Fillimi i kryengritjes. Kuvendi i Verrave te Llukes

Ekspeditat e Xhavit Pashës të vitit 1909, taksat dhe tatimet e reja, rekrutimi i detyruar ushtarak, masat për çarmatimin me dhunë të popullsisë, ndjekjet policore kundër klubeve e atdhetarëve shqiptarë, si edhe reaksioni xhonturk kundër shkollës e shkrimit shqip, i acaruan më tej marrëdhëniet e shqiptarëve me qeveritarët xhonturq.
Përballë kësaj gjendjeje politike, rrethet atdhetare shqiptare bënë përpjekje për bashkërendimin e lëvizjes në shkallë kombëtare. Në fundin e vitit 1909 u themelua në Stamboll Komiteti i fshehtë shqiptar “Ja Vdekje, ja Liri!”, i cili bëri thirrje për formimin e një qendre të vetme drejtuese dhe për nxjerrjen e një organi qendror shtypi për të gjitha organizatat e shoqëritë atdhetare brenda e jashtë vendit. Komiteti u përpoq ta shtrinte veprimtarinë e tij edhe në Shqipëri.
Dhuna e egër që xhonturqit ushtruan për mbledhjen e taksave e të tatimeve, për grumbullimin e armëve e të rekrutëve ishte më e fuqishme në Kosovë, ku shpërtheu hapur pakënaqësia e shqiptarëve. Qysh në pranverën e vitit 1910 qëndresa e shqiptarëve të Kosovës merr gjithnjë e më shumë trajtën e një lufte të armatosur. Të rinjtë, për t’iu shmangur shërbimit ushtarak, dilnin në mal dhe formonin çeta të armatosura. Ndërkohë nisën përgatitjet për aksione të armatosura në përmasa më të gjera. Pranvera e vitit 1910 i gjeti shqiptarët e Kosovës të organizuar në grupe të armatosura e të përgatitura për luftë kundër regjimit xhonturk.
Veprimet e para kundërqeveritare nisën në mars në Gjakovë, por qendra e tyre u bë në fillim Juniku, ku vepronin forcat e udhëhequra nga Halil Mehmeti.
Në muajin mars, me nismën dhe nën drejtimin e Idriz Seferit, u mbajt në Gjilan një mbledhje e shqiptarëve të këtij rrethi ku u diskutua rreth masave për organizimin e kryengritjes së re.
Në fund të muajit mars grupe të armatosura fshatarësh e malësorësh të anës së Mitrovicës, të Vuçiternës dhe të Llapit marshuan në drejtim të Prishtinës për të protestuar kundër caktimit arbitrar të taksave. Ata ndërprenë rrugën Prishtinë-Prepalac. Repartet e garnizonit të Prishtinës më 5 prill u ndeshën me kryengritësit në Babin Most. Pas përpjekjeve që u zhvilluan këtu dhe që zgjatën dy ditë, kryengritësit rrethuan një batalion të ushtrisë osmane dhe i detyruan forcat qeveritare të tërhiqeshin në Prishtinë me humbje të ndjeshme në njerëz dhe në armatime.
Fitorja e kryengritësve në Babin Most i vuri në një gjendje të vështirë trupat qeveritare që mbronin Prishtinën. Garnizoni i saj përbëhej prej një regjimenti kavalerie dhe një batalioni këmbësorie, të cilët nuk ishin në gjendje të mbanin qytetin dhe as të ndërmerrnin veprime jashtë tij. Më 7 prill u dërgua nga Ferizaj në Prishtinë një kolonë e përbërë prej 6-7 batalionesh. Me gjithë përforcimet që i erdhën, garnizoni i Prishtinës qe i detyruar të qëndronte në pozita mbrojtëse.
Pas fitoreve të para të forcave kryengritëse, gjendja në vilajetin e Kosovës u bë e vështirë për autoritetet xhonturke. Garnizonet ushtarake të vilajetit ishin të pamjaftueshme për ta shtypur menjëherë kryengritjen.
Kryengritja u shtri edhe në Rrafshin e Dukagjinit. Vrasja e komandantit të ushtrisë në Pejë, e majorit Rushit Beu, dhe plagosja e mytesarifit të atjeshëm, Haki Beu, u pasua nga veprimet që çetat e Shalës dhe të Berishës ndërmorën kundër një batalioni ushtarësh.
Në të njëjtën kohë kryengritësit e rrethinave të Prizrenit i detyruan repartet ushtarake osmane të mbylleshin në qytet, ndërsa pjesën tjetër të tërhiqej në drejtim të Fushë-Kosovës. Në fillim të prillit kryengritësit kishin zënë të gjitha pikat strategjike në afërsi të qyteteve të Prishtinës, të Pejës e të Prizrenit.
E shqetësuar nga këto ngjarje, qeveria xhonturke, në mbledhjen që mbajti më 7 prill, vendosi që të merreshin masa të rrepta ushtarake kundër kryengritësve. Në mesin e muajit prill në trevën verilindore të Shqipërisë qenë përqendruar rreth 36-40 batalione këmbësorie, që bënin pjesë në korpuset I, II dhe III të ushtrisë osmane të vendosur në pjesën evropiane të Perandorisë, si dhe gjashtë bateri të artilerisë malore e gjashtë bateri të artilerisë fushore me 50 gryka zjarri.
Përballë zhvillimit të shpejtë të ngjarjeve në rrethet e Prishtinës, të Pejës e të Prizrenit, qeveria xhonturke mori masa për të penguar zgjerimin e kryengritjes. Me dekretin perandorak të sulltan Mehmet Reshatit V u shpall në zonën e kryengritjes gjendja e jashtëzakonshme; urdhërohej të shpërndaheshin sa më shpejt forcat kryengritëse; të arrestoheshin dhe të nxirreshin para gjykatës ushtarake organizatorët e kryengritjes; të bëhej regjistrimi i popullsisë dhe i pasurisë së patundshme; të zbatohej shërbimi i detyrueshëm ushtarak; të mblidheshin me forcë taksat etj. Porta e Lartë urdhëroi Ministrinë e Luftës që të përgatiste sa më shpejt ekspeditën ndëshkimore, në krye të së cilës do të vihej Shefqet Turgut pasha, njëri nga gjeneralët më të zotë të ushtrisë osmane aso kohe.
Për të përballuar ekspeditën e madhe ushtarake që Porta po përgatiste kundër Kosovës, u pa e nevojshme të merreshin masa organizative e ushtarake, të cilat do të vendoseshin në tubimet e udhëheqësve shqiptarë. Një tubim i tillë u mbajt në mesin e prillit në vendin e quajtur Verrat e Llukës, në afërsi të Deçanit. Autoritetet xhonturke, me gjithë përpjekjet që bënë, nuk arritën ta pengonin mbledhjen e këtij kuvendi. Agjentura e tyre, e kryesuar nga disa bejlerë të Pejës, nuk arriti gjithashtu të qetësonte dhe të shpërndante turmat e armatosura. Tubimi u zhvillua nën drejtimin e Shaban Binakut, të Isa Boletinit, të Sulejman Batushës dhe të krerëve të tjerë.
Në Kuvend u vendos pajtimi i të gjitha gjaqeve deri në Shën Mitër. Më pas pjesëmarrësit lidhën besën e vendosën që të gjitha viset e përfaqësuara prej tyre të bashkoheshin me kryengritjen. U përcaktuan gjithashtu me hollësi masat organizative dhe ushtarake për përballimin e ekspeditës së Shefqet Turgut pashës. Kuvendi parashikonte edhe masa ndëshkuese për ata që do t’i kundërviheshin besës së lidhur.
Kuvendi i Verrave të Llukës nuk mori vendime me karakter politik, nuk doli me kërkesa në rrafsh kombëtar. Me sa duket, organizatorët e tij mendonin se këto do të ishin objekt i një mbledhjeje shumë më të gjerë dhe me përfaqësues në shkallë kombëtare. Megjithatë, tubimi pati rëndësi për zhvillimin e mëtejshëm të kryengritjes, për organizimin dhe për bashkërendimin e veprimeve të saj të armatosura. Aty u hodhën themelet e bashkimit luftarak të shumicës së krahinave të vilajetit të Kosovës, kryesisht të pjesës perëndimore e qendrore.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama