përçapje që Perandoria Osmane po bënte për t’u shkëputur nga e kaluara e saj mesjetare-feudale dhe për të hyrë në rrugën e shndërrimit në një shtet modern.
Por gjithë këto masa ishin gjysmake dhe nuk mund të ndodhte ndryshe në kushtet kur Perandoria Osmane nuk ndërmori reforma rrënjësore për të ndryshuar sistemin e saj ekonomik të prapambetur gjysmëfeudal dhe regjimin politik mesjetar absolutist. Në të vërtetë reformat u katandisën në disa arnime borgjeze, që nuk mund ta ndryshonin gjendjen në Perandori. Megjithatë, nëse edhe këto masa gjysmake ishin të dobishme për Perandorinë Osmane, sepse mund të ndikonin në forcimin e sistemit të saj të centralizuar, në aftësinë për të përballuar lëvizjet çlirimtare dhe ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha, ato nuk qenë të mira për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët nuk e gjykuan Tanzimatin me syrin e klikës sunduese sulltaniste, por me logjikën e popullit të shtypur, jo nga pozitat e Portës së Lartë, por nga interesat e kombit të shtypur e të robëruar dhe të aspiratës së tij për ta ndryshuar këtë gjendje. Shqiptarët e vlerësuan Tanzimatin, jo në prizmin e fuqizimit të Perandorisë, por në këndvështrimin e vetëqeverisjes së Shqipërisë, jo sipas zhurmës së deklaratave të bujshme, por nga rezultatet e tij praktike dhe nga rrjedhojat që pati për popullin shqiptar.
Në të vërtetë Tanzimati nuk u dha shqiptarëve asnjë të drejtë kombëtare, nuk i njohu as si komb më vete, nuk dha asnjë mundësi për vetëqeverisje, madje ua mohoi përsëri të drejtën më elementare njerëzore për të shkruar dhe për të mësuar në shkolla gjuhën amtare. Ai i detyroi shqiptarët t’i nënshtroheshin administratës së huaj burokratike, shërbimit të rëndë e të detyrueshëm ushtarak, rriti më shumë peshën e taksave, që edhe deri atëherë ishte e rënduar dhe përgjithësisht çoi në keqësimin e gjendjes së tyre ekonomike e politike, në forcimin e zgjedhës nacionale turke mbi ta. Ato reforma, në dukje me karakter evropian, që u shpallën edhe nën trysninë e Fuqive të Mëdha (si barazia e gjithë shtetasve, gjithnjë si osmanllinj), nuk u vunë asnjëherë në jetë dhe nuk mund të realizoheshin pa ndryshime rrënjësore në sistemin ekonomik e politik të Perandorisë Osmane, të cilat sulltanët osmanë nuk ishin në gjendje t’i bënin.
Me zbatimin e reformës në fushën administrative, pushteti civil u nda nga ai ushtarak dhe qeverisja e vendit, që deri atëherë bëhej nga feudalët vendas, kaloi në duart e një aparati burokratik të centralizuar. Porta e Lartë nuk kishte më besim te funksionarët shqiptarë. Përvoja e viteve të kaluara kishte treguar se ata ishin të prirur drejt qeverisjes së krahinave në mënyrë autonome e drejt shkëputjes së plotë nga vartësia e Perandorisë Osmane. Prandaj ajo filloi zëvendësimin e tyre shkallë-shkallë me nëpunës të huaj. Në fillim u zëvendësuan qeveritarët e sanxhakëve shqiptarë, kadinjtë, myftinjtë, veçanërisht në ato krahina ku kishin shpërthyer përsëri lëvizje kryengritëse, që sapo ishin shtypur me armë. Kështu, në mjaft sanxhakë e sidomos në Shqipërinë e Jugut pushteti kaloi nga duart e qeveritarëve shqiptarë në ato të funksionarëve turq.
Administrata e re përbëhej nga nëpunës të huaj që nuk e dinin gjuhën e vendit dhe nuk i njihnin zakonet e traditat e popullit shqiptar. Meqenëse do të qëndronin në këto poste një periudhë të caktuar dhe meqë një pjesë e nëpunësve ose nuk paguheshin rregullisht ose duhej të siguronin rrogën nga të ardhurat lokale, ata përpiqeshin të grabisnin me të gjitha mënyrat popullsinë me anë taksash e gjobash, pa u përmbajtur as në përdorimin e forcës. Përveç kësaj, praktikohej gjerësisht ryshfeti, pa të cilin nuk mund të kryhej asnjë punë. Ai u jepej si nëpunësve të thjeshtë, ashtu edhe funksionarëve të organeve më të larta të Perandorisë Osmane. Edhe sistemi i mbledhjes së taksave me anë të iltizamit (sipërmarrjes), megjithëse u krijua një aparat i veçantë nëpunësish të financave, në praktikë nuk u hoq, por mbeti në fuqi për një kohë të gjatë, sepse u leverdiste funksionarëve të lartë të shtetit, që përfitonin e pasuroheshin me këto lloj spekulimesh.
Ndërsa në një varg qendrash administrative u grumbulluan me shumicë nëpunësit e huaj turq, disa zona, si Tiranën, Matin, Lezhën, Ulqinin, etj., Porta e Lartë i la, në vitet 40, ende në duart e oxhakëve të vendit, të cilët i paguanin arkës shtetërore në Stamboll një shumë të përgjithshme vjetore, të nxjerrë nga detyrimet në krahinat që administronin.
Krahas reformës administrative, Porta e Lartë mori masa për të vënë në jetë reformën ushtarake, e cila parashikonte çarmatimin e popullsisë dhe krijimin e një ushtrie të rregullt. Në kuadrin e krijimit të kësaj ushtrie, Veziri i Madh, Mehmed Reshid pasha, që ishte ngarkuar me zbatimin e reformave në Shqipëri, filloi të rekrutonte ushtarë të rregullt (nizamë) nga mosha 15 deri në moshën 30-vjeçare. Të rekrutuarit bënin jetë kazerme dhe stërviteshin sipas rregullave të ushtrive evropiane. Ata e kryenin shërbimin ushtarak larg vendit të vet në kushte shumë të vështira. Vetëm një pjesë e tyre mund të kthehej e gjallë dhe pa u gjymtuar nga shërbimi i gjatë ushtarak në dhe të huaj. Më të shumtë ishin ata që vdisnin nga abuzimet e intendentëve, nga mungesa e ushqimit dhe e veshmbathjes dhe nga epidemitë, sesa ata që vriteshin në luftë.
Shërbimi rezervist (redif) bëhej zakonisht në vendlindjen e rezervistëve. Kjo u jepte atyre mundësi që në një kohë të caktuar, krahas shërbimit ushtarak, të merreshin edhe me bujqësi e me blegtori.
Reforma ushtarake u shoqërua edhe me tatime e taksa të reja “të jashtëzakonshme”, që shërbenin për ushqimin dhe për veshjen e ushtarëve nizamë. Por edhe kjo reformë nuk u zbatua kudo dhe menjëherë. Ushtria e rregullt u vendos në qytete, ku mbaheshin garnizone ushtarake. Në Manastir dhe në Janinë u grumbulluan forca të mëdha, me anë të të cilave Porta ushtronte një trysni të vazhdueshme mbi trevat shqiptare.
Ndërsa nga njëra anë Stambolli organizonte ushtrinë e rregullt, nga ana tjetër vazhdonte të përdorte repartet e parregullta, të rekrutuara nga krerë feudalë e bajraktarë midis malësorëve për t’i dërguar në frontet e luftës me shtete të tjera ose për të shtypur kryengritjet brenda e jashtë Shqipërisë. Në këto raste Porta e Lartë synonte jo vetëm të përfitonte nga ndihma e tyre ushtarake, por edhe t’i largonte nga Shqipëria ku zienin kryengritjet e t’i neutralizonte këto forca të rrezikshme për të.
Me reformat e periudhës së Tanzimatit Porta e Lartë u kishte njohur kombësive të Perandorisë Osmane të drejtën të merrnin arsim në gjuhën amtare në shkollat publike. Por ajo vijonte të barazonte kombësinë me fenë. Kështu, myslimanët e Perandorisë, midis të cilëve edhe shqiptarët, ajo vazhdoi edhe pas kësaj t’i quante “turq”, ndërsa ortodoksët, qofshin këta shqiptarë, bullgarë, serbë a vllehë, i quante “grekë” ose “rumë” dhe i kishte lënë nën administrimin fetar e kulturor të Patrikanës greke të Stambollit. Si kombësi më vete quheshin edhe katolikët ose “latinët” e Perandorisë.
Shqiptarëve të ndarë në myslimanë, ortodoksë e katolikë, duke mos bërë pjesë në një bashkësi të vetme fetare dhe duke mos u njohur kështu si një kombësi më vete, nuk u jepej mundësia të lëvronin lirisht gjuhën e tyre amtare. Ata detyroheshin të kishin arsimin sipas fesë së tyre turqisht, greqisht ose italisht. Në përputhje me këtë politikë, pas shpalljes së dekreteve të Tanzimatit në Shqipëri u rrit numri i shkollave në gjuhë të huaj. Shkolla shtetërore fillore dhe qytetëse (ruzhdie) në gjuhën turke u hapën në krahina të ndryshme të vendit; në Shqipërinë e Jugut u rrit edhe numri i shkollave laike në gjuhën greke për popullsinë ortodokse, të cilat ishin nën mbikqyrjen e peshkopëve grekë, ndërsa në veri, ndonëse më pak, u rrit numri i shkollave katolike që drejtoheshin nga kleri ose nga disa mësues privatë në Shkodër. Megjithëse përhapnin njohuri të dobishme dhe ndihmonin në arsimimin e një pjese të fëmijëve, këto shkolla, përveç atyre që drejtoheshin nga mësues privatë, përshkoheshin nga një frymë fanatizmi dhe intolerance fetare, nuk shërbenin për afirmimin kombëtar të shqiptarëve të feve të ndryshme, por nxisnin dasinë fetare dhe u shërbenin politikës së shteteve që i mbanin ato dhe synimeve të tyre për asimilimin e shqiptarëve.
Reformat, formalisht, parashikonin barazinë e shtetasve pavarësisht nga feja e tyre. Por në të vërtetë paria sunduese feudale osmane vijoi ta ruante pozitën e saj të privilegjuar kundrejt popullsisë së krishterë. Pabarazia juridike e popullsisë së krishterë shprehej, përveç të tjerave, në pagimin e një takse të veçantë për gjithë meshkujt e krishterë mbi 12 vjeç (xhizje).
Vetë sulltani e rrethi i tij familjar, si edhe përfaqësuesit e tjerë të klasës feudale osmane, nxirrnin përfitime duke shkelur parimet e shpallura nga reformat dhe duke ruajtur praktikën e vjetër të abuzimeve, siç ishte veçanërisht shitja e posteve qeveritare. Sulltani e familja e tij ruajtën në Shqipëri për një kohë të gjatë një varg privilegjesh feudale. Kështu, një pjesë e mirë e të ardhurave të sanxhakut të Ohrit, ku përfshiheshin krahina të tëra shqiptare, vijuan t’i shkonin si të ardhura private sulltanes-nënë, kurse sulltanit i shkonin të ardhurat nga qiraja e Bezistenit? në pazarin e Shkodrës dhe nga shitja e së drejtës së peshkimit po në këtë qytet. Madje, gabelët (arixhinjtë) e Myzeqesë edhe pas shpalljes së reformave vazhduan të quheshin të gjithë skllevër të sulltanit dhe shërbimet e tyre u shiteshin për vit (nga ana e tij) të interesuarve kundrejt një shume të caktuar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama